Na thirrni kur ta merrni vesh se çka doni nga Brexit

Na thirrni kur ta merrni vesh se çka doni nga Brexit
  • 18 January 2019 - 08:19

Shkruan: Joris Luyendijk 

Përgjatë tërë Brexitit, pala evropiane ka qenë tepër transparente

Fakti që establishmenti politik dhe mediatik i Britanisë është i preokupuar me edicionin e kësaj jave të psikodramës së quajtur Brexit, mund edhe të falet; bëhet fjalë për vendin e tyre dhe ky episod premton të jetë i pasur me ngjarje. Por, për shumë evropianë, ky votim domethënës është vetëm një vazhdimësi e situatës së njëjtë: britanikët ende nuk dinë se çka janë duke dashur, prandaj politikanët po i bien gjithnjë e më shumë me rrotulla. Është e qartë se, për gazetarët dhe analistët politikë britanikë në Uestminster, secili nga këta rrotulla është tepër eksitues, por nga distanca, që vjen nga fakti i të qenit në BE, asgjë nga kjo nuk është e re. Përkundër zhurmës së madhe, gjatë dy vjet e gjysmë, në aspektin politik të Britanisë pak gjë ka lëvizur. Ky nuk është kaos. Kjo është paralizë. 

Alternativa laburiste

Vendi vazhdon që të refuzojë të ballafaqohet me pasojat e vendimit të tij për të dalë nga BE-ja, duke shtyrë në vazhdimësi marrjen e një vendimi. Dhe, arsyeja është e thjeshtë: secili nga opsionet në dispozicion përfshijnë dhembje ekonomike, apo elektorale, që do ta shkatërrojë çdo parti, të mbushura sikur që janë ato me kundërshtarë të Brexitit, me mbështetës të butë të tij dhe me mbështetës ekstremistë. Ky refuzim për të jetuar në botën reale, e bëri fitoren për kampin pro Brexit të mundshme në rend të parë dhe ka vazhduar që të jetë gjendja mbizotëruese deri tani, në janar të vitit 2019. Prandaj, falni evropianët që reagojnë me hapagojë kur nga ta kërkohet që të interesohen edhe një herë rreth një votimi i cili nuk do të sjell qartësi shtesë në pyetjen e vetme që ka rëndësi: a kanë vendosur ende britanikët se çka duan? Po, ngjarjet e kësaj jave mund të çojnë deri te rënia e qeverisë patetike dhe të paaftë të Theresa May-it. Edhe? Alternativa është një parti laburiste, lideri i së cilës pushoi së foluri drejt, në momentin që erdhi në pushtet. As ai, e as May asnjëherë nuk kanë rënë në nivel të njëjtë me votuesit dhe me popullin britanik, në përgjithësi, rreth tërë dhembjes dhe ndryshimeve të çdo lloji që do të sjellë Brexit. 

Britanisë i duhet kaosi i një daljeje nga BE-ja pa marrëveshje

Ndërkohë, shtypi pro Brexit, i poseduar dhe i kontrolluar nga miliarderët, vazhdon që të përhapë rrenat e veta, shtrembërimet dhe fantazitë, duke mbështetur politikanët që pajtohen me të. Kështu bëhet edhe një rreth tjetër, dhe një tjetër. Gjithnjë e më shumë duket sikur Britanisë i duhet kaosi i një daljeje nga BE-ja pa marrëveshje, në mënyrë që të kthjellet nga lajthitjet e saj. Sa i përket BE-së dhe qeverive të 27 vendeve anëtare të saj, ata e kanë luajtur rolin e tyre të dramës Brexit shumë mirë deri më tani, duke kombinuar talentin gjerman për 'Grundlichkeit' (përpikëri) me atë lloj të precizitetit Cartesian, që mishëron atë më të mirën e Francës. Përgjatë tërë Brexitit, pala evropiane ka qenë tepër transparente dhe e disiplinuar, duke vazhduar që të ishte edhe tepër e sjellshme. Sikur që tha me të drejtë presidenti i Këshillit evropian, menjëherë pas rezultateve të referendumit: "Që tani ndjejmë mungesën tuaj". Atëherë ai donte të thoshte se evropianët do ta ndjejnë mungesën e Britanisë, si shtet anëtar. Dy vjet e gjysmë më pas, ajo që iu mungon evropianëve edhe më shumë, është diçka më e thellë sesa ajo që gjithmonë e kanë marrë për të qenë: logjika e shëndoshë britanike.

(Kosova Sot)