Viti defensiv i Evropës

Viti defensiv i Evropës
  • 26 December 2018 - 08:13

Shkruan: JOSCHKA FISCHER 

Drama e brendshme politike e Evropës do të zhvillohet kundër një sfondi të trazirave ndërkombëtare 

Në rastin më të mirë, viti 2019 do të jetë një vit i manovrimeve mbrojtëse, në vend se të fillojë një rinovim evropian. Por, në planin afatgjatë, një Evropë e rindërtuar është e vetmja mundësi. Kjo kontradiktë do të përcaktojë këtë epokë të tranzicionit, e cila nuk lejon shkurtesa 

Nga një perspektivë evropiane, viti 2019 premton të jetë një vit tjetër i vështirë, i dominuar nga sfida të mëdha që mund të shndërrohen lehtësisht në kriza shqetësuese. Duke penguar një rikthim të madh, Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga Bashkimi Evropian më 29 mars. Kriza ekonomike dhe financiare në Itali do të intensifikohet duke kërcënuar stabilitetin e eurozonës. Dhe, Franca ndoshta do të mbetet e karakterizuar nga protestat populiste, duke zvogëluar potencialin e saj për ta marrë një rol udhëheqës në ndjekjen e reformave në nivel të BEsë. Përveç kësaj, zgjedhjet e Parlamentit Evropian në maj mund të sigurojnë një shumicë nacionaliste ose shumicë të ngushtë, e cila pastaj do të përcaktojë anëtarët e ardhshëm të Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane dhe Përfaqësuesit të Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë. Pa dyshim, një fitore nacionaliste do të ishte një fatkeqësi për BE-në, sepse do të pengonte reformat e nevojshme dhe do t'i ndante më tej shtetet anëtare. Çfarëdo që të ndodhë, drama e brendshme politike e Evropës do të zhvillohet kundër një sfondi të trazirave ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë që Rusia po rrit agresionin e saj në Ukrainën lindore, presidenti i SHBA-së, Donald Trump po zhvillon një luftë tregtare kundër Kinës dhe mund ta zgjerojë atë edhe kundër BE-së (të cilën ai e kishte cilësuar si "armike"). Dhe, më gjerësisht, ekonomia globale është duke u dobësuar dhe rritja do të vazhdojë të ngadalësohet në muajt në vijim.

Elitat perëndimore nuk do të rifitojnë besimin e publikut

Përballë këtyre sfidave të parashikueshme, mbijetesa e vetë projektit evropian është në rrezik. Sa i përket Brexitit, shumë do të varet nëse dalja e Mbretërisë së Bashkuar ndodh në një mënyrë të rregullt apo kaotike. Në rastin e fundit, të gjithë do të ishin humbës dhe marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së do të mund të rëndoheshin për një kohë të gjatë. Askush në të dy anët e Kanalit të Anglisë nuk duhet ta dëshirojë këtë rezultat. Jeta vazhdon pas divorcit dhe në përgjithësi është në interes të të dy palëve të mbajnë një marrëdhënie të shëndetshme. Na mbetet të shpresojmë që ndjenja e përbashkët do të mbizotërojë. Ashtu si në rastin e Brexitit, udhëheqja e BE-së në Bruksel nuk mund të zgjidhë krizën italiane, por ajo mund dhe duhet të ofrojë një ndihmë. Italia ka nevojë për rritje, e cila do të kërkojë modernizimin e plotë të ekonomisë së saj. Për fat të keq, qeveria e saj aktuale nuk po ndjek politikat e nevojshme për të arritur këtë, dhe ka provokuar një konfrontim mbi rregullat e buxhetit të BEsë. BE-ja do të duhet të tregojë fleksibilitet, duke respektuar parimet që mbështesin qëndrueshmërinë e bashkimit monetar. Kjo sugjeron që na presin negociata të gjata dhe tronditëse. Në Francë, "Xhaketat e Verdha" kanë artikuluar kërkesat e tyre kryesisht në aspektin ekonomik, duke marrë së pari në rrugë për të protestuar kundër një taksë të propozuar të karburantit. Por, lëvizja gjithashtu përfshin elementë të fortë "identitarë" që kanë kapur ndjenjat e pakënaqësisë për humbjen e mënyrave tradicionale të jetës në epokën e globalizimit dhe integrimit evropian. Ashtu si në shumicën e vendeve perëndimore, këto ndjenja janë të përqendruara në mesin e votuesve tradicionalë të punës dhe atyre të klasës së mesme të cilët kanë arritur në përfundimin se kontrata shoqërore e pasluftës është e pavlefshme. Puna e vështirë më nuk siguron më shumë siguri ekonomike dhe lëvizshmëri në rritje. Elitat perëndimore nuk do të rifitojnë besimin e publikut derisa ato të ofrojnë një përgjigje ndaj kësaj humbjeje të besimit, pa të cilin demokracia dhe institucionet e saj kryesore nuk do të jenë në gjendje të funksionojnë. Duke i ndërlikuar çështjet edhe më shumë, balanca globale e pushtetit po zhvendoset shpejt nga Perëndimi në Lindje, kriza e klimës po intensifikohet, teknologjitë e reja digjitale po revolucionarizojnë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë, dhe emigrimi dhe valët e refugjatëve po shtojnë intensitetin e reagimeve populiste.

Debatet tradicionale evropiane

Por nëse forcat populiste kanë një plan që do të mundësonte objektin e tyre të dëshirës - shtetin-komb tradicional - për t'iu përgjigjur këtyre sfidave në rritje, ata e kanë mbajtur sekret këtë gjë. Në realitet, vetëm një Evropë e bashkuar është në nivel të detyrës, prandaj zgjedhjet evropiane të vitit të ardhshëm janë kaq të rëndësishme. Nëse populizmi fiton, Evropa humbë. Kjo nuk ndihmon që shumica e ndryshimeve të mëdha në rendin ndërkombëtar gjatë dekadave të fundit kanë ardhur me shpenzimet e Evropës. Rritja e Kinës dhe revolucioni në inteligjencën artificiale duket se po e lënë Evropën mënjanë. Deri më tani kontinenti i vjetër ka qenë duke vozitur në gjendje gjumi. Nëse nuk zgjohet së shpejti, do të ketë humbur mundësinë që të shfrytëzojë forcat e ndryshimit për të mirën e vet. Një epokë e re ka filluar, dhe kjo do të bëhet gjithnjë e më e qartë gjatë vitit të ardhshëm. Debatet tradicionale evropiane nuk mund të marrin si të qenë forcën e aleancës transatlantike apo progresin e vazhdueshëm drejt "bashkimit gjithnjë e më të ngushtë". Amerika e Trump ka thënë lamtumirën e saj dhe modeli i vjetër social i Evropës është thyer, pa ndonjë zëvendësim konkret. As nostalgjia për një të kaluar mitike dhe as modeli autoritar i qeverisjes së Kinës nuk përfaqësojnë një alternativë të dobishme. Kriza që kërcënon Evropën do të shpaloset pa pushim dhe do të jetë evidente për të gjithë. Në rastin më të mirë, viti 2019 do të jetë një vit i manovrimeve mbrojtëse, në vend se të fillojë një rinovim evropian. Por në planin afatgjatë, një Evropë e rindërtuar është e vetmja mundësi. Kjo kontradiktë do të përcaktojë këtë epokë të tranzicionit, e cila nuk lejon shkurtesa ose panace.

 

(Kosova Sot)