Ndaloni veprimet rrënuese dhe antishtetërore të SBASHK-ut!

Ndaloni veprimet rrënuese dhe antishtetërore të SBASHK-ut!
Ndaloni veprimet rrënuese dhe antishtetërore të SBASHK-ut!

Halim Hyseni

  • 03 April 2019 - 08:59

300.000 të rinjve të Kosovës iu është mohuar e drejta në edukim dhe arsim cilësor

Në vend se Kuvendi i Kosovës t’i kushtojë një seancë jo vetëm gjendjes së tashme apokaliptike të edukimit dhe të arsimit të Kosovës, por edhe identifikimit të masave dhe të veprimeve për të dalë nga ky çark vicioz, Kuvendi e mban një mbledhje për të bindur një organizatë “sindikale”

Gjendja e tashme e edukimit dhe e arsimit në Kosovë është më rëndë dhe me cilësi më të ulët se ajo e viteve të ’90 të shekullit të kaluar.

Zonja dhe zotërinj të Kuvendit të Kosovës dhe anëtare dhe anëtarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shpresoj dhe besoj se e keni të qartë se sistemi i edukimit dhe i arsimit në Kosovës është në gjendje të rëndë, si asnjëherë më parë në historinë e tij. Disa herë përmes paraqitjeve publike, por edhe në mbledhjet e Komisionit për Arsim të Kuvendit të Kosovës, kam kërkuar që Kuvendi i Kosovës një seancë të tërë t’ia kushtojë gjendjes in extremis të rëndë të arsimit të Kosovës.

Ky apel imi nuk është dëgjuar, për fat të keq. Në vend se Kuvendi i Kosovës t’i kushtojë një seancë jo vetëm gjendjes së tashme apokaliptike të edukimit dhe të arsimit të Kosovës, por edhe identifikimit të masave dhe të veprimeve për të dalë nga ky çark vicioz, Kuvendi e mban një mbledhje për ta bindur një organizatë “sindikale”, veprimet satanike dhe antikombëtare të së cilës i kanë shkaktuar dëme të pariparueshme, shumëvjeçare dhe të pakompensueshme, jo vetëm shtetit të Kosovës sot, por edhe mbi 300.000 të rinjve të Kosovës, duke ua mohuar të drejtën në edukim dhe arsim cilësor, e drejtë e garantuar me të gjitha konventat dhe deklaratat ndërkombëtare, por edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet pozitive të tashme të saj, që të pranojë që të kompensohen orët e humbura. O tempora o morës!

SBASHK-u nuk brengoset

A ka ndonjë vend në botë që vepron kështu? Sigurisht që jo! Ajo që është akoma më rëndë, është deklarata antikombëtare e kryetarit të kësaj organizate, se: “E dimë që arsimit i kemi shkaktuar dëm”, por kjo për të nuk është me rëndësi, me rëndësi është që SBASHK-u të fuqizohet, për t’i realizuar interesat meskine të grupit të tij (paga enorme të mëdha, favore të tjera, mëditje, shujta, udhëtime etj.) Kështu që SBASHK-u në tërësi dhe kryetari i rrethuar me bashkëmendimtarë të tij të gëzojnë privilegje dhe t’i tregojnë muskujt e fuqishëm të tyre, duke kërcënuar se do t’i ftojnë sërish mësimdhënësit në grevë, të cilit ky i quan armë të tij të presionit dhe të shantazhit, duke thënë se presioni për kompensimin e orëve është përpjekje për t’ia marrë armët me të cilat ky mëton ta vrasë të ardhëm e këtij shteti dhe të qytetarëve të saj.

Ky person dhe grupi i tij, pa empati dhe inteligjencë etike, emocionale dhe shpirtërore, nuk shqetësohet pse të rinjtë e Kosovës nuk do të tregojnë arritje në fund të këtij viti shkollor, pse nuk do të tregojnë sukses në provimin nacional të arritshmërisë, pse nuk do të tregojnë sukses në provimet përfundimtare në arsimin profesional artizanal, pse nuk do të ketë sukses në provimet shtetërore - diplomës në shkollat profesionale dhe në shkollat e arsimit të përgjithshëm të mesëm të lartë. Ky zotëri nuk shqetësohet se për shkak të moszëvendësimit të orëve të humbura fëmijët e Kosovës nuk do të dalin mirë në TIMS.

SBASHK, nuk brengoset pse me veprimet e tyre kanë ndikuar që të ulet shkalla e motivacionit dhe e aspiracionit tek nxënësit, e cila po ashtu shndërrohen në faktor entropik për uljen e mëtejme të cilësisë së edukimit dhe të arsimit në Kosovë.

Kryetari i SBASHK-ut nuk është i vetëdijshëm se me veprimet e tij është duke i diskriminuar nxënësit e shkollave publike të Kosovës, qytetarëve të varfër krahasuar me nxënësit që janë në shkolla private, të cilat shkolla i vijojnë fëmijët e të pasurve. Në vijat perspektive kështu bëhen dallime sociale, me ndikime negative në zhvillimin e demokracisë.

Jam i zhgënjyer edhe me personelin mësimor

Veprimet satanike dhe antikombëtare të SBASHK-ut pasqyrohen edhe me faktin se derisa fëmijët, të cilit mësimin e zhvillojnë në gjuhën serbe, të cilit në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet e saj mësimin e zhvillojnë me ligjet e Serbisë dhe që nuk bëjnë greva, fitojnë arsimim dhe edukim cilësor, fëmijët e qytetarëve të Kosovës që e njohin dhe e duan Kosovën ndëshkohen nga SBASHK–u, duke qëndruar në shtëpi dhe duke mos fituar një edukim dhe arsim cilësor.

Unë jam i shqetësuar dhe ndiej dhimbje edhe me papërgjegjësinë e prindërve të fëmijëve, të cilit sipas të gjitha gjasave nuk janë të vetëdijshëm për pasojat e veprimeve të këtilla për të ardhmen e fëmijëve të tyre. Të ndodhte kjo çfarë po ndodh me nxënësit e Kosovës në vendet demokratike prindërit e tyre të gjithë do të ishin në protesta, duke kërkuar edhe përgjegjësi personale për ushtrimin e dhunës strukturore mbi fëmijët e tyre dhe mbi ta, duke ua penguar të drejtën e fëmijë të tyre në edukim dhe arsim cilësor. Po ashtu, jam i zhgënjyer edhe me personelin mësimor që ka pranuar të jenë vegël e verbër e një sindikate të papërgjegjshme.

Si autor i vetëm i projektit shtëpi-shkolla të vitit 1991, jam thellësisht i deprimuar, sepse me përgjegjësi morale dhe juridike deklaroj se gjendja e tashme në arsimin e Kosovës është më e rëndë dhe me cilësi më të ulët se ajo e viteve të ’90 të shekullit të kaluar. Kjo është më shumë se e tmerrshme.

(Kosova Sot)