Një vit për të vepruar

Një vit për të vepruar
  • 05 January 2019 - 08:26

Shkruajë: IAN GOLDIN DHE ROBERT MUGGAH 

Ndryshimet që po ndodhin do të ndikojnë te ne të gjithë

L e të shpresojmë që viti 2019 të jetë viti kur do të kthehet rrjedha e historisë. Në vitin 2018, ndarjet brenda dhe mes vendeve vazhduan të thellohen. Dhe ndërsa tensionet gjeopolitike dhe tribalizmi politik kanë transformuar marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikën kombëtare, teknologjitë e reja po u japin fund supozimeve të gjata rreth sigurisë, politikës dhe ekonomisë. Çështjet më komplekse janë ndërvarësia në rritje e shoqërive tona. Ne jemi gjithnjë duke iu nënshtruar gjithnjë e më shumë forcave përtej kontrollit të çdo vendi, qyteti apo individi, jo më pak kur bëhet fjalë për ndryshimet klimatike.

Sa ndryshim mund të paraqesin tri dekada. Në vitin 1989, kolapsi i bllokut sovjetik dukej se i paraprinte një triumfi për parimet dhe vlerat liberale demokratike. Zhvillimi i www (World Wide Web) atë vit premtoi një epokë të re të lulëzimit njerëzor dhe bashkëpunimit global. Megjithatë, larg nga rrafshimi i botës, globalizimi e ka bërë atë më malore dhe të pabarabartë. Më shumë se kurrë, kodi postar përcakton perspektivën, jetëgjatësinë dhe fatin e njeriut. Në vend që të zëvendësojnë idealet kombëtare me vlera të përbashkëta, globalizimi ka çuar në një konkurrencë të ashpër, në rënien e shteteve të mirëqenies dhe në korrozionin e institucioneve ndërkombëtare. Edhe pse ka teknikisht më shumë demokraci sot sesa në vitin 1989, shumë njerëz po bëhen më pak liberalë. Dhuna reaksionare Nuk është çudi që mbështetja e publikut për globalizimin është dobësuar. Sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001 dhe lufta kundër terrorit prej 5.6 trilionë dollarësh sigurisht nuk ndihmuan. As kriza financiare e vitit 2008, e cila ekspozoi dështimin e ekspertëve dhe institucioneve për të menaxhuar ndërvarësinë dhe ndryshimet teknologjike. Një ndarje në rritje mes elitave dhe të gjithë atyre që janë "lënë prapa" ka helmuar politikën për një brez të tërë. Megjithatë, zhgënjimi me globalizimin është kryesisht i kufizuar në vendet e Amerikës së Veriut dhe në vendet e Evropës Perëndimore. Në fund të fundit, fatet e fuqive në zhvillim në Azinë Lindore dhe Juglindore janë rritur, dhe shumica e njerëzve në mbarë botën janë objektivisht më mirë në krahasim me atë që ishin 30 vjet më parë. Jashtë Perëndimit, të ardhurat mesatare që nga rënia e Murit të Berlinit janë dyfishuar - dhe trefishuar në Kinë. Jetëgjatësia në shumë vende në zhvillim është rritur deri në një distancë prej 15 vjetësh dhe tre miliardë më shumë njerëz në mbarë botën kanë mësuar të lexojnë dhe të shkruajnë. Por, nuk ka asnjë garanci se ky "Iluminizëm i Ri", siç e quan Steven Pinker nga Universiteti i Harvardit, do të vazhdojë të japë përparim. Iluminizmi i shekujve të shtatëmbëdhjetë dhe tetëmbëdhjetë erdhi pas Rilindjes, e cila ishte një periudhë jo vetëm e revolucionit shkencor dhe artistik, por edhe e rritjes së jotolerancës, luftës fetare dhe persekutimit të shkencëtarëve dhe intelektualëve.

Dhuna reaksionare gjatë dhe pas Rilindjes ishte në një masë të madhe pasojë e dështimit të elitave për të menaxhuar ndryshimet e shpejta dhe rritjen e pabarazive të shkaktuara nga revolucioni i shtypjes. Elitat e sotme duhet ta marrin parasysh këtë. Pasojat spektakulare nga pushtimi i Irakut, i udhëhequr nga SHBA-ja dhe kriza financiare e vitit 2008, thellësisht dëmtuan besimin e publikut tek autoritetet dhe ekspertët. Ajo që bashkon populizmin e krahut të djathtë dhe të majtë është ideja se elita e vjetër i ka zhgënjyer njerëzit ndërsa vetes i ka siguruar privilegje. Ata kanë të drejtë. Politikat jo të përkryera për të promovuar globalizimin, na zhgënjyen dhe kontribuuan në rritjen e pabarazisë. Dhe tani, inteligjenca artificiale dhe automatizimi kërcënojnë të zëvendësojnë punët rutinë dhe të nxjerrin në pah ndarjet sociale. A munden udhëheqësit politikë dhe qytetarët të mbledhin vullnetin për të trajtuar kërcënimet e përbashkëta, ose a jemi duke u drejtuar për fragmentim të mëtejshëm? Shumë do të varen nga hapat e ndërmarrë në vitin 2019. Tani më shumë se kurrë më parë, duhet të luftojmë me nxitësit e përshpejtuar dhe të ndërvarur të ndryshimit. Të angazhohemi me ide komplekse Për këtë qëllim, politikëbërësit duhet të ndërmarrin hapa për të mbrojtur më të prekshmit. Rrjetat e mbrojtjes sociale janë duke u shkurtuar pikërisht kur njerëzit kanë nevojë më së shumti. Pasi kriza financiare rraskapiti burimet e qeverisë dhe prodhoi borxhe të dëmtuara, qeveritë si ajo e SHBA-së i kanë bërë gjërat edhe më keq duke ulur taksat.

Më gjerësisht, të gjithë ne duhet të rrokullisim mëngët dhe të trajtojmë globalizimin. Kjo do të thotë braktisjen e paradigmës së vjetruar të shekullit të njëzetë që ndan të gjithë politikën në të majtë dhe të djathtë, socializmin dhe kapitalizmin. Politika e vitit 2019 është e bazuar në vlera, prandaj partitë tradicionale politike janë duke u sfiduar nga partitë që tërheqin ndjenjat kombëtare dhe fantazitë nostalgjike. Revolucioni politik i sotëm deri më tani është përcaktuar nga zemërimi dhe frustrimi. Por këto ndjenja mund dhe duhet të shfrytëzohen për t'i shërbyer qëllimit të ndryshimeve konstruktive. Për të arritur një globalizim gjithëpërfshirës, ne duhet të adresojmë pabarazinë në rritje, të përqafojmë diversitetin dhe të shpëtojmë bashkëpunimin ndërkombëtar nga spektri i unilateralizmit. Rreziqet nuk mund të jenë më të larta se ato në vitin 2018. Kur ekstremizmi, algoritmet, lajmet e rreme dhe manipulimi i huaj nxisin politikën, vetë demokracia kërcënohet. Pa angazhim më aktiv të politikëbërësve dhe udhëheqësve politikë, mund të ketë pak shpresë për të ardhmen. Ritmi i përshpejtuar i ndryshimit, së bashku me thellimin e ndërvarësisë ndërkombëtare, e bën më të vështirë, jo më të lehtë, gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta. Është joshëse të përpiqesh të ndalosh orën dhe të tërhiqesh nga zgjedhjet e vështira. Por ndryshimet që po ndodhin do të ndikojnë te ne të gjithë, pavarësisht nëse marrim pjesë në bisedë. E vetmja rrugë përpara, pra, është të përmirësojmë shkrimleximin tonë dhe të angazhohemi me ide komplekse. Të veprosh ndryshe dhe të luash viktimën d.m.th. ta ftosh katastrofën. Vetëm duke formësuar të ardhmen tonë do ta kemi më pak frikë. Nëse nuk veprojnë njerëzit e guximshëm, harku i historisë nuk do të përkulet drejt drejtësisë ose rezultateve të përmirësuara. Tri dekada pas rënies së Murit të Berlinit, përsëri jemi në udhëkryq, dhe një betejë e ideve po ndizet. Muret e reja që ndërtohen brenda dhe ndërmjet shoqërive përbëjnë një kërcënim të madh për të ardhmen tonë kolektive. Ky është viti për të filluar me rrënimin e tyre

(Kosova Sot)