Krra-krratë e Hashim Thaçit

Krra-krratë e Hashim Thaçit
  • 22 February 2019 - 16:16
Shkruan: Ibrahim Kelmendi

Hashim Thaçi i ka ndryshuar prononcimet e deklaratat për “marrëveshjen” me Serbinë shumë herë (më shpesh se brekët), duke e quajt herë paqësore, herë finale, herë historike... 
Tashmë as hashimtët më të mërdhezur nuk po dinë cilën nga ato ta përkrahin.
Në grafikën ilustruese citova ish-deputetin Driton Tali. Këtu po sjell edhe prononcimet e fundit të vet Thaçit (19.02.2019)*, i cili u zu ngushtë nga pyetja e Deputetit Slobodan Mitroviq, që e ka bërë shkurt e shqip, “e kujt është ideja për ndarje të Kosovës, respektivisht korrigjim të kufijve” (parafrazim)? Kjo pyetje e gozhdoi Hashimin. Ai u ndie i detyruar të broçkuliste, se e kishte nga Ibrahim Rugova, Nexhat Daci e Lufti Haziri...

Unë nuk kam mbajt shënime konkrete, kur dhe çka ka broçkullis Hashim Thaçi për “marrëveshjen”. Ato janë të ruajtura edhe në internet - arkivin praktik të kohës digjitale.

Pak rëndësi kanë broçkullat kontroverse të Hashimit për “marrëveshjen”. Fatkeqësia qëndron në faktin se ato ai është i komanduar t’i thot për një qëllim kryesor: që Serbia të mund të anashkalon kushtëzimin e BE-së, që e përmban kapitulli 35.

Për ata që nuk kanë informacion përkatës, kushtëzimi i BE-së është “marrëveshja për mirëkuptim me Kosovën”. Pra, Serbia nuk është kushtëzuar me njohje të Shtetit të Kosovës. Por as për këtë kusht privilegjues të BE-së qeveria nacional-shoviniste serbe nuk është e gatshme. Prandaj ka urdhëruar kuislingun Hashim Thaçi të sajon arsyetimin që i duhet qeverisë serbe për të anashkaluar kushtëzimin e kapitullit 35.

TË DHËNA TELEGRAFIKE**:

• Më 22 dhjetor 2009 Serbia ka bërë kërkesën për anëtarësim në BE. 
• Po në dhjetor 2009 Serbisë i është miratuar liberalizimi i vizave nga shtetet anëtare në “shengen”.
Më 12 tetor 2011, kërkesës së Sërbisë për konkretizim të bisedimeve për anëtarësim në BE, Komisioni Europian miratoi sugjerimin që Seria të vazhdon dialogun me Kosovën dhe të gjitha marrëveshjet e arritura t’i zbaton konkretisht.
• Më 01.03.2012 Këshilli i BE-së i njohu Serbisë Statusin e kandidatit për anëtarësim, duke i bërë kushtëzime për fillimin e bisedimeve përmasimin e marrëdhënieve me Kosovën.
• Më 19.04.2013, në kuadër të kushtëzimeve të BE-së, në Bruksel kryeministrat Ivica Daçiq dhe Hashim Thaçi nënshkruajnë “Marrëveshjen e parë të principeve për rregullim të normalizimit të marrëdhënieve”, e cila përfshinte edhe formimin e një asociacioni të Komunave kosvaro-serbe.
• Më 22.04.2013, duke u bazuar në nënshkrim të Marrëveshjes së 19 prillit 2013, në mes të kryeministrave Daciç dhe Thaçi, Komisioni i BE-së miratoi raportin për përmirësim të kushtëzimit nga kapitulli 35 dhe i sugjeroi Këshillit të BE-së që t’i hap bisedimet me Serbinë për anëtarësim.
• Më 28.06.203 Këshilli i BE-së miratoi sugjerimin e Komisionit të BE-së (të 22.04.2013) për të filluar bisedimet me Serbinë për anëtarësim. 
• Me 01 shtator 2013 Këshilli i BE-së është miratuar Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (anëtarësim) për anëtarësim Serbisë në BE, pasi e kanë ratifikuar të gjitha shtetet anëtare.
• Më 21.01.2014 kanë filluar bisedimet për anëtarësim të Serbisë në BE, duke pas për bazë marrëveshjen e kritereve, sidomos të kapitullit 35, që titullohet “procesi i normalizimit me Kosovën”.
• Më 14 dhjetor 2015 janë hap për bisedime kapitulli 32 (kontrolli financiar) dhe kapitulli 35 (mbi normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën). 
• Më 18.07.2015 janë hap për bisedime kapitulli 23 dhe 24 (sistemi i drejtësisë në Serbi). pasi Komisioni i BE-së ka miratuar raportin e qeverisë serbe për reformat në drejtësi.
• Më 25.08.2015 Kryeministrat Aleksandar Vuçiq (Serbi) dhe Isa Mustafa (Kosovë), kanë firmos katër deklara për energjetikë, telekomunikacion, për asociacion të komunave të banuara në shumicë me serb dhe lëvizjen e lirë mbi Urën e Ibrit (Mitrovicë).
• Më 18 korrik 2016 u konstatuan përparime të kushtëzuara në Kapitullin 23 dhe kapitullin 24, pasi Komisioni i BE-së miratoi raportin e qeverisë serbe për reformat në drejtësi.***

Për të rrit nivelin zhvillimor për anëtarësim Serbia merr ndihma financiare nga BE në kuadër të programit IPA II (Instrument for Pre-Accession Assistance), për vitet 2014-2020 rrumbullak 1,5 miliardë Euro. Pos këtyre ka edhe ndihma të tjera, që janë të paraqitura në raportin e 10 nëntorit 2013...

“Qeveria Federale (e Gjermanisë) pret që procesi i normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës të vazhdojë gjatë negociatave të pranimit me Serbinë. Para përfundimit të negociatave të pranimit duhet të sigurohet një normalizim i plotë i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që Serbia duhet të njohë Shtetin e Kosovën sipas të Drejtës ndërkombëtare.” (shih fusnotën **).

QEVERIA SERBE NUK SYNON ANËTARËSIMIN NË BE

Do të duhej të vetëkuptohej se qeveria nacionaliste e Serbisë nuk do anëtarësimin e Serbisë në BE, por vetëm shfrytëzimin e favoreve politike, financiare, ekonomike, zhvillimore, tregtare..., duke simuluar kërkesën dhe dëshirën për anëtarësim, sepse dominohet nga dashuria nacionaliste për "nënën" Rusi dhe favoret përkrahëse që ka nga ajo.

Për të realizuare këtë taktizim (të trashëguar në taktika politike e viteve 1950-2005), Serbia tani i ka caktuar rrolin që po aktëron Hashim Thaçi (ngjashëm me rrolin që ia patën caktuar Ibrahim Rugovës). Për këtë aktrim Hashimit duhet t’i jetë dhënë teksti i skenarit, që ai, siç po duket nga paraqitjet e tij, e ka mësuar keq përmendsh, prandaj ndonjëherë po belbëzon kur ndonjë gazetar po e provokon me pyetje “pikante”.
Mirë do të kishte qenë të isha i përkushtuar për të mbajt shënime, kur çka ka broçkullis Hashimi, për të konkretizuar dyshimin tim, se ky kuisling komandohet përditë nga eprorët e padukshëm të shërbimit serb. Për këtë do të bindemi shpejt, sapo qeveria serbe të paraqet (psudo)arsyetimin se ishte e gatshme për të plotësuar kushtëzimin e kapitullit 35 që ia ka vënë Këshilli i BE-së “për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën”, por nuk ishte në gjendje, meqë presidenti i Kosovës ka paraqit edhe pretendime territoriale ndaj Serbisë. Dhe kjo taktikë do t’ia mundëson Serbisë të anashkalon kushtëzimin e kapitullit 35. Aty e tutje do të ketë ndihmë financiare nga BE rreth 900 milionë Euro në vit... 
Këtë parashikim ogurzi e bazoj edhe në lodhjen dhe hidhërimin që kanë tashmë edhe qeveritë e shteteve të cilat kanë përkrah Kosovën të çlirohet nga Serbia dhe ta shpall mëvetësinë shtetërore, nga mënyra e sundimit destruktiv e kriminel të sundimtarëve të Kosovës.

Serbia për momentin nuk do asnjë marrëveshje me Kosovën, sepse ende nuk është ndërgjegjësuar për të bërë korrigjimin në Kushtetutën e saj imperialiste. Ajo do të kishte dëshiruar ta ndante Kosovën, duke ia “dhuruar” vetëm Krahinë e Dukagjinit Shqipërisë. Por, meqë gjykon se nuk është e mundur tani, edhe pse ka shumë kuislingë e marioneta në krye të Kosovës e Shqipërisë, e quan më favorizuese ta mban Kosovën neokoloni ekonomike, si deri tani, sepse ka përfitime edhe financiare, ndoshta më të mëdha, se sa kur e kishte koloni klasike (1913-1999).

(Kosova Sot)