Politika e papërgjegjshme e kulake, si faktor i emigrimit nga Kosova

Politika e papërgjegjshme e kulake, si faktor i emigrimit nga Kosova
Politika e papërgjegjshme e kulake, si faktor i emigrimit nga Kosova

Sami Behrami

  • 17 April 2019 - 08:34

Lëvizjet migruese të popullsisë sot janë shndërruar në një fenomen të rëndësishëm shoqëror, të cilat karakterizohen me implikime të mëdha për zhvillimet demografike, socio-ekonomike, politike etj. Ato janë shndërruar në determinant shumë të fuqishëm të transformimit të lëvizjes dhe strukturës demografike si dhe e mënyrës së jetesës së njerëzve, si në vendet e origjinës ashtu edhe në ato pritëse Kosova edhe 20 vjet pas çlirimit po ballafaqohet me problemin e emigrimit, i cili mund të konsiderohet 'Thembra e Akilit", me pasoja të gjera në të gjitha segmentet e jetës. Kosova historikisht ishte dhe mbeti territor tipik emigrues, intensiteti i të cilave në masë të konsiderueshme varej nga faktorët politikë, ekonomikë, socialë, historikë, demografikë etj.

Niveli i ulët i zhvillimit ekonomik, shkatërrimet nga luftërat si dhe situata jo e favorshme politike, janë faktorët kryesorë që ndikuan në shpërnguljen e popullsisë së Kosovës. Megjithatë, emigrimet e popullsisë nga Kosova vazhduan edhe pas luftës së vitit 1999, në Kosovën e lirë, edhe pse paraprakisht ekzistonte bindja se me lirinë dhe pavarësinë Kosova do të shërohej edhe nga kjo plagë e vjetër shekullore. Nuk ka dyshim se fajtori kryesor për këtë gjendje janë qeveritë e Kosovës së pasluftës, të cilat bënë shumë pak për zhvillimin ekonomik të saj, përkundër paralajmërimeve të shumta nga institucionet vendorë, e veçmas ato ndërkombëtare, të cilat dy parametrat kryesorë ekonomikë: papunësinë dhe varfërinë, i cilësojnë si faktorë kryesorë që rrezikojnë stabilitetin e Kosovës.

Raportet e organizatave ndërkombëtare (UNDP) tregojnë se në Kosovë në varfëri jetojnë 34% e popullsisë, ndërsa 18% në varfëri të skajshme. Pra, në Kosovë në varfëri jeton çdo i treti banor, ndërsa në varfëri të skajshme 5.5 banorë. Me shkallë të papunësisë 35-40%, ku mbi 75% të papunëve i takojnë grupmoshave më aktive, 16-39 vjet, atëherë problemi vetëm sa thellohet. Shqetësuese është fakti i rritjes se papunësinë edhe te personat me arsimim të lartë, duke filluar nga viti 2006, që ka ndikuar në rritjen e kësaj kategorie në pjesëmarrjen e emigrantëve (nga 17% në 31.5% në periudhën e pasluftës). Sipas ekspertëve të ekonomisë në periudhën pasluftës, Kosova ka pasur një rritje ekonomike, e cila ka qenë e varur nga konsumi, nga investimet publike, nga shpenzimet qeveritare, e cila nuk mund të konsiderohet rritje e qëndrueshme. Kjo rritje gjithashtu ishte e pamjaftueshme për të zbutur problemet ekonomike dhe sociale, siç janë papunësia dhe varfëria.

Ku shkojnë kosovarët, pse në Kosovë nuk rrinë

Në periudhën e pasluftës së vitit 1999 nga Kosova në drejtim të vendeve të Evropës dhe vendeve tej oqeanike kanë emigruar rreth 350 mijë banorë, me një mesatare prej mbi 19 mijë persona brenda vitit. Megjithatë, problemi nuk qëndron vetëm nga aspekt sasior ( ne, numri i të emigruarve), por problemi edhe më madhor është aspekti cilësor, i cili manifestohet në strukturën e popullsisë, e cila mbetet. Emigrojnë të rinjtë e arsimuar, të përgatitur për treg pune, të cilët kanë vullnet për punë, të cilët janë të aftë për tregun e punës, të cilët bartin barrën kryesore të zhvillimit demografik, social e ekonomik të vendit.

Gjithsesi, motivet ekonomike janë dominuese kur është në pyetje emigrimi i të rinjve drejt vendeve perëndimore, por në rastin e Kosovës ekzistojnë edhe motive tjera shtesë, të cilat do të duhej të shqetësonin qarqet politike të vendit, si vendimmarrëse dhe përgjegjëse për zhvillimin e vendit. Nuk e di cila qeveri ose politikë nuk do të ndihej përgjegjëse për mungesë të zhvillimit ekonomik të vendit, nëse gjysma e popullsisë së vendit dëshiron që të largohet nga vendi, siç është rasti i Kosovës, ose vendi ku vetëm në një ambasadë ka mbi 50 mijë kërkesa për viza pune, siç është rasti me ambasadën Gjermane në Kosovë.

Edhe pse shumica emigrojnë për shkak të punës, ka edhe një numër të madh faktorësh me të cilët ballafaqohet shoqëria kosovare që po përshpejtojnë procesin e emigrimit: siç janë: padrejtësitë në të gjitha sferat e jetës, nepotizmi ose partiakomania, duke ua venitur shpresat rinisë dhe popullsisë së aftë që mundi dhe përpjekja e tyre për jetë më të mirë, përpjekjet e tyre në tregun e punë do të paguhen në mënyrë adekuate. Njerëzit janë të pakënaqur me kualitetin e jetës në Kosovë në përgjithësi. Nuk janë të kënaqur me vlerat e krijuara nga sistemet qeverisëse të pasluftës, të cilat nuk ndryshojnë në Kosovë. Njerëzit kërkojnë një sistem të vlerave të mirëfillta, në të cilin jeta do të zhvillohej në mënyrë normale, e bazuar në vlera e jo në nepotizëm, anime partiake, duke mënjanuar meritokracinë si vlerë. Për të qenë ironia edhe më e madhe, shpeshherë kemi dëgjuar politikanët kosovarë duke u bërë thirrje qytetarëve që të rrinë në Kosovë, të mos e lëshojnë Kosovën.

Qytetarët, në vendin e të cilëve nuk kanë punë, janë me fakultete e nuk kanë shanse për punë, familjet e tyre jetojnë në varfëri të skajshme, fëmijët e tyre nuk kanë çka të hanë, sepse nuk janë të afërt me politikën, nuk kanë lidhje familjare me 'të fortët" etj., duke ushtruar presion psikologjik me padrejtësi në të gjitha segmentet e jetës, duke filluar nga degradimi i sistemit shëndetësor, arsimor e kulturor, e deri tek mohimi i punësimit, për shkak se të gjithë politikanët pa dallim u përkujdesën për punësimin e familjarëve të tyre dhe të militantëve partiakë.

Partiakomania dhe nepotizmi, si faktorë të emigrimit

Sot, në Kosovë është realitet se pakënaqësia e popullit, e sidomos rinisë, është shumë e madhe. Është realitet i hidhur se lidhjet dhe njoftuesit janë të domosdoshme që nga regjistrimi i fëmijëve në çerdhe e ndoshta edhe me herët që në lindje e deri te vizitat mjekësore. Fatkeqësisht "kultura" në të gjithë zinxhirin e përparimit dhe ngritjes profesionale bazohet në linja partiake dhe nepotiste. Tregu i punës është deformuar plotësisht, kriteret profesionale të konkurseve janë zëvendësuar me kriterin nepotik dhe institucionet vazhdojnë të mbushen me familjarë të njerëzve në pushtet e me militantë partiakë.

Anashkalimi i më të mirëve, punësimi dhe avancimi i më të dobëtëve është shndërruar në virtyt. Kriteri partiak para atij profesional, i pranishëm sidomos në sektorin publik, po krijon joprofesionalizëm dhe po nxit pakënaqësi në këtë sektor, sepse nuk kemi të bëjmë me ekspertë që janë në krye të profesioneve të tyre, duke filluar këtu që nga zyrtarët administrativë e deri te mjekët e profesorët universitarë. Rritja e pjesëmarrjes së emigrantëve me arsim të lartë në pjesën më të madhe është pasojë e një qasje të tillë, e përhapur gjerësisht në Kosovë.

Kjo ka bërë që qytetarëve t'iu ofrohen shërbime të dobëta e joprofesionale, të dëmtohet konkurrenca e shëndoshë në tregun e punës dhe mundësia e barabartë për të gjithë, duke na udhëhequr kështu drejt varfërisë, joprosperitetit, jozhvillimit ekonomik, korrupsionit, nepotizmit dhe gradualisht zbehen dhe po e zbehin shpresën, e cila nuk na kishte munguar as para luftës. Duke e parë se nuk ka asnjë shans për një jetë më të mirë në këtë shtet të kriminalizuar, qytetarët e lënë pas dore, sidomos të rinjtë, kanë humbur shpresën se mund të gjejnë një vend pune nëse nuk kanë lidhje familjare e partiake me njerëzit në pushtet, me njerëzit e pushtetshëm, duke e konsideruar ikjen nga Kosova si zgjedhje e vetme për punësim dhe sigurim të ekzistencës për vete dhe familjet e tyre. Me këtë qasje, Kosovës po i shkaktohen humbje të shumëfishta, si: popullsisë nuk i ofrohen shërbime profesionale, duke përfshirë shërbimet mjekësore, arsimore, juridike etj., nxisin emigrimin e kuadrove ku humbjet janë të pakompensueshme (harxhuam mjera euro në shkollimin e tyre, të tjerët përfitojnë ekspertë të gatshëm), përcjell kjo me humbje demografike, ekonomike, sociale, duke rrezikuar qenien kombëtare etj.

Pasojat e veprimeve të tilla i kanë ngritur si shqetësim edhe shumë institucione ndërkombëtare, por siç duket përfitimet janë aq të mëdha saqë askush nuk do ta dijë se çfarë thotë ambasadori amerikan ose britanik dhe çfarë pasoja afatgjate për vendin mund të ketë një mënyrë e tillë e qeverisjes. E rëndësishme është mobilizimi i tyre në kohën e zgjedhjeve për t'u siguruar edhe një mandat, që ata të mund të vazhdojnë me kapjen dhe zhvatjen e shtetit.

Është koha e fundit që institucionet dhe politika e përgjumur kosovare të zgjohet nga gjumi dhe të ndërmerren hapa konkretë në drejtim të përmirësimit të gjendjes ekonomike ekzistuese, luftimin e nepotizmit dhe avancimeve e punësimeve partiake e familjare (nëse këto fenomene mund të luftohen nga ata që i krijuan), nëse dëshirohet që Kosova të ketë minimumin e zhvillimit të qëndrueshëm demografik, social e ekonomik dhe para shpërthimit të ndonjë revolte qytetare, sepse siç thotë shkrimtari i madh Ismail Kadare: "Durimi i njeriut mbaron atëherë kur e kupton që injoranca e tjetrit nuk ka asnjëherë fund. Në të kundërtën pasojat do të jenë shumë të pavolitshme dhe dramatike, të cilat mund të sjellin edhe rrezikimin e qenien dhe sigurinë kombëtare. Paralajmërimet e para tash më i kemi marrë nga institucionet e ndryshme ndërkombëtare nëse arrijmë t'i kuptojmë. Shpjegim: fjala kulak d.m.th: fshatari i pasur (https://fjalorthi.com/kulakeASHSH), ose grusht njerëzish të pasur. Autori është doktor i shkencave të gjeografisë-demografisë.

(Kosova Sot)