Kosova mbi gjithçka

Kosova mbi gjithçka
  • 17 January 2019 - 15:38

Shkruan: Dr. Islam Lauka

Viti 2018 në Kosovë u mbyll me diskutimet mbi letrën e Presidentit Donald Tramp, drejtuar homologut të tij kosovar, Hashim Thaëi, për marrëveshjen Kosovë – Serbi. Ato po vazhdojnë edhe me fillimin e vitit 2019.

Protagonisti kryesor i këtyre diskutimeve është vetë Presidenti Thaëi, i mbështetur, kryesisht, nga këshilltarët e tij.

Në shkrimet autoriale, në intervistat dhe deklaratat e tyre zyrtare, Presidenti Tramp trajtohet si Perëndi, ndërsa Presidenti Thaçi si Pejgamber a Mesi që solli në tokën e Kosovës urdhëresat dhe ndalesat e të Plotfuqishmit. Edhe fjalori i tyre i përngjan atij të librave të shenjtë si, “jemi të bekuar si vend e si popull që kemi mbështetjen e Trampit”, apo “Kosova do jetë e bekuar që të respektojë letrën e Presidentit Tramp”. Për nga rëndësia e saj, letra e Trampit krahasohet me mesazhin e Kërshëndellave të Presidentit Bush (i vjetri) në vitin 1992, nëpërmjet të cilit ai paralajmëroi Serbinë që të përmbahet nga ndërhyrja ushtarake në Kosovë; me urdhrin e Presidentit Klinton, në Mars 1999, që të sulmohet ushtarakisht ish -Jugosllavia dhe me deklaratën e Presidentit Bush (i riu), në Tiranë, në qershor 2007, “mjaft është mjaft” që poi në pavarësimin e Kosovës.

Edhe koalicioni qeveritar dhe opozita u shprehën me vlerësime pozitive, shpesh, me nota ekzaltuese, për letrën e Trampit.

Ajo që bie menjëherë në sy është mungesa e analizës politike kritike ndaj letrës së Presidentit amerikan, nga ana e klasës politike të Kosovës. Në mungesë të kësaj analize, konstatohet një mbështetje e plotë, që arrin deri në adhurim nga ana e pozitës dhe opozitës kosovare, për Presidentin Tramp dhe letrën e tij “magjike”.

Një qëndrim i tillë shpjegohet me ndikimin e disa faktorëve:

Së pari, janë vështirësitë e kuptimit të vendimmarrjes të këtij, apo atij aktori. Këto vështirësi shtohen, kur kemi parasysh natyrën komplekse të vendimmarrësit Donald Tramp. Gjithsesi, mendoj se ky faktor ka ndikim periferik, aq më tepër, në rastin e Thaçit, i cili, deri më tani, i ka shkrehur me bisht kurthet që i janë ngritur. Nuk besoj që qëndrimet e tij politike, përfshirë atë për letrën e Trampit, të jenë të ndikuara nga padija. 

Së dyti, mbështetja dhe adhurimi ndaj Presidentit Trump, në njëfarë mase, vijnë si pasojë e servilizmit dhe mercenarizmit të klasës sonë politike. Kjo nuk është një dukuri vetëm kosovare, por thuajse, e krejt elitës politike mbarëshqiptare. 

Së treti, mbështetja dhe adhurimi i Trampit, në masë të madhe, shpjegohen me përpjekjet e pozitës dhe opozitës për ta shfrytëzuar atë si instrument për ruajtjen e pushtetit (pozita) ose për rikthimin në pushtet (opozita). 

Së katërti, sië shprehet një mik i sprovuar i shqiptarëve, ambasadori amerikan, Uilliam Uokër, disa udhëheqës të Kosovës janë të gatshëm të bëjnë atë që u thonë ndërkombëtarët, nga frika se mos akuzohen nga Gjykata Speciale. Mendoj se ndikimi i këtij faktori në formësimin e qëndrimeve politike aktuale, sidomos në rastin e Presidentit Thaçi, është me rëndësi vendimtare. 

Analiza politike kritike, e cila merr në konsideratë vendimmarrësin dhe kodin e tij operacional, kontekstin e brendshëm e të jashtëm, si dhe bashkëveprimin e bashkëndikimin dinamik midis aktorëve dhe strukturave, na jep mundësinë të bëjmë këto vlerësime për letrën e Presidentit Tramp:

Së pari, është shumë pozitiv fakti që Presidenti amerikan vë në dukje investimin e SHBA-së për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran dhe ripohon angazhimin e vendit të tij në këtë çështje.

Së dyti, ashtu si administratat e mëparshme amerikane, ai e klasifikon shtetin e Kosovës si një partner ky të Amerikës për të garantuar paqen dhe stabilitetin në të gjithë Europën.

Së treti, ndryshe nga administratat e mëparshme amerikane që, pas 17 Shkurtit 2008, kanë kërkuar nga Serbia njohjen e Kosovs si shtet i pavarur dhe sovran, Donald Trampi bën thirrje për arritjen e një marrëveshjeje, e cila reflekton, në mënyrë të balancuar, interesat e Kosovës dhe të Serbisë. Ky është një dallim thelbësor në politikën amerikane për ëështjen e Kosovës, sepse qëndrimi i Uashingtonit ka qenë në mbështetje të planit Ahtisari, mbi bazën e të cilit, u shpall pavarësia e Kosovës, si zgjidhja më e drejtë, më realiste dhe më e qëndrueshme, në interes të dy palëve, të paqes e sigurisë në rajon dhe Europë. Në vend të planit Ahtisari, tashmë të shpallur të vdekur, kërkohet një ekuilibër i ri interesash midis Kosovës dhe Serbisë, i cili do të fiksohej në një marrëveshje të re dypalëshe.

Letra nuk e thotë shprehimisht se si do të arrihet ky ekuilibër interesash, por Presidenti Thaçi dhe këshilltarët e tij lënë të kuptohet që Presidenti Tramp mbështet tezën e shkëmbimit të territoreve, e cila, sipas tyre, mund të mos na pëlqejë, por, përderisa këtë na e kërkon Amerika, ne nuk na mbetet gjë tjetër, vet ta dëgjojmë e të veprojmë, siç porosit ajo. 

Por çfarë kërkohet të shkëmbehet, në mënyrë që të arrihet balancimi i interesave midis Kosovës e Serbisë. Këtë e bën të qartë njëri nga këshilltarët politik të Thaçit. Serbia kërkon pjesën në Veri të lumit Ibër, në këmbim të një pjese të papërfillshme të Luginës së Preshevës, pa korridorin 10. Më së fundi, pas kaq kohësh, kemi diçka konkrete për atë që Thaçi e ka fshehur, siç fsheh gjarpri këmbët – tezën e shkëmbimit të territoreve, pra çfarë do t’i japim ne Serbisë dhe çfarë do të marrim prej saj. Është e qarte se ky shkëmbim rezulton me humbje të rëndë për palën tonë.

Nga ana tjetër, analiza politike kritike kërkon që të bëhen përpjekje për të hulumtuar dhe kuptuar motivet që e kanë shtyrë Presidentin Tramp në formulimin e kësaj letre. Për këtë çështje nuk ka një mendim unik midis studiuesve dhe analistëve ndërkombëtarë. Për disa, letra e Trampit na kujton Kemp Dejvidin, vendin ku në vitet 1978-1979 u arrit pajtimi midis Egjiptit dhe Izraelit. Sipas këtij argumenti, Trampi është i interesuar, jo aq për zgjidhjen e konfliktit shekullor midis shqiptarëve e serbëve, sesa për të fituar kapital politik për veten e tij, pas dështimeve të njëpasnjëshme, në politikën e jashtme, për të mbetur në histori si pajtuesi i madh i dy popujve ballkanikë.

Një argument tjetër është ai, sipas të cilit, interesimi aktual i Uashingtonit për rajonin tonë ka të bëjë me heqjen e atusë së fundit të Rusisë në Ballkan - çështjen e pazgjidhur të Kosovës, nëpërmjet të cilës, Moska shantazhon Beogradin, duke ruajtur kështu praninë dhe ndikimin e vet në këtë zonë. 

Të dy këto argumente janë të diskutueshme. Sipas mendimit tim, Presidenti Tramp ka çështje të tjera më të mëdha, me të cilat pretendon të mbetet në histori, sesa pajtimi i dy popujve të vegjël, në periferi të Europës, pa ndonjë interes për të. 

Të tilla janë: arritja e marrëveshjes me Korenë e Veriut për armët bërthamore; riformulimi i marrëveshjes së re me Iranin, po për këtë çështje; ndërtimi i murit me Meksikën, etj. 

Sa i takon largimit të Rusisë nga Ballkani, ky do te ishte një qëndrim i mirëpritur, por marrëdhëniet e veçanta të Donald Trampit me Vladimir Putinin, përpjekjet e vazhdueshme të tij, në kundërshtim me ligjin dhe vullnetin politik të Kongresit amerikan, për një ujdi me Presidentin rus, nuk shkojnë në favor të këtij argumenti. 

Studiuesi i njohur, Ivan Krastev, i përmbahet tezës së Presidenti Tramp është në kërkim të aleatëve kundër Kinës, sfiduesit kryesorë=e të interesave amerikane, brenda dhe jashtë vendit. Kemi të bëjmë me një rikthim të strategjisë Nikson – Kisinger, të viteve 70’, kur u tërhoq Kina kundër Bashkimit Sovjetik, ndërsa tani synohet të tërhiqet Moska kundër Pekinit. Ky argument, në gjykimin tim, është më logjik dhe më i qëndrueshëm. 

Nuk besoj që është rastësi përkimi në kohë i dërgimit të letrës në adresë të Thaçit dhe i shpalljes së tërheqjes së trupave amerikane nga Siria, duke e lënë këtë vend dhe të ardhmen e tij në dorë të Putinit dhe aleatëve të tij; nuk mund të jetë rastësi deklarata e Trampit, në fillim të këtij muaji, e cila justifikon pushtimin e Afganistanit nga Moska, në vitin 1979, gjoja, për shkak të kërcënimit terrorist; nuk mund të jetë rastësi që, tre ditë pas nënshkrimit të letrës nga Presidenti Tramp, më 17.12.2018, u mblodh Këshilli i Sigurisë Kombëtare të Rusisë për të diskutuar, “në mënyrë të hollësishme situatën në Ballkan”; nuk mund të jetë rastësi që Këshilli rus për çështje ndërkombëtare, i themeluar me dekret të Presidentit Putin, më 27.10.2018, paraqiti studimin “Formatet e ndryshme ndërkombëtare të zgjidhjes “në paketë” për Ballkanin”, ku theksohet se “rregullimi i sotëm territorial në Ballkan nuk e justifikoi veten” dhe propozohet që për rivizatimin e hartës së re ballkanike të organizohet një konferencë ndërkombëtare, në të cilën parashikohet që Rusia të luajë rol qendror.

Së fundi, nuk mund të jetë rastësi që, vetëm një muaj pas letrës së Trampit, më 17.01.2019, Putini të vizitojë Serbinë. Në prag të kësaj vizite, në intervistën e dhënë me 16.01.2019 gazetave serbe “Politika” dhe “Veçernije Novosti”, Putini ripërsëriti vlerësimet e Moskës për “agresionin” e NATO-s kundër ish-Jugosllavisë, më 1999, për shpalljen e “paligjshme” të pavarësisë së Kosovës dhe formimin e ushtrisë së saj, si “kërcënim” ndaj paqes e stabilitetit në rajon e më gjerë. 

Dyshimi im është që Ballkani, përfshirë Kosovën, mund të jetë pjesë e paketës së ujdisë midis Trampit dhe Putinit për t’i lënë dorë të lirë këtij të fundit në rajonin tonë, në Lindjen e Afërt, etj, me kusht që Moska, minimumi, të jetë neutrale në marrëdhëniet SHBA-Kinë, maksimumi, t’i bashkohet Uashingtonit kundër Pekinit. 

është tjetër gjë, a do të bjerë Putini në karremin e Trampit dhe a do ta lejojë Kongresi Presidentin që të shkojë aq larg në ujdinë e tij me Moskën, duke kërcënuar seriozisht interesat amerikane të sigurisë, ato europiane, ballkanike dhe interesat jetike të Kosovës dhe gjithë shqiptarëve. 

Përfundimi që del nga kjo analizë është ky: nuk duhet mbështetur apriori, çdo qëndrim i aleatëve tanë strategjikë, përfshirë SHBA-në, ndaj Kosovës. Përkundrazi, qasjet e tyre ndaj nesh duhen parë, patjetër, nga këndvështrimi i interesave tona kombëtare dhe shtetërore. 

Vijmë kështu tek një problem i ndërlikuar i marrëdhënieve ndërkombëtare, siç është raporti midis vendeve të vogla dhe fuqive të mëdha.

Për një numër studiuesish, historia e marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk është gjë tjetër veç histori e fuqive të mëdha, se vendet e vogla janë të detyruara të rreshtohen me këtë apo atë fuqi, përndryshe nuk mund të realizojnë, jo vetëm objektivat e tyre të politikës së jashtme, por as të sigurojnë mbijetesën e tyre si shtet. Për disa të tjerë, midis të cilëve, edhe përfaqësues të realizmit dhe konstruktivizmit, shtetet e vogla kanë një shkallë të caktuar lirie dhe mundësi manovrimi për të mbrojtur interesat e tyre, duke zhvilluar një politikë të jashtme aktive. 

Për ta, shfrytëzimi i kontradiktave midis fuqive të mëdha, fleksibiliteti për të rregulluar proceset e reagimeve të qendrave vendimmarrëse, harmonizimi i strategjisë me kontekstin ndërkombëtar dhe i mundësive me kapacitetetet, janë disa nga rrugët që vendet e vogla mund të shfrytëzojnë për realizimin e objektivave të politikës së tyre të jashtme. 

Sipas mendimit tim, grupi i dytë është më afër së vërtetës, por politika e jashtme aktive dhe fleksibël nuk do të thotë që të bredhësh nga një kryeqytet në tjetrin, duke u servilosur para të mëdhenjve të kësaj bote; politika dinjitoze kërkon politikanë dinjitozë. Politikanët dinjitozë, jo lajkatarë, guxojnë të shprehin mendimin e tyre të pavarur në bisedime me kundërshtarët, por edhe me miqtë, në mbrojtje të interesave të vendit që përfaqësojnë.

Në këtë kontekst, për çdo politikan të pavarur, ideja e shpërblimit të Serbisë me territor të Kosovës, në këmbim të njohjes si shtet, duhet të konsiderohet se është në kundërshtim me interesat e saj jetike dhe, si e tillë, kundërshtohetme forcë, ngado që të vijë, qoftë edhe nga Presidenti i një vendi mik si SHBA. 

Donald Trampi nuk është Zoti. Nisur nga fuqia e vendit që përfaqëson, ai mund të krahasohet, jo me Zotin e feve monoteiste, që përfytytrohet si i përkryer dhe i drejtë, por me zotat e politeizmit grek, që kanë të gjitha mëkatet e tokësorëve: janë hakmarrës, veprojnë sipas tekave të tyre personale, nuk janë të drejtë, janë të shthurur. Përshkrimet e biografëve të Trampit, apo të analistëve politikë e paraqesin atë si shumë të ngjashëm me zotat e Olimpit: impulsiv, të padisiplinuar, që nuk dëgjon këshilla, të paparashikueshëm, dhe që i pëlqejnë lajkat. 

Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomë së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan, miku i sprovuar i Kosovës, Eliot Engel, duke analizuar qasjen e Presidentit Tramp ndaj politikës së jashtme në përgjithësi, e vlerëson atë si të dyshimtë dhe rë çrregullt. Për këte qellim, ai ka vendosur të krijojë një nën komision që do të merret më hetimin e veprimtarisë së Presidentit në këtë fushë. 

Kur bëhet fjalë për rajonin tonë, studiuesi britanik Tim Xhudah, ekspert i njohur i problematikës ballkanike, i referohet vlerësimeve të Le Monde, El Mundo, Newsweek, sipas të cilave, Donald Trampi nuk shquhet për ndonjë njohuri rreth këtij rajoni, aq sa ai ngatërron Ballkanin me Baltikun. 

Kur vijmë tek ajo që na intereon e që na dhemb më shumë, pra tek Kosova, ambasadori Uilliam Uokër, pikërisht ai që me denoncimin e masakrës së Reëakut, si krim kundër njerëzimit, i hapi rrugë ndërhyrjes së NATO-s kundër ish-Jugosllavisë, këtë radhë, në një intervistë në “Zërin e Amerikës”, denoncon qëndrimin e administratës së tanishme amerikane ndaj marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, mbështetja nga Uashingtoni e ëdo marrëveshjeje që mund të arrihet midis palëve, është e padrejtë. Sepse, argumenton ai, Serbia sot është më e fortë se Kosova. Dhe sië dihet, i forti dikton kushtet e marrëveshjes, në dëm të të dobëtit. Më tej, Uokër shpjegon arsyet e këtij qëndrimi, të cilat ai i lidh me faktin që asnjë nga përfaqësuesit e administratës së tanishme nuk kanë qenë të përfshirë në luftën për çlirimin ose pavarësimin e Kosovës dhe se ata nuk e njohin as Reçakun, as historinë e vendit. 

Duke qenë plotësisht dakord me këto argumente të ambasadorit amerikan Uokër, unë do të shtoja se në administratën e Trampit, ka nga ata, si këshilltari i tij për siguri kombëtare, Xhon Bolton, që, në prag të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është shprehur hapur kundër saj, duke i bërë thirrjë Uashingtonit që të mos e njohë shtetin e ri, veë të tjerash, edhe për të mos i prishur marrëdhëniet me Moskën. 

Profesori amerikan i universitetit Hopkins, gjithashtu nje ekspert me emër i Ballkanit, dhe kritik i rreptë i idesë së shkëmbimit të territoreve, shprehet se mesazhet e Uashingotnit nuk vlejnë asgjë, kufiri i Kosovës dihet botërisht dhe ai duhet të respektohet. 

Midis qëndrimeve të Presidentit Tramp dhe këshilltarit të tij për siguri kombëtare, Xhon Bolton dhe atyre të profesorit Server, ambasadorit Uokër dhe kongresmenit Engel, lidhur me Kosovën, jam i bindur se duhen mbështetur ato të miqve tanë të sprovuar.

Amerika nuk ka nevojë për servilë e lajkatarë. Asaj i nevojiten miq dhe aleatë të sinqertë. Të tillë janë udhëheqësit që përfaqësojnë me guxim popullin e vet dhe po me guxim mbrojnë të drejtat e tij para cilitdo. Por guximi dhe dinjiteti kanë në themel lirinë. Duket së Thaçi nuk është më i lirë, por i kapur. Dikush ia ka zënë (shkelur) bishtin gjarprit dhe ai tani nuk e ka hallin e bishtit por të kokës. Bashkë me bishtin ai është i gatshëm të braktisë edhe Kosovën. 

Klasa jonë politike duhet të çlirohet nga mentaliteti skllav, se “e dinë të mëdhenjtë, “nuk mund të jemi aktorë në marrëdhëniet ndërkombëtare”, “të ruhet dashuria e pakushtëzuar ndaj aleatit strategjik”, “ x problem është totalisht në dorë të x presidenti”, etj.

është e vërtetë që shumë gjëra dinë të mëdhenjtë, por punët tona i dimë ne më mirë se ata. Ne mund të mos jemi aktorë në shumë çështje ndërkombëtare, por në mbrojtjen e kufijve tanë duhet të jemi patjetër aktorë dhe shumë aktivë. Marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë marrëdhënie dashurie, por interesi. Dashuri të pakufizuar mund te ketë prindi ndaj fëmijës, por kurrë një shtet ndaj një tjetri. Secili President, në radhë të parë, mbron interesat e vendit të tij. Parulla e Trampit është “America first”, jo “Kosovo first”. Kosova, e para, Kosova mbi gjithçka duhet të jetë parulla jonë, përndryshe nuk e meritojmë as lirinë as pavarësinë që gëzojmë sot. 
Vendimi i qeverisë së Kosovës për taksimin 100% të mallrave që vijnë nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovia është shprehje e vetëdijësimit që, më së fundi, Kosova po kthehet nga vetvetja dhe po sillet si shtet, jo si kopje-shtet.

Mbetet të shihet, nëse kjo masë ishte një hap taktik, populistm i Ramush Haradinajt për kapital politik, apo është pjesë e kauzës së tij për ta vënë Kosovën mbi gjithëka, edhe mbi Presidentin amerikan, Donald Trump dhe administratën e tij që po bën presion për heqjen ose pezullimin e kësaj takse. Sigurisht që, për mbrojtjen dhe konsolidimin e lirisë dhe pavarësisë sonë, na duhet ndihma e miqve, në radhë të parë e SHBA-së, por atë duhet kërkuar, jo tek Presidenti aktual Donald Tramp, i dyshuar për lidhje të nëndheshme me Kremlinin dhe shfrytëzimin e Kosovës e Ballkanit si kusuritje në allishverishet e tij me Putinin, por te Kongresi amerikan dhe forca të tjera të atij vendi, që e konsiderojnë Kosovën interes të vërtetë të SHBA-së, jo instrumental dhe që kundërshtojnë politikat dhe strategjitë neoperandorake të Rusisë.

Në Europë aleatë të tillë janë Gjermania dhe Britania e Madhe, që janë shprehur zyrtarisht kundër ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë dhe që kundërshtojnë me vendosmëri politikën ballkanike putiniste.