Pse askush nuk i beson politikës në Kosovë?

Pse askush nuk i beson politikës në Kosovë?
  • 23 April 2019 - 08:28

Marrja me parti është biznes për të gjetur punë dhe për t’u pasuruar, por jo për të shërbyer

Për t’ua kthyer besimin dhe dinjitetin qytetarëve të Kosovës, për momentin duket mision i pamundshëm, por mund t’u kthehet ky besim ose së paku një shpresë e vogël po qe se ekziston vullneti politik i qytetarëve për t’u kthjellur dhe për të votuar një klasë tjetër politike, një parti që nuk është e zhytur në korrupsion, nepotizëm dhe kapje të institucioneve të drejtësisë

Si ndodhi që rritja e pagave bëri zgjerimin e hendekut në mes sektorit të administratës shtetërore që jeton në kurriz të sektorit privat dhe taksave të qytetarëve? 83 mijë punëtorë të aparatit të shtetit paguhen prej 500 eurove deri në 3500 euro- pagë për presidentin e Kosovës, rreth 300 mijë punëtorë të sektorit privat punojnë për 170 deri në 250 euro në muaj. Rritja e pagave me paratë e sektorit privat do të shkaktojë rritjen e çmimeve në treg, sepse në këtë rast shteti po dikton ekonominë e tregut.

Ky është dëmi më i madh që i bëhet ekonomisë. Administrata e Kosovës duhet të reduktohet 50% për t’i dhënë hapësirë njerëzve që mos të jetojnë si parazitë me paratë e qytetarëve, por të hynë në ekonomin kompetitive të tregut. BE kaherë ka kërkuar apo kërkon që 5 vjet që Kosova të këtë të reformuar administratën e shtetit. Sektori privat-kompanitë janë plotësisht jashtë kontrollit dhe shkelës i të drejtave elementare të punëtorëve. Punëtorët në këtë sektor paguhen jo me rregull dhe shpeshherë vetëm 9 muaj e më pak, s’ka kush e kontrollon këtë sistem? Edhe pse është e thjeshtë- vetëm të shikohen transferet 12 mujore të pagave të punëtorëve a paguhen nga pronarët a jo, e nëse nuk zbatojnë kontratat atëherë gjobiten. Ikja e rinisë dhe intelektualëve po ndodh për shkak të perspektivës së zymtë të tmerrshme.

Askush nga të rinjtë nuk dëshirojnë të shohin veten si përfundojnë në fund si të papunë, pa mbrojtje shëndetësore e sociale adekuate. A po shërben shteti i Kosovës dhe buxheti i qytetarëve të Kosovës për sigurimin e standardit luksoz të sektorit të administratës së shtetit që është punëdhënësi më i madh në Kosovë? Politika i bëri analfabetët funksionalë të shkolluar me vonesë në milionerë e profesorë, e çfarë kanë dashur? Kapja e shtetit nga analfabetët e ka vendosur tërë sistemin e padijshëm në të gjitha sektorët, që nga UP-ja dhe Këshillin Drejtues i UP-së , dhe universitetet e tjera publike, ndërmarrjet publike, sektorin e administratës së shtetit. Sa më parë duhet të ndodhë privatizimi i të gjitha ndërmarrjeve publike-shtetërore.

1. Programi për t’ia kthyer qytetarit optimizmin dhe besimin

Për të kthyer besimin dhe dinjitetin qytetarëve të Kosovës për momentin duket mision i pamundshëm, por mund t’i kthehet ky besim ose së paku një shpresë e vogël po qe se ekziston vullneti politik i qytetarëve për t’u kthjellur dhe për të votuar një klasë tjetër politike, një parti që nuk është e zhytur në korrupsion, nepotizëm dhe kapje të institucioneve të drejtësisë. Kërkohen 5-7 vjet për të pastruar shtetin nga keqbërësit dhe të vendosen para organeve të drejtësisë. Kthimi i besimit duhet të ndodhë me një parti të re reformuese të shtetit dhe institucioneve të saj, duke ndalur keqbërësit , keqpërdoruesit e shtetit, parasë publike dhe aseteve pasurore të shtetit. Kosova udhëhiqet nga njerëz të padijshëm dhe të paedukuar me kohë, shumica e tyre të pashkollë kanë mbërri t’i kryejnë të gjitha, të blejnë letra, por kanë mbetur të padijshëm, por e vërteta është se të padijshmit japin mësim, dhe kanë poste të larta publike në administratë të shtetit.

Pra, duhet verifikuar dhe larguar të gjithë ata njerëz në administratë që janë punësuar me patriotizëm në poste të larta dhe partiakë të shumtë, duhet të pastrohet administrata e shtetit. Qytetarët nuk duhet të votojnë kësi njerëz, nëse dëshirojnë fëmijët të mos u ikin jashtë shtetit, por të mbeten në Kosovë. Duhet të vendosin çka po duan? Nuk duhet votuar njerëz të pashkollë e dhunues të shtetit të së drejtës. Krahu politik i luftës merret me patriotizëm dhe pasurim pa bazë, përderisa partitë e tjera edhe nuk po arrijnë të vijnë në pushtet fare.

Shteti i Kosovës ka nevojë për ndryshim të sistemit zgjedhor prej proporcional në mazhoritar, që kush të fitojë pushtetin duhet të ketë edhe përgjegjësinë e plotë për qeverisje jo sikur kjo aktuale me sistem proporcional ku qeverisin më shumë 5 parti në qeverisje secili subjekt punon për militantët partiak dhe për familjet e tyre për t’i punësuar. 83 mijë punëtorë të administratës së shtetit janë elektorat i këtyre partive shkatërruese të pronës dhe pasurive publike te shtetit.

Imazhi përtokë

PAN-i do të duhet të pezullojë veprimin e vet politik dhe të reformohet skajshëm, duhet të bashkëpunojë me organet e rendit për të ngritur paditë kundër keqpërdoruesve të detyrave zyrtare me qëllim të pasurimit të pabazë. Edhe partitë e tjera duhet të reformohen plotësisht, si LDK, PSD, për VV-në s’kam ndonjë koment, ata nuk kanë kuadër politik për asgjë. Kosova ka nevoje për një demokraci të re me parti të reja që reformojnë shtetin dhe shpejtohen integrimet evropiane dhe euroatlantike. Komandantët ata që ishin nuk arritën të bëhen liderë dhe udhëheqës politikë dhe kështu shteti u përdor për gjera të tjera për pasurim, u vendos pushteti i të padijshmëve.

Cilat masa duhet të ndërmarrin për të përmirësuar imazhin e Kosovës jashtë dhe brenda vendit?

1. Luftimi i korrupsionit: duhet të merren masa konkrete dhe të jepet mesazh i qartë nga shteti për t’u ballafaquar me të gjithë ata të cilët kanë shkelur parimet dhe besimin e qytetarëve. Të fillojë një hetim i gjerë i të gjithë funksionarëve publikë 2000-2019, pra deri më sot, mënyra e pasurimit të tyre , shkollimin e përfunduar dhe marrjen e titujve akademikë. Bashkëpartiakët, përkatësisht partitë politike duhet të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Shtetit për të pastruar shtetin nga plaçkat e deritashme.

2. Ndalja e nepotizmit institucional: Nuk duhet zgjidhur probleme personale, familjare, partiake, klanore dhe grupore me paratë e qytetarëve dhe të sektorit privat. Njerëzit të ashtuquajtur “politikanë”, duhet të jenë në shërbim të qytetarëve, dhe nuk duhet të shërbejnë për privilegje të mëdha. Punësimi duhet të jetë ekskluzivisht i bazuar në përvojën institucionale dhe nivelin e përgatitjes profesionale, duke përfshirë këtu edhe trajnimet e kryera profesionale. Punësimi nuk duhet të bëhet si rezultat i lidhjeve familjareve të politikanëve dhe njerëzve me ndikim siç është tash.

Duhet të rishikohet punësimi në shërbimin civil dhe atë publik, si dhe të rishpallen konkurse të reja për pozita të caktuara që mbahen nga familjarë dhe bashkëpartiakë dhe kuptohet të reformohet administrata parazite. Në një analizë të deritashme të bërë nga Instituti i Kosovës për Politika Zhvillimore(IKPZH) rezulton se 70% e të punësuarve në shërbimin civil dhe atë publik kanë mbajtur pozita të larta publike pa shkollim superior, madje edhe të sekretarëve të përgjithshëm përgjatë viteve 2001-2011.

Kjo është brengosëse për të gjithë kuadrot e reja dhe dekurajuese për kuadrot që kanë kryer shkollimin superior dhe studime pasdiplomike edhe në universitetet prestigjioze. Duhet të kryhet një hetim nga inspektorati i punës apo KPMK për të rekomanduar masa të tjera në këtë drejtim. Në një studim të IKPZH thuhet rreth 85% e të punësuarve vijnë nga komunat e tjera dhe që nuk janë banorë të Prishtinës ose janë bërë ndërkohë banorë të kryeqytetit. Kjo përqindje e lartë tregon indikacionit e ndikimeve partiake nga regjionet që vijnë partitë politike. 85 % të ambasadorëve të Kosovës dhe konsujt vijnë nga PDK-ja (shih listën e ambasadoreve dhe konsujve nga PDK-ja dhe LDK-ja ). Një pjesë tjetër vijnë nga LDK-ja, AKR-ja, e tash së fundi edhe nga AAK-ja. Shumica ambasadorëve janë“politikanë” ose kanë mbajtur pozita të larta partiake, kjo do të thotë se partitë politike-shefat partiakë janë të involvuar direkt në caktimin e ambasadorëve të shtetit.

3. Partitë nuk mund të jenë mbi shtetin: partitë janë mbi Kushtetutën dhe ligjin, një pjesë e tyre nuk e di që ka “institucione të rendit”,për ata janë vetëm figurative, sipas tyre “ata janë themelues të tyre” dhe kanë punësuar të afërm, familjarë ose partiakë të tyre në këto institucione dhe për këtë nuk kanë nevojë t’i “respektojnë ato fare”.Shërbimi korrektues i Kosovës ka çuar dorë kaherë nga njerëzit e fuqishëm të burgosur sa për sy e faqe , një pjesë e tyre shëtisin nëpër qytet deri vonë dhe kthehen sipas dëshirës së vet.

Disa vizitojnë QKUK-në sipas vullnetit të tyre dhe kërkesat për hospitalizim janë shtuar nga 95% të rasteve të burgosurve për krime të rënda. Gjate ngërçit politik një bllok i partive politike u morën me veprime antikushtetuese dhe lanë peng themelimin e institucioneve të shtetit mbi 6 muaj, rezultoi me marrjen e postit të kryeministrit nga ana e LDK-së, përderisa zgjedhjet e reja dhe ardhja në pushtet e PAN-it, shteti degradoi skajshëm, u shkel i tërë sistemi kushtetues i shtetit dhe ligjet në fuqi. Kryeministri aktual bëri 28 skandale vendimmarrëse, prej më skandalozeve ishte falje e borxheve të kompanive të ujërave, rritja e pagave në konflikt interesi, nxjerrja e një ligji komunist që u drejtua kundër sektorit privat dhe ekonomisë së shtetit. Rriti pagat për sektorin shtetëror, dhe u diskriminuan nga pronarët e sektorit privat mbi 300 mijë punëtorë që marrin paga jo të rregullta e as nuk paguhen 12 muaj kalendarik, dhe bëri mbi fyerje publike për qytetarët dhe kategoritë sociale dhe gjinore.

Për ngërçin politik askush nuk u përgjigj para qytetarëve për arsye të thjeshtë pse nuk u themeluan institucionet e vendit. Kjo nuk rezultoi në marrjen e masave nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk ka asnjë kompetencë të vetme në çregjistrimin e partive politike që mund të jenë në kundërshtim me Kushtetutën e shtetit, përderisa shteti i Sllovenisë ka në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese kompetenca në Nenin 68.4 ku thuhet: partitë politike që bien ndesh me kushtetutën e shtetit, ato çregjistrohen nga regjistri partive politike. Edhe shumica ligjeve kushtetuese në regjion, e BE kanë normativë të qartë për partitë politike që definohen si grupe interesi apo organizata private në rastet kur veprojnë në mënyrë antikushtetuese. Kuvendi është bllokuar që nga themelimi dhe si i tillë është i pafuqishëm të nxjerrë ligje dhe varet nga partitë opozitare a votojnë a jo?

4. Të ndalet procesi i shtetit partiak në Kosovë: Shteti nuk është pronë private e partive dhe liderëve politikë, shteti është krijesë e vullnetit të qytetarëve. Në emër të qytetarëve nuk mund të thirren liderët e tillë që realisht nuk e kanë fuqinë elektorale në pajtim me vullnetin demokratik të qytetarëve, vetëm 40% e qytetarëve kanë dalë në zgjedhjet e fundit edhe kjo nuk dihet saktë dhe duket të jetë e fryrë. Partitë politike vazhdojnë të qëndrojnë në pronat shoqërore dhe nuk paguajnë qira. Nuk ka kurrfarë transparenca mbi fondet financuese të partive politike dhe as të fushatave të tyre parazgjedhore. Marrja me parti është biznes për të gjetur punë dhe për t’u pasuruar, por jo për të shërbyer, andaj pagat duhet të zëvendësohen me mëditje, komisionet e pavarura kushtetuese duhet të paguhen me mëditje për seanca po sikur deputetët e Kuvendit.

5. Të bëhet rikonsolidimi i institucioneve të vendit të shërbimit civil: të themelohet institucion i pavarur nga kryeministri i shtetit në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe ekspertë ndërkombëtarë për t’iu nënshtruar testit për shërbyesit civilë dhe publikë dhe të fillojë rikonsolidimi institucional.(vijon)

(Kosova Sot)