"Debati është shkollë morale për një popull"

Ibrahim Kelmendi

  • 04 April 2019 - 15:11

Filozofi Peter Sloterdijk: "Debati është shkollë morale për një popull"

Këtë mendim të këtij filozofi të tanishëm, të shquar, gjerman, piketova si citat, nga debati që sapo e përcolla, sepse rastësisht më motivoi për të shpreh mendimin: meqë na mungon debati, na mungon edhe kjo shkollë morale. 

Para se ky filozof ta thoshte këtë mendim, shprehu kritikë për mungesë të debatit në Gjermani, edhe pse gjithandej debatohet shumë. Asnjë televizion publik në gjuhë gjermane nuk është pa emisione debatuese, filozofike, sociologjike, ekonomike, politike. Për moderim të emisioneve të tilla janë angazhuar intelektualë të shquar në lëmin e tyre. Ta zëmë filozofi Sloterdijk e menaxhon emisionin: "das philosophische Quartett" (kuarteti filozofik, për shkak se fton edhe tre intelektual tjerë, që janë të shquar në lëmi të tyre profesionale, dhe katër veta debatojnë për tematikën e paracaktuar. Filozofi tjetër David Precht ka emisionin e tij në ZDF, etj.

Në Kosovë kemi vetëm një televizion (pseudo)publik, me disa emisione, gjoja debutuese, por ato nuk u janë besuar intelektualëve më të shquar, por "tezakëve" injorantë. Përse një emision debatues të mos i besohej, ta zëmë filozofit Blerim Latifi (meqë nuk po më kujtohet ndonjë tjetër që është më i angazhuar në debat), por "tezakëve"? Apo një emision debutues për letërsi të mos i besohej Shkrimtarit Adem Gashi? Për lëmi tjera të përzgjidheshin profesionistë sa më të përgatitur.

Para ca kohëve përcolla një debat mes Ismail Kadaresë e Rexhep Qosjes. Ishte tejet produktiv dhe mirë do të kishte qenë të vazhdonte edhe për tematika tjera, jo vetëm për identitetin kulturor.

Në televizion (pseudo)publik nuk ndikojmë dot, të kemi emisione të tilla debatuese, por fatmirësisht FCB ka na ka ofruar një mundësi tejet praktike. Fatkeqësisht këtë mundësi nuk po e shfrytëzojmë. Përkundrazi, po e shpërdorojmë për grindje, në mungesë të kulturës së debatit intelektual e qytetërues.

Kur përgatit manuskript për ta botuar si libër, tekstin ua dërgoj shumë personave, që mendoj se nuk rezervohet për të kritikuar gabimet, kundërthëniet, pasaktësitë, dhe që ofrojnë këshilla të tyre të vyera. Kur të mos kem më kritika e sygjerime, e dorëzoj për t’u botuar. 

Kështu nuk duhet të ketë vepruar Mehmet Hajrizi, kur ka përgatit manuskriptin e titulluar “historia e një organizate politike...” Ai duhet ta ketë ditur që edhe unë kam informacion tepër konkret, si pjesëmarrës i disa zhvillimeve në emigracion, të cilat ai i ka prezantuar gabimisht. Sigurisht, ato kundërthënie e pasaktësi do të reduktoheshin, nëse do kërkonte mendimin tim. Vetëkuptohet, ai duhet t’ua ketë dhanë bashkëveprimtarëve të tij, Hydajet Hysenit, Jakup Krasniqit dhe ndonjë tjetri, por po rezulton se këta, ose nuk kanë pas informacion, ose nuk kanë dashur ta hidhërojnë udhëheqësin e tyre të dikurshëm, meqë pjesëtarët e sekteve vdesin duke respektuar hierarkinë e tyre...

Tashmë libri është botuar dhe mund që në ndërkohë Mehmeti është ndërgjegjësuar, si Adem Demaçi, i cili shpesh e përsëriste: “po të kisha pas mundësi me i hëngër shumë publikime të mijat, do t’i haja me kënaqësi...” (parafrazim).

Fatkeqësisht, as tani, kur e “problematizova” përmbajtën e këtij libri, nuk u angazhua vet Mehmeti, shkarazi u paraqit Jakupi por druaj se u “bllokua” për shkak se nuk mund të mbronte ato që nuk mbroheshin dot. Ndërsa Hydajeti dhe të tjerë po shpresoj se janë duke shkruar reagime më të thelluara, për tematikën që po debatojmë, të nxitur nga libri i Mehmetit.

Uroj që të shfrytëzohet kjo mundësi kaq praktike, për debate serioze, sidomos për libra që kanë pretendime për të qenë studimor, për tematikat që trajtojnë.

(Kosova Sot)