Reagim qytetar ndaj një vendimi të marrë dhe antikombëtar të SBASHK-ut!

Reagim qytetar ndaj një vendimi të marrë dhe antikombëtar të SBASHK-ut!
  • 17 January 2019 - 08:43

Shkruan: Halim Hyseni

A s demonët nuk kishin mundur të kenë mendje më çnjerëzore dhe më idiotike sesa vendimi i SBASHK-ut për shpalljen e grevës pa afat të punëtorëve të arsimit në fillim të gjysmëvjetorit të dytë të këtij viti shkollor. Në kohën kur sistemi i edukimit dhe i arsimit i Kosovës prodhon llum të mediokërve dhe të mendjes së pashkolluar, SBASHK-u organizon grevë pa afat, me çka Kosovës i shkakton plagë të pashërueshme. Arsimi i Kosovës duhet të fillojë nga zeroja. Këtë duhet ta kuptojnë më në fund të gjithë liderët dhe të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga Akademia e Shkencës dhe e Arteve të Kosovës, e cila është futur thellë në gjumin dimëror dhe nuk i dëgjohet zëri për asgjë, edhe pse anëtarët e saj shesin patriotizëm kudo që shkojnë Mali po digjet, plaka po krihet! Sistemi i edukimit dhe i arsimit është në kolaps total. Dëshmitë janë të pakontestueshme. Në vitin 2015 në testin PISA 78 % e të rinjve dhe të rejave të Kosovës të moshës 15- vjeçare ishin analfabetë funksionalë. Kjo do të thotë se këta të rinj dhe të reja, edhe pse dinë të shkruajnë dhe të lexojnë, këta, shkrim - leximin, nuk mund ta përdorin për t'i plotësuar nevojat e tyre themelore për t'u integruar në shoqëri, apo për të kuptuar një tekst të shkurtër të një udhëzimi, ta kuptojnë një tabelë, apo grafik të thjeshtë. Të jesh analfabet funksional do të thotë të jesh injorant, mendje e pashkolluar, mediokër apo thënë në gjuhën popullore shqipe të jesh budalla. Bazuar në testin PISA, që është test i standardizuar, që do të thotë se është bërë kalibrimi i tij dhe se i plotëson të gjitha karakteristikat metrike të një instrumenti matës, siç janë validiteti- vlefshmëria, objektiviteti apo besueshmëria, diskriminativiteti, që do të thotë se i regjistron dallimet më të vogla në dije dhe aftësi ndërmjet personave që janë përfshirë në test etj., katërçipërisht del se sistemi i edukimit dhe i arsimit i Kosovës prodhon injorantë dhe llum të mediokërve. Mediokrët nuk mund të mbajnë shtet, andaj nga kjo natyrshëm del përfundimi se me Sistemin e tashëm të edukimit dhe të arsimit të Kosovës, në themel po atakohet e ardhmja e Kosovës, e kombit shqiptar dhe e qytetarëve joserb të Kosovës, sepse serbët e Kosovës shkollohen dhe arsimohen në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me të gjitha aktet e të drejtës ndërkombëtare me ligjet e një shteti tjetër, kombi i të cilit që nga ardhja e tyre e dytë në vitin 548 erës së re deri në ditën e sotme në Gadishullin Ilirik, kanë ushtruar dhe sot janë duke ushtruar dhunë, etnocid dhe gjenocid mbi shqiptarë. Po theksoj këtë moment, sepse vendimi i SBASHK-ut për organizimin e grevës pa afat, derisa të plotësohet kërkesa e tyre për rritjen e pagave, të cilat, në kundërshtim me gjendjen faktike ekonomike të qytetarëve të Kosovës, që janë më të varfrit në Evropë, i kanë rrogat më të mëdha në rajon, përjashtuar Serbinë, e cila që nga viti 2000, deri me sot i ka hartuar 18 projekte për shfarosjen biologjike të shqiptarëve dhe për të cilat shqiptarët nuk dinë dhe nuk janë të informuar, sepse nuk lexojnë apo thënë më qartë, nuk kanë kulturë leximi, e cila kulturë formohet dhe fitohet vetëm e vetëm me edukim dhe arsim cilësor, të cilën Kosova, për fat të keq, nuk e ka. Se rezultatet në programin PISA -15 ishin reale, dhe se edukimi dhe arsimi i Kosovës janë në kolaps total treguan rezultatet e Bankës Botërore. Në raportin e UNDP-së për indeksin e kapitalit njerëzor, prezantohen të dhënat tmerruese, por për të cilat askush nuk shqetësohet dhe askush nuk jep përgjegjësi. Sipas UNDP-së, Indeksi i Kapitalit Njerëzor i Kosovës është nën mesataren e rajonit!!? Fëmijët në Kosovë pritet që të përfundojnë 12.8 vjet të shkollimit parafillor, fillor dhe të mesëm, deri në moshën 18-vjeçare. Megjithatë, kur vitet e shkollimit nivelohen me cilësinë e arsimit, atëherë del se arsimimi i tyre është i barabartë vetëm me 7.7 vjet, që do të thotë se ata kanë një mungesë prej 5.1 vjetësh. Po ashtu, Indeksi i Kapitalit Njerëzor tregon se një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të jetë vetëm 56 për qind produktiv kur të rritet, në krahasim me fëmijën që do të kishte arsimim komplet dhe shëndet të plotë. Vërtet e tmerrshme, edhe pse unë nuk pajtohem me konstatimin:"... se bazuar në Indeksin e Zhvillimit të Kapitalit Njerëzor një fëmijë i lindur sot në Kosovë do të jetë vetëm 56 për qind kur të rritet në krahasim me fëmijën që do të kishte arsimim komplet dhe shëndet të plotë", sepse zhvillimi marramendës teknik, teknologjik e shkencor do të jetë në kundërshtim me zhvillimin e kapitalit intelektual dhe të akselirimit ontologjik, për shkak të cilësisë së dobët të edukimit dhe të arsimit në Kosovë, andaj produktiviteti i një fëmije të lindur sot në Kosovë do të jetë nën 50 për qind! Politizimi i arsimit Natalia Apostollova, Shefja e Zyrës së BE-së, në një mbledhje të Komisionit për Arsim të Kuvendit të Kosovës e tha haptas, me plot të drejtë: " Arsimit i Kosovës duhet të fillojë nga zeroja". Të ftosh mësimdhënësit në grevë pa afat është njësoj si të sëmurin, i cili është në komë apo agoni të thellë, ta heqësh nga aparatet të cilët e mbajnë në jetë. Kjo është arsyeja pse SBASHKu po ngjason në një plakë që po krihet, kur mali në të cilin ajo është, po digjet. Pse vendimi i SBASHK-ut është idiotik, çnjerëzor, antikombëtar dhe katastrofal? Të gjithë ata që marrin vetëm pak erë në Teorinë e Menaxhimit të Ndryshimeve në Edukim, e dinë se: vendimi i duhur, në kohë të duhur është i suksesshëm. Po ashtu, ata e dinë se vendimi i drejtë në kohë të gabuar duhet të refuzohet. Gjithashtu e dinë se vendimi i gabuar në kohë të duhur është gabim, andaj edhe ky vendim duhet të refuzohet. Po SBASHK-u ka marrë vendim të gabuar në kohë të gabuar. Vendimi i gabuar në kohë të gabuar është katastrofal. SBASHK-u, për këtë vendim, duhet të japë përgjegjësi, nëse nuk e ndryshon menjëherë. Vendimi është i gabuar, sepse është bërë pa analizë të shkaqeve dhe të pasojave. Nuk kanë bërë analizë të shkaqeve, sepse po ta kishin bërë analizën e shkaqeve, ata do të kuptonin se 20 për qind e qytetarëve të Kosovës janë më të varfrit në Evropë. Po ashtu, ata do të kuptonin se 20 për qind e qytetarëve të Kosovës sot jetojnë me më pak se 1.80 euro në Kosovë. Të kishin bërë analizë, ata do të kuptonin se me rritjen e pagave të pamerituara të personelit mësimor do të rritet numri i të varfërve në Kosovë. Po të kishin bërë analizë, ata do të kuptonin, se krahasuar me pagat e kolegëve dhe të tyre në rajon, ata kanë pagat më të larta të mundshme dhe cilësinë më të ulët të edukimit në rajon. Po të kishin bërë analizë, ata do të kuptonin se me rritjen lineare të pagave nuk avancohet cilësia në edukim dhe arsim. Po të kishin bërë analizën,ata do të kuptonin se Kosova ka shkallën më të lartë të qytetarëve të papunësuar në Evropë. Po të kishin bërë analizën e duhur, ata do ta kuptonin se Sindikatat e punëtorëve nuk kanë të bëjnë vetëm me pagat, por edhe me të drejtat e tjera të arsimtarëve, e që u shkelën në mënyrë drastike përmes politizimit të arsimit, monopoleve të krijuara, mungesës së autonomisë institucionale, mungesës së teksteve cilësore etj. Arsimi u shndërrua në vegël të fushatave elektorale Por, ajo që është më e rënda në këtë vendimmarrje për organizimin e grevës pa afat, është se SBASHK-u nuk ka analizuar pasojat apokaliptike të këtij vendimi. Këta kanë marrë përsipër një përgjegjësi të tmerrshme me thirrjen e grevës pa afat. Kjo është nonsens, të mos e them një fjalë më të rëndë. Nëse greva është pa afat, a janë këta zotërinj të vetëdijshëm për pasojat e një vendimi të tillë. A e dinë se me vendim të këtillë ata mund ta shpallin nul këtë vit shkollor. Kjo do të thotë se në vitin e ardhshëm të gjithë nxënësit e arsimit të detyruar parauniversitar dhe të arsimit të lartë të mesëm duhet ta përsërisin klasën. Ku do të shkojnë këta zotërinj nëse kjo ndodh? Të kishin bërë analizën e pasojave, ata do të kuptonin se do të dëmtohet dhe do të goditet rëndë cilësia në të gjitha nivelet e arsimit edhe ashtu e goditur. A janë të vetëdijshëm se për më pak se 5 muaj duhet të organizohen provimet nacionale ( testi i arritshëmërisë në klasat e nënta, provimet përfundimtare dhe provimet e maturës në arsimin e mesëm të lartë). Sikur të kishin bërë analizën e pasojave, ata do të kuptonin se brenda pushimeve tremujore nxënësit harrojnë 30 për qind të asaj që kanë mësuar dhe që duhet ta kenë pronë të përhershme. Po të kishin analizuar pasoja e një vendimi të këtillë, ata do të kuptonin se greva do te ketë efekte katastrofale e kolaterale në motivimin e nxënësve dhe të mësimdhënësve për punë. Por, faji nuk është vetëm i SBASHK-ut. Përgjegjës për këtë gjendje janë të gjitha qeveritë e deritashme që kanë koketuar me SBASHK-n për qëllime elektorale, dhe që arsimin e kanë shndërruar në vegël të fushatave elektorale, duke përdorur qeverisjen transaksionare bazuar në premtime të dëmshme dhe të rreme për të siguruar votën. Ky vendim absurd i SBASHK-ut është pasojë e kontekstit dhe të sfondit të krijuar që mund të përkufizohet si vetëdije e deformuar dhe antikombëtare e udhëhequr nga mendja e pashkolluar. Kjo vetëdije e devijuar johumane, mediokre ka krijuar një kulturë të shfrytëzimit dhe të eksploatimit të pasurisë kombëtare të Kosovës Kosova është shndërruar si një lopë që askush nuk e ushqen, por që të gjithë e mjelin Veprimet e SBASHK-ut janë pasojë e një kulture të krijuar imorale dhe të papërgjegjshme se të gjithë e gëzojnë të drejtën të marrin fitime dhe favore për secilin angazhim më të vogël që e kanë menduar dhe e kanë bërë për pavarësimin e Kosovës. Kështu të burgosurit politikë, që objektivisht kanë merita të mëdha për sigurimin e pavarësisë së Kosovës, sepse e kanë mbajtur gjallë aspiratën për çlirimin kombëtare, janë kompensuar për vitet që kanë qenë në burgje. Po kështu, edhe luftëtarët e UÇK-së dhe komandantët e saj kanë merita të jashtëzakonshme, sepse pa UÇK-në Kosova kurrë nuk do të ishte e pavarur. Komandantët e tyre të gjallë sikur nuk patën masën e duhur të përgjegjësisë. Një pjesë e tyre vendosën të materializojnë sa më shumë e që është e mundshme pasurinë e tyre familjare në emër të kontributit të tyre në luftën heroike të UÇK-së. Ekzaltimi i tyre për të siguruar pushtetin me çdo kusht bëri që ata të humbasin masën dhe arsyen e shëndoshë. U transformuan në zhvatës, plaçkitës dhe shkatërrues të aspiratave shekullore të këtij kombi duke krijuar një ambient antishtetëror dhe të kriminalizuar të Kosovës. Kujdesi për ushtarët e UÇK-së, që nuk kishin as bukë për të ngrënë, u harruan. Ushtarët e UÇK-së filluan të bëjnë vetëvrasje. Kjo dukuri filloi në Podujevë dhe vazhdoi në tërë Kosovën. Mbi 50 ushtarë të dinjitetshëm bënë vetëvrasje. Në ambientin e një kulture plaçkitëse, dolën në shesh kriminelët, matrapazët dhe bashkëpunëtorët e UDB-së, të cilit falë aftësive diabolike të tyre arritën deri në nivelet më të larta të qeverisjes së Kosovës. Goditje të rëndë UÇK-së do t'i japin mbi 30.000 kriminelë të cilit veten me falsifikime dhe abuzime goditën Kosovën e varfër dhe qytetarët e saj me pensione të pamerituara. Kultura e mosbindjes ndaj ligjit dhe pandëshkueshmëria që është akt imoral krijoi njëmendësi të devijuar që secili duhet të fitojë për atë që ka bërë. U erdhi radha e mësimdhënësve që kishin qenë vërtet heronj, sepse nuk u gjunjëzuan para forcave kriminale të Serbisë dhe mbajnë gjallë shpresën e popullit për plotësimin e aspiratave kombëtare. Tani, edhe këta kërkuan që të përfitojnë për atë që kanë qenë të detyruar ta bëjnë. Kështu që edhe këta do ta marrin një copë të madhe të mishit të Kosovës. Pyes publikisht, çfarë ne do të bënim ( edhe unë isha pjesë e tyre) sikur këtë të mos e bënim. Janë 20 400 gra të dhunuara nga nekrofilët serbë për të cilat askush nuk u kujdes për gati dy dekada. Sipas logjikës, tani edhe këtë barrë duhet ta bartë Kosova e shkretë, ani pse për të gjitha veprimet e mësipërme, Kosova dhe populli shqiptar nuk ishin fajtorë, por Serbia, nga e cila askush, me përjashtim të Qeverisë së tashme Haradinaj nuk kërkoi dëmshpërblim. Kështu, Kosova mua më ngjason në një lopë për të cilën askush nuk kujdeset, por që të gjithë duan ta mjelin. Nëse kjo vazhdon kështu, kjo nuk do të qëndrojë shumë. Për fat te keq, edhe SBASHK-u kështu po e trajton Kosovën. 

(Kosova Sot)