Alarm për rrezikun e humbjes së sovranitetit për herë të dytë

Alarm për rrezikun e humbjes së sovranitetit për herë të dytë
  • 31 December 2018 - 08:03

SHKRUAN: ALI KELMENDI

Me këtë Presidencë, Qeveri dhe Kuvend me të gjithë deputetët, pa ata të VV-së, ekziston rreziku i madh i mundshëm për humbjen sërish të sovranitetit të shtetit dhe shpërbërjes së tij "Politikani, lideri e shumë të tjerë janë si plepat. Për të arritur karrierë jo në rrafshin horizontal të ngadalshëm e meritor, ata zgjodhën atë më të shpejtë, vertikal - jomeritor, dhe me çdo kusht u ngjitën përpjetë plepave, duke mos llogaritur se degët nën këmbë u preheshin dhe kur ngjiten në majë nuk janë të vetëdijshëm ç'të bëjnë më, por atëherë u mbetet e vetmja rrugëdalje, ose të zbresin teposhtë zvarritur, duke u shqyer këmbësh dhe trupit ose të kërcejnë kryeshyt e në tokë". Besa, disa nga ata kanë gjetur zgjedhje të përkohshme, duke bërë strofull për të qëndruar më gjatë në maje të plepave. Janë bërë si sorrat të zeza, gahuta - ashtu i quanim ne në Dukagjin. Atje grinden, bërtasin, sorollaten dhe glacojnë poshtë dhe fëlliqin çdo gjë! Prej së larti shikojnë rrokaqiejt, shtëpitë, pronat e tyre të fituara nga djersa e popullit, nga hajnitë, zhvatjet, korrupsioni dhe keqpërdorimet e tyre të bëra në kurriz të tij! Prej së larti shikojnë kufijtë shtetërorë. Bëjnë propozime për demilitimin (vijat e reja kufitare) pa pyetur për sovranin dhe askënd!!!.

Gjoja kujdesën për sovranitetin e shtetit nga njëra anë dhe nga ajo tjetra e shesin dhe e tjetërsojnë. Bëjnë pazare të ndryshme të pista pa e pyetur popullin i cili i ka zgjedhur. Nuk duan të dinë se kush është sovrani dhe çka është sovraniteti i shtetit. Megjithatë e përmendin atë si propagandë para mediave se janë për mbrojtjen e tij??? Si sorrë gahute e zezë në strofkën në maje të plepit është Hashim Thaçi Më konkretisht ndër të tjerët, si sorrë gahute e zezë në strofkën në maje të plepit është Hashim Thaçi, aq lart saqë as nuk kapet dhe as nuk dëgjon kë fare. Vepron vetëm me kokën e vet. N'atë kokë nuk po dihet se çka ka, por punët që i bën dhe vepron japin shenja serioze që nuk është normal; pa ndjenja shtetformuese dhe atdhetare për Republikën e Kosovës.

Hashim Thaçi uzurpoi liderizmin në UÇK, atë në Rambuje etj. Kur erdhi në pushtet prapë filloi me kokëfortësinë dhe egoizmin e tij që nuk ka kush të udhëheqë shtetin përveç tij. Edhe pse nuk ishte detyrë e tij, nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, uzurpoi dokumentin dhe shpalli edhe Pavarësinë e Republikës së Kosovës. Në vitin 2013 dyshohet së bëri marrëveshje ndërkombëtare pa pyetur askënd. U mor vesh për delimitimin - shënimin e linjës së re të kufirit me Malin e Zi, dhe jo demarkimin e kufirit ekzistues, me marrëveshje për dhënien e Mitrovicës veriore dhe dhënien e ingerencave ekzekutive për asociacionin e komunave me shumicë serbe. Me malazeztë merret vesh dhe e merr Projektin e gatshëm për delimitim. Zgjodhi Murat Mehën për ta zbatuar projektin në përpikëri. Këtë e hipin malazezët në helikopter dhe ia tregojnë vijën e re kufitare prej së larti të përpiluar dhe skicuar shumë vite më parë. Hashimi nga maja e plepit e thërret Isa Mustafën, që ta shikojnë së bashku prej së larti kufirin e ri duke e bindur se kufiri është këtu dhe se Kosova nuk humb asnjë milimetër. Isa Mustafa ia konfirmon Hashimit, pasha Musafin, nuk po humbka asnjë milimetër!

Pastaj ju kthehet rugovasve që t'ia sjellin Isës dokumentet kadastrale. Nëse nuk i keni atëherë nuk është tokë juaja dhe nuk humbet asnjë milimetër e pronës rugovase. Mbështetja e miqve të fortë: Amerikës, Anglisë dhe Gjermanisë Ju liderë, politikanë dhe deputetë të mjerë, nuk e morët për bazë raportin e prof. Bulliqit, po ashtu nuk deshët t'i lexoni as hartat dhe argumentet e vërteta me shkrim që ju solla nga Zvicra, si p.sh. në tekstin e Preambulës së Malit të Zi shkruan qartë: Në drejtim të Republikës Popullore të Serbisë, kufiri përkon majave (qafave) të Bogiqës, Cakorrit, Haljes dhe Zhlebit. ( Marrë nga Enciklopedia e jugosllave, Botimi 1 Libri 2 i datës 15. 11. 1956) në kryeartikullin CRNA GORA - faqe 398). As Hashimi, as Isa, asnjëherë nuk raportuan para Parlamentit dhe nuk ofruan transparencë për veprimet e tyre!!! "Kush e fsheh gjarprin në xhep, e përgatit konopin për vetëvrasje", thotë një proverb uzbekistanez. Tragjedia për Kosovën e pasluftës filloi në gusht të vitit 2015, kur Hashimi shkeli Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke e nënshkruar Marrëveshjen ndërkombëtare me Malin e Zi, për Delimitimin (vijën e re kufitare) e jo demarkimin sipas ligjit.

Nuk mori së pari aprovimin e Kuvendit që parasheh Kushtetuta. Kushtetuta për Hashimin nuk ka vlerë, pasi që ky është despoti apo sulltani i Republikës!!!???. Po i citoj dy rreshtat e vjershës -Sulltani të shkrimtarit tonë rilindës Çajupit: Jam sulltan mbret i vërtetë. Shokë të tjerë nuk kam në jetë. Kështu që ne, rugovasit dhe e tërë Kosova, humbëm 8.270 hektarë tokë të Rugovës kreshnike. Tani kur ishte në Amerikë deklaroi së në vitin 2015 nënshkroi delimitimin e kufirit me Malin e Zi dhe atë marrëveshje ndërkombëtare e kundërshtuan tri vjet kundërshtarët, dhe në fund edhe atë e nënshkruan 80 deputetë të Kuvendit të Kosovës. Tradhtinë e vet Hashimi ua hodhi deputeteve sahanlëpirës dhe tradhtarë. Të 80 deputetët tradhtuan dhe shpëtuan tradhtarin kryesor, Hashim Thaçin, nga burgu i përjetshëm për tjetërsim të territorit dhe tradhtinë kombëtare. Edi Rama, nga i njëjti nivel, ia dha detin Greqisë dhe para ca ditësh në Pejë deklaroi: Kush e quan Hashim Thaçin tradhtar është gomar!?. Por një proverb thotë:"Kurrë gomarët se dëgjojnë mushkën". Hashimi e kërkoi vetë nga Parlamenti Evropian kushtëzimin për të marrë gjoja liberalizimin e vizave me ratifikim të Marrëveshjes për Delimitimin e kufirit me Malin e Zi. Bëri çka bëri dhe e ratifikoi. Por, liberalizimi nuk u realizua. Tani së fundi z. Hahn deklaroi në Prishtinë se nuk ka viza deri në vitin 2020. Absurditet i lidershipit dhe Parlamentit tonë me premtimet e tyre të rrejshme.

Edhe unë u tradhtova me 18 deputetët e LDK-së, në të cilët shumë besova, pasi që ata u zotuan që nuk do ta ratifikojnë marrëveshjen, e sidomos Vjosa Osmani, Arbër Gashi, Kujtim Shala, Besa Gaxheri, Naser Rugova, Anton Çuni etj., etj. Nga ana tjetër, edhe Isa Mustafa, njëjtë si Hashimi, nënshkroi Asociacionin për komunat me shumicë serbe, të cilin e kontestoi Gjykata Kushtetuese në 23 pika të marrëveshjes. Asociacioni atë ditë e sot është problematik dhe i panënshkruar pas korrigjimit nga Kushtetuesja. Është bërë mollë sherri për ndryshimin e kufijve për marrëveshjen gjithëpërfshirëse, siç e quan Hashimi: Nëse e marrim një pjesë të Preshevës dhe Bujanovcit, por jo në kufirin e vërtetë, atëherë si këmbim Hashimi, ka premtuar dhënien e ingerencave ekzekutive me të cilat ingerenca pakica serbe pas një dekade përmes një referendumi do të mund ta shpallte Republikën serbe të Mitrovicës veriore dhe në fund për t'iu bashkangjitur Serbisë. Po i rrezikon 'Trepçën' dhe Ujmanin. Pagoi shumë para të shtetit për ndërkombëtarët për t'i shkruar mbi karrierën e tij. Mirëpo "karriera është kalë e cila arrin pa kalorësin para derës së përjetësisë", Karl Kraus. Me kapjen e 6 gylenistëve pa kurrfarë procedure ligjore dhe dorëzimit të tyre vëllait Erdogan, të Hashimit, u tregua se nuk jemi shtet i sigurt dhe i besueshëm, çka ishte edhe një shkas për mospranim në interpol. U humb besimi me fajin e diplomacisë sonë dhe të 16 shtetet që e kishin njohur Kosovën më parë nuk na votuan në Interpol. Te të gjithë ata që gjenden në majë të plepave do të ishte më mirë të ishin në tokë së bashku me popullin, që specialja t'i mbledhë më lehtë, si Rrustem Mustafën, Sami Lushtakun etj. Atëherë ata që nuk rrëshqasin poshtë ose kërcejnë do t'i marrin me helikopterë dhe drejt e në Hagë. Pak më shumë shpenzime. Por, jemi mësuar të japim para kot së koti. Si shpresë e fundit për mosshpërbërjen e shtetit e presim mbështetjen e miqve të fortë: Amerikës, Anglisë dhe Gjermanisë. Se për ndryshe na ka hëngër djalli.

(Kosova Sot)