Vuçiqi të veprojë si De Gaulle-i, ta lirojë Serbinë nga kolonitë e saj

Vuçiqi të veprojë si De Gaulle-i, ta lirojë Serbinë nga kolonitë e saj
  • 04 January 2019 - 08:17

Shkruan: Mehdi Hyseni

Çfarë i duhen Serbisë kolonitë shqiptare të Preshevës, të Bujanocit, të Medvegjës dhe të Novi Pazarit? Pse Serbia nuk ua njeh të drejtën historike dhe të vetëvendosjes këtyre kolonive të etnikumit gjeopolitik shqiptar? Këto koloni duhet të lirohen nga sundimi kolonial i Serbisë (1878- 2019), në mënyrë që Serbia të mos jetojë gjithmonë me ëndrra mitologjike mesjetare, se fqinjët e saj në tokat e tyre joserbe duhet shfarosur me gjenocid kolonial. Kjo praktikë ataviste shekullore duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë se popujt dhe vendet e huaja, të aneksuar dhe kolonizuar me gjenocid, nuk mund të sundohen dhe të mbahen përjetësisht skllevër nën Serbi.

Vuçiqi ka shansin historik për ta shpëtuar Serbinë, ashtu sikurse dikur De Gaulle-i, që shpëtoi Francën nga fundosja në kolonitë e saj në Afrikë dhe në Indokinë (1950-1960). Nëse presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, vërtet ka arritur ta kuptojë krijimin e realiteteve të reja në Ballkan, pas 3 gjenocideve të kryera nga Serbia në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kosovë (1990-1999), duhet të krijojë një Serbi të re, demokratike dhe paqësore, duke e liruar nga bagazhi historik kolonial shekullor ndaj popujve dhe vendeve fqinje, e në radhë të parë të shqiptarëve dhe të Shqipërisë. Vetëm kjo strategji objektive vizionare e politikës dhe e diplomacisë së Aleksandar Vuçiqit dhe e forcave progresive, demokratike dhe paqësore evropiane, të grumbulluara rreth tij, do të mund ta shpëtonin Serbinë nga luftërat e ardhshme fatale dhe tragjike në Ballkan. 

Beogradi të mos frikësohet nga bashkimi i Kosovës me Shqipërinë

Përkundrazi, si politika, ashtu edhe diplomacia zyrtare e Serbisë, duhet të përshëndesin dhe të mbështesin heqjen e kufirit Kosovë-Serbi (sepse kjo është vetëm çështje e Prishtinës dhe Kosovës. Kjo varet vetëm nga shprehja e vullnetit të popullit si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë). Kjo është paradigmë pozitive dhe racionale, që paralajmëron një kthesë të madhe historike për bashkimin gradual të shqiptarëve vetëm brenda territoreve të tyre historike autoktone të Shqipërisë. Prandaj, as Serbia e as shtetet e tjera fqinje nuk kanë arsye pse të frikësohen nga bashkimi demokratik dhe paqësor i shqiptarëve, ngase fshirja e kufijve ndërshtetërorë me shtetet fqinje pa dyshim se do të sjellë në pajtimin, në afrimin dhe në normalizimin e njëmendtë të marrëdhënieve mes popujve ballkanikë.

Ky proces paqësor do të ndikojë pozitivisht jo vetëm në krijimin e marrëdhënieve të qëndrueshme kualitative, që i tërë Ballkani të mos jetë fushëbetejë e luftërave të përgjakura kolonialiste, hegjemoniste dhe shfarosëse të dikurshme, POR ZONË PAQEJE, SIGURIE, BASHKËPUNIMI RECIPROK në të gjitha fushat: politike, ekonomike, tregtare, kulturore, të turizmit, të lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të qarkullimit të mallrave, të hapjes së tregut të lirë, si dhe të mbrojtjes dhe të respektimit të të drejtëve të njeriut dhe të lirive themelore. Kjo formë e re e heqjes së barrierave kufitare mes shteteve do të jetë garancia më e forte dhe më përmbajtjesore jo vetëm në favorin e agjendës dhe të standardeve integruese të Evropës demokratike, por njëherazi edhe të krijimit të marrëdhënieve të reja më realiste, më konstruktive dhe më humane ndërkombëtare, që do të bëjnë të mundur, që e gjithë bashkësia njerëzore të jetojë pa frikë për fatin, për zhvillimin, për objektivat dhe për mirëqenien e vet të plotë, pa luftëra, pa gjenocide, pa uri, pa varfëri dhe pa ekzode milionëshe të refugjatëve dhe të papunëve anembanë botës.

Ballkani nuk ka nevojë për vazhdimin dhe për intensifikimin e garave të ethshme hegjemoniste, kolonialiste dhe neokolonialiste sllavo-bizantine me bagazh gjenocidi për shfarosjen e shqiptarëve, por për humanizmin, demokratizimin, integrimin, paqësimin, sundimin e së drejtës, lirinë e plotë, që të gjitha këto vlera universale të njerëzimit garantojnë përbashkësinë, ekzistencën, zhvillimin ekonomik, prosperitetin, paqen, mirëbesimin dhe mirëqenien e plotë të të gjithë popujve në rajonin ballkanik. Me një fjalë, Ballkani ka nevojë të evropianizohet dhe të shndërrohet në një zonë paqeje, sigurie, bashkëpunimi, koekzistence dhe lirie të plotë për të gjithë popujt e tij, jo vetëm për konglomeratin sllavo-bizantin. Kjo "formulë" e sundimit kolonial disashekullor mbi shqiptarët dhe mbi tokat e tyre tanimë është e vdekur, sepse kanë përfunduar luftërat koloniale në Evropë. Tani ndodhemi në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI, që serbët, malazezët, grekët dhe maqedonasit, duhet të heqin dorë nga kolonitë e tyre shqiptare në Ballkan, ashtu sikurse dikur metropolet evropiane, që i braktisën kolonitë e tyre shekullore në Amerikën Latine, në Azi dhe në Afrikë.

(Kosova Sot)