Republika e Kosovës është atdheu ynë, jo vetëm i pushtetarëve?!

Republika e Kosovës është atdheu ynë, jo vetëm i pushtetarëve?!
Republika e Kosovës është atdheu ynë, jo vetëm i pushtetarëve?!

Ragip Guraziu

  • 17 April 2019 - 08:42

Pavarësia e Kosovës e ka gjenezën në sakrificën e popullit të Kosovës, brezave liridashës dhe në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë. Nuk mungoi as mbështetja nga SHBA-ja, shtetet e fuqishme të Bashkimit Evropian dhe e miqve të tjerë ndërkombëtarë. Kjo sakrificë dhe gatishmëri jona u materializua përmes ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, që solli lirinë.

U finalizua si rezultat i rrethanave të favorshme politike dhe shoqërore në regjionin e Ballkanit dhe më gjerë, që kulmuan me shpalljen e pavarësisë. Kosova arriti të ruajë marrëdhëniet e mira diplomatike me shtetet mike në krye me SHBA-në.

U miratua Kushtetuta e vendit, u forcua baza ligjore dhe institucionale dhe u ngrit shërbimi diplomatik i Kosovës në shumë vende të botës. U krijuan themelet e para të Ushtrisë së Kosovës, përmes transformimit të TMK-së në FSK dhe u arritën rezultate të mira në ngritjen dhe zhvillimin e Policisë së Kosovës, etj, etj...

Por ku jemi sot?!

Historinë nuk po mundemi të shkruajmë vetë, edhe pse u fitua lufta, tani dikush tjetër do e shkruaj historinë tonë, por pak më ndryshe dhe mos të na jetë hatri askujt këtu në Kosovë?! ''Kur një oficer i lartë i Rajhut të Tretë gjerman po i godiste, me një shufër metalike, skulpturat e përzgjedhura në Muzeun e Luvrit, në Francë, Ciceroni, zëmekur dhe i përlotur, i lutej oficerit gjerman: "Mos i dëmtoni kryeveprat e artit, zotëri, se do t´ju dënojë historia". Oficeri, për një çast pushoi goditjen, kryqëzoi duart sipër shkopit metalik, duke u gjegjur, qetësisht: "Zotëri, nëse fitojmë luftën, historinë e shkruajmë vetë.

Nëse e humbasim luftën, fituesi tjetër do ta shkruajë historinë". Me këso soj të paudhë udhëheqësish, të subjekteve politike pozitë e opozitë e zbehen dhe po e zbehin, e tkurrin kufirin nga Presidenti, Hashim Thaçi, kryeministri, Ramush Haradinaj, kryeparlamentari, Kadri Veselin,dhe deputetet e Kuvendit të Kosovës pa dallim. Dhe një ditë nuk duhet të çuditemi, kur të detyrohen ta pranojnë falimentimin, për shkak të oligarkëve që po rrënojnë gjithçka të ndërtuar me mund e djersë, me gjak e dhimbje, me sakrificë e përkushtim, nga njerëzit që ia duan të mirën Kosovës...

Partitë egoiste

Në rast se nuk e ndërrojnë diskursin politik institucionet politike shtetërore, si ato qendrore e deri te ato lokale, ndryshe nuk do t'ju jepet të rinjve të talentuar mundësia e barabartë për të pasur në vendin e tyre. Me këto parti politike egoiste aktuale, në zgjedhje, (edhe po qe se iu mundësohen kushtet), nuk do kenë kuptim. Gjasat janë minimale me këto parti aktuale të shkohet në zgjedhje dhe nuk do kenë kuptim pasi që qytetarët shumë të zhgënjyer që 20 vite rresht, të gjitha kanë qenë, herë-herë në pushtet, gjithnjë me koalicione dhe zgjedhjet në këto situata nuk janë të proferueshme, mu në këto situata politike në Kosovë.

Ndryshe qytetarët të vetmen shpresë po e kanë që të gjejnë mënyra për të ikur sa me shpejtë, sa me larg Kosovës. Derisa krimi i organizuar dhe nëntoka të udhëheqin shtetin nga nëntoka kriminale, nuk ka perspektivë për qytetarët dhe shpëtimin do ta kërkojnë duke ikur larg Kosovës që do të thotë se zgjedhjet e reja nuk do të sjellin kurrfarë perspektive për qytetarët. Nuk janë zgjedhjet zgjidhje për situatën politike në Kosove, derisa është shndërruar politika vetëm në betejë për pushtet.

(Kosova Sot)