Sekserët e Diasporës, levë e pushtetarëve të inkriminuar!

Sekserët e Diasporës, levë e pushtetarëve të inkriminuar!
  • 21 January 2019 - 08:27

Shkruan: Florim Zeqa

Përderisa dy dekada më parë fondet e luftës, përkatësisht Fondi i 3%-it dhe Fondi "Vendlindja Thërret", ishin objekt i pasurimit të klasës (aktuale) politike, që thithën më "pambuk" djersën e mërgimtarëve, sot e kanë ndryshuar formën dhe përbaltjen e plaçkitjes, jo më të djersës së mërgimtarëve në vetën e parë, por akoma më keq të plaçkitjes dhe zhvatjes së buxhetit të shtetit përmes nëntokës kriminale në Kosovë dhe sekserëve të tyre në Diasporë.

Cilët janë sekserët e Diasporës

Shfaqja e fenomenit të sekserëve të pushtetit vendor në Diasporë zanafillën e ka në vitet e para të pasluftës, zhvillimin në vitet e para të paspavarësisë, ndërsa kulminacionin përgjatë këtyre 3-4 viteve të fundit. Sekserët e Diasporës janë individë dhe grupe të interesit, të cilët janë të lidhur drejtpërdrejt me segmentet e krimit të organizuar, përkatësisht me pushtetarët e inkriminuar në Kosovë e Shqipëri. Sekserët e Diasporës janë urith të nëntokave partiake të maskuar nën petkun e "Bashkimit Kombëtar", që u shërbejnë interesave klanore për realizimin e ndonjë interesi të vogël personal nga bosët e krimit të organizuar në Kosovë. Si vrojtues i mirë i kësaj situate, përgjatë gjashtë viteve të fundit i kam përcjellë me vëmendje aktivitetet e tyre në mërgatën tonë. Ministria e Diasporës është katalizatori kryesor i lidhjes dhe shpërndarjes së informacioneve me shoqatat dhe organizatat mike, i eksportimit dhe importimit të parave nga buxheti i shtetit. Lidhjet që kanë krijuar sekserët me nëntokën kriminale dhe krimin e organizuar janë të fuqishme. Pavarësisht ndërrimit të pushtetarëve, përkatësisht ministrave të Ministrisë së Diasporës, ato lidhje ripërtërihen pa ndonjë problem me ministrat apo zv.ministrat e rinj. Sikurse në Kosovë që bëhen bashkë nëntokat e partive politike, edhe Sekserët e Diasporës, këta urithët e nëntokave partiake, kur janë në pyetjet privilegjet, duke filluar nga lëpirja e ndonjë ashti të fëlliqur nga pushtetarët, punësimi i ndonjë familjari në institucione e deri tek ambicia më kulmore e përfshirjes së drejtpërdrejtë të tyre në institucione apo staf diplomatik, e harrojnë përkatësinë partiake dhe ideologjike, miqtë e shoqërinë.

Vizitat e shpeshta të ministrave tek shoqatat e njëjta

Ekskursionet e shpeshta të pushtetarëve në vendet europerëndimore janë ekskursione me para të buxhetit të shtetit, për realizimin e interesave personale. Vizitat e shpeshta të përfaqësuesve të Ministrisë së Diasporës, deputetëve dhe pushtetarëve të nivelit lokal, përkatësisht takimet e tyre me të njëjtat subjekte (shoqata) dhe individë, duke i grumbulluar rreth vetës jo më shumë se 20-50 mërgimtarë. Shpenzimet enorme të eskortës së pushtetarëve në Diasporë, përveç shpenzimeve të udhëtimit dhe akomodimit nëpër hotele të shtrenjta, dëmtojnë rënd buxhetin e shtetit edhe me dreka e darka me sekserët e tyre të dislokuar në mërgatën tonë. Mbeten të pajustifikueshme për Qeverinë e Kosovës dhe shqetësim për qytetarët e vendit vizitat e shpeshta të ministrave, zv.minstrave dhe këshilltarëve të tyre, ambasadorëve e konsujve nëpër të njëjtat shoqata të ashtuquajtura "kulturo-artistike", duke injoruar në plotëni shoqatat më funksionale, më të organizuar dhe më transparente! Kjo ndodh për faktin se në shoqatat e organizuara mirë dhe transparente nuk shkel asnjëherë këmba e pushtetarëve të inkriminuar.

Zhvatja e buxhetit të shtetit, në emër të aktiviteteve të mërgatës

Shoqatat e drejtuara nga atdhetarët burimet e financimit i kanë nga anëtarësia, ndërsa shoqatat e drejtuara nga pseudopatritotët janë shoqata fiktive pa anëtarësi, të cilat burimet financiare i kanë nga bizneset e dyshimta apo pushtetarët e inkrimunuar. Një shoqatë fiktive pa anëtarësi nuk iu shërben interesave të mërgimtarëve, por vetëm klaneve e grupeve të interesit dhe pushtetarëve në veçanti. Politikanët pa dallim, pushtetarë dhe opozitarë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, me nëntokën kriminale në Kosovë dhe sekserët e tyre në Diasporë, në fokusin e tyre politikë nuk e kanë pasur asnjëherë interesin dhe mirëqenien e qytetarëve (mërgimtarëve), por sy e mendje i kanë si të pasurohen në mënyrë të paligjshme duke e rrjepur popullin dhe zhvatur buxhetin e shtetit të Kosovës. Pra, e gjithë klasa politike, pushtet dhe opozitë, mendjen nuk e kanë tek shteti, por tek pushteti (xhepi) dhe tek milionat e paluar në parajsat fiskale. Këtë klasë të shëmtuar politike është duke e mbajtur nëntoka kriminale dhe sekserët e tyre në Diasporë, përmes të cilëve e bëjnë pastrimin e parave të pista dhe zhvatjen e buxhetit të shtetit, në emër të aktiviteteve të mërgatës, duke paguar nga llogaria e shtetit të Kosovës dreka e darka të majme për qindra persona, verëra dhe pije të shtrenjta në restorantet më luksoze, për ta kaluar më pas edhe natën me "luciolat" (dashnoret) e tyre në hotelet me 5 e 6 yje.

Biznes me shkollat shqipe në Diasporë

Paralelisht dhe paraprakisht Ministrisë së Diasporës sekserët e Diasporës i kanë vënë lidhjet me Ministrinë e Arsimit, nga e cila kinse në emër të ndihmës së Mësimit Plotësues në Diasporë zhvatin në mënyrë permanente buxhetin e shtetit të Kosovës. Të ashtuquajturat shkolla të mësimit plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët e mërgimtarëve në shtetet perëndimore, përveçse janë të pakta e të mangëta, ato nuk janë në nivelin e duhur organizativ e kualitativ shkaku i mungesës së kuadrove profesionale të mësuesve. Mësuesit gjysmanalfabetë më shumë i dëmtojnë sesa i edukojnë fëmijët e mërgatës sonë. Si pasojë e nivelit të ulët edukativ të mësuesve dhe lidhjeve të tyre me pushtetarët e inkriminuar, gjithnjë e më shumë kemi rënie të interesimit të mërgimtarëve për dërgimin e fëmijëve të tyre në mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Këtë e dëshmon rasti një shkolle të themeluar para tre viteve, e cila kishte startuar me afro 50 nxënës, ndërsa shkaku i rrethanave të sipërcekura e njëjta shkollë ka mbetur me më pak se 10 nxënës. Mirëpo, kjo nuk është problem për sekserët që bëjnë biznes me shkollat shqipe, mjafton ekzistenca e shkollës, qoftë edhe me numër minimal nxënësish, për shkak se, sa herë që u duhen i angazhojnë fëmijët e familjarëve të tyre gjithandej mërgatës për ta rritur numrin në kuotat më të larta në shkolla, për të thithur mjetet e përvitshme financiare nga Ministria e Arsimit e Republikës së Kosovës.

Auditim për MASHT-in, MPJ-në dhe Ministrinë e Diasporës

Sa herë që e kërkon nevoja për zhvatjen e buxhetit të shtetit, sekserët e Diasporës dhe pushtetarët e inkriminuar bëhen bashkë në organizimet e mërgatës, si në: festa kombëtare e shtetërore, fillim dhe përmbyllje të vitit shkollor, orë letrare, promovime librash, ndeja private, ahengje, kanagjeqe, syneti dhe takime tjera të grupeve të interesit. Përderisa Ministria e Arsimit nuk arrin t'i plotësojë kushtet elementare nëpër shkollat e vendit në "mungesë" të mjeteve financiare, çuditërisht me lehtësi ia arrin të ndajë me mijëra e dhjetëra mijëra euro në vit për një shkollë shqipe në Diasporë! E keqja bëhet më e madhe kur ky financim i shkollave shqipe nga Ministria e Arsimit në Diasporë bëhet në mënyrë (klandestine) të fshehtë, duke mos i bërë asnjëherë transparente aspektet e lëvizjeve financiare brenda ministrisë!

Në anën tjetër, Sekserët e Diasporës, mjetet e thithura nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Diasporës, jo vetëm që nuk i përdorin për nevojat e shkollës, asnjëherë nuk i bëjnë publike të hyrat e "Qeverisë" para mërgimtarëve, për shkak se më pastaj e kanë të pamundur ta bëjnë mashtrimin dhe plaçkitjen e bizneseve dhe njerëzit e vullnetit të mirë, duke iu paraqitur si engjëj, kinse shkollën e mbajnë në baza vullnetare! Janë të mirëseardhura ndihmat e MASHT-it me tekste shkollore dhe material tjetër didaktik për shkollat shqipe në Diasporë, por që është e papranueshme ndarja e mjeteve materiale nga buxheti i varfër i shtetit për sekserët e pushtetit në Diasporë. Të gjithë ata individë apo shoqata në Diasporë që thithin mjete nga buxheti i shtetit në emër të aktiviteteve të mërgatës, s'janë gjë tjetër veçse abuzues dhe pjesëmarrës në krim të organizuar, janë levë e pushtetarëve të inkriminuar. Edhe përkundër fakteve dhe argumenteve të shumta për keqpërdorimin e buxhetit të shtetit nga ministritë e sipërcekura, Prokuroria e Shtetit akoma heziton të hetojë abuzimet, të cilat mund të bëhen transparente përmes një auditimi të thjeshtë të lëvizjeve financiare të MASHT-it dhe Ministrisë së Diasporës, pa anashkaluar as MPJ-në, gjegjësisht lëvizjeve financiare të Ambasadave të RKS-së në raport me shoqatat në vendet respektive.

(Kosova Sot)