Shqiptarët e Kosovës të mos dezinformohen për çdo ditë, se gjoja tanimë "është punë e kryer" përfshirja e Kosovës në BE dhe në NATO

Shqiptarët e Kosovës të mos dezinformohen për çdo ditë, se gjoja tanimë
  • 19 February 2019 - 08:30

Shkruan: Mehdi Hyseni

Në ditën e Pavarësisë më 17 shkurt 2019, lexova, dërgova dhe, njëkohësisht mora shumë urime për pavarësinë e 11-vjetorit të Republikës së Kosovës (17 shkurt 2008), ku emërues i përbashkët i mesazhit të tyre ishte dëshira që Kosova të jetë pjesë e strukturave euroatlantike (NATO dhe BE). Një dëshire të tillë i bashkohem edhe unë, që Kosovën e pavarur ta shoh sa më parë në gjirin e NATO-s dhe të BE-së.

Mirëpo, hëpërhë kjo është vetëm një dëshirë, një synim dhe një shpresë e madhe e jona, që të bëhet realitet derisa Kosova nuk njihet nga Kombet e Bashkuara, si dhe derisa liderët drejtues politikë të saj kosovarë (Hashim Thaçi, Behgjet Pacolli,Enver Hoxhaj etj.) të debatojnë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me nënkryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Ivica Daçiq dhe me kryeministren e qeverisë së Serbisë, Ana Bërnabiq në kuadrin e Dialogut të Brukselit (2011-2019). Prandaj, me gjithë aspiratën dhe dëshirën tonë të flaktë, që Kosova të jetë pjesë integruese e BE-së dhe e NATO-s, ARDHMËRIA E KOSOVËS ËSHTË BASHKIMI I SAJ ME SHQIPËRINË OSE ME AMERIKËN. Kjo do të ishte ekzistenca, prosperiteti dhe ardhmëria e sigurt e Kosovës.

Manipulimet e mashtrimet

Politika dhe diplomacia zyrtare e Prishtinës dhe e Tiranës, pikësëpari (ashtu siç kanë filluar bashkëpunimin e tyre të ndërsjellë të dy qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë, duke hequr kufijtë dhe barrierat doganore, ekonomike, tregtare mes dy vendeve), duhet të fokusohen, të angazhohen dhe të punojnë me seriozitetin më të madh në realizimin e projektit të tyre historik për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, Jo të fantazojmë dhe të jetojmë me ëndrra të bukura dhe me dëshira të parealizueshme , d.m.th. të jetojmë në vetëkënaqësi, jashtë rrethanave të realitetit politik , duke qenë se Kosova nuk mund të fitojë statusin e saj si anëtar me të drejta dhe me detyrime të plota as në BE e as në NATO, duke qenë se ende nuk njihet si shtet i pavarur dhe sovran nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Pavarësisht nga dëshirat e zjarrta, nga deklaratat dhe nga intervistat ekzagjeruese bombastike politiko- diplomatike (pa tavan) të liderëve drejtues të Kosovës, sipas së drejtës ndërkombëtare dhe sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, Kosova as de fakto e as de jure nuk është subjekt juridik i së drejtës ndërkombëtare. Ligjërisht, kjo është pengesa kryesore, pse Kosova nuk mund të aderojë as në BE e as në NATO, pavarësisht nga manipulimet, nga mashtrimet dhe nga gënjeshtrat politiko-propagandistike të udhëheqësve të Republikës së Kosovës (2008- 2019). Pra, nuk është e ndershme që vazhdimisht ta gënjejmë opinionin publik se gjoja Kosova "së shpejti do të jetë anëtare e BE-së dhe e NATO-s" !?

Kjo utopi e shkretë politike nuk është e vërtetë, sepse kusht themelor juridik dhe politik për t'u anëtarësuar në BE ose në NATO, është që pikësëpari të jesh shtet i njohur nga OKB-ja, ashtu sikurse që janë të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Organizatës së Atlantikut Verior (NATO).

Pengimi i procesit të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë

Kush është ai shqiptar normal dhe patriot i Kosovës, që nuk do ta dëshironte hyrjen sa më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian (BE) dhe në NATO, sepse në këtë rast, do të merrnin fund përgjithmonë pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës së Shqipërisë etnike. Kjo do të kishte qenë e mira e Zotit, por si, dhe kur do të vinte në shprehje realizimi i një dëshire të tillë, duke qenë se Kosova ende nuk është subjekt juridik i së drejtës ndërkombëtare?

Tjetra pengesë e supozuar politike, a do të pranonin BEja dhe NATO-ja, që dy shtete të njëjta shqiptare (Kosova dhe Shqipëria) të integroheshin në strukturat e tyre ekzistuese? Edhe këtë element të rëndësishëm, duhet ta mbajë parasysh politika dhe diplomacia zyrtare e boshtit Prishtinë - Tiranë, në mënyrë që shqiptarët e Kosovës, të mos dezinformohen për çdo ditë, se gjoja, tanimë "është punë e kryer" përfshirja e Kosovës në BE dhe në NATO!? Kjo propagandë retorike dhe manipuluese, duhet të flaket nga shtetarët drejtues të Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe nga "KAZANI" i masmediave të verdha dezinformuese të tyre, sepse veprimet e tilla nuk e ndihmojnë aspak çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.

Përkundrazi, një propagandë e tillë po zhvillohet me qëllim që me çdo kusht të pengohet procesi bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Kjo formë e propagandimit se gjoja, SË PARI "Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen në BE, është shumëfish e dëmshme për procesin e filluar të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, sepse ky është vetëm një servilizëm ndaj BE-së dhe ndaj strukturave euro-atlantike nga ana e disa "timonierëve" të anijes drejtuese të Kosovës dhe të Shqipërisë, tanimë të vetëdeklaruar se, SË PARI "shqiptarët duhet të bashkohen në BE"!? Kjo është "formula dialektike" më lukrative që kastave despotike dhe autoritare në pushtet (si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri) u garanton "mbijetesën" e sundimit të tyre me dekada, ashtu sikurse deri tani (1990-2019).

Prandaj , nuk ka dilemë se kjo formë propaganduese e gënjeshtërt dhe dezinformuese (në dëm të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë) mbjell mosbesim, konfuzion dhe polarizim pikëpamjesh dhe veprimesh mes shqiptarëve dhe, vështirëson krijimin e atmosferës për bashkëpunim konstruktiv dhe të ndërsjellë me partnerët evropianë dhe ndërkombëtarë.

(Kosova Sot)