Shqipëria dhe Kosova në tollovi demokratike, politike, sociale, juridike e mediatike

Shqipëria dhe Kosova në tollovi demokratike, politike, sociale, juridike e mediatike
Shqipëria dhe Kosova në tollovi demokratike, politike, sociale, juridike e mediatike

Skender Kapiti

  • 05 April 2019 - 08:39

Rinia shqiptare, ndër të parët në Botë që kërkon largimin nga të dyja vendet

Fillimi i ndryshimit për të dalë nga kjo tollovi dhe qorrsokak, apo udhëkryq demokratik, politik, juridik, mediatik dhe shoqëror, ku ndodhet Shqipëria, por edhe Kosova, do të fillojë kur shqiptarët dhe shoqëria shqiptare do ta ndëshkonte demokratikisht, me votë të lirë, ta largonte këtë elitë politike nga pushteti

Nisur nga realiteti dështak dhe traumatik gjithëpermasor e gjithinstitucional: demokratik, politik, ekonomik, social, juridik dhe mediatik, ku ndodhet Shqipëria, ende dhe më keq akoma edhe sot, nuk është se kjo gjendje erdhi papritur, por kjo është në vazhdën e vijimësisë së keqe, të pandërprerë dhe të shpeshpërsëritshme me trauma e skandale politike, paqëndrueshmërie dhe jostabiliteti, gjendje e cila ka 30 vjet që nuk po ndryshon dhe as nuk përmirësohet, por vetëm sa përkeqësohet.

Shqipëria është e mbytur në probleme që kërkojnë zgjidhje. Por nuk po dihet se çfarë problemi nuk ka Shqipëria, apo çfarë problemi është zgjidhur në Shqipëri, dhe nuk duket dhe a nuk është fakt se çfarë problemi kanë zgjidhur politika, shteti, pushteti dhe shoqëria shqiptare në këto 30 vite?!

 Mashtrime dhe dështime të mëdha

Edhe kur dukej se politika e pushteti në Shqipëri zgjidhnin ndonjë problem apo politikë, ajo ishte një zgjidhje emocionale shumë afatshkurtër, por që më pastaj prej kësaj “zgjidhjeje” buronin probleme të tjera edhe më të mëdha. P.sh: çfarë ndodhi në Shqipëri me shtetin ligjor dhe me demokracinë gjatë këtyre 30 viteve të këtij tranzicioni, që fillimisht u dukën si shpëtimtare që po e nxirrnin Shqipërinë nga diktatura?! Asgjë të mirë, por shumë shpejt edhe euforia demokratike dhe shtetligjore u venitën, pasi si ngritja e shtetit ligjor dhe demokracia me standarde moderne vetëm sa rezultuan mashtrime dhe dështime të mëdha.

“Demokracia” dhe “shteti ligjor” tipik shqiptar prodhuan një anarkodemokraci, një drejtësi politike të kriminalizuar e të korruptuar, një anarko-tollovi politiko-demokratike dhe socio-ekonomike, një shtet narko-trafik.

Pra, prej 30 vitesh Shqipëria mbahet peng, e pazhvilluar dhe e prapambetur demokratikisht, civilizisht, juridikisht, ekonomikisht dhe e paintegruar qoftë së brendshmi, por as edhe së jashtmi për në BE. Pra, Shqipëria i ka probleme demokracinë dhe drejtësinë, që më së fundmi falë tërësisht BE-së, por kryesisht SHBA-së, më në fund për ta nxjerrë Shqipërinë nga kjo tollovi, apo qorrsokak demokratik, ligjor dhe politik, ku ndodhet prej 30 vitesh, ato, pra SHBA-ja dhe BE-ja, ndërhynë me këmbëngulje dhe e detyruan me presion politikën dhe politikanët shqiptarë për miratimin e VETTING-ut.

Skandalet e rënda kriminale

Në këtë udhëkryq e tollovi demokratike e juridike është zhytur thellë edhe Kosova, si një kopje identike e Shqipërisë.

Këtë reformë, VETTING-un, për nga rëndësia SHBA-ja dhe BE-ja e konsideronin me të drejtë si reforma jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dhe kjo do të thotë se ato çfarë pseudoreformash të deritanishme të bëra nga politika e politikanët shqiptarë kanë qenë reforma “jetike ”hajnie, vjedhje, grabitjeje e pasurimi e mirëqenie vetëm për ta, për interesat e tyre të ngushta personale,klanore e partizane. Dhe, prandaj edhe armiqtë më të mëdhenj të VETTING-ut ishin politika, politikanët, prokurorët dhe gjyqtarët, si dhe shumica e mediave mercenare politko-korruptive dhe shoqëria civile e kapur dhe e manipuluar nga pushteti e politika. Dhe, prandaj se është një gjendje e tillë edhe sistemi politik dhe drejtësia edhe në Kosovë dhe prandaj janë kundër VETTING-ut edhe atje, edhe politika, edhe pushteti, edhe drejtësia kosovare.

Shqipëria sot ballafaqohet me tollovitë që kanë të bëjnë me pronat e shqiptarëve, me dhjetëra e dhjetëra vendime politike e qeveritare, me ligje e paligje, me gjyqësi e vetëgjyqësi, ato kanë shkaktuar deri edhe humbje të mëdha jetësh njerëzore prej manipulimeve, falsifikimeve, vjedhjeve e grabitje të pronave të qytetarëve dhe të pasurive kombëtare e shtetërore, aq sa pothuajse të gjitha familjet shqiptare janë në gjyqe prej krimeve pronësore politike, prej vendimmarrjeve shtetërore e gjyqësore kriminale shumë qytetarë shqiptarë e kanë mbushur edhe Gjykatën e Strasburgut me padi në kërkim të të drejtave të tyre pronësore.

Pra, tani, pas VETTING-ut, skandalet e rënda kriminale të akumuluara që janë bërë me pronat në Shqipëri priten të shpërthejnë.

Shqipëria është e zhytur në problematika të tjera, pothuajse në të gjitha sferat jo vetëm demokratike, shtetërore, politike, juridike e pronësore, si më kryesoret të cituara më lart, por në Shqipëri janë problem edhe mediat të cilat shumë prej tyre akuzohen se janë madje edhe zëdhënëse të kauzave antishqiptare.

Probleme të rënda shoqërore janë edhe papunësia, droga, trafikimi i qenieve njerëzore, plehrat e hedhurinat, ndotja dhe rrënimi i ambientit, ujit, ajrit e territorit; varfëria, arsimi, pensionet, shëndetësia si dhe kryeproblemet me krimin e korrupsionin, probleme që janë bërë madje edhe shqetësime ndërkombëtare për BE-në, pasi prej këtyre dhe prej kësaj gjendje të rëndë paqëndrueshmërie politike, pasigurie juridike, pasigurie pronësore dhe ekonomike, prej humbjes së besimit dhe të shpresës, akoma sot shqiptarët janë dhe mbeten shqetësim ndërkombëtar për numrin e madh të azilkërkuesve , për eksodin ku shqiptarët dhe Rinia shqiptare janë nder të parët në Botë që kërkojnë largimin nga Shqipëria. Kurrë në historinë e shqiptarëve asnjë armik e pushtues i huaj nuk mundi dhe nuk i bëri kaq shumë dëm edhe imazhit kombëtar sesa elita politike shqiptare e këtyre 30 viteve. Kjo elitë politike e keqe, antipublike dhe antikombëtare, e papërgjegjshme, e kriminalizuar dhe e korruptuar, do të shënohet si turp dhe fatkeqësi kombëtare, pasojat dhe dëmet e së cilës janë të mëdha dhe të zorshme për t’i ndrequr e përmirësuar dhe që do të kushtojnë shtrenjtë dhe do të kërkojnë mund dhe shumë kohë për të ndryshuar gjendjen drejt ndryshimit për nga përmirësimi dhe nga më e mira. Fillimi i ndryshimit për të dalë nga kjo tollovi dhe qorrsokak apo udhëkryq demokratik, politik, juridik, mediatik dhe shoqëror, ku ndodhet Shqipëria, por edhe Kosova, do të fillojë kur shqiptarët dhe shoqëria shqiptare do të ndëshkonte demokratikisht, me votë të lirë, ta largonte këtë elitë politike nga pushteti.

(Kosova Sot)