Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, fitore për të gjithë shqiptarët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, fitore për të gjithë shqiptarët
  • 03 January 2019 - 08:35

Shkruan: Ilir Malindi, avokat nga Durrësi

Ky opinion i imi është dhe vjen i tillë pasi duke parë zhvillimet kombëtare të këtyre viteve të fundit, si në Shqipëri dhe në Kosovë, dhe jo vetëm të tyre, por edhe të kaluarën historike të 100 viteve Shtet Shqiptar të Pavarur, Shqipërinë, periudha kohore e qeverisjes së suksesshme të Kryeministrit të Kosovës Z. Ramush Haradinaj vërtetoi më së miri edhe atë të cilën e kishte konstatuar dhe parashikuar miku dhe bashkëqytetari im nga Durrësi Z. Skënder Sadri KAPITI: politolog, historian dhe shkrimtar e opinionist i talentuar, pinjolli i familjes patriotike KAPITI, e cila aq shumë ka kontribuar edhe në Luftën UÇK-së. Skënder Sadri Kapiti, i cili që kur Z. Haradinaj u emërua Kryeministër ai në shkrimin e tij me titull :"Ramush Haradinaj, kryeministri shqiptar më i merituar" botuar së pari në gazetën më të madhe shqiptare"KOSOVA SOT" më dt. 05 dhjetor 2017 ku ai parashikonte se më i merituari dhe më i duhuri për Kryeministër të Kosovës se Z. Haradinaj nuk kishte. Dhe madje me vizionin e tij krahasimor Z. Skënder KAPITI me të drejtë e cilësonte Z. Haradinaj si më meritorin në të gjithë historinë shtetërore të të dy shteteve shqiptare, duke marrë nga ana e tij në konsideratë trashëgiminë dhe kontributin patriotik të Z. Ramush Haradinaj dhe të familjes së tij në Luftën e UÇK-së, kontributin dhe suksesin e Z. Haradinaj si kryeministër herën e parë në ato që njihen si njëqind ditët mbresëlënëse të mirë qeverisjes së parë të tij. 

Ashtu si në luftë, triumfoi edhe në paqe

Z. KAPITI në atë shkrim të tij me shumë korrektësi dhe me gjykim të shëndoshë dhe në sigurinë e tij argumentonte se me Ramushin Kosova do të shkonte për nga më e mira, ai kishte parasysh edhe faktin e qëndresës burrërore në Hagë, ku Z. Haradinaj me guxim patriotik, politik dhe intelektual, ashtu si në luftë, triumfoi edhe në paqe kundër intrigave , akuzave dhe shpifjeve të fabrikuara nga Beogradi. Në atë kohë shumë, shumë pak ose mjaft rrallë ndokush konstatoi atë se çfarë shkroi,publikoi dhe parashikoi Z. Skënder KAPITI. Ajo të cilën edhe unë Av. Ilir Malindi si shkrimtar, letrar dhe publicist konstatoi se është fakt real pasi edhe koha e vërtetoi si të të vërtetë faktin e parashikuar nga S.Kapiti se në historinë shqiptare të Shtetit shqiptar askush nuk është treguar më i merituar se Z. Haradinaj në përkushtimin e tij si një patriot i vërtetë, si një burrë shteti dhe politikan i realpolitikës që mbi të gjitha ka interesin publik dhe atë kombëtar.

Kryeministër serioz, i matur dhe i saktë dhe më se i përgjegjshëm në detyrën e tij në shërbim të kombit e të atdheut për të cilin ai dhe familja e tij sakrifikuan aq shumë në luftën për liri e pavarësi kombëtare dhe në vazhdimësi edhe tani në shtetndërtimin demokratik të Kosovës, në forcimin e ligjit dhe të funksionimit të institucioneve demokratike, në transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, në sfidimin që ai i ka bërë Serbisë dhe përkrahësve të saj të cilët bëjnë gjithçka munden kundër Kosovës, kundër konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të saj dhe kundër përpjekjeve të integrimeve dhe të anëtarësimit të Kosovës në organizma ndërkombëtare. Atë se çfarë ka bërë Kryeministri Haradinaj në këtë periudhë të shkurtër kohore si kryeministër nuk e ka bërë deri më tani pothuajse e gjithë politika dhe diplomacia e Shqipërisë dhe e Kosovës së bashku.

Pothuajse për herë të parë Serbia u sfidua politikisht dhe diplomatikisht nga politika shqiptare, për herë të parë iu imponua Serbisë politika dhe diplomacia e reciprocitetit, madje kundër diversionizmit dhe përpjekjeve të vazhdueshme të saj , përballë të gjitha potencialeve politike, diplomatike, mediatike dhe shtetërore të saj, Kosova me Kryeministër z. Haradinaj i vunë "embargo" me taksën 100% të produkteve serbe që importoheshin në Kosovë, si dhe suksesi tjetër i madh që u bë falë këmbënguljes dhe vendosmërisë së Z. Haradinaj është edhe formimi i Ushtrisë së Kosovës e cila është themeli mbrojtës i sovranitetit dhe i tërësisë territoriale të Kosovës. 

Parashikimet e sakta

Me Kryeministër Z. Haradinaj iu shuajt edhe përpjekja e Beogradit për ndarjen e Kosovës. Me Ramush Haradinajn Kryeministër i Kosovës tani e tutje nuk ka më kufi mes Shqipërisë e Kosovës. Tani për herë të parë nga Kosova iu vunë edhe kushte Serbisë që ajo ta njohë Kosovën , dhe jo më me "lutje" Beogradit nga disa në Prishtinë dhe sidomos në Tiranë për pajtim serbo-shqiptar, në një kohë kur Serbia as minimalisht nuk kërkon falje për krimet dhe për gjenocidin e saj kundër shqiptarëve dhe as nuk e kanë madje as edhe ndonjë agjendë për dënimin e gjenocidit serb dhe as për dëmshpërblimin e luftës. Kryeministri Haradinaj është shumë strikt, korrekt dhe vizionar në qëndrimin e tij të palëkundër dhe besnik në marrëdhëniet strategjike me aleatin më të madh e jetik të shqiptarëve dhe të Kosovës, me SHBA-në, dhe njëkohësisht ai është real dhe i prerë edhe me politikane të lartë madje në BE, të cilët nuk janë seriozë dhe as korrekt sa dhe si duhet në qëndrimet e tyre në lidhje me Kosovën, por që edhe dukshëm dhe jondershmërisht proklamohen në qëndrimet e tyre si proserb.

Nga Ramush Haradinaj ka shumë se çfarë të mësojnë politika dhe politikanët shqiptarë jo vetëm ata në Kosovë por edhe ata në Maqedoni dhe në Shqipëri, dhe prandaj një shembull i tillë është fitore për të gjithë shqiptarët tani dhe për të ardhmen. Duke i parë këto arritje të mirëqeverisjes së Kryeministrit Haradinaj, këto vërtetojnë më së mirë atë se çfarë kishte parashikuar saktë shkrimtari, historiani, politologu dhe analisti i gazetës "KOSOVA SOT" Skënder KAPITI nga Durrësi, i cili kishte besim të madh te suksesi i kryeministri Haradinaj, si kryeministri shqiptar më i merituar, shkruar në shkrimin e tij në dhjetor 2017. 

 

(Kosova Sot)