Sa rrezikohet dhe çka pret Kosova në vitin 2019?

Sa rrezikohet dhe çka pret Kosova në vitin 2019?
  • 06 January 2019 - 08:08

SHKRUAN: MR.BISLIM ALIU

Pa dyshim, Kosova jonë e dashur, në vitin 2019, po hyn me telashe të mëdha nga viti i kaluar, por besa edhe me telashe të mëdha që janë grumbulluar nga vitet e kaluara. Pra, Kosova jonë është grumbulluar me telashe, të cilat popullit ia kanë humbur "udhën në oborr". Andaj, edhe gjatë vitit 2019 nuk pritet ndonjë përparim në përmirësimin e kushteve të zhvillimit ekonomik, apo hapja të vendeve të reja të punës, pasi që me këtë klasë politike të inkriminuar dhe të shantazhuar Republika e Kosovës po shkon drejt zhbërjes së shtetit?!... E viti 2019 jo që do të jetë më i lehtë, por gjithsesi do të jetë shumë më i vështirë se viti i kaluar. Sigurisht, sfida më e madhe është arritja e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Andaj, mendoj dhe kam përshtypjen e thellë se BE-ja po e pret me kërshëri këtë marrëveshje, pra korrigjimin e kufijve dhe ndarjen e Kosovës. Me këtë, Kosova është kthyer nën skenarin serb dhe 20 vjet prapa?!

BE-ja, po luan me Kosovën "pingpong"

Tevona gjatë këtij viti, Kosova rrezikohet që të pranojë përsëri kushte të reja për liberalizimin e vizave nga BE-ja. Dhe, sigurisht, pritet të ndodhë ngjashëm si me demarkacionin me Malin e Zi, kur atëherë thoshin se pas pranimit të tij do të vjen liberalizimi i vizave?! Edhe tani, BE-ja sikur e pret marrëveshjen me Serbinë, e tevona ndoshta i hapet udha liberalizimit të vizave! Pra, me një fjalë, BE-ja po luan me Kosovën "pingpong". E, deri kur ky popull të vuajë për një jetë më të mirë?!

Çka tha zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Vicland, të mërkurën në Prishtinë? Kam përshtypjen se Kosova në vitin 2019 po futet me telashe të mëdha nga viti i kaluar, por edhe sfida të reja që ka para vetes. E, në rend të parë bisedimet me Serbinë, kur pritet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe për këtë rrezikohet potencialisht, duke rrezikuar ndarjen e Kosovës dhe koncesionet të rrezikshme në këto bisedime? Dhe, për këtë, duhet qytetarët të përcaktohen a janë të gatshëm t'ia falin pjesën më vitale Serbisë, apo duhet të protestojnë dhe të mbrojnë sovranitetin dhe Pavarësinë e Kosovës?!

Marrëveshja përfundimtare me Serbinë

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Vicland, i cili të mërkurën e vizitoi Prishtinën, i solli dy mesazhe të qarta, për dy tema që gjithsesi sivjet do të dominojnë jetën politike. Tevona, ai sikur la të kuptojë se mund t'i vendosen edhe kushte të reja Kosovës për liberalizimin e vizave! Dhe, e potencoi qartë se ideja për ndryshimin e kufijve me Serbinë është rrezik tejet i madh! Zaten qytetarët e Kosovës ende e kanë të freskët rastin e demarkacionit me Malin e Zi, kur u shfaq befas kushti për liberalizimin e vizave. E tani mund të përdoret sërish një ide e tillë, kur pritet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë?! Pra, BE-ja nuk është aspak e sinqertë me Kosovën. Ajo lufton që t'i realizojë idetë e veta, e për Kosovën dhe për popullin e saj ajo sikur luan "pingpong".

Popull, ja sot ja kurrë zgjohuni prej gjumit e mbroni sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës?! Populli i Kosovës sikur janë në gjumë të thellë. Dhe, fare sikur nuk kanë ide se çka mund t'i ndodhë Kosovës gjatë këtij viti, kur pritet një marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Sikur i kanë shti "veshët në lesh" e nuk po e dinë çka mund t'i ndodhë Kosovës në bisedime me Serbinë. Kosovën nga ndarja dhe korrigjimi i kufijve mund ta mbrojë vetëm populli dhe askush tjetër. Nëse populli hesht dhe preken kufijtë, atëherë po humbet shtetësia e Kosovës. Pra, qytetarë të Kosovës përcaktohuni, a po dëshironi që pjesën më vitale t'ia japim Serbisë, apo duhet protestuar dhe të mbroni sovranitetin dhe Pavarësinë e Kosovës?! Kosovën mund ta mbrojë vetëm populli. Andaj, o popull, zgjohuni nga gjumi dhe ta mbrojmë Kosovën dhe pavarësinë e saj?!!!... 

(Kosova Sot)