Shteti juridik dhe shteti i së drejtës

Shteti juridik dhe shteti i së drejtës
  • 02 January 2019 - 07:52

SHKRUAN: PROF. DR. RIZA SMAKA

Reformim rrënjësor të sistemit të drejtësisë e me vetting-un e mirëfilltë 

Vendi ynë është i kapluar nga universitete publike e kolegje private, shumica e të cilave nuk i plotëson as për së afërmi kërkesat themelore sipas standardeve të arsimit të lartë. Regjistrimet kryesisht praktikohen jo sipas nevojave të tregut të punës, por sipas stihisë për inkasime të kuotave për regjistrim.

Në jo në pak shkrime, artikulime, polemizime, debatime e diskurse tematike, madje edhe të juristëve, apelohet në shtetin dhe për shtetin juridik duke aluduar në funksion të zbatimit të mirëfilltë të ligjit në fuqi. Ndryshe, cilido shtet bashkëkohor, madje i të cilësdo formë të organizimit dhe të sundimit, esencialisht është shtet juridik, së pakut përkitazi me ekzistimin e rendit juridik përkatës. Edhe shteti serb gjatë të gjitha etapave historike kritike në të cilat ka pas ushtruar krime lufte deri në nivelin e gjenocidit kundër civilëve shqiptarë të të gjitha gjinive dhe moshave, ishte shtet juridik, ngase kishte rend juridik, madje, kur ushtronte dhunë shtetërore kundër tyre thirrej në "veprime sipas rendit juridik, përkatësisht ligjit në fuqi". Rendi juridik (jo sistemi juridik, i cili është nocion dhe instit juridik tjetër) i shtetit juridik mund të jetë diskriminator referuar shtresave etnike, nacionale, gjuhësore, kulturore, sociale të caktuara, i mëngët në sfera shoqërore të caktuara, me akte juridike të përgjithshme kontradiktore, me akte juridike të paqarta, konfuze dhe të definuara dobët me akte juridike të përgjithshme ( kushtetutë , akte ligjore e akte nënligjore) relativisht në nivel kualitativ, por të cilat keqimplementohen, implementohen sipas kritereve subjektive selektive, i karakterizuar me papërfilljen e akteve juridike të përgjithshme në fuqi, të cilat nuk i përfillë.

Shteti i së drejtës

Shteti i së drejtës dallon kualitativisht e substancialisht nga shteti juridik. Shteti i së drejtës ,Conditio Sine Qua Non kërkohet të jetë i ndërtuar dhe i funksionalizuar në premisa demokratike, të këtë rend juridik të kompletuar, aktet juridike të përgjithshme t'i këtë në konformitet me parimet themelore të deklaratave, konventave, kovenantëve, traktateve si dhe të doktrinës juridike ndërkombëtare, që degët kryesore të qeverisjes të jenë reciprokisht të ndara dhe njëkohësisht të kontrolluara (Checs and Balances) ,që aktet juridike të përgjithshme të jenë reciprokisht të harmonizuara dhe komplementare, si dhe aktet juridike të përgjithshme në fuqi të aplikohen drejt, pa përjashtime, pa diskriminime selektive subjektive.

Kosova, gjithnjë, shtet juridik , relativisht larg shtetit të së drejtës

Kosova ka Kushtetutë e, sipas saj, një numër të konsideruar të akteve ligjore e rrjedhimisht të akteve nënligjore, të cilat e përbëjnë Rendin Juridik të vendit tonë. Disa nga defektet jo të pakta të Rendit Juridik të Kosovës konsistojnë në numrin e konsideruar të akteve ligjore në fuqi që janë të hartuara dobët, përmbajnë tekste që nuk përkojnë me onomoteknikën as me terminologjinë juridike,nuk janë të sanksionuara përshtatshëm madje dispozita juridike të caktuara të tyre nuk janë të sanksionuara dot. Shpeshherë, për shkak të defekteve materiale e formale të akteve juridike të përgjithshme, në procesin e implementimit pashmangshëm " has sharra në gozhdë" , ashtu që, qasen çështje praktike problemore e rrjedhimisht interpretime dhe aplikime të rasteve juridike të ngjashme! Nga pasoja të gjendjes së tillë është edhe ndryshimi e plotësimi i shpeshtë i akteve ligjore. Në pjesët e ndryshuara në raste të caktuara për shkak të punës së ngutshme shkel e shko " aramara" hartohen e miratohen dispozita juridike divergjente me objektivin kryesor të aktit juridik të përgjithshëm të caktuar. Në anën tjetër, kryesisht, nga shkaku i "kapjes së shtetit" , aktet ligjore e nënligjore në fuqi, nuk implementohen sa dhe sikundër kërkohet , aplikohen sipas seleksionimeve subjektive , zbatohen sipas preteksioneve transparente. Për të qenë edhe më keq, në jo pak raste prokuroriale, gjyqësore e administrative, abuzohen "ex officio" nëpërmjet abuzimeve të autorizimeve publike, ashtu qe, zgjidhen dobët, trajtohen me vonesa evidente, nuk përfillen afatet ligjore e shkaktohen parashkrime përkatësisht vjetërsime e me to edhe mbulesa me pluhur edhe të rasteve kriminale , madje, edhe të zhdukjeve fizike të lëndëve administrative, civile apo penale! Në këtë kontekst dhe situatë komplekse të elementeve problemore situatën e rëndon shkalla e lartë e korrupsionit, papërgjegjësisë politike, juridike e morale e jo pak titullarëve të funksioneve publike në të tri branshat pushtetare, pasurimi ilegal në dëmin e aseteve publike, ndërtimet në kundërshtim me planet urbanistike e hapësinore, evazione tatimore e doganore, forma monopoliste e karteliste në treg , kompeticione tregtare jolojale, stërgrumbullim i funksionarëve të administratës publike në kundërshtim me nevojat reale dhe me paranë publike. Inefikasiteti dhe ineficienca e institucioneve publike në ushtrimin e funksioneve të besuara.

Doktrina juridike

Vendi ynë është i kapluar nga universitete publike e kolegje private , shumica e të cilave nuk i plotëson as për së afërmi kërkesat themelore sipas standardeve të arsimit të lartë. Regjistrimet kryesisht praktikohen jo sipas nevojave të tregut të punës, por sipas stihisë për inkasime të kuotave për regjistrime. Rrjedhimisht, njësitë akademike të shumta nuk janë të koordinuara referuar formimit të profileve profesionale e eventualisht shkencore. Në njësitë akademike përgjithësisht nuk janë të ndërlidhura planet e programet apo kurrikulat me fonde adekuate teorike e praktike . Përderisa në njësitë akademike në vende të jashtme para shumë dekadave janë në aplikim studimet profesionale dhe studimet shkencore ,në vendin tonë,pothuaj se ato nuk njihen dot. Në këtë rrjedhë vlen të theksohet veçanërisht se njësitë akademike publike aq më pak private nuk aplikojnë studime profesionale të profilizuara aq shumë të nevojshme . Së andejmi , po qe se autoritetet pushtetare sinqerisht synojnë të kontribuojnë në funksion të krijimit dhe të realizimit të shtetit tonë të së drejtës, nder të tjera, në radhë të parë kërkohet të: - ndërtojnë rendin juridik të harmonizuar me doktrinën juridike dhe praktikat më të mira të konfirmuara gjatë zbatimit praktik të dispozitave ligjore në sferat sociale, ekonomike, politike arsimore, shkencore, kulturore e, mbi të gjitha, referuar administratës publike, prokurorive dhe gjykatave tok me riorganizim të mirëfilltë të tyre, - të sigurojnë aplikimin e ligjit në fuqi dhe mbi e para së gjithash të - realizojnë riorganizimin rrënjësor të sistemit të drejtësisë e me të vetting-un e mirëfilltë.

 

(Kosova Sot)