Plagët që t`i shkaktojnë të tjerët shërohen, ato që ia shkakton vetes nuk kanë ilaç

Plagët që t`i shkaktojnë të tjerët shërohen, ato që ia shkakton vetes nuk kanë ilaç
  • 15 January 2019 - 08:59

Shkruan: Prof.dr.Hakif Bajrami

1. PAJTIMI POLITIK DHE KOMBËTAR Pajtohuni politikanë shqiptarë, ju thërret zëri dhe vaji i fëmijës jetim në malet e Çiçavicës. Po të ishte Shotë Galica gjallë të gjithëve do t` u mallkonte për dëmin që ia bëni kombit, me përçarjet tuaja për interesa personale. Pajtohuni shqiptarë, ju fton amaneti i Bajram Currit t`i lini me një anë grindjet dhe të lidheni për Flamurin Kombëtar. Mendoni politikanë shqiptarë se mikrobi i krimeve që i bën okupatori ua ka bllokuar logjikën. Pse UÇK-në si bimë të popullit nuk e ndihmoni të piqet, ju nuk keni të drejtë të manipuloni me fatin e një populli në robëri, për shkak të fiks ideve tuaja, sepse programet tuaja i keni vënë jashtë përdorimit. Mësojeni politikanë shqiptarë hipokrizinë e okupatorit serb kur thotë: "Nuk është asgjë pse po i vrasim gratë, fëmijët dhe pleqtë shqiptarë, por është problem pse po na detyrojnë t`i vrasim". Kësaj hipokrizie, ta dini të gjithë se, i ndihmoni me përçarjet tuaja. Pajtohuni shqiptarë, ju thërrasin fjalët e fundit të Shtjefën Gjeçovit: "Më prishën plangprishët, se për Shqipninë nanë me vdekë s` ka ma nderë i madh". Lidhur me këtë Shtjefëni i madh një kohë të gjatë e kishte studiuar moralin e dyfishtë të politikanit. Kështu, sot janë vënë në skenë një lloj politikanësh, që kur fiton UÇK0ja, të gjithë thonë se janë pjesë e saj. Por kur UÇKja përjeton ndonjë humbje, po ata politikanë dalin e "pyesin":"Kush e paska qitur popullin nëpër male?" Pajtohuni politikanë shqiptarë dhe pse jo, ndër të parët e thërrasim Adem Demaçin t` i prijë PAJTIMIT, sepse ai ka forcë ta bëjë këtë. O sot, o kurrë-Ja pajtim, ja vdekje! (Tash shtroj pyetjen: A u pajtuan Adem Demaçi dhe Fadil Hoxha, pas kësaj ftese më. Pse të tjerët e vazhduan avazin e vjetër, si sot më 2019-hb). Pajtohuni shqiptarë, ju thërrasin varret e Murat Xhakës (shituar prej xhelatëve më 1896/9), Haxhi Zekës (vrarë pas shpine më 1903), Haxhi Sadrisë (var dhe hedhur në mbeturina më 1910), At Palit (likuiduar mizorisht më 1913), Isa Boletinit ( vrarë në pabesë më 1916), Zef Lush Markut (vrarë në pabesë më 1920), Ramë Vllasës ( vrarë në pabesë më 1923), Azem Bejtë Galicës ( vrarë mizorisht pas shpine më 1924), Nazim Gafurrit (vrarë nga tradhtarët më 1928), Shjefën Gjeçovit ( vrarë nga tradhtarët më 1929), Hasan Prishtinës ( vrarë nga tradhtarët më 1933), Ramë Bllacës (vrarë nga tradhtarët më 1938), Sherif Vocës ( vrarë nga tradhtarët më 1941), Zenel Hajdinit ( vrarë prej komunistoçetnikëve serbianë më 1942), Emin Durakut ( vrarë në pabesë nga komunistët serbë më 1943), Qamil Hoxhës( vrarë prej dorës tradhtare pas shpine më 1944), Asim Luxhës (vrarë në pabesë më 1945). Politikanë shqiptarë, ndaluni e kujtoni ku i kemi varret e Bedri Pejanit, Halim Spahisë, Shaban Polluzhës, Idriz Gjilanit, Ymer Berishës, Gjon Serreçit, Marie SHLLAKUT, Ibrahim Lutfiut e sa e sa dëshmorëve të tjerë të rënë për liri. Politikanë shqiptarë, historia nuk fillon prej jush sot, vazhdojeni traditën e pajtimit dhe të afrimit. Është momenti kritik sot. Nesër është vonë. Pajtohuni politikanë shqiptarë, sepse monopoli mbi lirinë nuk është pozicion mbi lirinë kolektive. Pajtohuni politikanë shqiptarë ju ftojnë LOTËT e nënave shqiptare nëpër malet e Dukagjinit, Drenicës dhe Gallapit. Pajtohuni politikanë shqiptarë, sepse Juniku heroik i Zonës neutrale të Hasan Prishtinës do t` i shërojë plagët, por ju as sot në vend që në ato plagë të vëni melhemin e pajtimit, ju me përçarjet tuaja i vëni asaj plage helm. Ta dini, se me grindjet tuaja, nëse e vazhdoni, ju nuk do të keni në të as fytyrë, as frymë, as shpirt, as fjalë, as nder, as guxim, për ngushëllim. Pajtohuni politikanë shqiptarë, e patë me çfarë itinerari është shfarosur paria politike shqiptare. Ta dini se, sot është në veprim një SKENAR që është përdorur në Sanxhakun e Nishit për spastrim, për asgjësim total më 1878. (Pyetja sot: A u përsërit ploja e Sanxhakut Nishit nga 15. I.-10. VI. 1999, nga i njëjti okupator-hb). T‘i dëshmojmë Evropës se jemi të denjë për pajtim Ju mendoni se me përçarjet tuaja do të shpëtoni lëkurën, pasurinë, jetën. Ta dini, të fundit, si duket do t` u lënë juve për t` i paguar përçarjet me kamatë të plotë, mos edhe me fajde. Ta dini se vuajtjet që jeni duke ia shkaktuar këtij populli me grindjet tuaja, gjyqi i historisë nuk do t` ua falë kurrë, për jetë të jetëve. (Çka keni thënë atëherë: "Ky është naiv dhe ne e dimë rrugën tonë". Po kush e ka studiuar okupatorin serb, deri më sot më thellësisht, askush nga cilido shqiptar, sepse ua njoh të gjitha programet, teket, veset e kishës, shtetit e partive, institucioneve dhe themelatave që rrejnë Evropën çdo ditë dhe punojnë me hejkësi të Rusisë çdo natëhb më 2019). Pajtohuni politikanë shqiptarë, sepse populli ynë në Kosovë nuk e ka të garantuar jetën, pronën, komunikimin, lirinë. Sot, e këtu ju e dini, shqiptarin në Kosovë, cilido serb që i teket mund ta vrasë, ta burgosë, ta shantazhojë, ta plaçkitë, ta dhunojë, sepse është kategori jashtë ligjit. Politikanë shqiptarë, kujtojeni fatin tonë të MJERË që na e caktoi Evropa, përkundër luftës sonë të pareshtur për liri, më 1878, më 1910-12, më 1913, më 1919, më 1945/6, më 1992-1998. Nuk ka shans që po ajo diplomaci do të ndryshojë po nuk ndryshuat ju, duke u pajtuar dhe bashkuar në një FRONT dhe nën një FLAMUR të KASTRIOTIT. Pajtohuni shqiptarë, Flamuri i Kastriotit kurrë nuk është përlyer me gjakun e fqinjëve tanë. Ia jepni shansin kombit për t` i shëruar plagët, ua jepni shpresën edhe fqinjëve, të cilët si popuj nuk guxojmë t` i urrejmë kurrë. Për këtë shkollë na mëson shembulli i Adem Demaçit, të cilin JU e INJORONI në shkallë shumë të ulët, sepse jeni në shpirt katran. Në këtë rrugë faqebardhë ju fton hiri, tymi dhe flaka e vatrave tona, që digjen prej kriminelëve ordinerë, ju ftojnë gjëmët dhe lotët e nënave dhe motrave tona, ju ftojnë kufomat e masakruara prej 28 shkurtit 1998 e deri më sot tetor 1998, anembanë Kosovës. Një rrugë është sot që shpie në fitore dhe liri universale- ajo është rruga kundër urrejtjes dhe rruga e pajtimit për ta merituar Lirinë-amin. T`i dëshmojmë Evropës, se jemi të denjë për pajtim, për liri të dëlirë edhe në Ballkan (fjalë të censuruara atëherë)- me UÇK-në në ballë. ( Ky shkrim është botuar në "Bujku" më tetor 1998, Prishtinë-hb). Ja çka u them sot më 2019 Kujt t`i drejtohet ky popull sot, që vetëm ëndërron se si të largohet nga vendi, "për një jetë më të mirë në Perëndim", ku mund të lajë enë dhe të bëjë pastrime të rrugëve dhe dyshemeve? Ka përjashtime, por ato janë të rralla. Më 1919-1941 Shqipëria Kontinentale, që ishte në robëri e kishte vetëm një parti: BASHKIMI,(shtrihej nga Struga e deri në Pazar të Ri) dhe KOMITETI M.K. KOSOVËS (në Shkodër). Sot (2019) në hapësirën e Shqipërisë Kontinentale janë në veprim jo më pak se 31 parti politike. Secila më karagjoze dhe më "inteligjente", se tjetra. Ku shpie kjo shkapërderdhje e forcës sonë politike, kombëtare dhe intelektuale. Sa kemi harxhuar energji në shekullin XX, për ta forcuar totalitarizmin-ideologjinë. Tani ky rrezik është edhe më i thellë, sepse më vështirë do të kemi t`i bashkojmë shqiptarët në dy-tri-katër parti, sesa që kemi luftuar të çlirohemi prej komunizmit dhe prej okupatorit shumë të egër, që ishte me miq e vrasës mercenarë nga të katër anët e botës. Sot (2019), kush është përçarës. Një dihet, një gazetar e mban në majë të gishtit Edi Ramën, Hashim Thaçin dhe një dyzinë politikanësh. Aty zihet e pështyhet tinëzisht, çdo poshtërim kombëtar. Nuk e ditkemi ne se çfarë "lumturie" sillka korrigjimi i kufijve. Kjo shkollë meskine, me e pa vetëdije, nuk e njeh fundin e fallit politik, të tyre,kur dihet se do të jetë e pamundur 99% për t` i korrigjuar kufijtë. Këtë aksiomë e dinë edhe ata që nuk e kanë lexuar kurrë Makiavelin, as Makiavelët e tjerë modernë. Qëllimi i tyre i fundit është që të relativizohet kompetenca e BE-së dhe SHBA-së, dhe të hynë në dialog për Kosovën edhe Rusia. (Ide e Sorrositdevo..!). E vërteta, në prapavijë, me qëndrime të Rusisë, Serbia nuk e ka nënshkruar "Marrëveshjen" e Rambujesë, që i rri Kosovës me thikë mbi kokë, me kthim të Serbisë, me futje të fusnotës, me shumë intriga rreth Kosovës dhe brenda saj. Shkurt e shqip, Rusia e do Majën "DEMË AHMETI" që tash po i thonë "Pançiq", prej kah kontrollohet Mesdheu dhe Ballkani. Mbi këto pazare meskine pajtimi politik dhe kombëtar sot, është edhe dy hapa më larg sesa qëndrimi i sabotuesve të UÇK-së 1992-1999. Politikanë shqiptarë, lexojeni Uiliam UOKERIN, disa herë dhe do ta kuptoni, se ju nuk jeni të aftë ta shtyni Kosovën përpara. Ju jeni dëshmuar vetëm si rraxhaxhinj të "pjekur". Asnjë vendim në Kuvendin e Kosovës nuk merret pa prapavijë e pa ndërskamca. Ky popull sot ka informata, dytësore, por nga to nxjerr vlerë që ua dinë të gjitha të palarat, që ia kurdisini Kosovës. Nuk do t` u lejoi më në fund. Prapa shpinës së popullit shkuan larg në bisedime me Serbinë Bisedoni me prokurorët që kanë dhënë dorëheqje në Gjykatën Speciale-Hagë, se kush ka dërguar informata, dhe për kënd 1999-2010. Do të mbeteni pa frymë. Ata informatorë, shumë sish janë rehatuar, me kohë janë larguar nga Kosova. Ka të atillë që kanë mbetur, por është e "pamundur" të identifikohen. Tutje lexojeni vetëm "studimin": Isa Mustafa-Enver Hoxha, për Demarkacionin me Malin e Zi, "studim' ky që nuk është botuar kurrë. Dhe tash shtrohet pyetja: kush ia ka futur thikë pas shpine Kosovës dhe Ramush Haradinajt?. Sot, njëri prej këtyre i rri mbi kokë Ramës, në çdo takim. Edhe më thellë, pse injorohet një pjesë e inteligjencës shqiptare si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Injorohet sepse TRE gazetarë nga Kosova dirigjojnë tërë "politikën" shqiptare, pa konkurrencë. Kanë bërë para, kanë OJQ me Sorrosin e pa të, me Devollët e Ramizin e Pejës e pa ta, me shumë të tjerë që për të "zitë e natës", përmes "Radio Milevës", më parë ndihet informata në Beograd sesa në Tiranë, Shkup e Prishtinë. Madje, shtrohet pyetja: si është e mundur që "Fletoret Zyrtare" 1945- 1974, lidhur me kufijtë e Kosovës nëpër etapa të fshihen, e dy autorë e botuan librin luksoz: Ndarja territoriale administrative e Kosovës 1944-2010", botim i Akademisë së Isa Mustafës dhe Luginës Preshevës, më 2010. Ky libër është dashur ta thotë të vërtetën, por nuk ka dalë në opinion deri më 2018. Lidhur me këtë që u tha më lart, si është e mundur prapa shpinës popullit të shkohet kaq larg në bisedime me Serbinë dhe të paktën Parlamenti nuk e ka asnjë informatë, e "Radio Mileva" t` i di të gjitha drekat dhe darkat që janë mbajtur në Romë dhe Bruksel? Llogaria politike dhe penale dikë duhet ta plasojë ku duhet, nëse duam të ndërtojmë shtet. E, sa i takon Edi Ramës dhe PATERNALIZMIT të tij, e këshilloj vëllazërisht: larg duart nga kaçamaku i Devollëve, është shëndet për të dhe për kombin, merru me profesion-pikturë. Mëso, vetëm se çka po zihet dhe pihet në Postën e Kosovës sot. Aty zhvillohet luftë e ulët, për ta shkatërruar dhe për ta blerë sa më lirë, në fund dikush "këtu dhe atje", ndoshta "Braça Kariqi". Si njeri që merrem me politikë teorike që 50 vjet profesionalisht, binomet pozitëopozitë janë sot aq të panatyrshme, por nëse harrohen veset, mund të dalë një pushtet prej tyre, që vjedh shumë më pak sesa qeveria Mustafa-Thaçi, apo Ramushi-Kadria, si të doni merreni. Në ketë nyje, po e shënoj një fenomen: para ca muajsh kryetari i Akademisë me seraskerët që 20 vjet, e botoi një libër me lidhje "LUKSOZE", me deklarata në "Bota sot", ku e arritur më e lartë politike-akademike në te është se: Hashim Thaçi ia paska sharë nanën N. Dacit. Hashimi plus i shkon në promovim. Ja ku jam. Kush me u pajtua sot, kur politikanët nuk i dëgjon më askush, kur autoriteti i funksionarit provohet të mbahet me polici dhe AKI, të cilat nuk e kanë asnjë faj si punëtorë administrativë që janë. Hashimin nga gabimet për Marrëveshjen e Rambujesë, e shpëtuan bombardimet e NATO-s; Hashimin nga gabimet për nënshkrimin e Marrëveshjes së Vjenës, ku 3% e serbëve mbajnë në majë të thikës 97% të popullsisë Kosovës, e shpëtoi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2010; Hashimit dëmet për demarkacionin e gabuar me Malin e Zi ia amortizoi oportunizmi i Ramush Haradinajt, për kolltuk; Hashimit për Marrëveshjen e Brukselit më 2013 ia përmirësoi Isa Mustafa, me rinënshkrim dhe kushtëzim që verdiktin ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015, e cila i gjeti jo më pak se 23 shkelje nga 2013-a; Hashimi në vend që të thotë një fjali në Bruksel dhe kudo:" Kur Sllovenia, Kroacia, Maqedonia e sidomos Mali i Zi nuk mundën të bashkëjetojnë me Serbinë, si mundet Kosovashqiptarët; Hashimi në vend që ta forcojë pozitën me fjalinë e lartëtheksuar, institucionalizoi "korrigjimin e kufijve",madje flitet edhe për "këmbim të popullsisë" ; Hashimi me apo pa vetëdije do ta fusë Rusinë në "pazarin" e Kosovës, së cilës, pasi grusht-shtetit në Mal të Zi, tentim grusht-shteti në Maqedoni, tentim terrorizimi në Shqipëri, atentati në Kosovë (Mitrovicë), duke ua veshur të tjerëve; Hashimi me kërcënime e votoi Gjykatën Speciale, duke e futur UÇK-në në kurth, por më në fund vetë do të paguajë haraç. Unë nuk e urrej, por po vetë-izolohet; Presidenti Hashim mirë e di se kush ka dërguar akuza në Hagë kundër UÇK-së, por hesht, sepse shpreson që të mbetet në pushtet duke botuar madje monografi "brilante" për vete, nga gazetarët aventurier, duke u promovuar ashtu si tha Uiliam Uokeri, se dikush duhet t` i lirojë pozitat, e të vijnë ata, që kanë dije dhe duan ta ndërtojnë Kosovën në nivel evropian. Ndoshta po shkruaj pa nevojë, sepse as Sorrosit e as klanit që është instaluar prej tij, në trevat shqiptare nuk ka kush t` u thotë STOP. Ka vdekur Adem Dema, por ka lënë shkollë. Autoriteti i Adem Demaçit dhe Adem Jasharit është përdhosur. Nga tinëzarët po ndërtohet autoriteti i sabotuesve të luftës. Kurrë nuk kemi pasur politikanë më të paautoritet sesa sot. Përjashto rastin në Maqedoni dhe në diasporë, sidomos në SHBA. Sot malli më i shitur në Kosovë është: "A do të ndryshojnë kufijtë e Kosovës, ta largoj nga Kosovapatentën, made in: Baton Haxhiu, Edi Rama, Hashim Thaçi-Sorrosi…". Sot nuk diskutohet fare varfëria dhe forcimi i sovranitetit Kosovës. Duhet të thuhet publikisht se gabimet më nuk i përmirësojnë të huajt. Miqtë e kanë kaluar provimin e shtrenjtë dhe të shenjtë për ta mbrojtur një gjysmë kombi që ishte në robëri meskine. 

(Kosova Sot)