Çka pritet në vitin 2019?

Çka pritet në vitin 2019?
  • 04 January 2019 - 08:22

Shkruan: Muhamet Kelmendi

Viti 2019 duhet të karakterizohet me ndryshime të mëdha dhe shumë domethënëse. Pa ato nuk ka ecje përpara. Për atë mendohet të nxirren disa vendime:

1. Të ardhurat personale, në sektorin privat dhe publik kërkohen të jenë 250-300 euro neto në muaj, plus të gjitha të drejtat që shkojnë për punëtorët, të garantuara me aktet ndërkombëtare për mbrojtje në punë.

2. Të fillohet domosdo me reforma të theksuara dhe domethënëse në arsim, si fillor e të mesëm, ashtu edhe në atë të lartë, çdoherë sipas interesave të vendit tonë, pa u mbështetur në konjukturat politike të subjekteve në pushtet.

3. Të krijohet sigurimi i detyrueshëm shëndetësor për të gjithë qytetarët e Republikës.

4. Të ndalohet çdo akt dhe marrëveshje për ndarjen e Kosovës, sepse ashtu merr fund shteti ynë.

5. Të kapen dhe dënohen kriminelët dhe të korruptuarit, si në politikë, ashtu edhe në fushën e oligarkisë private ekonomike, që e kanë kapur shtetin.

6. Të futet në zbatim VETTING në polici, në prokurori dhe nëpër gjykata, sepse pa të kurrë nuk krijohet një strukturë e kualifikuar dhe e pakorruptuar.

7. Të ndryshohet ligji mbi sigurimet sociale dhe të atyre invalidore e pensionale, duke i ndaluar skemat aktuale, në drejtim të një zgjidhjeje me ligj.

8. Të ndalen investimet që nuk krijojnë vende pune dhe 9. Të punohet me ngulm për punësimin e të rinjve dhe të rejave në punët adekuate dhe sipas kualifikimit. I përmenda vetëm disa çështje, për të cilat mendoj se kërkohet që të gjitha institucionet e vendit të angazhohen, në mënyrë që vendi të ndërtohet.

Por, dua të përsëris se përkundër punëve të theksuara, mbesin disa si më të rëndësishme, e ato janë në fushën e krimit politik dhe ekonomik, në arsim dhe në shëndetësi, duke kapur edhe anët sociale. Kuptohet se ruajtja e shtetit në hapësirën e vet territoriale mbetet çdoherë si detyrë imediate.