Djegja e mandateve është kallje për Edi Ramën dhe regjimin e tij autokratik!

Djegja e mandateve është kallje për Edi Ramën dhe regjimin e tij autokratik!
  • 18 February 2019 - 15:34

Shkruan Prof. Dr. Enver Bytyçi

Deputetët e opozitës kanë marrë sot një vendim historik, do të djegin mandatet. Ky është lajmi kryesor i ditës në Shqipëri dhe në mediat e huaja! Por çdo të thotë të djegësh mandatin? Pse të mos e dorëzosh atë në institucionin përgjegjës? Mandati i deputetit fitohet përmes zgjedhjeve. Si i tillë ai është i shenjtë, është produkt i vullnetit të sovranit dhe përbën një vlerë morale e politike, përveçse garanton disa të drejta specifike për ligjvënësit.

Ndërsa djegja e mandatit është akti i fundit i protestës së një opozite, kur asaj mazhoranca ia mbyll të gjitha mundësitë e opozitarizmit. Është hera e parë në historinë e qeverisjes që deputetët e opozitës djegin mandatin e përfaqësimit në parlament. Nuk ka ndodhur kjo asnjëherë, as në qershorin e vitit 1924, as në vitin 1996, kur opozita socialiste bojkotoi zgjedhjet e 26 majit. Atëherë deputetët e opozitës, përveç Sali Rexhepit, nuk pranuan të pajisen me mandatin e deputetit, derisa pas disa muajsh imponuan krijimin e qeverisë së Pajtimit Kombëtar (Mars 1997).

Në këtë moment hynë në parlament dhe miratuan paketën ligjore të marrëveshjes politike. Në ndryshim nga atëherë, deputetët e opozitës së sotme nuk mund të ripajisen më me mandatin përkatës. Dmth, çfarëdo të ndodh, krizë politike apo sociale, konflikt civil apo ushtarak, opozitarët deputetë nuk rikthehen më në parlament. Kjo do të thotë se nuk ka më alternativë. Ose zbatohen pa dialog kërkesat e opozitës, ose vendi shkon në diktaturë. Diktatura prodhon pa asnjë dyshim konfliktin civil, ndoshta luftën civile.

Mandatet u dogjën, nuk u dorëzuan! Kjo do të thotë se KQZ nuk mundet që një mandat të djegur t’ia transmetojë emrave të radhës në listën e opozitës për zgjedhjet parlamentare. Kjo do të thotë se presioni i opozitës është i formës ultimative. Ky ultimatum për dorëheqjen e kryeministrit e qeverisë së tij si dhe zgjedhjet e parakohshme është i pakthyeshëm, i panegociueshëm. Mesazhi është për ata që kanë veshë, që kanë sy e kanë gojë. Parasëgjithash për ata që kanë tru.

Asnjë qeveri në botë nuk mund t’i rezistojë një opozite, edhe nëse ajo do të ishte në kuotat e dhjetë përqind të parlamentit, kur ajo dorëzon mandatet e deputetit. Asnjë qeveri në botë nuk do ta kishte guximin të luajë lojën e zevendësimit të mandateve për të krijuar një opozitë të emruar! Nëse ndodh kjo, atëherë kriza i tejkalon kufijtë e të paparashikueshmes. Djegja e mandateve është akt moral, jo vetëm politik. Deputetët e opozitës prej sot janë të ekspozuar të pësojnë fatin e “Ujkut të Cërrikut” ose të atij 80 vjeçarit që u arrestua pse te hyrja e kryeministrisë valviti flamurin e Shqipërisë?!

Ky ekspozim vullnetar i tyre lejon ata të shndërrohen në udhëheqës shpirtërorë të shqiptarëve. Akti moral i djegjes së mandateve do të shndërrohet në aset për krijimin e frymës qytetare në mbrojtje të lirisë së dhunuar prej qeverisë Rama. Prej sot nuk ka më asnjë arësye pse qytetarët të dyshojnë në çiltërsinë e opozitës dhe kryetarit të saj, Lulzim Basha! Djegja e mandateve si akt moral është njëkohësisht dhe akt sakrifice. Kur deputetët e opoziës sakrifikojnë veten në emër të kauzës së lirisë qytetare, atëherë nuk ka e nuk mund të ketë njeri me kokë mbi shpatulla që të mos kuptojë se duhet kontributi i secilit për këtë kauzë. Duke qenë akt sakrifice është gjithashtu vrasje e frikës.

Regjimi autokratik i Edi Ramës ka futur frikën në çdo skutë të shoqërisë shqiptare. Opozita prej sot e varrosi arkivolin e frikës. Mesazhi i saj është homogjenizimi i shoqërisë, thirrje për sakrificë për rrëzimin e këtij regjimi me çdo formë e me çdo mjet! Askush nuk dyshon më për këtë! Kush e do lirinë, nuk ka asnjë arësye tashmë të pajtohet me frikën. Prej sot nuk ka më që qytetar shqiptar që vuan nga dilema: “Mirë e rrëzuam Ramën, por a do jetë më i mirë ai që vjen pas tij”?! Një opozitë që sakrifikon mandatin dhe beneficet që burojnë prej tij, gjë që ndodh për herë të parë në këtë vend e në historinë e qeverisjes në rajon, kjo opozitë jep garanci se nuk bën kompromis me regjimin, të cilin e lufton.

Prandaj është e sigurt se pas rrëzimit të Ramës nuk do të thuhet “Poshtë Mbreti, rroftë Mbreti”! Edhe sikur ta lusnin qytetarët të bëhej diktator Lulzim Basha, kjo nuk do të ndodhte, sepse ai nuk është i gatuar për këtë rol! E nëse nuk do të kemi nesër një arrogant si Rama, atëherë qytetarët do ta kenë shumë më të lehtë t’i kërkojnë përgjegjësi Lulzim Bashës! Mjaftojnë besoj këta argumente që prej sot ta kthejmë plotësisht besimin te opozita shqiptare! Pa besim nuk ka sukese! Pa besim të ndërsjelltë nuk ka përparim! Kësisoj, djegja e mandateve është kallje për Edi Ramën dhe regjimin e tij autokratik!

(Kosova Sot)