Emocioni i Notre Dame-it

Emocioni i Notre Dame-it
Emocioni i Notre Dame-it

Dominique Moisi

  • 23 April 2019 - 08:57

Bukuria e katedrales sigurisht që është pjesë e arsyes, ashtu si dhe natyra spektakolare e zjarrit që gati e shkatërroi atë

Disa mund të tronditen pak nga një shpërthim i tillë i emocioneve pozitive, sikur fati i një ndërtese 800-vjeçare të ishte më i rëndësishëm se mbijetesa e planetit, jetët e miliona refugjatëve, apo gjendja e të varfërve në botë

Njerëzit këndonin, luteshin dhe qanin, ose thjesht ngrinin në një mosbesim total, pasi flakët përfshinë katedralen ‘e tyre’ të Notre Dame-it, objektin e kujtesës së tyre individuale dhe kolektive. Emocionet e atyre që panë zjarrin në Paris më 15 dhe 16 prill kanë bërë jehonë në të gjithë botën. Le të shpresojmë që ky shpërthim global i ndjeshmërisë në përgjigje të një tragjedie do të ketë efekte pozitive të qëndrueshme, në Francë dhe më gjerë.

Që nga dy sulmet terroriste që kishin gjakosur kryeqytetin francez në vitin 2015, nuk kisha marrë kaq shumë mesazhe të simpatisë (dhe kërkesa për intervista), ashtu siç ndodhi pas shpërthimit të zjarrit. Ato erdhën nga Australia, Japonia, Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe shumë vende të tjera. Zjarri bëri gjithashtu një nxitim të menjëhershëm të kontributeve bujare financiare për të ndihmuar në rindërtimin e katedrales, jo vetëm nga Franca, ku qindra miliona euro u zotuan për vetëm një ditë, por nga e gjithë bota. Në veçanti, në Amerikë, donatorët e pasur ishin të shpejtë për të mbështetur katedralen që iu kishte ra kambanave e saj në pikëllim për viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001.

Disa mund të tronditen pak nga një shpërthim i tillë i emocioneve pozitive, sikur fati i një ndërtese 800 vjeçare të ishte më i rëndësishëm se mbijetesa e planetit, jetët e miliona refugjatëve, apo gjendja e të varfërve në botë . Ne duket se e kemi më të lehtë të kujdesemi për ruajtjen e trashëgimisë së së kaluarës sesa për shpëtimin e së ardhmes. Ne më me dëshirë do t'i mbrojmë ndërtesat historike sesa qeniet njerëzore. E megjithatë, i kuptoj dhe i ndaj emocionet e shkaktuara nga zjarri, si dhe ndjenjën e përgjegjësisë për dorëzimin e këtij monumenti të paprekur te gjeneratat e ardhshme.

Napoleoni u kurorëzua perandor në Notre Dame

Notre Dame ishte një objekt i njohur për gjyshërit e mi, dhe unë dua që "ajo" të vazhdojë të jetë kështu për nipërit e mbesat e mia. Nëse detyra jonë kolektive si qenie njerëzore është të riparojmë dhe përmirësojmë mjedisin tonë sa më shumë që mundemi në kohën tonë shumë të shkurtër në këtë planet, atëherë fati i katedrales është një përparësi natyrore. Dua që historia të shohë brezin tim si ai që bëri gjithçka për të rindërtuar Notre Dame-in, ose ndoshta ta bëjë atë edhe më të bukur, si një simbol universal i paqes dhe bukurisë.

Unë nuk jam i krishterë. Por, si një parisien, një francez dhe një evropian, për të mos përmendur një qytetar i botës, u kapa nga një ndjenjë e thellë e humbjes së pashmangshme kur filloi zjarri, pasi ekspertët kishin frikë se e tërë katedralja mund të shembej. Më duhej të nxitoja për të parë ndërtesën për të mbajtur një kujtim të saj, para se të bëhej një fushë e rrënojave, një det hiri. Ndjeva që unë isha në pronësi të Notre Dame, si një pjesë integrale e historisë sime dhe madje edhe jetës sime.

Miliona të panumërta para meje mund të kishin thënë të njëjtën gjë. Napoleoni u kurorëzua perandor në Notre Dame në dhjetor të vitit 1804. Një brez më vonë, gjiganti letrar francez Victor Hugo e përjetësoi katedralen në romanin e tij “The Hunchback of Notre Dame”, i cili u bë më vonë filma të suksesshëm dhe shfaqje muzikore. Dhe, në gusht të vitit 1944, Charles De Gaulle udhëhoqi një mision atje për të festuar çlirimin e Parisit gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur qyteti nuk ishte ende pacifikuar plotësisht.

Monumenti më i vizituar në Evropë

Por pse miliona njerëz në të gjithë botën ndajnë emocionet e mia? Bukuria e katedrales sigurisht që është pjesë e arsyes, ashtu si dhe natyra spektakolare e zjarrit që gati e shkatërroi atë. Një mik i imi, ballkoni i të cilit ka pamje nga Notre Dame në bregun e majtë të Senës, më përshkroi se çfarë mund të quante vetëm një "magjepsje me tmerrin". Parisi nuk po digjej, por zemra e saj emocionale, po. Për më tepër, ky zjarr gjigant ishte ‘live’ në lajmet kryesore. Monumenti më i vizituar në Evropë, sipas autoriteteve franceze, ishte gati për t'u shembur.

Ishte pikërisht ky element i familjaritetit që ndihmoi në gjenerimin e ndjeshmërisë universale për fatin e katedrales. Kjo më kujtoi një debat që kisha dhjetë vjet më parë me filozofen amerikane Martha Nussbaum, e cila përshkroi një eksperiment në minj. Vetëm kur një mi që ata "e njihnin" i ishte nënshtruar dhimbjes, tha ajo, minjtë e tjerë shprehin interes për vuajtjet e tij. Gjatë pjesës tjetër të kohës, ata ishin plotësisht indiferentë.

Kjo ndjeshmëri ka kthyer diçka që filloi si një film i tmerrit në një film që të bën të ndjehesh mirë, të paktën tani për tani. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ndjeu emocionin e përhapur dhe e përdori me mjeshtëri duke bërë thirrje për unitet kombëtar në pasojat e zjarrit. Për disa muaj të fundit, Franca ka përjetuar demonstrata dhe shpërthime të dhunës çdo fundjavë, dhe vendi kurrë nuk ka qenë kaq i polarizuar në kohët e fundit. Por Macron papritur kishte një argument të fuqishëm në dispozicion të tij: një tragjedi e tillë bën thirrje për tejkalimin e ndarjeve të vogla dhe përqafimin e bujarisë dhe përgjegjësisë kolektive.

Emocionet pozitive që shfaqen pas një ngjarjeje të tillë zakonisht janë intensive dhe me jetë të shkurtër, dhe këtë herë ndoshta nuk do të jetë ndryshe. Vërtetë, drama e Notre Dame-it dhe përgjigja e zjarrtë e Macron ndaj tij, i ka dhënë presidentit francez një afat shumë të nevojshëm përpara zgjedhjeve të ardhshme të Parlamentit Evropian. Por, siç thoshte ish-kryeministri britanik Harold Wilson, një javë është një kohë e gjatë në politikë. Dhe zgjedhjet evropiane janë ende një muaj larg.

(Kosova Sot)