Thank You USA!

Thank You USA!

Gani Qarri

  • 26 March 2019 - 08:50

Sa herë kujtojmë SHBA-në, kujtojmë 24 marsin e vitit 1999, kujtojmë shpëtimin tonë, lirinë, të tashmen dhe të ardhmen si vend, shtete dhe komb. Kujtojmë çlirimin, Pavarësinë që gëzojmë dhe shtet ndërtimin e Kosovës. Ende na vijnë në mendje me freski të flladit pranveror, bombardimet e NATO-s, të udhëhequra nga SHBA-ja, të cilat i dhanë fund përgjithmonë pushtimit të vendit tonë nga Serbia shoviniste, dëbuan përfundimisht okupatorin serb nga Kosova dhe na sollën lirinë e ëndërruar ndër shekuj me radhë.

SHBA dhe NATO,e thyen keq, mundën me turp dhe detyruan dorëzimin në formën më të ulët të regjimit pushtues e barbar të Serbisë që shkeli dhe abrogoi çdo të drejtë të popullit shqiptar të Dardanisë. Falënderojmë nga toka deri në qiell SHBA-në, këtë shenjtëri që Zoti ka krijuar në tokë, për të na ardhur në ndihmë edhe neve, në çastet më të rënda e vendimtare dhe shpëtimin e popullit dhe vendit tonë, para gjenocidit shkatërrimtar të Serbisë fashiste.

Politikëbërësit e inkriminuar shqiptarë

SHBA dhe NATO, dëbuan nga Kosova ushtrinë dhe policinë pushtues të Serbisë, e cila pa asnjë kursim vrau, masakroi dhe kidnapoi mijëra të rinj, pleq gra e fëmijë, mbi 1600 prej të cilëve edhe 20 vite pas lufte ende të pa kthyer në Kosovë, përdhunoi mbi 20 mijë femra dhe dëboi mese 1 milion shqiptarë nga trojet e veta autoktone në hapësirat e Dardanisë së vjetër.

Kjo e diel, na rikujton 24 marsin e vitit 1999, një ditë e veçantë, kur duhet jo vetëm ta kujtojmë, por edhe ta falënderojmë i gjithë kombi SHBA-në, për çlirimin e vendit dhe lirinë që sot e gëzojmë. Me këtë datë të shënuar në histori, mbushen plot 20 vite nga fillimi i sulmeve ajrore të Aleancës veri atlantike të NATO-s të udhëhequra nga SHBA, kundër falangave pushtuese ushtarake e policore të Serbisë në Kosovë,për ndalimin e gjenocidit serb që po ushtrohej mbi popullatën e pambrojtur shqiptare të Kosovës, dhe përfundimin e vrasjeve, përdhunimeve djegieve piromane dhe dëbimit gjenocidial të 1 milion shqiptarëve autoktonë nga vatrat e veta shekullore në Dardani.

Kujtojmë me dhembje vitin 1999, kur fushata më e egër e spastrimit gjenocidial të Kosovës, nga Serbia, kishte arritur përmasa biblike dhe asnjë nga shqiptarët etnik nuk kursehej më. Nuk kishte shqiptar që nuk ishte fajtor e kandidat potencial për vrasje dhe zhdukje, askush nga ta, më nuk ishte i "padënuar" me vdekje, dhe asnjëri prej tyre nuk kishte mundësi as gjente mënyrën për ti shpëtuar çmendurisë shekullore të gjenocidit serb dhe barbarisë së organizuar shtetërore të Serbisë, për shfarosjen e shqiptarëve.

Ndaj pas gjithë atyre katrahurave,sa herë shohë politikëbërësit e inkriminuar shqiptarë më turbullohet edhe barku dhe më vije të vjellë.

Veprimet gjenocidiale të okupatorëve serbë

Këta mafiozë më kujtojnë çdo gjë të keqe, që nga hajnia e thjeshtë, rrena, mashtrimi, plaçkitja, nepotizmi ,korrupsioni, krimi i organizuar e së fundmi edhe shitja e shpirtit tek kriminelët serbë, tradhtia ndaj popullit dhe vendit të vet si dhe këmbëngulja për ri-copëtimin e vendit dhe faljen e pjesëve më vitale të Kosovës, shtetit të deridjeshëm okupator Serbisë, vetëm për interesa personale të individëve.

Duke harruar kaq shpejt kohën dhe tragjedinë kur nga Serbia përndiqej komplet një etni dhe veprimet gjenocidiale të okupatorëve serbë, përngjanin në fushatat barbare të mesjetës. Vitet jo të largëta,në të cilat shqiptarët vriteshin, përdhunoheshin, digjeshin e masakroheshin pareshtur gra, burra, pleq e fëmijë, të gjithë pa dallim, popullsi civile pa asnjë lloj faji a përgjegjësie.

Atëherë jo matrapazët e sotëm politikë, që sot rrahin gjoks se kinse e çliruan Kosovën, por ishte sërish SHBA-ja, ajo që ngriti zërin dhe kundërvu me fuqi gjenocidit shtetëror të Serbisë mbi shqiptarët. Më 24 mars të vitit 1999,SHBA dhe NATO, përfundimisht morën vetë përsipër, daljen zot dhe mbrojtjen e popullsisë së pafajshme shqiptare. Në atë kohë vetë Bill Klinton, presidenti i SHBA-së, vizitoi kampet e refugjatëve shqiptarë në Bllacë, ku përveçse mori në prehrin e vet, si një prind i mirë disa fëmijë shqiptarë, i prekur dhe gati me lot në sy, nga gjendja e rëndë në çadra, ku i kishte katandisur Serbia, u premtoi se së shpejti që të gjithë do t'i kthente në atdhe, vendin e tyre dhe shtëpitë e veta në Kosovë, akt që padyshim u realizua 100 % dhe do të mbetet e përkujtohet përjetësisht nga zemrat e të gjithë shqiptarëve.

Një gjë të tillë nuk e kishin imagjinuar kurrë as vetë shqiptarët, ndaj 24 marsi i vitit 1999 dhe dita e asaj vizite të papritur, për të gjithë shqiptarët do të mbeten dhe kujtohen si ditët e shpresës dhe kujtimeve më të paharruara, kur robërisë e pushtimit po i vinte fundi, ndërsa vuajtja dhe dhimbjet po ktheheshin në buzëqeshje shprese e gëzimi edhe për ne. Ndaj, shënimi i përvjetorit të 20- të,dhe kujtimi i fillimit të bombardimeve të NATO-s, kundër forcave okupatore të Serbisë, pa dyshim sjell emocionet më të fuqishme dhe përkujtohet me pietetin më të lartë, sidomos nga familjet, të cilave, falangat pushtuese policore dhe ushtarake serbe, iu vranë, masakruan apo edhe kidnapuan, dhe nuk ua kthyen më kurrë, tash e atëherë, më të dashurit e tyre.

Kështu që, emri i shenjtë i SHBA-së, presidentëve Bush i Vjetri, Bill Klinton, sekretares Olbrajt dhe Bush i Riu,të cilët na shpëtuan nga shfarosja dhe gjenocidi serb, sollën lirinë e vendit tonë, çliruan dhe pavarësuan Kosovën, do të kujtohen përjetësisht dhe mbeten përgjithmonë të paharruar në zemrat e të gjithë shqiptarëve. Thank You USA and God bless Amerika!

(Kosova Sot)