Kosova po zbrazet!

Kosova po zbrazet!
Kosova po zbrazet!

Muhamet Kelmendi

  • 28 March 2019 - 08:59

Emigrimet janë intensifikuar, sidomos në vitet e fundit

Nga çdo vend i Kosovës kemi emigrime. Ata po shkojnë në Gjermani, në Austri, në Francë, në Zvicër, në Slloveni, në Kroaci etj. Pra, kemi emigrime të mëdha.
Ky trend po intensifikohet dhe pa ndërrime të thella në pushtet, në ekonomi, në gjendje sociale dhe në arsim e në shëndetësi nuk ndalet emigrimi

Ikja e pjesëtarëve të kombit shqiptar nga Kosova në nivel të lartë ka ndodhur kryesisht gjatë dhe para luftës.
Në ato periudha kohore, sikurse është koha para dhe pas LDB-së, si dhe në dy deceniet e fundit të shekullit të kaluar, ikën nga Kosova mbi 1 milion njerëz.

Tash dhe në këtë kohë kemi gjithashtu ikje të larta.

Emigrimet janë intensifikuar sidomos në vitet e fundit. Kudo ku shkon nëpër vende të Kosovës vërehet kjo dukuri. Kemi emigrime të një përqindje të lartë.

Nga analiza e bërë nga unë në terren, duke vizituar shkolla të ndryshme në Kosovë, nga ato filloret e deri të nivelit të lartë, kemi zvogëlim të numrit të nxënësve në përmasa të larta, deri edhe në 50%.

Nëpër shkollat e Kosovës ka rënë numri i nxënësve

Dukuria e emigrimit shihet kryesisht në dy kategori të popullit tonë: Së pari, është emigrimi i rinisë deri në moshën 30- vjeçare, e cila ka kaluar në shumën 6 shifrore dhe
së dyti, në emigrimin e familjeve të reja, si dhe të fëmijëve të tyre, sidomos të moshe 6-15- vjeçare.
Nëpër shkollat e Kosovës ka rënë numri i nxënësve sidomos në klasën e parë deri në të tetën.
Por në këtë rënie shihet trendi i rritjes së emigrimit të familjeve me fëmije 6 -10 vjet.

Në klasat e para (1-6) kemi rënie deri në 60% të nxënësve. Në këtë kontekst, rënia më e madhe është midis moshës 3-6 tek parashkollorët, si dhe pastaj te nxënësit deri në klasën e 6-të.
Në parashkollore, vërejtjet dhe shënimet e marra në së paku 150 shkolla të Kosovës, në të gjitha rajonet e saj, kemi rënie nga 30 nxënës në klasën e parë, krahasuar me kohën para 10 vjetëve. Tash kemi vetëm 7-10 nxënës. Rënia është për 200%. Kjo rënie varion sipas vendeve dhe klasave. Në klasat më të larta kemi rënie deri në 30%, krahasuar me klasat e ulëta.
Po e përbashkëta është se kemi rënie totale mesatare nga 35-40% të të gjithë nxënësve në Kosovë.

Emigrimi ndalet mbi të gjitha duke e përmirësuar pagesën e punëtorëve

Nga terreni u nxorën edhe faktet që kanë ndikuar në emigrim. Mendohet se kushtet kryesore janë disa:
1. Rënia e natalitetit,
2. Planifikimi i familjes,
3. Papunësia dhe jeta e rëndë në vend, si dhe
4. Eksploatimi i ashpër i rinisë nga mafia oligarkike e instaluar në ekonominë e Kosovës.
Përveç këtyre kushteve, kemi edhe rrethana tjera. Por të cilat në terren thuhet se janë terciare. Ato po ashtu po ndikojnë:
1. Paperspektiva e ndërtimit të familjes në vend,
2. Shkollimi i dobët,
3. Mossigurimi shëndetësor, pensional e invalidor dhe
4. Rreziku për jetë nga veprat e ndryshme kriminale.

Këto janë faktet kryesore. Ato kanë dalë nga terreni si fakte që kanë dhe po e kushtëzojnë emigrim.
Trendi i tille nuk është duke rënë, por është duke u rritur dhe po merr përmasa të reja dhe katastrofike.
Nga çdo vend i Kosovës kemi emigrime. Ata po shkojnë në Gjermani, në Austri, në Francë, në Zvicër, në Slloveni, në Kroaci etj. Pra, kemi emigrime të mëdha.

Ky trend po intensifikohet dhe pa ndërrime të thella në pushtet, në ekonomi, në gjendje sociale dhe në arsim e shëndetësi nuk ndalet emigrimi.
Emigrimi ndalet mbi të gjitha duke e përmirësuar pagesën e punëtorëve në sektorin privat, duke i rritur të ardhurat në 400 euro, si dhe duke e futur sigurimin e nevojshëm.
Me eksploatim dhe dhunë nuk ndërtohet shteti ligjor.

(Kosova Sot)