Trekëndëshi i pamundësive të Brexitit

Trekëndëshi i pamundësive të Brexitit
Trekëndëshi i pamundësive të Brexitit

Emily Jones & Calum Miler

  • 15 April 2019 - 10:45

Largimi i Britanisë nga BE-ja

Me shtyrjen e fundit të Brexitit nga BE-ja, çdokush ka të drejtë të pyesë pse procesi po zgjat kaq shumë. Përgjigjja e shkurtër është se Qeveria dhe Parlamenti i Britanisë së Madhe po përpiqen të arrijnë tri qëllime të papajtueshme: ruajtjen e integritetit territorial të vendit, parandalimin e kthimit të një kufiri të fortë mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës dhe mundësimin për të arritur marrëveshjet e veta tregtare.

Britanikët përfundimisht janë duke u ballafaquar me faktin se vetëm dy prej këtyre objektivave mund të përmbushen në çdo kohë. Kjo nënkupton se ekzistojnë tre skenarë themelorë për të ecur përpara me Brexit.

Tre skenarët

Skenari i parë përqendrohet te një “union i tregtisë së lirë”, i cili do t’i jepte autonomi Britanisë mbi politikën tregtare dhe integritetin territorial në këmbim të kthimit të një kufiri të fortë (fizik) në Irlandë.

Autonomia e politikës tregtare kërkon që Mbretëria e Bashkuar të largohet nga bashkimi doganor i BE-së dhe nga tregu i përbashkët. Në secilin rast, kontrollet doganore dhe rregullatore duhet të vendosen në kufirin midis Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Megjithëse disa kanë sugjeruar se teknologjitë e reja mund të shmangin nevojën për pikat kufitare fizike, asnjë teknologji e tillë nuk ekziston. Prandaj, një rrezik madhor në këtë skenar është se kthimi i një kufiri të vështirë do të rrezikonte Marrëveshjen e vitit 1998 të së Premtes së Mirë, e cila përfundoi disa dekada të dhunës në Irlandën e Veriut.

Skenari i dytë do ta ofronte një përgjigje për çështjen irlandeze. Mbretëria e Bashkuar mund të gëzojë autonominë e politikës tregtare pa një kufi të fortë në Irlandë duke sakrifikuar integritetin territorial.

Kjo do të përfshinte mbajtjen e Irlandës së Veriut në bashkimin doganor të BE-së dhe tregun e përbashkët duke krijuar një kufi në Detin Irlandez, d.m.th. midis Irlandës së Veriut dhe Britanisë së Madhe.

Problemi me këtë marrëveshje është se pjesë të ndryshme të Britanisë së Madhe do të kishin rregulla të ndryshme tregtare.

Jo vetëm që unionistët në Irlandën Veriore do të kundërshtonin të ndaheshin nga pjesa tjetër e Mbretërisë së bashkuar, gjë që do ta rriste rrezikun për konflikt, por Skocia me gjasë do ta kërkonte një raport më të afërt me BE-në. Dhe, nëse skocezët do të vendosnin ta mbanin një referendum tjetër të pavarësisë, atëherë tërë Mbretëria e Bashkuar mund të rrezikohet.

Sipas skenarit të tretë, Britania e Madhe mund të shmangë çështjen irlandeze dhe të ruajë integritetin e saj territorial, por do të duhet të braktisë vizionin e “Britanisë së Madhe” duke mbetur si në bashkësinë doganore ashtu edhe në tregun e vetëm.

Sipas këtij skenari, nuk do të kishte autonomi kuptimplote mbi politikën tregtare. Kjo është esenca e propozimit “Common Market 2.0”, që është vënë para Dhomës së ultë të parlamentit.

Pas Norvegjisë, Britania e Madhe mund të përjashtohet nga Politika e Përbashkët Bujqësore dhe Politikat e Përbashkëta të Peshkimit, duke zvogëluar kontributet e buxhetit të saj në BE. Por ende do të duhej të lejonte një migrim të rëndësishëm nga BE-ja. Po ashtu, Britania do të ishte nën juridiksionin e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, megjithëse në mënyrë indirekte.

Për më tepër, edhe një bashkim doganor i thjeshtë me BE-në, nuk e zgjidh ‘trilemën’ e Brexitit.

Politika tregtare

Derisa kjo do t’ia jepte Britanisë kontrollin ndaj imigracionit, ajo do të kërkonte kontrolle të reja rregullatore midis Britanisë dhe BE-së. Kjo po ashtu d.m.th. se Britania do të përjashtohej nga shërbimet e tregut të përbashkët, i cili përbënte rreth 40% të eksporteve britanike në BE në vitin 2017, duke shkaktuar një bilanc pozitiv prej 36 miliardë dollarësh.

Trekëndëshi i pamundësisë së Brexitit e bën të qartë se pse marrëveshja e tërheqjes së Kryeministres së Mbretërisë së Bashkuar Theresa May u hodh poshtë.

Si një traktat për dalje, ai lë të hapur detajet e marrëdhënieve të ardhshme të Mbretërisë së Bashkuar me Bashkimin Evropian, por ai përfshin një angazhim ligjërisht detyrues për të parandaluar kthimin e një kufiri të fortë në Irlandë.

Sa i përket trilemës së Brexitit, marrëveshja e May-it përjashton skenarin e parë të një “unioni të tregtisë së lirë”, por lë zgjedhjen e pashmangshme ndërmjet autonomisë së politikës tregtare dhe integritetit territorial për fazën tjetër të negociatave të Brexitit.

Është kjo paqartësi që shqetëson shumë deputetë. Nga ana e tyre, mbështetësit e fortë të Brexitit janë të përkushtuar që të sigurojnë autonomi ndaj politikës tregtare, gjë që d.m.th. se ata do të pranonin një kufi përmes detit irlandez. Por, më pas Skocia do ta kërkonte marrëveshjen e saj speciale karshi BE-së, duke e vënë Britaninë në një rrugë të tronditjeve kushtetuese dhe, mundësisht edhe shpërbërjes së saj.

Evitimi i këtij skenari nënkupton sakrifikimin e autonomisë rreth politikës tregtare, për hir të Marrëveshjes së Premtes së mirë dhe integritetin territorial. Por, kjo do t’i shqetësonte brexitersat e flaktë dhe do të mund ta ndante Partinë konservatore, një rrezik të cilin Theresa May ka hezituar për ta ndërmarrë.

Udhëheqësit britanikë duhet të pranojnë se të gjitha skenarët e Brexit përfshijnë kompromise, dhe vendi ka nevojë urgjente për të mbajtur një debat kombëtar për të renditur preferencat e elektoratit. Ndryshe, Britania e Madhe do të vazhdojë të vuajë kostot e pasigurisë dhe pavendosmërisë.

Por, natyrisht, një debat i duhur kërkon një udhëheqje efektive që krijon hapësirë ëpër kompromis. Vetëm duke punuar së bashku do të arrijë Mbretëria e Bashkuar në një rezultat që të gjithë mund ta respektojnë dhe të jetojnë me të.

(Kosova Sot)