Kosova nuk duhet të bëhet dy herë "kurban" nën sundimin kolonial të Serbisë për ta "qetësuar" Ballkanin dhe Evropën

Kosova nuk duhet të bëhet dy herë
  • 22 February 2019 - 08:22

Shkruan: Mehdi Hyseni

Kjo do të ishte përsëritja e padrejtësisë së Evropës (1878; 1913 dhe 1919) ndaj Kosovës shqiptare, përkatësisht Shqipërisë etnike. Ky do të ishte triumfi i neokolonializmit, i neoimperializmit dhe i militarizmit të Serbisë së Madhe, jo vetëm mbi shqiptarët dhe territoret e tyre etnike, por mbi gjithë Gadishullin Ballkanik. Prandaj, Prishtina dhe Tirana nuk duhet të pranojnë me asnjë kusht që të debatojnë me Serbinë për ndarjen, për shkëmbimin ose për korrigjimin e kufijve të Kosovës, sepse ajo përfundimisht më 17 shkurt 2008 ka humbur ish-koloninë e saj - Kosovën (1912-1999), por duhet të kërkojnë nga Amerika, nga BE-ja dhe nga OKBja, që për rregullimin, përkatësisht rrumbullakimin juridik ndërkombëtar të statusit të shtetësisë së Kosovës, të zbatohen

Deklarata për njohjen e pavarësisë vendeve dhe popujve kolonialë dhe Rezoluta 1573 (XV) e 9 dhjetorit 1961, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Pra, me gjithë dëshirën e Hashim Thaçit, të Aleksandar Vuçiqit dhe të Ivica Daçiqit, që ta ndajnë-copëtojnë territorin e Kosovës shqiptare sipas planeve të ideuara të Dobrica Qosiqit dhe të Zoran Gjingjiqit, Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës, si dhe populli shqiptar i Kosovës, nuk duhet të pranojnë që të ndahet territori i Kosovës, sepse asnjë pëllëmbë e saj nuk është e Serbisë, edhe pse në Kosovë jetojnë pjesëtarë të minoritetit serb. Kjo nuk do të thotë se ndonjë pjesë e territorit të Kosovës duhet t'i jepet Serbisë, në mënyrë që të arrihet ndonjë "kompromis historiko-politik" në dëm të sovranitetit territorial dhe shtetëror të Kosovës. Ndarja nuk ka qenë ide e Ibrahim Rugovës dhe as e Fadil Hoxhës Po qe se do të ndodhte diç e tillë, do të vinte në shprehje realizimi dhe konkretizimi i parullës demagogjike dhe antikombëtare të presidentit Hashim Thaçi se gjoja me "korrigjimin e lehtë të kufijve" do të fitonte formula e tij "WIN për Serbinë, WIN për Kosovën".

Përkundrazi, do të fitonte vetëm Serbia të paktën 30 për qind të territorit të Kosovës së pavarur (17 shkurt 2008)+ Preshevën, Bujanocin, Medvegjën dhe Novi Pazarin. Kjo do të ishte vërtet "WIN-WIN-BIZ BAT-BAT" për Kosovën (!) nga ana e Serbisë dhe e aleatëve të saj, që tanimë si duket kanë përgatitur planet e tyre për ndarjen e Kosovës. Plani për ripërkufizimin-rindarjen e territorit të Kosovës nuk është produkt origjinal i logjikës politike racionale as i Aleksandar Vuçiqit (president), as i Ivica Daçiqit (ministër i Jashtëm) të Serbisë e as i Hashim Thaçit (president) i Kosovës, por është kopje e "idesë origjinale" të Dobrica Qosiqit (në vitet e 60-ta të shekullit XX) dhe më pas e "dizajnuar" nga ish-kryeministri i ndjerë i vrarë i Serbisë, dr. Zoran Gjingjiq (2003). Mirëpo, si rrjedhim i ultranacionalizmit dhe i shovinizimit, Gjingjiqi vritet po në atë vit sipas të gjitha gjasave nga bandat e Milosheviqit dhe të Sheshelit, sepse edhe atëherë, edhe sot, ato së bashku me krerët e kishës politike dhe fundamentalist ortodokse e duan ta ripushtojnë tërë Kosovën sipas projektit famëkeq serbomadhLEBENSRAUM të Slobodan Milosheviqit dhe të Adolf Hitlerit, jo vetëm një pjesë prej "30%" siç parashikon.

Pra, nuk ka qenë ide e Ibrahim Rugovës e as Fadil Hoxhës, por ide e serbomëdhenjve të theksuar më sipër, e shpërfaqur në kohë dhe në rrethana të ndryshme politike,- çfarë e Ibrahim Rugovës, kjo është gënjeshtër politiko-propagandistike e Hashim Thaçit, kinse për ta zbutur dhe minimizuar tehun e kritikave të ashpra dhe të arsyeshme të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe të tjerëve (pozitë - opozitë), që me të drejtë po e kundërshtojnë copëtimin e kufijve të Republikës së Kosovës. Shprehur realisht, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, këto ditë u tregua më korrekt se Thaçi dhe se Vuçiqi, sepse së fundi e përsëriti deklaratën e vjetshme të tij, të datës 7 gusht 2018, kur pohoi se "Plani për ndarjen e Kosovës ishte i Dobrica Qosiqit dhe i kryeministrit Zoran Gjingjiq, ishin këta tradhtarë?".

Asnjë opsion i dekompozimit të kufijve Sikur të kishte pasur drejtës ndërkombëtare, Serbia si shtet kolonialist dhe gjenocidal (1878-2019), do të duhet të sanksionohej nga OKB-ja me detyrim që urgjentisht të tërhiqej nga territori verior i Kosovës, përkatësisht ta njihte Republikën e Kosovës, si dhe me detyrim, që Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën t'ia kthente Kosovës, përkatësisht Shqipërisë etnike, sepse as historikisht e as juridikisht Serbia nuk ka kurrfarë të drejte, që edhe në shekullin XXI, t'i mbajë si koloni të veta, pa dhënë asnjë llogari për këtë krim penal ndërkombëtar, sepse kolonializmi përbën vepër penale ndërkombëtare, i dënueshëm sipas konventave, marrëveshjeve, rezolutave, deklaratave, protokolleve të miratuara nga OKB-ja, si dhe nga Karta e Kombeve të Bashkuara dhe sipas parimeve dhe normave të së drejtave ndërkombëtare. Në këtë kontekst, as Qeveria e as Parlamenti i Kosovës nuk duhet lejuar askënd, që të negociojë me Serbinë për asnjë opsion të dekompozimit të kufijve territorialë të Kosovës, sepse Kosova jo më pak se 100 vjet ishte vetëm koloni e Serbisë. Këtë duhet shpjeguar dhe sqaruar aleatëve ndërkombëtarë se Kosova nuk duhet të bëhet dy herë "kurban" i kolonializmit dhe neokolonializmit të Serbisë. Kjo çështje duhet të spastrohet me partnerët tanë ndërkombëtarë, kompromis paqësor me Serbinë PO, por humbje të territorit të Kosovës JO, sepse kjo do të ishte padrejtësi sui generis ndaj shqiptarëve të kolonizuar në zemër të Evropës demokratike. Një ricopëtim i tillë kolonial i territorit të Kosovës do të ishte nonsens dhe turp për rendin e ri juridik pozitiv dhe demokratik ndërkombëtar nëse do të lejonin dhe do të toleronin Serbinë që të copëtojë territorin e Kosovës, edhe në këtë shekull të integrimeve evropiane (XXI).

Jo kthim të Kosovës nën "ombrellën" e Serbisë kolonialiste dhe neokolonialiste Pas shembjes së sistemit kolonial në Afrikë dhe në Azi (1980), nuk ka ndonjë shembull postfestum se ndonjë shtet i shkolonizuar-i pavarur të ketë qenë i detyruar nga ish-fuqitë kolonialiste evropiane, që për të dytën herë të jetë rikthyer nën tutelën e tyre të dikurshme kolonialiste, ashtu siç po kërkon sot Beogradi zyrtar me në krye presidentin Aleksandar Vuçiq, me kryeministren Ana Bërnabiq dhe me nënkryeministrin dhe ministrin e Jashtëm Ivica Daçiq etj., që Kosovën e pavarur dhe sovrane për të dytën herë ta rikthejnë nën sovranitetin kolonial të Serbisë. Për realizimin e një strategjie të këtillë neokolonialiste dhe neoimperialiste për rikolonizimin e Kosovës shqiptare, Beogradi zyrtar tanimë ka përgatitur edhe projektin opsional përkatës - NDARJEN E KOSOVËS sipas "recetës politike" serbomadhe të viteve të 60-ta, të 80- ta dhe të 90-ta të shekullit XX, autor i së cilës ishte shovinisti Dobrica Qosiq (shkrimtar dhe akademik i ASHAS-së së Serbisë; "babai i kombit serb"). Këtë projekt serbomadh me përmbajtje gjeopolitike të copëtimit të territorit të Kosovës (kinse në emër të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës), tani, pas gjysmë shekulli, po e mbështetin si presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe ministri i tij i Jashtëm, Ivica Daçiqi, i cili më 19 shkurt 2019 deklaroi se "në dialogimin me Prishtinën në Bruksel pozicioni zyrtar i Serbisë është ndryshimi i kufijve mes Serbisë dhe Kosovës".( https://www.kosovasot.info/lajme/356892/daciq-propozimi-zyrtar-i-serbise-ndarja-e-kufiritmes-serbeve-dhe-shqiptareve/ ).

Paqe me Beogradin po, por territor të Kosovës jo! Me gjithë zhurmën e madhe politikopropagandistike që po bëhet në Serbi, duke e akuzuar dhe kritikuar Prishtinën për bllokimin e dialogut të Brukselit, atë nuk duhet kuptuar vetëm si "konflikt verbal" mes Beogradit dhe Prishtinës, por, para së gjithash, duhet kuptuar seriozisht se Serbia po përgatitet që me luftë ta rikthejë koloninë e dikurshme nën suzerenitetin e saj të kolonializmit gjenocidal (1912-1999).

Përkundër një propagande të tillë kërcënuese, ne nuk duhet pranuar këto "opsione politike" për arritjen e një "marrëveshjeje gjithëpërfshirëse", të ashtuquajtur sipas presidentit Hashim Thaçi dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq: "Korrigjim territori", "shkëmbim territori" dhe "ndryshim kufijsh", sepse të gjitha këto "opsione" shpijnë në NDARJEN E KOSOVËS SHQIPTARE. Pra, pala shqiptare e Kosovës nuk duhet të bie pre e mashtrimeve dhe e manipulimeve të strategjisë dhe të taktikës politike dhe diplomatike të Beogradit zyrtar, se gjoja Serbia është e gatshme të bëjë kompromis me palën negociuese shqiptare të Kosovës, duke e shtyrë që vullnetarisht dhe në mënyrë paqësore të pranojë ndonjë kompromis politik, në emër të "nomalizimit të marrëdhënieve të ndërsjella shtetërore"; të ndryshimit të kufijve; të korrigjimit të kufijve dhe të shkëmbit të kufijve. Të gjitha këto drafte politike serbe kanë vetëm një qëllim - NDARJEN E TERRITORIT TË KOSOVËS SHQIPTARE, që do të thotë RIKOLONIZIMIN E KOSOVËS. Refuzimi i PROPOZIMIT TË TRUMP-it, FATALIET për Serbinë Pa asnjë dilemë, refuzimi i propozimit të presidentit Donald Trump Serbinë e kthen në Rambujen e dështuar të Slobodan Milosheviqit (1999)! Këtë katastrofë politike ndër të parët e paralajmëroi "Novosti" i Beogradit, që propozimin e presidentit Donald Trump e quan "hipokrit" dhe "perfid"!!!

O tempora o mores! Kjo do të ishte çmenduri dhe fatalizëm për Serbinë, sepse do të pësonte si ekonomikisht, ashtu edhe politikisht, ngase Uashingtoni do t'ia ndërpriste të gjitha ndihmat ekonomike, financiare dhe tregtare, si dhe investimet e tjera me interes jetik për zhvillimin ekonomik dhe të reformave të tjera. Prandaj, Serbia me presidentin Vuçiq në krye duhet ta ketë kuptuar drejt mesazhin e kësaj letre zyrtare të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që ndër të tjera sugjeron njohjen reciproke të Kosovës dhe të Serbisë si dy shtete të barabarta, të pavarura dhe sovrane fqinje në Ballkan. Ky propozim i presidentit amerikan Donald Trump, pa asnjë dyshim, është shansi i fundit historik i Serbisë, që në mënyrë paqësore ta zgjidhë konfliktin kolonial 100-vjeçar me shqiptarët e Kosovës.

Prandaj, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kryeministrja Ana Bërnabiq dhe ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq, duhet ta përshëndesin dhe ta kuptojnë seriozisht se mesazhi i saj ka karakter të sinqertë, objektiv dhe konstruktiv dhe, mbi të gjitha paqësor, që bazohet mbi PARIMIN E NJOHJES RECIPROKE të Serbisë dhe të Kosovës si dy shtete fqinjësore të pavarura. Kjo është esenca e letrës së presidentit amerikan, Donald Trump, dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Çdo interpretim ndryshe i kësaj letre nga ana e presidentit A. Vuçiq apo e Qeverisë së Ana Bërnabiq, do të thotë injorim dhe refuzim absurd dhe i gabuar politik i ndihmës së shërbimeve të vullnetit të mirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që konflikti serbo-shqiptar të zgjidhet me rrugë paqësore dhe diplomatike. Gjithashtu, RFEUZIMI i propozimit të presidentit Donald Trump, që Serbia ta njohë Kosovën, sheshit provon përpjekjen e Beogradit zyrtar, që Serbia të mos heqë dorë nga kolonia e saj e dikurshme-Kosova(1912- 1999), edhe pse kjo që 11 vjet (2008-2019) është bërë e pavarur dhe sovrane, duke iu falënderuar Amerikës dhe aleatëve të saj europerëndimorë.

Së fundi, REFUZIMI i propozimit të presidentit Donald Trump Serbinë do ta kthente të paktën 30 vjet prapa, pikërisht në "erën" e politikës antievropiane dhe antiamerikane të sundimit të regjimit kolonial dhe gjenocidal të Serbisë militariste të Slobodan Milosheviqit, i cili duke u bazuar në logjikën e forcës dhe të spastrimit etnik të popujve joserbë (kroatë, myslimanë boshnjakë dhe shqiptarë), i shtyrë dhe i ndihmuar nga Akademia (në frymën e zbatimit të memorandumit të vitit 1986: http://rs.n1info.com/Vesti/a345190 /Memorandum-SANU-tacka-ili-zarezna-ideju-o-Velikoj-Srbiji.html) dhe nga Kisha Politike retrograde Serbe zhvilloi 3 agresione gjenocidale në Ballkan (Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë). Së fundi, do të ishte e dobishme për Serbinë që të pranonte Propozimin e presidentit të SHBA-së, Donlad Trump, ashtu siç veproi dikur gjenerali dhe presidenti i famshëm vizionar, Chales de Gaulle, i cili në bazë të "Marrëveshjeve të Evianit (18 mars 1962) e njohu Algjerinë si shtet të pavarur dhe sovran nga Franca e dikurshme kolonialiste, e cila jo më pak se 130 vjet ishte "plaçkë koloniale" e saj. Prandaj, edhe Beogradi zyrtar duhet ta pranojë para gjithë botës se nuk ka humbur asnjë pëllëmbë territori në Kosovë, duke qenë se kjo është pronë legale dhe legjitime e shqiptarëve, jo Serbisë e as serbëve, por dikur ishte vetëm një "plaçkë koloniale" e saj.

(Kosova Sot)