Bojkoti – shprehje shekullore

Bojkoti – shprehje shekullore
Bojkoti – shprehje shekullore

Shefik Shkodra

  • 16 April 2019 - 08:27

Rrota historike për një ditë kthehet prej drite në errësirë

 Nuk ka inteligjencë të mirëfilltë duke vrapuar pas ndonjë rrëzginë plehu!...Kur ata botërisht dalin nëpër ato dritaret e përditshme dhe e mbrojnë krimin dhe kriminelët. Intelektualët shqiptarë të sotshëm e kanë bojkotuar dhe robëruar shpirtin e tyre! Ata, për interesa e lakmi personale, i bojkotojnë gabimisht idetë dhe kolegët e tyre të deridjeshëm!...

Shqiptarët, si duket, nuk i kanë llogaritur asnjëherë pasojat e këtij populli gjatë gjithë historisë. Gjithnjë, mendoj, duke mos pasur një bindje në vetvete se; duke lënë kryesoren pas lakmisë së përkohshme, sidomos kur bëhet fjalë për jetën e pavarur qytetare. Sigurisht,në mendjen kolektive shënon diçka të pamundshme, diçka jetëshkurtër. Të përshtatshëm gjithmonë. Prandaj parulla e tyre del: rrëmbe sa mundesh, jeto këto ditë të rastësishme! S’ishim e jemi sot, disa që nuk e kanë ëndërruar veten në “karriget” e majave. Dhe shkurt, të pa kulturuar e të pa emancipuar në punë atdhetare. Në luftë ndaj njëri-tjetrit. Kabinetet e ëndërruara dikur, janë mbushur me këshilla për intriga e spica me mjeshtëri...ndaj palës tjetër, në mes veti, jo kundër armikut.

Kameleonët përpiqen me mish e me shpirt pas pushtetit

Kalojnë ditët, muajt, vitet. Shumë shpejt koha ikë. Kujtimet nuk zhdukën nga mendja, njësoj si ato të shkruara. Rrota historike sillet bashkë me kohën. Ashtu e marrim me mend. Ashtu është. Me të mira e me të këqija. Populli thotë: “një fjalë e mirë me të mbetë...!” Për njëzetekatër orë ndërron sjellja e krejt sferës. Rrota bluan, bluan në ingranazh. Dikujt i ka mbetur fjala e mirë. Fatkeqësisht, ndonjërit i ka mbetur tiketë e pashlyer ajo më e keqja. Si bashkëpunëtor i huaj. Si dëmtues i vëllazërisë e vendit. Si e mira edhe e keqja përcillen brez pas brezi. Shumëkush ka gabuar e ndonjëri përpiqet ta eliminojë atë. Edhe ne të tjerët, që i dimë dhe i njohim, jemi për ta shlyer atë të keqe, qoftë fjalë apo vepër, sepse nuk kemi kurrfarë fitimi ndryshe. Megjithatë, ka gomarë që ishin e janë të pavetëdijshëm, shumë primitiv e të interesit personal. Për ata nuk vlen tjetër pos bojkotit. Edhe pse kjo nuk do të na konvenonte. Po ata zagarë të djeshmit që eronin pas opingave të Serbisë nuk po pendohen. Nuk kërkuan falje për atë që ua bënë vëllezërve në ato kohë. Kameleonët përkundër, përpiqen me mish e me shpirt pas pushtetit. Sundimtar! Fare nuk skuqen. Kanë fytyrë të gjerë. E mendja e tyre është e ngushtë dhe e ngrysur. Ata që dikur cëriteshin me përbuzje kur e shihnin në ndonjë vend apo rrugë “irredentistin”, që po ua prishte ‘hesapet’ me atë regjimin e ndyrë (në mes tyre ka pasur edhe njerëz të mirë), trimat shanin. Topuzët e drejtonin kokën kah horizontet e largëta...Nuk shikonin për tokë. Aq primitivizëm ishte, kur njeriu analfabet i veshur me kollare e rroba që s’mund t’ishin për të, mësa shala për gomarin! Po atij ia kishte ndezur motorin nga prapanica pushteti i fortë. Krejt bota rrafsh për të. Aspak nuk mërziteshin, kur ta kthenin shpinën. Fare s’e ndienin veten keq, kur të pyesnin, “ti më duket je diferencuar”, do të thotë, se edhe miqësia mund të ndryshonte tash e tutje. Eh! shqiptar, kur do të mbushemi mend. Kur do ta ruajmë njëri-tjetrin. Kur do ta ndalim hajdutërinë në “magjen” e përbashkët të këtij vendi të vogël. Kur do të funksionojë ligji shtetëror për të gjithë njësoj. Shumë e pabesueshme na ka dalë kjo etapë historike! Shumë turpshëm e përjetuam këtë kohë duke bërë këtë politikë për jashtë e për brenda çervish! Me hajdutë dhe me injorantë. Të gjitha po duan me na dalë prej dore. Fakti që këta ‘vocërrakët’ e mendjes së interesit janë dorëzanë nga forcat e jashtme, që po duan të bëjnë çfarë të duan me këtë popull e me këtë vend, është edhe një shkallmim e dhimbje e pashërueshme! Rrota historike për një ditë kthehet prej drite në errësirë. Do të përpiqemi të shfajësohemi? Do të përpiqemi të mos bojkotojmë njëri-tjetrin, ta kërkojmë sërish miqësinë? Do të provojmë të jetojmë vëllazërisht në këtë vend të lumtur? Apo politika e dorëzuar, e dizajnuar, ri-sakrifikon me qëllim këtë popull të mjerë?! Kush e dekoron veten në krahun e dorëzanit dhe shkel të tjerët?! “Hë! më njeri i zoti se ai filani nuk ka!” Pas lufte. Nuk e dinim se, ai e ky filani ishin me pushkë në dorë kundër njerëzve, kundër kombëtarëve. Kush merrte vesh. Shumë vonë po shihen planet e ndërthurura. E fëlliqtë!...

Naiviteti i disave me idealin e hershëm i shkatërroi

Në disproporcion të madh në mes sundimtarëve dhe klasës së mbetur në baltë. ‘Çka ta bën i yti, s’ta bën i huaji!’ Spiunët ishin të gatshëm të hulumtonin çdo individ dhe grup, po qe se pëshpëritet diç lidhur me nacionalizmin shqiptar. Individët përcilleshin special me njeriun e caktuar, si shok a mik. Askund dhe me askënd nuk mund të lëshoje fjalë. Asnjë figurë kulturore, historike letrare nuk mund të zije në gojë. Vetmia e kishte kapluar shumicën. Robotizime. Meqenëse ta bënin me “gisht”, as vetë me veti nuk do të ishe i sigurt të mendoje për diç të tillë. Jo nga frika! Çdo gjë që lëvizje do të duhej të ishte në funksion të asaj që është e përgjithshme. Të gjitha shoqëritë amatore nëpër fshatra e qendra dirigjoheshin e vlerësoheshin nga “analfabetët”, duke ua kontrolluar programin e përgatitur për “festat shtetërore”dhe kremte të tjera. Ai që zihej me ndonjë këngë a vjershë, që theksohej diç për heronjtë dhe historinë shqiptare, do ta paguante, më parë me largim nga puna, së dyti edhe me burg. Kështu zapi ishte i madh. Spiunët ishin të kurdisur çdo kund. Ata pushteti i kushtëzonte me ndonjë pasaportë ndonjërin, tjetrin me një vend pune si “partiash”, si udhëheqës në administratë, në gjyqe, në Komitete të LK, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në shkolla, në spitale e ambulanca (shpesh kur ndodhte të shkoje me ndonjë fëmijë, ishe i përbuzur po prej atyre që kishin dalë nga duart e tua), ishin në gjendje për një fjalë ta thërrisnin “forcën shtetërore”. Po spiunët kanë luajtur rolin e agjentëve të fshehtë: në familje dhe rreth saj, në rrugë, në kafe, në punë...Filloi të ndahej populli në “shqiptarë të ndershëm” dhe në “nacionalistë e irredentistë”. Këtë parullë e hodhi armiku dhe bashkëpunëtorët. Nacionalistët e kishin nofkën dhe nuk mund të flitej me ta. Nuk mund të qëndronin bashkë me “shqiptarët e ndershëm” as në dasma e as në vdekje. Pra, për këtë grup nuk do të gjendej shprehje në mese të tjerëve, përveç izolim me familjet e tyre, lëçitje (shprehje nga populli që ta marrin vesh edhe ajo klasa analfabete) se, duhet bojkotim për tipat që merren me nacionalizëm. Kështu izolimi ishte fakt për një kohë. Disa panlaverë (të rinj e të vjetër, madje të rrethit familjar), kur mësimdhënësit i kishin lejuar të kryejnë shkollë pa meritë. Po duke parë varfërinë e familjeve tona, ‘le ta kryejë e të hyjë diku në punë!’ Kishin gjetur punë nëpër organizata tregtare, administratë, banka, etj. Ata kur të hetonin se ka hyrë aty dikush prej ‘nacional-irredentistëve’ e kthenin kurrizin. Nuk ta përmendte emrin. Ta përplaste deriçkën e sportelit me nervozë. Ka qenë e dhimbshme! Qenie njerëzore të mjerë! Ata sot të flasin dhe u flet, të shikojnë në sy, sikur ishe gjithmonë i dashur për ta. Dhe është dashur ta harrosh të atëhershmen, kur ta shanin nënën e të injoronin: “çka po donë këta idiotë?! na e prishën ‘rahatinë” dhe jetesën tonë të begatshme e pa mundi në këtë shoqëri! Besnikët e idesë edhe sot po vijojnë ta shohin greminën nga këta tipa. Edhe tash po cëritën e zgërdhihen, me ironi flasin.

Një analogji e një emri të shek. XIX

Shprehjen për izolim, përafërsisht e themi edhe veçim, mospërfillje të personit, të idesë, mallit, e gjësendit, e përdorim me bojkotim kurdoherë kur e kemi një qëllim. Një kohë jo fort larg, para tridhjetë vjet, regjimi i Serbisë në emër të Jugosllavisë, e solli diferencimin ndër shqiptarë si metodë për identifikimin e lojalistëve dhe nacionalistëve. Kjo u shpërnda pas viteve të tetëdhjeta nëpër të gjitha institucionet arsimore, kulturore dhe në çdo organizatë punuese e lokalitet, u tha më lartë. Me këtë rast, duam ta bëjmë krahasimin e një emri në shek. XX. Faik Konica duke bërë një hyrje për një artikull, më 1908, për bojkotimin e mallrave të Austro-Hungarisë, nxitur nga Anglia e në përkrahje nga ana e Xhon Turqve, që të zbatohet edhe nëpër terrenet ku ata dëshironin e përfitonin. Konica e shpjegoi fjalën bojkotoj, bojkotimi, bojkoti, e cila shprehje kishte zënë fill nga viti 1880. Pra, në këtë kohë, në Irlandë ishin ndarë në dy grupe qytetarët e atjeshëm si shqiptarët kohëve të fundit: në ata të Anës Kombëtare dhe në besnikët të cilët punonin për pushtetin që e sundonte atë vend.

“Me 1880, Ana Kombëtare e Irlandës lidhi fjalë të veçojë gjithë kundërshtarët e saj dhe t’i lodhë”, ta braktisin vendin ose të kthehen në Anën Kombëtare. Do të thotë, Ana Kombëtare kishte vendosur të përcjellë të gjithë ata që nuk janë me ta, por që spiunonin në dëm të tyre. Kështu filluan angazhimi në këtë mënyrë: “Këtë politikë e nisi me një ‘jyzbash’ (kapiten) të quajtur Bojkot (Boycott), që rronte në një tokë të tij në Mayo (Irlandë), dhe vente pas mendimeve t’Englizëve, të cilët kanë qenë edhe janë mundonjësit e së mjerës Irlandë.” Porosia ishte që këtë kapitenin të mos e përfillnin Ana Kombëtare në asnjë punë; të mos e përshëndesnin, të mos i shitnin as të mos blinin asgjë prej atij, por as të mos e qortoni apo ngacmonin asgjë. Për një kohë personi i izoluar në fjalë u mundua të qëndrojë, pa mundur të dalë as jashtë shtëpisë, duke i dërguar ndihma anglezët në ushqim dhe gjëra të tjera me shumë vështirësi. Por kot. Erdhi çasti, kur iu desh të lë çdo gjë dhe të largohej nga Irlanda. Pra, që nga kjo kohë (1880), emri i bojkotit (Bojcott) u bë shprehje e përditshmërisë e pjesë e ligjëratës ndërkombëtarisht, si emër bojkotimi, mbiemër bojkotuar, si folje bojkotoj; në anglisht: to boycott; në frëngjisht: boycoter, kur duam të mos përfillim, të izolojmë, ta veçojmë, të kundërshtojmë njeriun, idenë, mallin, etj. Sot te ne pas aq kohe jemi në bojkot, por nuk është e qartë kush kë po e bojkoton. Dikur e bojkotonim Serbinë me plan-programe, me politikë, kulturë, shëndetësi, po sot? Shumë gjëra janë të përziera në këtë kohë të lirisë tonë, këtu në mes veti. Opinioni publik ka mbetur në huti shpeshherë. Nuk di njeriu kë ta luftoj e bojkotoj, kë ta përkrahë e ta ndihmojë. Asnjë lutje nuk vjen në shprehje për këta njerëz që po i prijnë një sistemi autokratik kaq kohë. Një e shohim qartë: Të gjithë me ato partitë e tyre bëjnë turr që të zënë vende në zyrat e pushtetit. Jo për ta shtrirë një program kombëtar për shpëtim e zhvillim të përgjithshëm, por për të fituar pak forcë pushteti. Për të pasur mundësi ta shfrytëzojnë një pjesë të pasurisë shtetërore e private. Të kenë mundësi të vijojnë me parullën e nepotizmit në praktikë. Të mos u japin askujt llogari. Kaq përafërsisht. Pra, çka mund të bojkotohet këtu? Që të gjithë e kanë mësuar parullën Pronto.

Që të gjitha këto parti kërkojnë t’arrijnë suksese familjare e klanore. Këto deri më tash gjë s’lanë pa mbrapshtuar. Që të gjithë janë robër të parasë dhe mallit! Bojkoti i anës kombëtare ka mbetur bosh, sepse kemi një inteligjencë që s’është më si do hera. Është ngurrë kulturalisht! Edhe më zgurrë shkencërisht! Është edhe më e interesit personal e klanor, se sa partitë në pushtet!...Nuk ka inteligjencë të mirëfilltë duke vrapuar pas ndonjë rrëzginë plehu!...Kur ata botërisht dalin nëpër ato dritaret e përditshme dhe e mbrojnë krimin dhe kriminelët. Intelektualët shqiptarë të sotshëm e kanë bojkotuar dhe robëruar shpirtin e tyre! Ata, për interesa e lakmi personale, i bojkotojnë gabimisht idetë dhe kolegët e tyre të deridjeshëm!...

(Kosova Sot)