Dialogu i Brukselit sipas Rezolutës 1244 të OKB-së!?

Dialogu i Brukselit sipas Rezolutës 1244 të OKB-së!?
  • 08 January 2019 - 08:07

Shkruan: Mehdi Hyseni

Çfarë "kompromisi historik" dhe politik mund të pritet nga epilogu i këtij farë dialogu serbo-kosovar, kur, tanimë, politika dhe diplomacia zyrtare e Beogradit ka bërë të ditur për opinionin vendor dhe për atë ndërkombëtar se zgjidhja e statusit politik të Kosovës, do të kërkohet duke u bazuar në Rezolutën 1244 të KS-së së Kombeve të Bashkuara dhe në Kushtetutën e Serbisë së vitit 2006, ku thuhet se "Kosova është krahinë e Serbisë". Ndërkaq, sipas deklaratës së presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, "kompromisi politik me Serbinë mund të arrihet, nëse Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës, si dhe nëse Kosova fiton karrigen në OKB. Me këtë marrëveshje, do të fitonin të gjitha palët, jo vetëm Kosova, por edhe Serbia, edhe bashkësia ndërkombëtare." 

Pa shkolonizimin e Kosovës, të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, Serbia nuk mund të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara

Nëse realizohet kjo prognozë politike e Hashim Thaçit, nuk do të fitonin të gjitha palët e involvuara në këtë proces të dialogut të Brukselit, por me të drejtë do të fitonte vetëm pala kosovare mbase Kosova ishte koloni e dikurshme e Serbisë. Në këtë rast, Serbia nuk duhet të fitojë asgjë nga Kosova e as nga bashkësia ndërkombëtare, por duhet t'i nënshtrohet procedurës ligjore (sipas së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara) për nënshkrimin e traktatit ndërkombëtar se vullnetarisht dhe në mënyrë paqësore heq dorë nga kolonia e saj e dikurshme-Kosova, por me detyrim që për shfrytëzimin kolonial të saj 100-vjeçar, t'ia paguajë dëmshpërblimin përkatës.

Më pastaj, Prishtina zyrtare nuk ka nevojë ta lutë Beogradin, që Serbia de facto dhe de jure ta njohë Republikën e pavarur të Kosovës, sepse pa shkolonizimin e Kosovës, të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, Serbia nuk mund të jetë anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, as anëtare e BE-së, as e OSBE-së e as NATO-s. Kjo duhet të jetë kërkesa prioritare dhe thelbësore e "ansamblit muzikor" negociues me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në krye në Dialogun e Brukselit , jo kërkesa "njohja me çdo kusht" e Kosovës nga ana e Serbisë derisa kjo paraprakisht nuk sanksionohet si shtet kolonialist nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës me gjithë gjenocidin kolonial të saj të kryer mbi shqiptarët dhe territoret e tyre etnike (1912-219).  

Edhe Evropa duhet të zgjohet nga ndjenja e përgjumur shekullore

Me një fjalë, derisa Kosova nuk trajtohet si problem kolonial, kuptohet se edhe statusi i saj, do të jetë në rrezik permanent nga ana e Serbisë dhe e Rusisë. Derisa popujt e kolonizuar ballkanikë (në veçanti shqiptarët) nuk kërkojnë që bashkësia ndërkombëtare, ta nxjerrë në "bankën e zezë" Serbinë si shtet kolonialist për shkak të aneksimit dhe të kolonizimit të territoreve të vendeve fqinje, sidomos të shqiptarëve dhe të Shqipërisë, Ballkani do të jetë vetëm një zonë e garave të hegjemonizmit, të kolonializmit dhe të militarizmit të sferave të interesit të fuqive të mëdha botërore.

Sa më sipër, edhe Evropa duhet të zgjohet nga ndjenja e përgjumur shekullore, që të mos i sakrifikojë shqiptarët për herën e tretë, duke bërë të njëjtin gabim dhe të njëjtën padrejtësi, duke mos e ndëshkuar Serbinë si shtet kolonialist dhe gjenocidal, e cila, edhe pas pavarësimit të Kosovës, duke falënderuar Amerikës dhe aleatëve të saj evro-perëndimorë, me ngulmë po vepron, në radhë të parë, duke kërkuar ndihmë nga Rusia dhe nga Kina, që ta rikthejë sovranitetin kolonial të saj në Kosovën shqiptare. Kjo formë e "lojës me zjarr" e Beogradit, duke e keqpërdorur ndërmjetësin e BE-së në Dialogun e Brukselit (2011- 2019), nuk pritet, që të sjellë kurrfarë kompromisi paqësor mes Kosovës dhe Serbisë.

(Kosova Sot)