Vetëm njerëzit e verbër dhe abnormalë nuk e dënojnë terrorizmin

Vetëm njerëzit e verbër dhe abnormalë nuk e dënojnë terrorizmin
Vetëm njerëzit e verbër dhe abnormalë nuk e dënojnë terrorizmin

Mehdi Hyseni

  • 26 March 2019 - 08:45

Për mua çdo viktimë e terrorizmit është e dhimbshme, e pakompensueshme dhe për keqardhje, pavarësisht se çfarë nacionaliteti, religjioni, kulture, civilizimi i përket (qoftë mysliman, i krishterë, budist, hebre… etj.) kudo që pëson në botë, ato janë viktima të pafajshme, që askush nuk ka të drejtë t'i quajë ndryshe apo, për më keq, t'i fajësojë dhe t'i akuzojë për shkak të drejtave të tyre, që i gëzojnë me të gjitha rezolutat, deklaratat, marrëveshjet dhe protokollet e miratuara nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (1945-2019).

Ata që nuk e dënojnë terrorizmin dhe që në çfarëdo forme e heshtin, e simpatizojnë, e mbështesin dhe e justifikojnë atë mbi çfarëdo baze dhe segmenti qoftë, ata janë terroristë potencialë që rrezikojnë lirinë, drejtësinë, rendin, sigurinë, paqen dhe mirëqenien e mjedisit qoftë lokal, rajonal apo ndërkombëtar. Më thjesht, e keqja, e zeza, terrorizmi i shëmtuar për vrasjen e njerëzve të pafajshëm dhe për shkatërrimin e vlerave të botës së qytetëruar nuk përbëhen nga një faqe-bardhezi, por kanë vetëm një faqe të zezë dhe tragjike-VRASJEN E GJITHË BOTËS NJERËZORE PROGRESIVE DHE HUMANE.

Mirëpo, assesi nuk duhet harruar se këtë botë të civilizuar të sotme nuk e kanë ndërtuar, zhvilluar, përparuar dhe lulëzuar ultranacionalistët, fashistët, fundamentalistët e religjioneve dhe të sekteve të ndryshme, kriminelët, huliganët, hajdutët, zuzarët, injorantët, mafiozët, plaçkitësit, terroristët dhe piromanët monstrumë çmendurakë dhe shkatërrimtarë të njerëzimit dhe të vlerave të tij, por njerëzit e mençur, të ditur, të emancipuar dhe vizionarë me virtyte dhe me parime të larta njerëzore dhe shkencore, të cilët kanë ndërtuar dhe prodhuar vepra dhe vlera kolosale me karakter human dhe universal botërorë.

Prandaj, bashkësia e sotme njerëzore e ka për detyrë dhe mban përgjegjësi të shumëfishtë për respektimin, për ruajtjen dhe për mbrojtjen e këtyre vlerave universale, pa të cilat nuk mund të paramendohet ekzistenca, koekzistenca, drejtësia, liria, bashkëpunimi, barazia, reciprociteti, demokracia dhe paqja në dimensione rajonale e as globale botërore.

Mbarë Bota të flasë me një zë dhe me një armë!

Sepse terrorizmi është kancer për gjithë njerëzimin në planetin tonë. Prandaj, për ta çrrënjosur këtë fenomen të shëmtuar vdekjeprurës, është e domosdoshme që të mobilizohet dhe të bashkohet e gjithë bota pavarësisht nga dallimet ideologjike, politike dhe religjioze, dhe të reagojë si një trup i vetëm i fuqishëm dhe i pamposhtur kundër çdo forme dhe akti terrorist qoftë individual, qoftë grupor apo qoftë shtetëror, ashtu siç veproi e bashkuar kundër terrorizmit dhe gjenocidit nazifashist të Japonisë, të Gjermanisë së Hitlerit dhe të Italisë fashiste të Benito Musolinit, gjatë Luftës së Dytë Botërore ( 1939-1945).

Kjo është rruga më e sigurt, më efektive, më e shpejtë dhe alternativa e vetme për të triumfuar mbi terrorizmin në dimensione botërore, sepse nuk ekziston asgjë më e vlefshme dhe më e dobishme sesa vetë njeriu. Kjo vlerë universale, duhet mbrojtur me të gjitha mjetet që ka në dispozicion bashkësia e sotme ndërkombëtare. Ndryshe, indiferenca, toleranca, abolimi, mbështetja, justifikimi, simpatizimi, duartrokitja dhe heshtja ndaj çdo akti terrorist qoftë me karakter lokal apo ndërkombëtar lë hapur varrin për viktima të reja nga terrorizmi dhe nga fashizmi barbarik anticivilizues dhe antihuman. Ky është fatalizmi dhe tragjedia, që sot po kërcënon mbarë botën, ashtu sikurse dikur nazifashizmi i Hitlerit dhe i Musolinit (1939-1945).

Jemi në shekullin XXI të lulëzimit të qytetërimit, JO në kohën e egërsisë dhe të barbarisë e as në kohën e Luftës së Dytë Botërore

Prandaj, është antietike, absurde, antihumane, antiligjore, antidemokratike, antipaqësore dhe e papranueshme në çdo aspekt, që të mos bashkohet e gjithë bota për t'i deratizuar të gjitha mikrobet kancerogjene dhe për t'i luftuar bashkërisht të të gjithë individët, grupet, organizatat apo terrorizmin shtetëror, që me vite e dekada po e terrorizojnë mbarë botën, duke vrarë civilë të pafajshëm vetëm pse u përkasin religjioneve, kulturave dhe civilizimeve të ndryshme (fëmijë, gra, burra, pleq, djem, vajza), e për habi, bota ende nuk është unike, që ta parandalojë këtë katastrofë barbarike fashiste kundër gjithë njerëzimit. Mirëpo, nëse edhe më tej nuk bashkohet e gjithë bota sikurse në rastin e mposhtjes dhe të luftimit të nazifashizmit të Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore, lloj-lloj terrorizmash, do ta kërcënojnë tërë botën derisa KJO të mos flasë me një zë, me një drejtësi dhe me një plumb të përbashkët për vrasjen e çdo lloj terrorizmi pavarësisht se kush e kryen, kush e ushqen, kush e financon, kush e sponsoron, kush e mbështet, kush e nxit dhe kush e mbron atë dhe, për çfarë qëllimesh dhe interesash (politike, ekonomike apo religjioze) e përdorin atë për të shkatërruar botën e civilizuar dhe vlerat e saj universale të zhvillimit dhe të përparimit shumëshekullor.

Çdo njeri që është normal, human, i shëndoshë dhe i arsyeshëm mendërisht e gjykon çdo terrorizëm (pavarësisht nga prapavija, interesat dhe qëllimet e tij ataviste qofshin ideologjike, politike, religjioze, ekonomike, tregtare, mafioze të luftës për pushtet ose të luftërave për t'i vrarë dhe shfarosur të tjerët si në kuptim të ngushtë dhe të gjerë), ndaj, duhet denoncuar edhe TERRORIZMIN E BRENTON TARRANT, i cili më 15 mars masakroi 50 dhe plagosi mbi 20 myslimanë të pafajshëm civilë, duke u lutur në xhaminë Al Noor në qytetin Christchurch në jug të Zelandës së Re.

Këtë akt terrorist monstruoz barbarik, pikësëpari e gjykoi kryeministrja z.Jacinda Ardern duke u shfaqur e para në vendin e ngjarjes së përgjakur nga 50 viktimat e aktit terrorist, me ç'rast, e tronditur dhe e pikëlluar, shprehu ngushëllimet e saj familjarëve dhe të afërmve të tyre, duke u premtuar dhe siguruar mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të tyre fetare, njerëzore dhe jetësore, ashtu sikurse të të gjithë qytetarëve të tjerë të shtetit të Zelandës së Re, të garantuara me ligjet përkatëse dhe me Kushtetutë. Në mbështetje të kryeministres Jacinda Ardern, të qeverisë, të parlamentit dhe të të gjitha strukturave të tjera politike e shoqërore të Zelandës së re, këtë akt terrorist të Brenton Tarrantit, e dënuan ashpër dhe me plot indinjatë edhe kryeministrat, presidentët dhe qeveritë e mbarë botës humane, të civilizuar, demokratike dhe paqësore.

Sa më sipër, terrorizmi ndërkombëtar mund të mposhtet vetëm nëse e tërë bota bashkohet në mendjen, në fuqinë, në humanizmin, në drejtësinë, në diturinë dhe në veprimin unik të saj ligjor dhe luftarak kundër këtij fenomeni të shëmtuar antinjerëzor dhe anticivilizues botëror. Apel gjithë botës humane, demokratike dhe paqësore. Të bëhemi profetë të humanizmit, të drejtësisë, të lirisë, të paqes dhe të koekzistencës njerëzore globale të planetit tonë, JO piromanë, vrasës dhe terroristë të këtyre vlerave universale të njerëzimit.

Kjo duhet të jetë detyra parësore dhe prioritare e shkencës, e politikës, e drejtësisë, e propagandës dhe e diplomacisë së të gjithë shkencëtarëve, të liderëve politikë dhe klerikëve të të gjitha religjioneve anembanë botës.

(Kosova Sot)