Siguria dhe ne

Siguria dhe ne
  • 31 December 2018 - 13:36

Shkruan: Enver Mazreku

Zhvillimet në sektorin e sigurisë në vendin tonë po gërshetohen në shumë drejtime dhe perceptime të cilat nuk i ngjajnë një sistemi të konsoliduar shtetëror të sigurisë. Në opinionin publik shumë herë thuhet se nuk ka shtet të mirëfilltë derisa policia dhe ushtria e vendit nuk është e kompletuar dhe nuk është serioze në kryerjen e detyrave të sigurisë. Pavarësisht stabilitetit politik dhe zhvillimit ekonomik sektori i sigurisë çdoherë tejkalon pritjet dhe kërkohet që ky sektor të jetë edhe më efektiv dhe ndikues në ruajtjen e vlerave shoqërore dhe shtetërore.

Dimensioni i sigurisë po prek çdoherë nivelet e zhvillimit shoqëror e më këtë edhe vlerësimin e seriozitetit institucional shtetëror, duke na bërë të jemi të ndjeshëm sa herë raportohet për ngjarje që prekin rendin dhe sigurinë publike.

Jemi në rehati sa herë që shohim zhvillime pozitive në sektorin e sigurisë përfshirë së fundi transformimin e FSK-ës në Ushtri. Apo edhe përfundimin e shumë specializimeve të Pjesëtarëve të Policisë dhe furnizimin me pajisje të kohës të ndihmuara nga shtetet aleate.

Rasti i fundit i vrasjes së policit në kryerjen e detyrës dhe vrasja po ashtu e një qytetari i cili ishte duke cenuar rendin dhe sigurinë publike dëshmon fare mirë që sektori i sigurisë nuk është konsoliduar ende dhe reagimi dhe përgjigja në raport me parandalimin e kryerjes së veprave të kundërligjshme është ende një përgjigje jo e duhur dhe jo efektive. Humbja e jetës së një policit në parandalimin e vjedhjes së një banke dëshmon për jo seriozitetin e reagimit dhe mos koordinimin e ekipeve të reagimit për të parandaluar krimin, vjedhjen dhe për të evituar dëmtimin e pronës publike.

Derisa thyerja e një banke apo thënë thjesht vjedhja e një banke konsiderohet vepër e kundërligjshme dhe nëse duhet evituar dëmtimi i pronës atëherë nëse e kemi parandaluar vjedhjen e bankës atëherë reagimi del të jetë jo serioz dhe jo i përgatitur sepse humbi jetën polici i Kosovës dhe humbi jetën dhe një qytetar i Kosovës gjithashtu që në rastin konkret ishte i identifikuar në kryerjen e veprës penale.

Çështja është se reagimi ndaj parandalimit të vjedhjes konsideroj që ishte jo serioz, jo profesional dhe jo i koordinuar nga organet e rendit dhe të sigurisë publike. Nuk mund të dijë konkretisht detajet e involvimit të policit në parandalimin e krimit por konsideroj që jeta e policit shikuar në aspektin profesional dhe institucional do të duhej të ishte e mbrojtur duke filluar nga shumë dimensione. Duke shikuar paraqitjen në medie të skenave ku zhvillohej beteja në mes policëve dhe të akuzuarit për vjedhje e që tashmë është edhe vet viktimë dëshmon që reagimi i policëve ishte jo profesional dhe më duar në xhepa ( kur krahasojmë mjetet që krenohemi që i ka Policia e jonë). Pra, konsideroj që jeta e pjesëtarëve të policisë dhe e qytetarëve duhet të jetë prioritet. Në rastin konkret ne shpëtuam bankën por nga një reagim jo efektiv dhe jo serioz humbëm një polic të Kosovës që është i pazëvendësueshëm dhe në anën tjetër një qytetar i cili për shkak të përfshirjes në krim do të duhej të ishte i kapur dhe në jetë për të zhvilluar drejtësinë dhe për të marrë informata për motivet, statusin social dhe rrethin i cili e ka nxitur të jetë pjesë e këtij veprimi kriminal.

Duke qenë i vetëdijshëm që ngjarje të këtilla do të jenë të pranishme në vendin tonë mendoj që Policia e Kosovës do të duhet të jetë më e përgatitur në reagimet e saj për të parandaluar krimin, e me prioritet të mbrojë pjesëtarët e saj dhe  jetën e qytetarëve. Një shembull konkret nuk mund të shuhet zjarri i paraqitur në një ndërtesë me duar në xhepa, e as me kënata të ujit por duhet reagimi goxha serioz i shërbimit të zjarrfikësve. 

Në rastin konkret reagimi ishte shumë emocional dhe në profesionalizëm nuk duhet të kenë vend emocionet por profesionalizmi. Pra, hallka e reagimit profesional në sektorin e sigurisë për rastin konkret, ka qenë e shkëputur dhe kjo mënyrë e reagimit ngjanë të jetë më shumë emocionale sesa profesionale.

Ndërsa sa i përket shprehjes së opinioneve se autori i krimit ishte anëtar i kësaj partie dhe polici ishte anëtar i asaj tjetrës parti tregon edhe më shumë shpirtngushtësinë e të shprehurve për të devijuar nga objektiviteti i ngjarjes dhe interpretimit të saj.

Në fund konsideroj që sektori i sigurisë duke filluar nga Shërbimi Inteligjent i Kosovës, Policia, Ushtria dhe dimensionet tjera kanë për detyrë që me punën e tyre të i takojnë gjithherë kuadrit patriotik për ruajtjen e rendit e ligjit dhe  me prioritet për ruajtjen e jetës së qytetarëve dhe institucioneve.

 

(Kosova Sot)