Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë injoron inovatorin Smajl Mulaj!

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë injoron inovatorin Smajl Mulaj!
  • 27 December 2018 - 08:04

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Themelimi i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, sikurse edhe shumë ministri të tjera, është shpikje e pushtetarëve për të rehatuar militantët partiakë, sekserët politikë dhe familjarët e tyre. Për të sqaruar edhe më tutje situatën, kjo ministri është shpikur jo për të ndihmuar resurset zhvillimore në vend, as për të ndihmuar studentët në rritjen e kapaciteteve intelektuale e shkencore dhe as qytetarët e vendit në ngritjen profesionale dhe avancimin e zbulimeve të tyre shkencore, por për rehatimin e Besim Beqajt dhe sekserëve të tjerë të PDK-së pas kapjes së posteve ministrore nga partitë e vogla në koalicionin qeverisës megaloman PAN. Jemi dëshmitarë, që muajve, javëve dhe ditëve të fundit, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, përkatësisht ministri Besim Beqaj ka lansuar projektin për themelimin e qendrave të inovacionit dhe ndërmarrësisë në universitetet publike (partiake) të qyteteve tona. Në këtë vazhdë, kohë më parë ministri Besim Beqaj gjatë vizitës në Universitetin Publik të Pejës ''Haxhi Zeka'', ka deklaruar se "Peja në vitin 2019 do të bëhet me Qendër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë,...kjo Qendër do të shërbejë për lidhjen e dijes e shkencës me ekonominë dhe do t'u shërbejë profesorëve, studentëve dhe të rinjve që kanë nevojë për aftësim profesional".

Grantet Qeveritare ndahen për gjithçka e për çdo gjë, por jo edhe për shkencëtarët e kalibrit botërorë

Se vërtet fjalët e mëdha dhe premtimet megalomane të pushtetarëve janë vetëm mashtrime dhe maskarada mashtruese sa për të justifikuar milionat që zhvatin nga buxheti i shtetit, kinse në emër investimeve në shërbim të dijes e shkencës, e tregon rasti i shkencëtarit (elektricistit) Smajl Mulaj nga Peja, të cilit i refuzohet e drejta në përfitimin e Grantit Qeveritar! Ministria e Inovacionit dhe Ndermarrësisë nuk e përkrah inovatorin Smajl Mulaj nga Peja, edhe pse shpikja e tij (Inhalatori) është e certifikuar dhe testuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si dhe nga mjekët vendorë, e vetmja e këtij lloji në Evropë!Grantet Qeveritare ndahen për gjithçka e për çdo gjë, por jo edhe për shkencëtarët e kalibrit botërorë! Po ndodh pikërisht kështu, për faktin se në shtetin tonë avancohen delinkuentët, hajdutët e matrapazët e të gjitha llojeve e ngjyrave. Në secilin shtet të botës, për shpikjen e tij, inovatori Smajl Mulaj, përveç ndihmës së pakursyer, do të avancohej dhe stimulohej nga shteti për përhapjen e shpikjes së tij edhe jashtë kufijve shtetërorë.

Kush është Smajl Mulaj!?

Smajl Mulaj është nga fshati Lozhan afër Pejës, i punësuar si elektricist i kualifikuar në QKMF (Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ) në Pejë që nga viti 1999, ku edhe ndodhet aktualisht. Në QKMF, si mirëmbajtës i të gjitha pajisjeve elektrike, gjatë riparimeve të pajisjeve inhaluese, ai kishte vërejtur dobësitë e tyre dhe nga aty i kishte lindur ideja që të punojë një pajisje më të avancuar për një shërbim më efikas për pacientët. Aparati "Inhalator 3+1 Profesional" është vënë në punë në Spitalin e Pejës dhe mjekët thonë se nuk kanë pasur asnjë problem që nga fillimi i punës së këtij aparati, i cili po vlerësohet më shumë rëndësi për pacientët dhe qytetarët. Pas realizimit me sukses të pajisjes inhaluese, Smajli menjëherë i fillon procedurat e patentimit të Inhalatorit të tij. Edhe pse procedurat e patentimit e kishin një kosto të lartë dhe zgjatën rreth dy vjet, vendosmëria dhe përkushtimi e bënin të vetën. Kështu, më 02.11.2015 inovatorit Smajl Mulaj i është njohur shpikja nga Agjencia për Pronësi Industriale dhe me 05.11.2015 i është lëshuar Certifikata për Patentë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Smajli pas marrjes së patentës për shpikjen e re, i bëri hiç më pak se 5 kërkesa kryetarit të komunës së Pejës, Gazment Muhaxheri për mbulimin e shpenzimeve për mbrojtjen ndërkombëtare të patentës. Por në vend të përgjigjes, kërkesat e tij injorohen në tërësi nga kryetari komunal! I zhgënjyer në kryetarin e Pejës, inovatori Smajl Mulaj i drejtohet Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, gjegjësisht Departamentit për Shkencë dhe Teknologji me kërkesat për mbështetje në projektin e tij, por për fatin e keq injorohet dhe nga pushtetarët e nivelit qendror. Pas formimit të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Smajli shpresat i kishte drejtuar tek ministria e "Re". Nga takimi me ministrin Besim Beqaj sikur iu kishin shtuar akoma më shumë shpresat për arritjen e qëllimit, për faktin se ministri kishte dëgjuar në media dhe kishte njohuri të mjaftueshme për shpikjen e tij, me ç'rast merr nga ai përgëzime për suksesin e arritur me shpikjen e Inhalatorit. Smajli i entuziazmuar nga "përgëzimet" e ministrit Beqaj, me të shpallur konkursin për "Grante Qeveritare", aplikon pranë Ministrisë së Inovacionit. Mirëpo, edhe kësaj radhe nuk i buzëqeshi fati!Në aplikimin për grant, për jetësimin dhe zhvillimin e shpikjes, çuditërisht refuzohet edhe nga komisioni për vlerësim të aplikuesve në listat preliminare! Edhe përkundër ankesës në afatin e rregullt, përsëri inovatori Smajl Mulaj nuk hyn në listën e fituesve të grantit! Paradoksalisht, komi(sarët)sionerët i refuzojnë të drejtën në grant inovatorit të çertifikuar!

Zhgënjim dhe dëshpërim i përgjithshëm qytetar

Kjo situatë duhet të jetë shqetësuese për të gjithë ne për gjendjen në të cilën jemi katandisur si vend dhe si shoqëri njerëzore, ku nuk përkrahen ata që duhet, por ndihmohen ata që nuk e meritojnë, pra avancohen injorantët, antivlerat dhe analfabetët. Kosova është katandisur keq nga kjo klasë politike, me këta politikanë dhe me këto parti politike, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, në një shtet pa perspektivë, tërësisht në duart e mafio-oligarkëve politikë dhe ekonomik. Inovacioni apo shpikja "Inhalator 3+1 Profesional" e Smajl Mulaj, nuk hyri në listat përfundimtare si përfitues i Grantit Qeveritar nga komisioni për vlerësim në Ministrinë e Inovacionit, për shkak se Smajl Mulaj nuk e kishte mundësinë për t'ua "lagur fytin" pushtetarëve. Nuk i dhanë mundësinë Smajl Mulajt për jetësimin e shpikjes që e punoi me zell e përkushtim maksimal për të mirën e pacientëve. Pushtetarët hipokritë që me pompozitet flasin për krijimin e vendeve të reja të punës, realiteti po ua thotë të kundërtën. Inovacioni apo shpikja "Inhalator 3+1 Profesional" e Smajl Mulaj, e cila mund t'u shërbejë të gjithë pacientëve kosovarë pa dallime partiake, nuk mbështetet nga pushtetarët injorant e analfabetë. Ndodh pikërisht kështu, sepse pushtetarët nuk shohin përtej hundës së vet, nuk shohin përtej interesave të tyre personale.Personi që shpiku inovacionin mund t'i ketë bindjet e veta ideologjike apo fetare, por inovacioni i tij nuk i përket asnjë partie politike, dhe nuk mund t'i shërbejë vetëm një partie politike, pra inovacioni i tij do të shfrytëzohet nga të gjithë pa dallim, pa përjashtuar pushtetarët.

 

(Kosova Sot)