Politika shqiptare përballë erërave të ndryshme politike

Politika shqiptare përballë erërave të ndryshme politike
  • 22 February 2019 - 08:30

Shkruan: Nue Oroshi

T ë qenit jostabil për një orientim të drejtë politikë sjell rreziqe të llojllojshme, të cilat me kalimin e kohës bartin dhe sjellin pasoja të ndryshme në politikë. Të mendosh për orientimin e duhur politik dhe të veprosh në kundërshtim me mendimin tënd politik në praktikë kjo ndodh vetëm tek politikanët tanë shqiptarë. Një pjesë e këtyre politikanëve janë në gjendje të bashkëpunojnë edhe me dreqin e mallkuar, vetëm e vetëm që t´i arrijnë qëllimet e tyre politike dhe të klaneve të tyre biznesore e financiare.

Nuk është e rastësishme se ky mosbesim në vetveten që po ju ndodh shumicës së politikanëve tanë në trojet shqiptare është duke sjellë pasoja si në aspektin politikë e në veçanti në atë diplomatikë. Kur kësaj i shtojmë edhe mungesën e profesionalizmit në politikë dhe diplomaci pa lënë anash edhe luhatjet në orientimin politikë në mes të perëndimit dhe lindjes,që shpesh herë na bëjnë të mendojmë se nga është nisur edhe ka po shkon liburnia shqiptare. Është fatkeqësi se në të gjitha trojet shqiptare nuk kemi një strategji kombëtare. Edhe ata pak intelektualë që mendojnë për një gjë të tillë nuk përfillën fare me idetë dhe konceptet e tyre qe e orientojnë një vizion politikë largpamës me një strategji të veprimit për ecjen përpara të shqiptarëve në Evropën juglindore. Politika shqiptare përballë erërave të ndryshme politike është mbetur në udhëkryq ku nuk shihen fare semaforët, dhe është duke u marrë me vetveten.

Edhe kjo çështje ka zgjidhje dhe ky vetnumrim mbrapa mund të rregullohet vetëm me një strategji kombëtare. Derisa nuk e kemi një strategji kombëtare trojet shqiptare do të mbesin si një shtëpi pa dyer dhe dritare që i rrahin erërat si nga lindja ashtu edhe nga perëndimi. Koha është që ta ndërtojmë shtëpinë pikërisht në vendin ku edhe jemi aty tash e shumë shekuj me parë. Ndalja e rrymave lindore është sot çështje që duhet futur në veprim çdo shqiptar atdhetar. Edhe kur dielli me rrezet e tij nxeh dhe rrezaton shqiptarët drejt perëndimit, është fatkeqësi se vëllezërit ideologjikë të Milladinit dhe Mugoshës e kanë bërë edhe sot po e bëjnë çështjen shqiptare sikurse vrimat e shoshës, që nuk mbajnë fare ujë, por punojnë për armikun e huaj.

(Kosova Sot)