Inteligjenca artificiale për zhvillimin njerëzor

Inteligjenca artificiale për zhvillimin njerëzor
  • 04 January 2019 - 08:28

Shkruajnë: Michael Chui dhe Martin Har

AI tanimë është duke ndryshuar mënyrën se si qasemi ndaj sfidave të zhvillimit

Ngazëllimi që karakterizon tani inteligjencën artificiale (AI) nuk reflekton vetëm atë sesi aplikacionet e AI-së mund të transformojnë bizneset dhe ekonominë, por po ashtu edhe shpresën që ato mund të adresojnë sfidat sikur që janë kanceri dhe ndryshimet klimatike. Ideja që inteligjenca artificiale mund ta revolucionarizojë mirëqenien njerëzore, është dukshëm joshëse, por sa reale është ajo? Për t'u përgjigjur në këtë pyetje, Instituti global "McKinsey" ka ekzaminuar më shumë se 150 skenarë, në të cilët AI aplikohet, apo mund të aplikohet për të mirën sociale. Ajo që kemi gjetur, është se AI mund të bëjë një kontribut të fuqishëm për zgjedhjen e shumë llojeve të sfidave sociale, por ajo nuk është 'plumb magjik', të paktën ende jo.

Derisa rrezja e veprimit të AI-së është e gjerë, duhet të tejkalohen vështirësitë zhvillimore dhe rreziqet e aplikacioneve, para se përfitimet të realizohen në shkallë globale. Thënë të vërtetën, AI tanimë është duke ndryshuar mënyrën sesi qasemi ndaj sfidave të zhvillimit. Në vitin 2017, për shembull, softueri për zbulimin e objekteve dhe imazheve satelitore iu ndihmuan shpëtimtarëve në Hjuston, derisa merreshin me operacione të shpëtimit pas uraganit "Harvey". Në Afrikë, algoritmet kanë ndihmuar në zvogëlimin e gjuetisë ilegale në parqe. Në Danimarkë, programet me njohje të zërit janë duke u përdorë në thirrjet e emergjencës, për të zbuluar nëse thirrësit janë duke përjetuar infarkt të zemrës. Dhe, në "MIT Media Lab" afër Bostonit, kërkuesit shkencorë kanë përdorë "të mësuarit e sforcuar" në trajtimet e simuluara klinike me pacientët që vuanin nga glioblastoma, forma më agresive e kancerit të trurit, me qëllim të zvogëlimit të dozave të kimioterapisë. 

Pengesat zhvillimore

Për më tepër, ky është vetëm një fraksion i asaj që është e mundshme. Tanimë AI mund të zbulojë shenjat e hershme të diabetit, t'iu ndihmojë fëmijëve me autizëm që të menaxhojnë emocionet e tyre, si dhe të udhëzojnë personat me shikim të dëmtuar. Sikur këto inovacione të ishin gjerësisht në dispozicion dhe të përdoreshin, atëherë përfitimet shëndetësore dhe sociale do të ishin tepër të mëdha. Në fakt, vlerësimi ynë arrin deri te përfundimi se teknologjitë e AI-së mund të përshpejtojnë përparimin në të gjitha 17 qëllimet zhvillimore të OKB-së. Por, që ndonjëra prej këtyre zgjedhjeve të AI-së të bëjnë ndryshim global, përdorimi i tyre duhet të rritet në mënyrë dramatike. Për ta bërë një gjë të tillë, së pari duhet të adresojmë pengesat zhvillimore dhe, në të njëjtën kohë, të zvogëlojmë rreziqet që mund t'i bëjnë teknologjitë e AI-së më të dëmshme, sesa të dobishme.

Në aspektin zhvillimor, qasja ndaj të dhënave paraqet njërën nga pengesat më të mëdha. Në shumë raste, të dhënat e ndjeshme sensitive, apo komerciale, që kanë aplikacione shoqërore, janë në pronësi private dhe të paqasshme ndaj organizatave joqeveritare. Në raste të tjera, inercia burokratike i mban të mbyllura të dhënat e dobishme. Sfidat e ashtuquajtura të 'implementimit të miljes së fundit' janë një problem tjetër i rëndomtë. Edhe në rastet kur të dhënat janë në dispozicion dhe teknologjia është mature, mungesa e shkencëtarëve të të dhënave mund ta vështirësojë aplikimin e zgjidhjeve të AI-së në nivel lokal. Një mënyrë për trajtimin e mungesës së punëtorëve me aftësi të nevojshme për implementimin e AI-së, është që kompanitë që kanë punëtorë të tillë, të përkushtojnë më shumë kohë dhe burime për kauza të dobishme. Ata duhet të inkurajojnë ekspertët e AI që të ndërmarrin projekte "pro bono" dhe t'i shpërblejnë ata për këtë gjë. 

Palët e interesuara nga sektori publik dhe privat duhet të punojnë së bashku

Natyrisht se ka edhe rreziqe. Mjetet dhe teknikat e AI-së mund të keqpërdoren, me apo pa qëllim. Sipas një studimi akademik, gabimet e leximit të fytyrës nga softueri adekuat janë më pak se 1% për meshkujt e racës së bardhë, por më të larta se 35% për femrat zezake, gjë që shtron pyetje të rëndësishme rreth asaj se si të tejkalohen paragjykimet racore në programet e AIsë. Një rrezik tjetër evident ka të bëjë me keqpërdorimin e AI-së nga personat që kanë qëllim rrezikimin e sigurisë fizike, digjitale, financiare, apo emocionale të individit. Palët e interesuara nga sektori publik dhe ai privat duhet që të punojnë së bashku për të adresuar këto çështje.

P.sh., për ta rritur qasjen në të dhëna, zyrtarët publikë dhe pjesëmarrësit privatë duhet siguruar një qasje më të gjerë për ata që kërkojnë të përdorin të dhënat për iniciativa të cilat shërbejnë për të mirën publike. Tanimë kompanitë satelitore participojnë në një marrëveshje ndërkombëtare, të cilat iu ofrojnë atyre qasje të hapur gjatë emergjencave. Partneriteti i bazuar te të dhënat, sikur që është ky, duhet të zgjerohet dhe të bëhet tipar i rutinave operacionale të kompanive. Me të shpejtë, AI është duke u bërë një pjesë e çmueshme e përditshmërisë njerëzore. Por, nëse dëshirohet një realizim i plotë i të mirave të saj, atëherë duhet të përqendrohemi më shumë te pengesat që e pengojnë një zhvillim të tillë. 

(Kosova Sot)