E majta amerikane ka nevojë ta gjejë zërin e saj në Venezuelë

E majta amerikane ka nevojë ta gjejë zërin e saj në Venezuelë
  • 09 shkurt 2019 - 07:58

Shkruan: Fareed Zakaria

Ka një debat më të madh që duhet të zhvillohet për rrugën përpara për një politikë të jashtme progresive

A dministrata e Trumpit përballet me një sprovë në Venezuelë. Ajo duhet të ndjekë një politikë të jashtme që ndihmon në rrëzimin e regjimit të urryer të presidentit Nicolas Maduro pa shkaktuar një reagim kundër "imperializmit" të perceptuar të SHBA-së. Duhet të mbështesë një tranzicion politik që nuk kërcënon aq shumë funksionarët e vjetër, që ata të luftojnë deri në fund. Dhe, Shtetet e Bashkuara duhet t'iu bashkohen vendeve të tjera për të ndihmuar një vend që është praktikisht i shkatërruar gjatë dekadës së kaluar. E gjithë kjo kërkon diplomaci të kujdesshme, multilateralizëm dhe presion të qetë, jo bombastik. Por, Venezuela gjithashtu përbën një sfidë për Partinë Demokratike.

A mund ta gjejë ajo zërin e saj në Venezuelë, dhe në përgjithësi në politikën e jashtme? Ka shenja shqetësuese se politika e re e jashtme demokratike mund të rezultojë të jetë një izolacionizëm refleksiv që nuk është aq i ndryshëm nga instinktet e "Amerikës në rend të Parë" të presidentit Trump. Përfaqësuesi demokrat Tulsi Gabbard (Hauai) tha: "Shtetet e Bashkuara duhet të qëndrojnë jashtë Venezuelës. Lëreni popullin e Venezuelës që ta përcaktojë të ardhmen e vet". Përfaqësuesi demokrat Ilhan Omar (Minesota) tha: "Ne nuk mund t'i zgjedhim udhëheqësit për vende të tjera në emër të interesave të korporatave shumëkombëshe". Senatori Bernie Sanders vuri në dukje, "ne duhet të mësojmë mësimet e së shkuarës dhe të mos jemi në biznesin e ndryshimit të regjimit apo të mbështesim grusht shtetet". Heroi majtist Noam Chomsky dhe disa dhjetëra akademikë dhe aktivistë të tjerë kanë nënshkruar një letër duke fajësuar kryesisht veprimet e SHBA-së për krizën në Venezuelë.

Lidhjet e thella me trafikantët e drogës

A duhet me të vërtetë të shpjegosh se problemet e Venezuelës janë shkaktuar kryesisht nga qeveria e tij e keqe? Që populli venezuelas nuk është lejuar të përcaktojë të ardhmen e vet ose të zgjedhë udhëheqësit e vet për vite, duke filluar që nga sundimi i Hugo Chavezit? Qeveria e tanishme është ngulitur në pushtet duke manipuluar zgjedhjet, duke shkatërruar partitë opozitare, duke manipuluar mediat dhe duke përdorur forcën vdekjeprurëse kundër protestuesve. Gjatë një jave të vetme në janar, forcat pro-Maduro thuhet se vranë të paktën 30 njerëz dhe arrestuan të paktën 850, sipas Kombeve të Bashkuara. Regjimi Chavez-Maduro ka shkatërruar atë që dikur ishte shteti më i pasur i Amerikës latine, duke shkaktuar një shkallë thuajse të paimagjinueshme të inflacionit, prej 1 milion për qind (çmimet dyfishohen çdo 19 ditë).

Treguesi më i thjeshtë i asaj se sa keq janë gjërat në Venezuelë, është se që nga viti 2015 vlerësohet se nga vendi janë larguar rreth 3 milionë venezuelas. Kjo përbën rreth 10% të popullsisë së përgjithshme. Por, me miliona venezuelas të tjerë kanë mbetur dhe janë duke luftuar. Ata kanë ardhur në turma për të votuar kundër kësaj qeverie, gati duke e rrëzuar Maduron nga pushteti në vitin 2013, përkundër zgjedhjeve jo të drejta dhe duke sjellë me sukses opozitën në parlament, në vitin 2015. Gjatë disa viteve të kaluar, venezuelasit kanë organizuar protesta masive kundër regjimit, duke u ballafaquar me gaz lotsjellës, arrestime dhe vrasje.

Ata janë rreshtuar pas një lideri të opozitës, Juan Guaidó dhe janë duke përdorë një proces kushtetues për t'ia marrë nga dora kontrollin e qeverisë një regjimi dhe për t'ia dhënë atë një parlamenti të zgjedhur. Përgjatë viteve, qeveria venezuelase ka përdorur pasurinë e saj të naftës për të mbështetur lëvizjet antiamerikane në të gjithë Amerikën Latine, nga Kuba në Nikaragua. Ajo ka lidhje të thella me trafikantët e drogës dhe është dokumentuar mirë se ka zhvilluar lidhje me Iranin dhe madje edhe Hezbollahun. Regjimi i Maduros nuk është çuditërisht duke u mbështetur nga një galeri njerëzish të fortë joparimorë, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin, presidentin kinez Xi Jinping dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Bota është e komplikuar

Ka një debat më të madh që duhet të zhvillohet për rrugën përpara për një politikë të jashtme progresive. Ekziston një skepticizëm i përshtatshëm për një buxhet të mbrojtjes së SHBA-së që është 700 miliardë dollarë dhe po rritet. Ka mësime për t'u nxënë nga shtrirja e fuqisë amerikane jashtë vendit, nga ndërhyrjet që kanë kaluar shumë kohë. Politika ndaj Venezuelës do të kërkojë takt, kujdes, angazhim rajonal dhe më shumë.

Por, për të na mbrojtur nga rreziqet e gabimeve dhe veprimeve të këqija, përgjigjja sigurisht që nuk është një mosveprim i vendosur. Në një libër të shkëlqyer të publikuar vitin e kaluar, Michael Walzer, një filozof politik (dhe një majtist me librezë), argumenton se pozicioni i preferuar i së majtës ka qenë mosveprimi. Bota është e komplikuar, fuqia e SHBA-së mund të keqpërdoret, informacioni nuk është kurrë i mjaftueshëm, kështu që më së miri të qëndrosh anash.

Por, këto kritere mund të jenë një këshillë për mosveprim edhe në shtëpi. Në fund të fundit, një tranzicion i shpejtë te "Medicare për të gjithë" do të ishte i mbushur me kompleksitete dhe rreziqe. Walzer merr një shembull të fuqishëm duke thënë që "në një botë të përfshirë nga luftërat dhe luftërat civile, fanatizmi fetar, sulmet terroriste, nacionalizmi i djathtë, qeveritë tiranike, pabarazitë e mëdha dhe varfëria dhe uria e përhapur [bota] kërkon vëmendje intelektuale të majtë". Shembull shtesë: Ju nuk mund të përballoni ndryshimet klimatike pa një angazhim të thellë dhe të vazhdueshëm me 95 për qind tjetër të njerëzimit. "Angazhimi ynë më i thellë është solidariteti me njerëzit në vështirësi", shkruan Walzer. Tani për tani, ka miliona njerëz në telashe në hemisferën tonë, të cilët po përpiqen të ndihmojnë veten. Ata meritojnë mbështetjen aktive të së majtës amerikane.

(Kosova Sot)