Askush sot nuk ka të drejtë të tregtojë me kufijtë e Kosovës

Askush sot nuk ka të drejtë të tregtojë me kufijtë e Kosovës
Askush sot nuk ka të drejtë të tregtojë me kufijtë e Kosovës

Prof. dr. Hakif Bajrami

  • 21 April 2019 - 09:07

 Në Kosovë pushteti okupator i kishte koncentruar forcat elite që kishin bërë krime në Kroaci dhe në Bosnjë

Duhet thënë STOP profiterëve dhe tregtarëve të flamujve, fajdexhinjve dhe të korruptuarve dhe puthadorëve, duke udhëtuar tinëzisht deri në Bruksel dhe gjetiu, kinse po ia sigurojnë viza shtetit, Republikës së Kosovës. E, vizat dihet se nuk i jep në sportel Johanes Hanni, as Mogerini e skuqur nga turpi i pazareve me një popull, por ministrat e Punëve të Brendshme të BE-së

Treni i tmerrit Fushë- Kosovë- Hani i Elezit

Treni i tmerrit, si e quanin refugjatët, nisej nga Fushë- Kosova herët në mëngjes. Deri në stacion të trenit, refugjatët shkonin me autobusë privatë (disa kompani) e që pagunin nga 10 marka. Bileta në Fushë- Kosovë nxirrej si udhëtim i rëndomtë, pa asnjë fryrje të çmimit. Me rastin e instalimit të trenit në stacion, refugjatët e përlotur ngarkoheshin të qetë për nja 15 minuta. Pastaj treni i tmerrit nisej për Lipjan-Ferizaj-Kaçanik-Han të Elezit. Rrugës kishte refugjatë të rrallë, të cilët shoqëroheshin nga milicët me fytyrë banditësh, shumica nga Bosnja dhe Lika, por kishte edhe serbë vendas. Pas nja pesë minutave për çdo ditë (mars-qershor 1999) treni nisej për Kaçanik, për t` u ndalur rrugës nja dy tri herë mos pale ndokush po zbret nga treni për t` u arratisur në male, pa e ditur se në tren ishin nga 15-20 milicë të armatosur me automatik dhe municion adekuat, plus ata që ishin si civilë. Me kohë plus minus të caktuar treni arrinte në stacionin e Hanit të Elezit, dhe aty duhej këmbë për ta kaluar të rrethuar nga milicia në të dy anët, deri te kufiri. Aty fillonte kontrolli rutinor i letërnjoftimeve, ose pa to fare. Nuk kishte maltretime, sepse kishte edhe vëzhgues të OSBE-së dhe UNHCR-it dhe Kryqit Kuq. Ka pasur raste kur letërnjoftimet janë shqyer, sepse ata imponoheshin se po e lëshojnë me “vullnet” Kosovën.

Largimi përmes autostradës Kosovë-Bllacë

Largimi me vetura dhe traktorë nga Kosova zhvillohej në dy drejtime: kah Kaçaniku dhe kah Rruga nëpër Sharr, drejt doganës në drejtim të Glloboçicës. Ata që drejtoheshin kah Hani i Elezit zakonisht veturat për kalim nuk iu lejoheshin refugjatëve fare. Ato sekuestroheshin pa shkuar te kufiri dhe pastaj shkohej këmbë drejtë kufirit me Maqedoninë. Në veri të Kaçanikut një kahe e autostradës drejtohet kah Glloboçica (kufiri Kosovë-Maqedoni) dhe pastaj kah Tetova. Këtë rrugë refugjatët do ta kalojnë me vetura dhe traktor e rimorkio me plot refugjatë. Afër Doganës në Glloboçicë për dy muaj e gjysmë në malet e Sharit, do të ndalen me mija refugjatë. Ata kohë pas kohe ishin të lejuar të kalojnë në Maqedoni individualisht, por kishte raste kur kishte kalime të rralla por ato ishin individuale. Lidhur me këtë diku rreth 10 majit 1999, do të ndalohet kalimi dhe një pjesë e refugjatëve sërish do të kthehen në Kosovë. Kjo masë e refugjatëve për të dytën herë do të detyrohet të marr rrugën drejtë Maqedonisë me trenin e tmerrit nga Fushë- Kosova, me ç’rast do të pësojë profesori i njohur Fehmi Agani, sepse ishin shënjestruar nga dikush prej Prishtine!!! Ajo kishte ndodhur duke i telefonuar një kryetari partie në Maqedoni, se filani është në tren. Dhe kush garanton që telefonata nuk është incizuar nga të dy anët (serbe e maqedonase që bashkëpunonin atëbotë). Ushqimi në këtë arterie ishte kryesisht i përgatitur nga refugjatët, të cilët për të dytën dhe të tretën herë ishin të detyruar të largohen nga vendbanimet nga kërcënimet e udbashëve me xhinse (zakonisht ata ishin nga tre e i katërti ishte një oficer që rrinte disa metra larg hyrjeve të kuarteve në vendbanime. Kërcënimet me shkorpionë dhe automatikë vinin edhe nga paramilitarët, sigurimsat dhe ushtarakët që ishin me uniforma dhe mbanin grada. E vërteta, deri në jug të Hanit të Elezit si një kamp i Luftës Dytë Botërore ishte krijuar pra në Bllacë. Ndërsa, nja tri kilometra larg Glloboçicës ishte krijuar një kamp refugjatësh, të cilët qëndronin për ditë të tëra në rrugë në malet e Sharrit. Zakonisht flinin natën nëpër makina. Lidhur me këtë, makinat ishin të parkuara në anën e djathtë të rrugës, ndërsa në anën e majtë, kohë pas kohe lëviznin makinat ushtarake. Ata ushtarakë ishin të mërzitur dhe brutalisht duket se ishin seriozë. Ata nuk e kanë ngacmuar askënd në atë rrugë, na thanë pas kthimit hallexhinjtë . Zakonisht nga një kasolle, nja pesë kilometra larg Glloboçicës, ushtarët e kishin një stacionim. Nga ajo pikë ndërroheshin kohë pas kohe (çdo tri orë) në punktin tjetër afër kufirit ku kishte kontroll rigoroz të çdo kalimtari. Në të hyrë te Doganës në Glloboçicë, në rrugën automobilistike për çdo kohë ishte kolona a automobilave për nja pesë kilometra. Nja dy kilometra afër kufirit ishte një roje ushtarake ku seleksionoheshin refugjatët. Kishte raste kur kalohej ndonjë i sëmurë rendë me makinë, por këmbë zakonisht lejohej kalimi gati pa problem, sepse politika ishte te spastrimi i Kosovës. Nga pjesa tjetër e kufirit në Glloboçicë në Kampin e rrugës sillej ushqimi, zakonisht bukë dhe disa konserva të cilat vinin nga Kryqi i Kuq dhe Shoqata “El Hilal”, Nëna Tereze etj.

MT: Kampi i Stankovecit dhe drama shqiptare 1999

Pjesa dërmuese e refugjatëve që kalonin nëpër kufirin e Tabanofcit në jug të Hanit të Elezit ndaleshin në Kampin special të Stankovecit, të cilin e kishte themeluar UNHCR-i dhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar. Në disa etapa aty ishin nga 20 deri në 30 000 refugjatë. Një pjesë e tyre pas një kohe do të largohen në të gjitha anët e botës, përmes aeroportit Shkupit.

Kampi i Çegranit dhe drama shqiptare 1999

Edhe në një zallinë ku kishte gjarpinj dhe egërsira të tjera, do të stacionohen refugjatët shqiptarë. Aty ishin zakonisht nga 15-30 000 refugjatë shqiptarë. Edhe nga ky kamp kishte largime nëpër të gjitha vendet e botës që pranonin refugjatë. Largimi bëhej me plan dhe në bazë të kërkesave të çdo shteti veç e veç. Ushqimi edhe në këtë kamp sigurohej nga qendra e caktuar nga Kryqi i Kuq dhe në këtë drejtim po thuajse nuk kishte ndonjë problem. Edhe në këtë Kamp kishte kujdestari të mjekëve. Hyrja dhe dalja nga Kampi bëhej me kontroll rigoroz nga kompetentët sikur në kampet naziste në Poloni dhe Austri.

Pjesa më e madhe, që nuk duhet harruar kurrë e refugjatëve ishte e vendosur nëpër shtëpi private të shqiptarëve mikpritës. Është për t` u mahnitur se si gjatë atyre tre muajve ishte tragjedi të jesh refugjatë shqiptar, por ishte siguri dhe bujari e besë të jesh nëpër shtëpia të bashkëkombësve tanë shqiptarë kudo jashtë Kosovës. Kjo solidarësi sot studiohet në të gjitha meridianët e botës. Në atë strehim askush nuk ka vuajtur për ushqim, shërbim mjekësor dhe veshmbathje. Rroli i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, ishte me peshë humanitare dhe në disa raste edhe politike, sepse refugjatëve u sigurohej vendstrehimi shtetëror. Pra, kjo organizatë nuk e kishte vetëm rolin humanitar, por edhe më tepër se human-sigurinë. Të njëjtin rol humanitar dhe “politik” e ka pasur edhe Shoqata “Nëna Tereze”, sepse firma e saj ishte pasaportë më e vlefshme se çdo dokument zyrtar. I gjatë do të ishte lloji i shërbimeve të kësaj organizate, por edhe të tjerave si kjo. Të njëjtin qëndrim dhe efektivitet e kishte edhe organizata “El Hilal”. Në asnjërën prej këtyre organizatave nuk është vërejtur roli religjioz, por ekskluzivisht humanitar –shpëtimtar me ushqim dhe shërbim shëndetësor, por edhe me strehim, gjë që “El Hilal” dallohet nga të tjerat organizata. Dhe kur jemi këtu, duhet të themi se kjo organizatë më së shumti ka kontribuar në strehimin në shtëpitë private nëpër tërë Maqedoninë, aty ku kishte shqiptarë. Është mahnitës aktiviteti i shumë të rinjve dhe të rejave shqiptare që nuk kursyen as shëndet e as mund për t` u bërë KONAK dhe për t`i furnizuar me ushqim refugjatët e mjerë. I gjatë do të ishte rendi i personaliteteve që kontribuuan në këtë tragjedi. Mendoj se Kryesia e shtetit Kosovës në të ardhmen duhet të interesohet kush ishin ata dhe t` i plasojë me mirënjohje për të mbetur emra lavdie në historinë tonë kombëtare.

Largimi i një pjese të refugjatëve nëpër botë

Asgjë më në këtë botë nuk mund të mbetet në terr e panjohur, sepse informata është bërë fuqi prodhuese edhe për të shtypurit dhe të shfrytëzuarit. Për ata që kanë shtypur dhe shfrytëzuar, shfrytëzojnë dhe do të provojnë të shtypin në të ardhmen, bota do të jetë shumë më e egër dhe mosduruese. Lidhur me këtë, se refugjatët shqiptarë nuk ishin të rastësishëm, por fati i tyre tragjik ishte më i thellë, madje i planifikuar, e për qëllimin e fundit ndoshta me saktësi nuk do të dihet kurrë, por aty kah 29 marsi 1999 do të fillojë interesimi që Shqipërisë dhe Maqedonisë, e pastaj edhe Malit Zi t` i “lehtësohet” pesha e tragjedisë së refugjatëve shqiptarë. Shpërndarja e refugjatëve shqiptarë do të fillojë përmes porteve ajrore të Rinasit dhe Aeroportit “Aleksandri i Madh” nga Shkupi. Dhe, nëse studiohet kjo shpërngulje më thellë, rezulton se largimi i tyre ishte lehtësim për psikologjinë e sëmurë të Milosheviqit dhe rrethit tij, sidomos të Kishës Serbe, e cila planifikoi që “shqiptarët deri më 28. VI. 1999 të jenë sa më larg Kosovës”. Ky largim ishte me një qëllim që Milosheviqi më 28. VI. 1999, ta festojë “Vidovdanin” pa shqiptarë në Gazimestan. (Lexojeni: Çernomiridin, shënime zyrtare….!!). Bile në këtë programim (i posedojmë të dhënat-hb) në Beograd ishte organizuar një tubim HISTORIK për 27. V. 1999, në Patrikanën serbe. Aty, të dy kryesitë e kishave (Ortodokse dhe Katolike) sipas KOS-it duhej ta shënonin “bashkimin e krishtërizmit në një Religjion të krishterë”, ku Serbia do të promovohej në “PIEMONT” historik përgjithmonë, duke e kthyer “Krishtin në Kryqin e rëndomtë të para vitit 1054”!. Mu për këtë dhe jo vetëm për këtë, S. Milosheviqi në Dejton të Ohajos më 1995 ishte shpallur “paqebërës”, duke ia rritur mendjen se mund të ushtrojë Srebrenica të reja, dhe mos t` i përgjigjet askujt, sepse e kishte “lejen e shumëkujt”, por që i doli tërësisht ndryshe nga muskujt protestantë-tomahavkët e NATO-s. Kjo është e vërteta tragjike, pse Kukësi gjatë qershorit 1999 arriti në 434 175 refugjatë (Morinë- 368 688; Q. Prushi-55 377 refugjatë; në drejtimin Tropojë vetëm 110 refugjatë), kjo është e vërteta që Maqedonia u popullzua për 440 000 shqiptarë më tepër, për ta “dënuar Bullgarinë ndryshe”,mendonte Miloshi.(Lexoni faktet detale:K. Gligorov, Korridoret/s.p. 1/99; lexoni në librin e të nderuarit: Besim R. CENGU, Përmasat e mbijetesës, Kukës 203,f.364 detalisht me ditar).

Kë e akuzojnë kampet e përqendrimit në Kosovë -janar-qershor 1999

Sipas të dhënave që disponojmë, në Kosovë pushteti okupator i kishte koncentruar forcat elite që kishin bërë krime në Kroaci dhe në Bosnjë. Asnjë njësie nuk i vinte keq pse vritej publikisht fëmija para nënës, nëna para fëmijëve, pse masakrohej plaku dhe hidhej në bunar për të humbur gjurmët, pse barteshin kufomat deri në Danub, gjithnjë për të humbur gjurmë, pse digjeshin kufomat në shkritore për ta zvogëluar çdo shenjë të gjenocidit klasik. Po, në çdo lokalitet të Kosovës janë bërë studime ku janë bërë krimet dhe ku gjinden varrezat masive. Ato janë hiq më pak se nja 319 lokalitete ku varret janë të renditura nga 5 e deri në 178. Në bazë të këtyre fakteve duhet thënë publikisht se askush sot nuk ka të drejtë të TREGTOJË me kufijtë e Kosovës, që janë siguruar me vargojë gjaku dhe vuajtje dhe mundime titanike. Pra duhet thënë STOP profiterëve dhe tregtarëve të flamujve, fajdexhinjve dhe të korruptuarve dhe puthadorëve, duke udhëtuar tinëzisht deri në Bruksel dhe gjetiu, kinse po i sigurojnë viza shtetit Republikës së Kosovës. E, vizat dihet se nuk i jep në sportel Johanes Hanni, as Mogerini e skuqur nga turpi i pazareve me një popull, por ministrat e Punëve të Brendshme të BE-së.

(Kosova Sot)