Një virus i përgjithshëm i ka kapluar shqiptarët e sotshëm

Një virus i përgjithshëm i ka kapluar shqiptarët e sotshëm
  • 23 March 2019 - 08:40

Politikanë të interesit personal i kanë lënë të gjitha m’anësh dhe i kanë përçarë qytetarët në mes veti

Ai që refuzon kulturën kombëtare, e refuzon edhe shtetin e vet! Përveç të tjerash, kultura duhet të jetë shprehje dhe simboli i kombëtares. Ndonjëri, që e quan vetën, madje edhe të tjerët se ka arritur në këtë lëmë, na del si i krisur para opinionit publik

Rilindja, si shprehje shënon diç si tretje e tërësishme dhe ringjallje e sërishme. Shumë herë, poetët e përdorin, ringjallja si Feniksi, zog mitologjik. Me këtë shprehje u riformuan shumë popuj, shumë kultura e tradita të cilat për një kohë ishin vetëm emër kuptimi. Përpjekjet e shqiptarëve, si vonë, kur u del ankthi, duke pasur ndonjë kontakt edhe nga anët tjera të Evropës e botës, iu rrekën punës.

Dhe sado që pengesat nga Lindja dhe rrethi fqinjësor ishin të shumta, sa shpeshherë krijohej një krizë e ngërthyer në mes shqiptarëve, megjithatë përparimi i Lëvizjes ngadhënjeu. Kjo me një shtytje më të madhe nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, në zgripin e zhdukje. Ishin simbolet që i ndezën zemrat e rinisë shqiptare nëpër kohë. Sado kohë e vështirë në informim, analfabetizëm e mos arsimim, mund të thuhet se ishte për lakmi lufta e pandërprerë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duke krahasuar ditët e sotme, kinse me kuadro të arsimuar, të kulturuar e të ditur.

Nuk do të ishte e arsyeshme sot përsëritja e njëjtë e gabimeve

Edhe parulla e dikurshme, Rilindja Kombëtare Shqiptare, sidomos në pjesën e dytë të shek. XIX, pretendonte të kalojë nga emër kuptimi në veprimtari konkrete. Të riformësonin e të materializonin frymën e denjë për një komb në vete. Dhe kombi s’është emër molle, as ndonjë ëmbëlsire. Kombi është një etni me një gjuhë, kulturë, traditë e adete, me një histori, me një territor kompakt, me një ekonomi e me forca të veta ushtarake, brenda atyre kufijve gjeografik.

Kombi është interes i asaj etnie. Interesi është goditur për të gjithë pjesëtarët e atij populli, me obligime e të drejta të barabarta para ligjit. Interesi i kombit është ruajtja e të gjitha këtyre tipareve nga ato të huajat, sepse po mbetën pa njërën prej tyre, do të ri-asimilohet me një ves të një grup tjetër etnik. Do të asgjësohet sërish në diçka të pa përkufizuar me ato të drejta në ekonomi, arsimim, kulturë, politikë, etj. Që të ruhen këto të mira materiale e shpirtërore, populli zgjedh në krye njerëz që marrin vesh në të gjitha këto që u thanë dhe të tjera. Zgjedhësit janë mbrojtësit e të gjitha elementeve për kombin e vet. Ata kanë kushtetutën, aktin më të lartë të shkruar. Ata janë nga mesi i vet popullit. Ata janë të ngritur (në këto kohë) në kulturë, ekonomi, teknikë e teknologji, në jurisprudencë, etj. Pra, me një fjalë, sa më të pajisur me dije. Dhe këta janë në gjendje të qeverisin atë popull e atë vend. Ata nuk do të stagnojnë, por do të parashohin çdo ditë, muaj, vit avancimin e ekonomisë, drejtësisë, kulturës në përgjithësi. Ata do të duhej të kishin këshilltarët, të cilët marrin vesh për veprime në këto fusha. Interesi i tyre do të ishte për një lëvizje në çdo njërën prej fushave.

Ata komandojnë sipas rregulloreve të shkruara me tërë atë pasuri, për të mirën e të tjerëve. Ata janë të barabartë me të gjithë qytetarët tjerë para ligjit. Do ta mbushnin arkën për mirëmbajtjen e shtetit dhe reproduksionit. Pa prodhimtari të vendit s’ka përparim. Por, jo vetëm prodhim, por edhe cilësi, konkurrim, meqë e kanë dëgjuar emrin tregut të lirë këta njerëzit pushtetarë, po fatkeqësisht, si duket nuk e kuptojnë aq sa duhet, sepse është edhe interesi personal. Injoranca shkakton rrëshqitje të atij vendi si në humnera. Si para një shekulli, shqiptarët mendonin se dikush tjetër duhet të kryejnë punët e tyre.

Politikë bastarde në arsim

Nuk dua të keqkuptohemi, kjo rrjedhë është që në start të ditëve të pasluftës. Duke menduar, se, ne tash duhet të mendojmë për hapësirat astrologjie, se na jemi, ata që kanë arritur kulmin e zenitit, shumë të kulturuar e arsimuar dhe të informuar më shumë askush tjetër në globin tokësor. E në anën tjetër e lëmë krejt çka është e jona e pranueshme. Nuk dëshirojmë (këshillë me klishe politike) asgjë nacionaliste) kemi mbetur në një oazë të rrethuar në të katër anët pa dalje. Kozmopolitizmi absolut e ka mbështjellë mendjen e shqiptarit. Pra, shumica e njerëzve të papërcaktuar.

Politikanë të interesit personal, i kanë lënë të gjitha m’anësh dhe i ka përçarë qytetarët në mes veti. E ka lënë arsimin, pasi shumë kush ka marrë letra pa meritë, pa i vijuar studimet e nevojshme. – Kaloje një faqe në internet, këtë faqen tjetër përshkruaje. Nga kjo faqe deri kaq faqe, nxirr këtë libër të iks autorit. Qe pra, u bë magjistratura, u bë doktorata, u bë diploma...Në këtë mënyrë i kemi shumë të graduar të shkollave tona e të universiteteve. Po për këtë nuk interesohet Qeveria e vendit me njerëz të zgjedhur për departamente të caktuara. As vetë ai i kreut shtetëror. Kjo rrjedh nga ata, sepse vetë gabimisht e kanë kuptuar arsimin. As ata nuk kanë kulturë e arsimim të mjaftueshëm. Në arsim dhe kulturë (pushtetarët këto dy resorë i konsiderojnë si diçka të dorës së dytë), i dërgojnë argatët e vet, formalisht. – Le ta ketë aty një punë. Le ta ‘kurtalisim’ iks personin klient tonin apo familjar, se, nuk po ka ku të zë vend tjetër.

Asgjë më shumë. Kjo i kushton dhe do ta ulë shoqërinë tonë në instancën e fundit para shoqërive të vendeve tjera. Nuk mund të lavdërohemi në vakum. Ky është organizim diletant dhe i pa efekt. Kjo mund të shkaktojë edhe pasoja të tjera, sociale, kulturore, arsimore, ekonomike, shëndetësore, të forcave të sigurisë, etj.

S’ka kulturë prej njerëzve të pakulturuar

Ai që refuzon kulturën kombëtare, e refuzon edhe shtetin e vet! Përveç tjerash, kultura duhet të jetë shprehje dhe simboli i kombëtares. Ndonjëri, që e quan vetën, madje edhe të tjerët se ka arritur në këtë lëmë, na del si krisur para opinionit publik. Duket sikur jemi të gjithë të sëmurë. Kultura kafeneve me “kutin” e muhabeteve të zhonglerëve, janë një përrallë. Ata janë idiotë. Kjo farë rri e zgërdhirë me skenat poetike, me shkrimtarët, me dramaturgët, me aktorët, me librin, me muzikën, filmin. Vetëm ata kur bëjnë “kulturë” ose të afërmit e tyre, duan të jenë të mençur e serioz.

Pa kritere, pa vlera, pa një shpërndarje të buxhetit në mënyrë të barabartë. Vetëm Nepotizmi është doktrina “shpëtimtare” e politikës së sundimtarëve. Eh, ky shtet i ri prej njerëzve të rinj, shqiptarë! Kur ndonjë kryetar komune vendos të kaloj në ekstazë personale, thërret grupin e preferuar, herë-herë, kinse për punë, dhe zgjerojnë ‘muhabetin’ me simptoma anakronike dhe para të shumta. Po, për librin, për dramën e teatrin, për muzikën (e zgjedhur), do të jenë shumë të ngurtë, sepse e “ruajnë” buxhetin shejtanët! Ose, e ngarkojnë ndonjë “kloshar” me këto punë të përgjithshme nga lëmi i kulturës...Cilët janë ata prijës të kulturës nëpër shoqata, klube, nëpër qoshe rrugësh e kafenesh, duke menduar se, tash e kemi radhën, nuk e lëshojmë këtë e atë. E po cili është atdheu i jonë? Pra, ne disa jemi të përjashtuar nga sulmet partiake të “teveqelëve” që vetë duan të robërohen për ndonjë “kockë” si të qenit.

Shumë s’i kemi njohur më parë që kanë bërë ndonjë gjë të veçantë për këtë vend, të mos themi se po prej atyre disa ishim të sulmuar edhe në kohë tjera. Po, ja. Të tillët mund t’i kesh në krye të këtyre vendeve, jo veç për kulturë. – Lehtë është puna e kulturës! S’duhet arsimim për të.

Rast pas rasti, shihet skena e këtyre “bylbylave” të kulturës. Mbrojtësit e interesit personal dhe nepotizmit, si rrymë e shpikur dhe e kurdisur në kushtet e një shteti të sapo filluar hapat e parë, në të gjitha poret e jetës publike. Kjo ishte në kohën e regjimit të egër serb! Njerëzit e pakulturuar nuk mund të bëjnë kulturë. Të rinjtë tanë po shkojnë në botën e jashtme, ata që u ndihmon elita pushtetare e sunduese, po edhe me buxhetin e tyre, “e blejnë” kulturën dhe arsimin atje në kuptimin më të mirë, kthehen, gjëja për ta futur në praktikë atë dije në vendin tonë. Shumë prej tyre, vërtet kanë marrë njohuri dhe kulturë të mirë, por nuk mund të vendosën në vende pune, nëse nuk kanë ndonjë lidhje.

Ose nuk mund ta zbatojnë në praktikë, sepse “patroni” nuk do ta lejojë askënd që t’i dëmtohen interesat e tij dhe të “tarafit” sundimtar. Madje, ata (të rinjtë) do të rekrutohen shumë vrazhdët nga këta patronë. Pra, njësoj si nga jashtë, si nga brenda. Sepse, egoizmi dhe çështja materiale janë më të mëdha se sa kuadri i nevojshëm. Bëhet promovimi i librit prej njerëzve kompetent në Universitet, asnjë student, asnjë arsimtar, asnjë njeri i departamentit të kulturës. Po çfarë departamenti?! Mjetet e informimit janë për rrethin e Prishtinës, për ata që i paguajnë. I thërrasin njerëzit e rrugës, bisedojnë nëpër studiot e tyre për reklama trupore të ndonjë femre, të atyre VIP-ave,të ashtuquajtur. Vetëm kiç e hiç. Nuk mund të ruhet asgjë nga persona që nuk kanë vlerë kulturore kombëtare, personat parazitë e shkatërrues ndodhen në ato vende.

Në këtë mënyrë, asnjë element nuk do ta ketë formën e as esencën e vlerës për konceptin e emrit komb-shtet. Tashmë edhe brezi i tanishëm është i interesuar që të futen nëpër vende politike, arsimore, institute, universitete, etj. veç sa për të shprehur një farë uniformiteti dhe të vijojë me të gjitha mjetet e pasardhësve. Gjithnjë duke menduar në hajni, në plaçkë, diçka që do të ishte e interesit material personal pa harxhimin e energjisë në punë. Gratis...Mënyra e dytë, që e mendojnë rinia, të ikin sa më shpejtë në botën e jashtme dhe t’i thonë: Lamtumirë Kosovë!

(Kosova Sot)