A duhet të kthehet dialogu në pikën zero?!

A duhet të kthehet dialogu në pikën zero?!

Bislim Aliu

  • 10 prill 2019 - 08:44

Vetëm formimi i një grupi të unitetit politik për dialog do ta shpëtonte Kosovën nga ndarja

Ky ekip negociatorësh gjithsesi paraqet mjerimin dhe gjendjen politike të Kosovës në përgjithësi. Pra, një grup negociatorësh, i cili nuk ka kredibilitet në popull, por besa as që ka njohuri të intelektualizmit politik. Ndaj, ky grup paraqet dhembjen e madhe shpirtërore në dialogun final me Serbinë.

Ky grup negociatorësh është një farsë e dialogimit dhe paraqet mjerimin e vazhdueshëm të politikës kosovare në përgjithësi.

Pra, një grup negociatorësh, i cili po e vazhdon dialogun shterp dhe që nuk i solli asgjë të re Kosovës. Ndaj, që nga fillimi kemi hyrë në dialog tërësisht të papërgatitur dhe të pastudiuar fare domethënien e tij! Dhe, mbi të gjitha, kemi hyrë në dialog pa asnjë kusht të kërkuar nga Serbia. E dihet mirëfilli se Serbia gjenocidale ka bërë krime të tmerrshme në Kosovë.

Pra, ka bërë vrasje, masakrime, dhunime dhe djegie, të cilat kapin shumën e miliarda eurove. Ndaj, për të gjitha këto të “zeza” që i bëri Serbia, e të hysh në dialog pa asnjë kusht; me të vërtetë është një tradhti kombëtare, shtetërore, njerëzore e demokratike. A thua, cili shtet në botë do të hynte në dialog me shtetin gjenocidal pa asnjë kusht? Këtë e bëri vetëm Kosova, e cila nuk e ndjeu dhembjen e vrasjeve, masakrimeve, dhunimeve, të pagjeturve… Ndaj, gjysma e Kosovës na u mbush me varre që i shkaktoi Serbia, ky është mallkimi më i madh që po e bën populli në pushtetarët tanë, të cilët i harruan dhembjet më të mëdha të popullit për vrasjen e më të dashurve të tyre?!

Të gjithëve na kujtohet fare mirë fillimin e dialogut, të cilit ekipi ynë i thoshte dialogu teknik dhe se duhet të hyhet në dialog, i cili do të shkonte në të mirë të Kosovës!

Megjithatë, kjo ishte një farsë, meqë dialogu ishte fund e krye politik! Dhe, për këtë, u nënshkruan një mori marrëveshjesh, të cilat Serbia asnjëherë nuk i zbatoi. Pra, kemi rënë në kurthin e Serbisë gënjeshtare, e cila dialogun përherë ajo e dirigjonte, duke folur gjithnjë për problemet e brendshme të Kosovës?! Pra, kemi hyrë në dialog pa njohje reciproke, e ajo besa gjithnjë e ka përsëritur se ne asnjëherë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës?!

A thua, çfarë roli po luan ky grup negciatorësh?!

Pa dyshim, ky grup negociatorësh është një turp i madh i shtetit të Kosovës. Dhe, gjithsesi paraqet mjerimin dhe gjendjen politike të Kosovës në përgjithësi. Pra, një grup negociatorësh, i cili nuk ka kredibilitet në popull, por besa as që ka njohuri të intelektualizmit politik. Ndaj, ky grup paraqet dhembjen e madhe shpirtërore në dialogun final me Serbinë. Vetëm formimi i një grupi të unitetit politik për dialog do ta shpëtonte Kosovën nga ndarja e saj dhe do ta kthente dialogun në pikën zero.

Ky grup i formuar nga partitë minore, i përbërë pa kredibilitet dhe pa konsensus, nuk do të na sjell asgjë të re. Do të jetë vetëm vazhdim i dialogut shterpë. Një grup, i cili vepron sipas modelit të partive në pushtet dhe që merret vetëm me interesa klanesh, partiake e familjare, duke e përdorur politikën si ndërmarrje për punësim! Pra, është një grup ku Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj i punësuan nipërit dhe tezakët e tyre në këtë grup negociatorësh me Serbinë?!

Kjo me të vërtetë, është një fatkeqësi kushtetuese, shtetërore, ligjore e demokratike. Kjo tregon sheshazi se politika kosovare, sa e paskrupullt dhe e pamoralshme është. Pra, të punësohen disa të rinj, pa eksperience politike e jetësore dhe të bëhen pjesë e grupit negociatorësh, a thua a s’është kjo fatkeqësi dhe mjerim politik?! Dhe, për këtë edhe mund të pyesim, a thua, deri kur duhet të luhet me shtetin dhe me fatin e këtij populli?! Zaten, me këtë po i tregojmë botës se ne si shtet nuk jemi serioz dhe me këtë qartas po ia humbim namin shtetit të Kosovës, duke u shndërruar si një “Ent për punësim”.

Në mbrojtje të shtetit

Andaj, ne si Kosovë kemi ardhur në një moment kritik të dialogimit. Ne nëse vazhdojmë kështu kemi ardhur shumë afër ndarjes. Pra, po bëjmë një dialog koti, shterpë dhe pa farë suksesi përparimtar. Mu për këtë mendoj se dialogu duhet të bjerë në pikën zero. Këtë do ta bënte vetëm formimi i një grupi të unitetit politik, i cili do ta shpëtonte Kosovën nga ndarja e saj.

Andaj, nuk ka lojë me shtetin dhe me pavarësinë e saj. Zaten këtë e do shteti dhe këtë e do populli. Ja sot ja kurrë na duhet uniteti. Andaj, mos hezitoni, por bashkohuni, sot nesër e gjithmonë dhe mbronte shtetin, popullin dhe pavarësinë e saj. Këtë mundemi dhe patjetër duhet ta bëjmë, gjithsesi.

(Kosova Sot)