“Unë jam hajn, vrasës, matrapaz…”

“Unë jam hajn, vrasës, matrapaz…”
“Unë jam hajn, vrasës, matrapaz…”

Genc Xërxa

  • 16 April 2019 - 08:41

Të garantuar e ke krimin, i cili gjithnjë do të varet a do të jetë “legjitim apo i ndëshkueshëm”

Do të marr valixhet dhe do të iki nga këtu, nga ky vend i nëmur, ju lë ta ushtroni profesionin e përpunuar me vite, bukur mirë.”Do të ikim, të gjithë do të ikim e ju lëmë rehat”!Merrni, merrni, ngopuni…

Çdo ditë është duke u vjedhur mundësia për një punë të dinjitetshme nga nepotizmi dhe pamundësia e konkurrimit të barabartë, çdo ditë po më vidhen të hollat nga buxheti i përbashkët, i cili ishte dashur të krijojë mundësi të mira për mua e ty, por për fatin e keq ata që po disponojnë me këto të hyra po i shndërrojnë në banesa, vetura, pushime, biznese private të tyre. Po me vidhet edhe siguria ime, pasi nuk po ndjehem i sigurt në komunikacion, hekurudhë, vend të punës apo me shëndet. Më kanë kapluar këto vite sëmundjet e këqija si rezultat i jetës së rëndë nga ushqimi i dyshimtë dhe ajrit të helmuar që këto mushkëri thithin në këto hapësira mbeturinash. Kam luajtur mendsh nga streset dhe traumat post-konfliktuoze, ende lëngoj me varrë, ndërsa ti xhelatin e bën të shfajësohet duke më hedhur kripë mbi to, më shtyn që prehjen ta gjejë në radikalo-fanatizëm, bixhoz, alkool, drogë apo ndoshta edhe në prostitucion, vetëm e vetëm se nuk po shoh rrugëdalje tjetër nga kjo situatë.

Tani duhet të lidhemi me gjuhën e parave

Shpesh nga pamundësia e ngopjes së barkut po i lë foshnjat nëpër mbeturina nga vobekësia e shpirtit dhe mendjes që si katrahurë më shpie në duar të djallit. Babanë tim nuk po e duroj më, dëshiroj ta largoj nga shtëpia se më është bërë pengesë në përditshmërinë time. Nuk po ka shtëpi pleqsh që t’i shporrim tutje, pasi nuk arritën asnjëherë të më bëjnë të pasur me jetën e tyre të ndershme të koduar, çmimin që unë tani, pasardhësi i yt po paguaj. Nuk do të ketë respekt as për punëtorin, të vjetrin të mençurin apo të urtin e të respektuarin kurrnjëherë. Kishin pas qenë vlera të marra të dikurshme me ato gjëra që dikur na edukuat, në ato kohërat e mëparshme. Tani duhet të lidhemi me gjuhën e parave dhe sfondin e interesit që nuk zgjedh mjet apo individ drejtë qëllimit tim personal. Nuk njoh familje, prind, mik. Jam në gjendje të shes çdo gjë për pak plaçkë, TY, JUVE…merrni fëmijët, gruan, burrin, prindërit … kë doni vetëm më jepni pak vëmendje dhe pushtet ta shijoj sikur ju. Aroma më e mirë është ajo e fishkëllimës së tubës së parave, do të ndërroja me behar, filiz apo një mëngjesi vese pranverore, sepse këto ishin broçkulla dhe lajthitje që na shitet me dekada.

Të garantuar e ke krimin

Më dënuan “se vodha” pak gjëra në shitore, drejtësia më dha “çmimin e merituar” disa vite. Por unë nuk vodha të nesërmen tuaj, nuk shkrepa me plumb, gaz apo mora jetë që të jem i lirë sikur ju. Jo, nuk bëra krimin që me ligj lejohet të ekzekutohet. Po e vërtetë …të gjithë ata që respektojnë krimin e lejuar janë sot të lirë. Unë duket se u mashtrova me pak ndërsa, tash duhet të paguaj targën e madhe. E vërtetë është se ju më bëtë hajn, vrasës, matrapaz, injorant apo radikal; duke m’i marrë të gjitha të tjerat mundësi në mungesë, ndërsa m’i mvishet vetëm këto gjëra, mallkime t’i shijoj e t’i përjetoj. Nuk më afruat shkollim asnjëherë, nuk më dhatë mundësi të punoj, të gjejë dashurinë dhe të krijoj familje. Por për ju, më lehtë ishte të më bënit, të padijshëm, të varfër, ndërsa personin që dashuroja e bëtë vegël të pushtetit apo marionetë njëpërdorimi. Hë, thoni se JU jeni të kursyer nga kjo, juve s’ju ndodh, se jeni për momentin mirë, mendoni se më ngjan vetëm mua, mashtroheni, shumë mashtroheni!Nëse ti le me vite që të të udhëheq duke vjedhur nga ti, të sotmen, të nesërmen, apo edhe pasnesërmen, dije se edhe ti je pjesëmarrës në këtë mishmash. Po, po edhe ti je hajn, se po i injoron po i le me dekada që të udhëheqin dhe bëjnë me ty çka dëshirojnë. Nga goja jote marrin dhe e mbysin shpresën që vetëm të verbrit mund ta ndjejnë në shikimet e tyre me sfond të errët, mëkat-shenjtërie. Nëse sot unë jam hajn dhe vrasës i të ardhmes, i krijuar nga ATA, dije se nesër as ti nuk ke shpëtim.

Të garantuar e ke krimin, i cili gjithnjë do të varet a do të jetë “legjitim apo i ndëshkueshëm”.”Trupa të përkulur” te Foucalts do të jemi apo kriminelë të pandëshkuar të Dostojevskit që këto ditë pushteti po na i fal. Të gjithë jemi NE hajna, vrasës, nepotistë, korruptues, kriminelë, pasi i zgjodhëm të na udhëheqin dhe mësojnë se si ushtrohet ky zanat, që ne nesër të jemi pjesë e planit të tyre, po, po, bashkëpjesëmarrës. Pra, ”rroftë krimi i lejuar dhe mosndëshkimi i veprave kriminale”, këta jemi NE… të gjithë …pa përjashtime! Do të marr valixhet dhe do të iki nga këtu, nga ky vend i nëmur, ju lë ta ushtroni profesionin e përpunuar me vite, bukur mirë.”Do të ikim, të gjithë do të ikim e ju lëmë rehat”!Merrni, merrni, ngopuni…

(Kosova Sot)