Kosova nuk qeveriset, por po sundohet nga familje mafioze

Kosova nuk qeveriset, por po sundohet nga familje mafioze
  • 06 January 2019 - 08:04

SHKRUAN: RAMIZ BOJAJ

Sheikët' e Kosovës janë ata që e sundojnë këtë vend, kontrollojnë nëntokën, ekonominë, politikën, drejtësinë... duke e kthyer shtetin në pronë private. Themelet e zaptimit të shtetit erdhën si pasojë e vakumit institucional të Kosovës, sidomos në periudhën e pasluftës, duke u 'rehabilituar' fuqishëm në fazën e 'shtetndërtimit'(dorëzimit të kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendoret) duke u akomoduar përfundimisht në periudhën e postpavarësisë. Kjo për faktin se partitë politike në Kosovë luftuan për kapjen e shtetit, resurseve ekonomike, kontrollit të kanaleve të nëntokës, kapjen e sistemit të drejtësisë etj., duke lënduar rëndë procesin e shtetndërtimit dhe bazat e një shteti ligjor bazuar në parimet e të së drejtës... 

Në Kosovë sundojnë të fortët

Jemi dëshmitarë se partitë më të mëdha në vend posedonin edhe shërbimet e tyre të inteligjencës, LDK-PDK, të cilat edhe janë bashkautore kryesore të kriminalizimit të shtetit. Periudha më e errët për Kosovën shënohet në periudhën e SHIK-ut, e cila ka shërbyer si organizatë paramilitare e klaneve parapolitike. Shumë anëtarë të kësaj organizate janë deklaruar për pjesëmarrje në shantazhe, kapje të resorëve ekonomikë, por edhe në vrasje. Këto elemente kanë bërë që shteti i Kosovës të sundohet nga familjet mafio-oligarkike e të nëntokës kriminale të tipit të Eskobarit, që u pasuruan duke shfrytëzuar lidhjet kriminale legale e ilegale. Nuk janë aspak të rastësishme kapja me drogë e familjeve të shefave të Policisë e Inteligjencës, të shoferëve të familjes së presidentit, pastaj dhunën ndaj personave zyrtarë policor në krye të detyrës, nga të bijtë e udhëheqësve të lartë të klaneve mafioze.

Këto janë vetëm disa shenja të vogla, të cilat tregojnë se 'sheikët' e Ballkanit e kanë vë shtetin në rrezik. Në Kosovë sundojnë të fortët, gjithmonë duke u thirrur në emër të shtetit, të drejtësisë, të sovranitetit, të historisë, luftës, integrimeve........ Për të vërtetuar këtë, mjafton të shikojmë Kosovën nga poshtë-lart, të analizojmë perfomancat e zhvillimit ekonomik të Kosovës, gjendjen e qytetarëve dhe pasurinë marramendëse të mafio-oligarkëve të pushtetit. Mjafton të shikojmë procesin integrues të Kosovës, mbetja në geto, pa liberalizim të vizave, pa Kartonin e Gjelbër në Evropë, duke mos qenë as anëtar i Këshillit të Evropës, OSBE-së, UNESCO-s, Interpolit... e çka është edhe më absurde, pa e kontrolluar tërë territorin. 

Kulmi i vrazhdësisë

Pas gjithë këtyre anomalive, presidenti i Republikës Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj, proceset e Kosovës i ndërtojnë mbi interesat e tyre partiake, pavarësisht se taksa dhe Ligji për Ushtrinë janë nota pozitive, të cilat është dashur të ndodhin para 10 vjetësh, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2018. Partitë qe ishin në pushtet në Kosovë, duke i shërbyer njëra-tjetrës kanë krijuar monopolet e tyre, bashkë-ujdinë për korrupsion dhe për proceset e dëmshme për Kosovën. Gjithnjë duke mbrojtur interesat e familjeve 'mbretërore', pasurinë e vjedhur, pushtetin e grabitur... oligarkët e rinj po e çojnë shtetin drejt varrosjes, drejt koncesioneve të ndarjes territoriale. Pushteti po shërben si metodë pasurimi për klanet e egra. Pa konfiskim të kësaj pasurie të pajustifikueshme dhe kapjen e 'peshqve të mëdhenj', zhvillimi ekonomik i Kosovës, procesi i integrimit, sundimi i ligjit..... mund të jenë vetëm ëndërr.

Kur të fillojë konfiskimi i pasurisë së paligjshme dhe arrestimi i makro-oligarkëve të pushtetit, tek atëherë mund të mendojmë se organet e drejtësisë janë duke vendosur rendin dhe ligjin në vend, duke rikthyer shpresat për një shtet ligjor e të së drejtës. Sistemi i shtetit të Kosovës është nën mbikëqyrje të rreptë të klaneve mafioze, andaj në vend të progresit kemi regresin, në vend të zhvillimit ekonomik kemi thellimin e varfërisë, në vend të integrimit kemi izolimin, në vend të forcimit të integritetit territorial kemi planet për ndarjen e Kosovës. Është akute që Kosova të çlirohet nga kapësit e shtetit. Përndryshe shteti është në rrezik, në 'aksham pazar' si koncesion i mundshëm ndaj armikut, për shpëtimin e pushtetit të grabitur, të lëkurës së gjarpërinjve helmues e shkatërrues. Alias ky është kulmi i ndarjes së interesave mes mafiozëve shqiptaro-serbë, të cilët qeverisin Serbinë dhe Kosovën. Jo rrallë shohim edhe veprime të barabarta të pushtetarëve tanë me fashistët serbë. "Uee are a not problematic guys", është kulmi i kësaj vrazhdësie, por edhe piramida e rrezikut të rehabilitimit të klaneve ndërkufitare me idenë e mykur: Ndalëm konfliktin shekullor e që në fakt është fazë e re e luftës në Ballkan.

(Kosova Sot)