Evropa dhe imperializmi i ri

Evropa dhe imperializmi i ri
Evropa dhe imperializmi i ri

Jean Pisani-Ferry

  • 03 April 2019 - 09:13

BE-ja duhet të bëjë më shumë për të zhvilluar paketën e saj financiare

Me sinjalizimin e SHBA-së se do të përdorë Wall Street-in dhe dollarin si instrumente të politikës së jashtme, Evropa nuk mund të jetë më një spektator pasiv dhe neutral. Nëpërmjet linjave të shkëmbimit me bankat qendrore partnere dhe mekanizmave të tjerë, ajo mund ta bëjë euron më joshëse për të huajt, ndërsa forcon sovranitetin e saj ekonomik

Imperializmi, shkroi Lenini një shekull më parë, përcaktohet nga pesë karakteristika kryesore: përqendrimi i prodhimit; bashkimi i kapitalit financiar dhe industrial; eksportet e kapitalit; kartelet transnacionale; dhe ndarja territoriale e botës midis fuqive kapitaliste. Deri së fundmi, vetëm bolshevikët e gjetën ende të rëndësishëm këtë përkufizim. Tashmë jo më: Karakterizimi i Leninit duket gjithnjë e më i saktë.

Disa vjet më parë, globalizimi supozohej të zbuste fuqinë e tregut dhe të nxiste konkurrencën. Dhe shpresohej që ndërvarësia më e madhe ekonomike të parandalonte konfliktet ndërkombëtare. Nëse do të kishte autorë të fillimit të shekullit të XX-të të cilëve do t’u referoheshim, ata ishin Joseph Schumpeter, ekonomisti që identifikoi “shkatërrimin krijues” si një forcë shtytëse progresi dhe britanikun Norman Angell, i cili u shpreh se ndërvarësia ekonomike e kishte bërë militarizmin të vjetruar. Megjithatë, ne kemi hyrë në një botë monopolesh ekonomike dhe rivaliteti gjeopolitik.

Problemi i parë mishërohet nga gjigantët e teknologjisë amerikane, por, në fakt, është i përhapur. Sipas OECD, përqendrimi i tregut është rritur në një sërë sektorësh, në SHBA dhe në Evropë; dhe Kina po krijon kampionë kombëtarë gjithnjë e më të mëdhenj dhe të mbështetur nga shteti. Sa i përket gjeopolitikës, SHBA-ja duket se e ka braktisur shpresën se integrimi i Kinës në ekonominë globale do të çonte në konvergjencën e saj politike me rendin liberal perëndimor të vendosur. Siç e tha në një fjalim në tetor të vitit 2018 zv.presidenti amerikan Mike Pence, Amerika tani e konsideron Kinën si një rivale strategjike në një epokë të re “konkurrence të fuqisë së madhe”.

Kina akuzohet gjerësisht se përzien ekonominë me politikën

Përqendrimi ekonomik dhe rivaliteti gjeopolitik janë në fakt të pandashëm. Ndërsa interneti dikur shihej si një fushë e hapur, universale dhe konkurruese, ai po ndahet në një arkipelag nën-sistemesh të ndara, disa prej të cilave administrohen nga qeveritë. Ekziston një frikë gjithnjë e më në rritje se dominimi i teknologjisë kineze Huawei në harduerë 5G mund të përdoret për përfitime gjeopolitike. Dhe shoqata e industrisë gjermane BDI tani po paralajmëron se Kina ka hyrë në “konkurrencë sistemore me ekonomitë e tregut liberal” dhe është “bashkimi i kapaciteteve për qëllime politike dhe ekonomike me efikasitet të lartë”.

Por, edhe Shtetet e Bashkuara po ripozicionohen, sidomos në sferën e tregtisë dhe investimeve. Legjislacioni i miratuar së fundmi ka autorizuar Departamentin e Thesarit të synojë investimet e huaja “të motivuara strategjikisht” që mund të “paraqesin një kërcënim për superioritetin teknologjik dhe sigurinë kombëtare të SHBA-së”, duke sugjeruar se administrata ‘Trump’ synon të përdorë shqyrtimin e investimeve për të mbrojtur avantazhin teknologjik të Amerikës.

Kina akuzohet gjerësisht se përzien ekonominë me politikën. Megjithatë, kjo është po aq e vërtetë edhe për SHBA-në. Merrni në konsideratë përdorimin e dollarit nga administrata Trump – të cilën shumë e konsideronin një të mirë publike globale – dhe rolin e tij qendror në financimin global për të imponuar sanksione sekondare për kompanitë e huaja që bëjnë biznes me Iranin. Si rezultat, SWIFT, shërbimi i mesazheve financiare me bazë në BE, u detyrua të mohonte qasjen në bankat iraniane ose rrezikonte të humbiste qasjen e vet në sistemin financiar të SHBA-së. Po ashtu, nën presionin e SHBA-së, Bundesbanka vitin e kaluar bllokoi një transferim të madh parash në Teheran të një depozitë iraniane në një bankë iraniane në Hamburg. Është e qartë se Shtetet e Bashkuara nuk ndjejnë asnjë nevojë për vetëpërmbajtje në përdorimin e tyre të fuqisë monetare dhe financiare.

Për Evropën, këto zhvillime përbëjnë një goditje të madhe. Ekonomikisht, Bashkimi Evropian është një bartës i rendit liberal të pasluftës: si një kampion i tregjeve konkurruese, ai vazhdimisht ka detyruar kompanitë e fuqishme të huaja që të respektojnë ligjet e tij. Por, në aspektin gjeopolitik, BE-ja gjithmonë është përpjekur që t’i mbajë të ndara marrëdhëniet ekonomike dhe ato ndërkombëtare – dhe kështu të ndihen të sigurt në një sistem multilateral, të bazuar në rregulla, ku ushtrimi absolut i pushtetit shtetëror është domosdoshmërish i përmbajtur. Nacionalizmi dhe imperializmi janë makthet e saj më të këqija.

Sfida e Evropës tani është të pozicionohet në një peizazh të ri ku fuqia ka më shumë rëndësi sesa rregullat dhe mirëqenia e konsumatorit. BE-ja përballet me tri pyetje të mëdha: nëse do të riorientojë politikën e saj të konkurrencës; si të kombinohen objektivat ekonomike dhe ato të sigurisë; dhe si të shmanget duke u bërë peng i ekonomisë së përparësive të politikës së jashtme amerikane. Përgjigja e të tria këtyre pyetjeve do të kërkojë një ripërkufizim të sovranitetit ekonomik.

Rregulla e konkurrencës

Politika e konkurrencës është çështje debati të ashpër. Disa dëshirojnë të ndryshojnë rregullat antitrust të BE-së për të mundësuar krijimin e “kampionëve” evropianë. Por propozime të tilla janë të diskutueshme. Evropa ka nevojë për më shumë nisma politikash industriale në fusha si inteligjenca artificiale dhe bateritë elektrike, ku ajo rrezikon të mbetet pas fuqive të tjera globale. Rregullatorët që japin gjykime mbi bashkimet dhe ndihmën shtetërore duhet të marrin në konsideratë fushën gjithnjë e më të madhe të konkurrencës globale. Dhe vlerësimet statike të fuqisë së tregut duhet të plotësohen me qasje më dinamike që vlerësojnë inovacionin. Por asnjë nga këto nuk ndryshon faktin se në një botë gjigantësh korporatash, do të kemi nevojë për politika konkurruese më të forta për të mbrojtur konsumatorët.

Logjika ekonomike dhe shqetësimet e sigurisë mund të bien dakord lehtë. Një vendim për të refuzuar një bashkim apo për të autorizuar një investim në dobi të një konkurrenti të huaj politikisht të motivuar mund të ketë kuptim ekonomik, ndërkohë që duket i habitshëm në qarqet e politikës së jashtme. Zgjidhja është të mos përzihemi me rregullat e konkurrencës, por t’i jepet atyre që janë përgjegjës për sigurinë një e drejtë fjale në procesin e vendimmarrjes. Për këtë qëllim, në një artikull të ardhshëm ku kam qenë bashkë-autor së bashku me ekspertë të politikës së jashtme dhe me ekonomistë të tjerë, ne propozojmë që Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë t’i jepet e drejta për të kundërshtuar në bazë të sigurisë bashkimet e propozuara të Komisionit Evropian ose vendimet e investimeve. Shtetet anëtare të BE-së tashmë kanë procedura të tilla dhe kështu duhet të ketë edhe BE-ja.

Së fundmi, BE-ja duhet të bëjë më shumë për të zhvilluar paketën e saj financiare dhe për të promovuar përdorimin ndërkombëtar të euros. Nuk duhet të ketë asnjë iluzion se euro do të zhvendosë dollarin. Por me sinjalizimin e SHBA-së se do të përdorë Wall Street-in dhe dollarin si instrumente të politikës së jashtme, Evropa nuk mund të jetë më një spektator pasiv dhe neutral. Nëpërmjet linjave të shkëmbimit me bankat qendrore partnere dhe mekanizmave të tjerë, ajo mund ta bëjë euron më joshëse për të huajt, ndërsa forcon sovranitetin e saj ekonomik.

(Kosova Sot)