Patriotizmi real-antiteza kundër tradhtisë, krimit dhe korrupsionit

Patriotizmi real-antiteza kundër tradhtisë, krimit dhe korrupsionit
  • 20 January 2019 - 08:12

Shkruan: Skënder Kapiti

Retorika dhe patriotizmi fals i politikanëve shqiptarë janë mbulesat dhe maskat e krimit, korrupsionit dhe të tradhtisë së tyre. Retorikave dhe deklarimeve patriotike të të gjithë liderëve të Shqipërisë, politikanë e pushtetarë, të cilët e kanë drejtuar Shqipërinë, atyre u ka dalë boja si mashtrime dhe për dukje e pikë politike personale. Regjimi komunist, enverizmi i "donte" kosovarët për t'u treguar serbëve se nëse ata përpiqeshin për ta rrëzuar atë nga pushteti politikisht dhe ushtarakisht, me parë do të duhej që të përballeshin me 2 milionë shqiptarët e trojeve shqiptare në Jugosllavi.

Persekutimet, krimet, vrasjet dhe gjenocidin që ushtronte serbo-sllavizmi mbi shqiptarët e Kosovës kishte edhe "lejen" e marksizëm-leninizmit të Tiranës, pasi për demokracinë dhe për perëndimin marksizëm -leninizmi ishte ideologji e praktikë terroriste dhe kështu mundësohej qe edhe Shqipëria e vetizoluar nga komunizmi nuk bënte asgjë për shqiptarët e Kosovës, pasi vetë Shqipëria marksist-leniniste ishte problem jo vetëm për Shqipërinë, por edhe që askush as nuk e pyeste dhe as nuk e dëgjonte në perëndim zërin komunist antipopullor dhe antiperëndimor të Tiranës.

Politika e Tiranës nuk qe në gjendje që të kontribuojë dhe të lobojë as për anëtarësimin e Shqipërisë në UNESKO

Ky regjim edhe shqiptarët e Kosovës i përdorte për politikë, ideologji dhe për interesa pushteti për t'ua reklamuar e paraqitur shqiptarëve në Shqipëri se shikoni se sa mirë jeni nën komunizmin stalinist këtu, dhe shikoni se çfarë po heqin shqiptarët nën komunizmin jugosllavo-titist. Shqiptarët e Kosovës e donin Shqipërinë Socialiste ashtu si e donin dhe e duan Shqipërinë gjithmonë si shtetin amë, pasi nuk kishin se ku të shkonin përderisa edhe regjimi i serbosllavokomunizmit ishte barbar, kriminal dhe gjenocidist edhe më i egër e më djallëzor ashtu si të gjitha regjimet para tij.

Edhe pas rënies së komunizmit në Shqipëri politika zyrtare e Tiranës, edhe politika e saj, gjithnjë, nuk është se bëri ndonjë gjë serioze as për demokracinë në Shqipëri, as për çështjen Kombëtare dhe e gjithë politika deri më sot nuk ka qenë dhe nuk janë akoma për bashkim kombëtar. Nacionalizmin dhe patriotizmin politikanët shqiptarë e përdorin si retorikë vetëm kur e shohin se po u lëkundet pushteti, e përdorin për "presion" ndaj ndërkombëtarëve për të justifikuar dështimet politike dhe korrupsionin e tyre si dhe edhe për të fituar kredo dhe besim e përkrahjen e tyre, sikur kinse këta edhe na janë aktorë e faktorë të rëndësishëm e që dëgjohen dhe sikur këta kanë pas vetes së tyre mbështetje të madhe publike ndërshqiptare; e përdorin retorikën dhe patriotizmin atëherë kur janë të detyruar dhe që nuk mund të veprojnë hapur dhe as të shkojnë kundër aleatit të madh të shqiptarëve, SHBA-ve. Është lehtë sot nga Tirana që t'u thuash serbëve njiheni Pavarësinë e Kosovës, tashmë kur Kosovën e çliroi NATO-ja dhe kur tashmë e kanë njohur 120 shtete, kur Tirana nuk ka lobuar dhe as nuk ka asnjë meritë që prej saj ta ketë njohur ndonjë shtet Pavarësinë e Kosovës.Politika e Tiranës nuk qe në gjendje që të kontribuojë dhe të lobojë as për anëtarësimin e Shqipërisë në UNESKO dhe as në organizatën e Interpolit.

Politika shqiptare është antipatriotike dhe antipublike

Historia shënon vepra dhe rezultatet konkrete dhe njerëzit e mëdhenj hyjnë në histori kur ata bëjnë ndonjë vepër epokale dhe nuk hyjnë në histori me retorikat dhe deklaratat patriotike emocionale, momentale dhe sa për dukje, por historia shënon edhe ato deklarata të dëmshme e të pamatura, si dhe ato veprime, takime e "bisedime" të fshehta e të panjohura kur me kalimin e kohës vetë koha i nxjerr ato nga skutat e errëta të historisë. Historia na mëson se politika e verbër dhe ethshme për pushtet ka kërkuar ndihmë e mbështetje edhe te armiku kombëtar si dhe edhe tradhti të mëdha, madje janë bërë në emër dhe maskuar me patriotizëm. 

Është për të ardhur keq dhe për t'u habitur se edhe ata individë, te të cilët shqiptarët kanë pasur besim dhe shpresë te ndershmëria, pastërtia dhe te patriotizmi i tyre, por kur vjen puna te interesi e te pushteti edhe ata devijojnë, e përkulin dhe shtrembërojnë drejtësinë dhe patriotizmin dhe fillojnë e joshen, të harrojnë premtimet dhe të braktisin interesin kombëtar dhe të çburrërohen nga paraja, nga pushteti dhe nga korrupsioni. Shikoni se çfarë bilanci tragjik ka hipotekuar për shqiptarët ky tranzicioni 30-vjeçar, ku nga shpirtligësia, antikombetarizmi, nga hajdutëria, nga korrupsioni dhe krimi i politikës dhe i politikanëve shqiptarë sa shumë dhimbje morale e shpirtërore, sa shumë fatkeqësi familjare e njerëzore dhe sa konflikte e vetëgjyqësi dhe sa shumë viktima e humbje jetësh njerëzore u kanë ardhur shqiptarëve sikur të ishte bilanc i një lufte civile.

Shikoni dhe mendoni për një moment se prej kësaj politike antikombëtare shqiptarët janë të parët në Evropë dhe të dytët në botë që kërkojnë largimin nga atdheu, duke ia kaluar edhe shteteve të cilat janë në konflikte civile, duke ia kaluar edhe Sirisë e Afganistanit. A nuk do të thotë kjo se fajtorët dhe shkaktarët e kësaj janë politika dhe pushteti i keq antipublik dhe antikombëtar sikur të ishin pushtues dhe okupatorë të Shqipërisë. Pra, kjo ndodh sepse politika shqiptare është antipatriotike dhe antipublike, prandaj së pari duhet VETTING patriotik që politika, pushteti e drejtësia të jenë shërbëtorë të qytetarëve, të shtetit e të kombit dhe jo të krimit, hajdutërisë, korrupsionit e të tradhtisë. 

(Kosova Sot)