Çfarë “prodhohet” në Shqipëri?!- Krim, korrupsion, vjedhje, eksod si dhe helm mediatik

Çfarë “prodhohet” në Shqipëri?!- Krim, korrupsion, vjedhje, eksod si dhe helm mediatik
Çfarë “prodhohet” në Shqipëri?!- Krim, korrupsion, vjedhje, eksod si dhe helm mediatik

Skender Kapiti

  • 20 April 2019 - 07:50

Kemi politikanë që mendojnë, trafikojnë, vjedhin, grabisin, mashtrojnë e tradhtojnë vetëm për interes të vet dhe vetëm për pushtet

VETTING-u së pari do të duhej jo vetëm ndëshkim dhe dëbim të gjyqtarëve e prokuroreve, por edhe ndjekje dhe ndëshkim të rëndë ligjor të tyre për krimet gjyqësore të vendimmarrjeve kriminale të tyre. VETTING edhe për ndëshkim e dëbim nga politika të të gjithë kësaj elite të dështuar politike, të cilat janë aktorët dhe faktorët kryesorë që e kanë çuar Shqipërinë në këtë gjendje të rëndë politike, demokratike dhe në prapambetje dhe moszhvillim

Këtë po e argumentojmë me disa pyetje të cilat kanë edhe përgjigjen brenda vetes së tyre, pyetje e cilat janë këto: se, përse Shqipëria ka deficite të jashtëzakonshme demokratike dhe patriotike. Përse akoma edhe tani pas 30 vitesh Shqipëria nuk ka konsoliduar demokracinë, as nuk ka ndërtuar shtetin modern ligjor? Pse është Shqipëria edhe problem e shqetësim evropian për politikën, për paqëndrueshmërinë politike të saj, për korrupsionin, për hajninë, për drogën, për krimin e organizuar, për varfërinë, për papunësinë dhe për eksodin?! Pse prej 30 vitesh Shqipëria mbahet larg BE–së, e madje rrezikohet që shqiptarëve t’u hiqet edhe lëvizja e lirë pa viza?! Realitetin e vërtetojmë edhe me këto konstatime:

E para është politika.

Politikë e korruptuar dhe e kriminalizuar.

Pavarësisht se cila parti politike apo koalicion politik që kanë qeverisur gjatë këtyre 30 viteve tranzicioni në Shqipëri; gjithnjë ka pasur hajdutëri e grabitje politike e juridike me ligj e paligj pronash të qytetarëve dhe shtetërore.

Krim dhe hajdutëri me shitblerje, vjedhje e manipulim votash.

Vjedhje pushteti, vjedhje e falsifikim diplomash, titujsh profesorësh e doktorësh.

Politikanë e politikë halabakësh e bashibozukësh, injorantësh e hajdutësh, politikë e politikanë me rekorde korrupsioni, hajnish e krimesh.

Politikanë që mendojnë, trafikojnë, vjedhin, grabisin, mashtrojnë e tradhtojnë vetëm për interes të vet dhe vetëm për pushtet.

Së dyti drejtësia.

Drejtësi politike, edhe kjo e kriminalizuar dhe e korruptuar.

Shitblerje te ligjit, te drejtash, korrupsion, ryshfet dhe gjithfarë krimesh gjyqësore aq sa të gjithë gjyqtarët e prokuroret shqiptarë po t’u bëhet si duhet VETTING-u, asnjëri prej tyre nuk e meriton që të qëndrojë në punën e gjyqtarit e prokurorit.

Mediet si politika e drejtësia, janë bërë të pështira

VETTING-u së pari do të duhej jo vetëm ndëshkim dhe dëbim të gjyqtarëve e prokuroreve por edhe ndjekje dhe ndëshkim të rëndë ligjor të tyre për krimet gjyqësore të vendimmarrjeve kriminale të tyre. VETTING edhe për ndëshkim e dëbim nga politika të të gjithë kësaj elite të dështuar politike të cilat janë aktorët dhe faktorët kryesorë që e kanë çuar Shqipërinë në këtë gjendje të rëndë politike, demokratike dhe në prapambetje dhe moszhvillim.

E njëjta gjendje e politikës, pushtetit, shtetit dhe e drejtësisë fatkeqësisht edhe në Kosovë.

Së treti mediet.

Një komponent tjetër shumë negativ në Shqipëri është edhe ai i ashtuquajturi pushteti i katërt i medieve, të cilat helmatisin dhe bombardojnë publikun me lajme dhe informacione te manipuluara, të parapërgatitura dhe të paraseleksionuara që më shumë bëjnë dëm dhe çorodie psikologjike, morale, publike e kombëtare.

Media, të cilat ashtu sikurse edhe politika e drejtësia, janë bërë të pështira dhe të neveritshme që të lexohen e të shikohen pasi zor se gjen te to diçka edukative, patriotike e kombëtare, fetare e morale, por qëllimisht duke qenë se u intereson vetëm rëndësia për lajme “bombastike” mediat në Shqipëri promovojnë e paraqesin gjatë gjithë kohës anët më negative dhe të errëta të shoqërisë: si ngjarje e ndodhi krimesh gjithfarëshe, kultin e krimit, kultivim e trafikim drogash, hajni politike, trafikim qeniesh njerëzore, vjedhje bankash, hajdutëri ordinere, vrasje, plagosje, skandale e krime seksuale.

Me këso lajmesh i mbushin faqet e para të gazetave dhe me këto i fillojnë dhe mbarojnë edhe lajmet të gjithë stacionet televizive.

BE-ja nuk ka nevojë për “importim” produktesh krimi, korrupsioni, dembelizmi etj.

Sikur të mos mjaftojnë vetëm këto, mediat shqiptare mezi presin që të japin edhe raste negative krimi, droge e vjedhje që kryejnë edhe emigrantët shqiptarë në vendet e tjera të Evropës dhe botës.

Mediat në Shqipëri janë thellësisht medie mercenare të cilat manipulojnë lajmet dhe informacionet, i japin dhe i paraqesin ato sipas gustos, shijes dhe sipas anës dhe interesit të asaj politike apo klani politik prej të cilit ato varen, marrin paranë për atë që u shërbejnë.

Edhe ato media të cilat vetëreklamohen si të paanshme dhe “investigative”, ato japin në mënyrë selektive rastet dhe skandalet publike e gjyqësore, duke i dhënë kryesisht ato raste të cilat nuk u paguajnë mediave “gjobën” apo pazarin që media u kërkon korrupsionit VIP dhe peshqve të mëdhenj të krimit e korrupsionit në këmbim të mos publikimit të tyre.

Mediat në Shqipëri janë mercenare të politikës dhe të pushtetit, e madje ato janë dhe e marrin edhe paranë e huaj për të mbrojtur, publikuar dhe promovuar edhe kauzat antishqiptare dhe të interesave të huaja. Prandaj duhet një VETTING gjithëpërfshirës, pra jo vetëm VETTING për drejtësinë dhe politiken por duhet edhe për shoqërinë dhe për mediet. Por kryesori është VETTING-u për drejtësinë. Nëse dështon VETTING-u në drejtësi atëherë dështon edhe ndërtimi dhe funksionimi i shtetit ligjor, dështon zhvillimi dhe progresi shtetëror ,ligjor e shoqëror; dështon lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe integrimi. VETTING-u do të ishte dështim i madh nëse realizon dhe bën VETTING vetëm sa për zëvendësimin e një palë të gjyqtarëve e prokurorëve hajdutë, të korruptuar e të kriminalizuar me të tjerë po si ata.

Është shumë e vështirë që të gjenden në Shqipëri juristë të pa infektuar dhe të “pa edukuar” me kulturën juridike vendore të kriminalizuar, të korruptuar dhe hajdutërie. Prandaj duhet kujdes edhe zëvendësimi me gjyqtarë e me prokurore në sistemin e drejtësisë, dhe do të ishte e nevojshme që për një periudhe kohore tranzitore, në Shqipëri të kishte gjyqtarë e prokurorë profesionistë nga SHBA dhe BE deri në përgatitjen e një plejade juristësh shqiptarë të cilët nuk do të ishin të infektuar dhe as të kishin trashëgimi e përvoja prej këtyre gjyqtarëve, prej kësaj kaste juristësish të kriminalizuar, matrapazësh e hajdutësish të cilët e kanë degraduar sistemin dhe që e kanë prishur edhe shtetin edhe shoqërinë.

Shqipëria nuk integrohet në BE, sepse BE-ja nuk ka nevojë për “importim” produktesh krimi, korrupsioni, dembelizmi, droge dhe hajdutërie shkaktarë të të cilave janë politika, pushteti, si dhe shteti, dhe ligji e drejtësia pasi edhe ato janë të kapura prej krimit, korrupsionit, hajdutërisë dhe prej injorancës së politikës, pushtetit dhe të gjyqtarëve e prokurorëve shqiptarë.

(Kosova Sot)