“Masakra e Tivarit ishte krim i gjenocidit serbo-malazez, o fashistë tebdilë si barinj”

“Masakra e Tivarit ishte krim i gjenocidit serbo-malazez, o fashistë tebdilë si barinj”
“Masakra e Tivarit ishte krim i gjenocidit serbo-malazez, o fashistë tebdilë si barinj”

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 27 April 2019 - 10:28

Sa ia vlen, kur këtë nuk e dinë dhe nuk duan ta dinë ata që ia fusin me “rabush astrologjik” për t’i kënaqur armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm të kombit

As Uran Butka e as “mendarët” e tjerë, të mos “harxhohen” dhe të mos “rraskapiten” aq shumë për t’u treguar aq “humanë”, aq “patriotë” dhe aq “shkencëtarë të mëdhenj” gjoja për t’i bindur kosovarët pas 75 vjetësh se kush i ka vrarë dhe kolonizuar, mbase vetë kosovarët këtë e dinë më së miri se kush i ka vrarë dhe kush i ka shfarosur, sepse e kanë përjetuar në lëkurën e vet, jo më pak se 120 vjet (1878-1999)

O, fashistë, “kosovarët” nuk i ka vrarë Shqipëria e Enver Hoxhës, por Serbia dhe Mali i Zi-Jugosllavia komuniste titiste (1945). Kjo është e vërteta.–Mos gënjeni më, se që 30 vjet (1990-2019) e gazitët Evropën, Amerikën dhe mbarë botën vetëm për t’u dëshmuar si bajraktarë dhe si marioneta e hyzmeqarë të dëgjueshëm dhe të disiplinuar të armiqve shekullorë të shqiptarëve. Mirëpo, historia ka provuar se çdo e keqe e ka edhe fundin e saj të zi, mbase politika nuk është kategori statike, por e ndryshueshme sikurse stinët e motit. Asgjë nuk ka absolute dhe të përjetshme, çdo gjë është relative dhe e përkohshme.

Po, pse është ndërruar sistemi, shqiptarët dhe Shqipëria Etnike (vlerat e tyre) nuk kanë vdekur, as nuk do të shuhen kurrë pavarësisht nga rrenat, nga shpifjet, nga falsifikimet dhe nga pushtimet e derisotme të pushtuesve të huaj. Prandaj, nuk duhet të shitemi aq lirë për një picë, për një grusht lekë, për një vizë, për një pasaportë false, për një biletë aeroplani, për një kolltuk dhe për ndonjë lëvdatë prej letre. Me një fjalë, historia nuk duhet shkruar me inati, me simpati, me dreka, me darka, me donacione, me tenderë, me korrupsion, me krim të organizuar dhe me porosi speciale nga fashistët e ndryshëm në mënyrë të njëanshme për t’ua plotësuar dëshirat dhe për t’ua përligjur interesat fashistëve dhe neofashistëve, kolonizatorëve, korrupsionistëve, neokolonizatorëve, despotëve, mercenarëve, servilëve, hajdutëve, injorantëve, piromanëve dhe pushtuesve shekullorë sllavë ballkanikë dhe larove të tyre për ta sofistikuar të vërtetën e historisë së kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike në Ballkan.

Prandaj, kombit shqiptar e as Shqipërisë Etnike nuk u duhet kurrfarë përralle historiko-politike “sensacionale” qoftë e sajuar edhe nga Uran Butka se gjoja Enver Hoxha nuk kishte pasur punë tjetër më të mençur, më urgjente, më të madhe, më të vlefshme dhe më prioritare për Shqipërinë sesa të merrej me parulla për “shfarosjen” e shqiptarëve të Kosovës, duke bërtitur : “VRISNI, VRISNI KOSOVARËT”, siç ka pohuar Uran Butka!?

Pas leximit të kësaj parulle etiketuese, çdo studiues normal dhe objektiv shqiptar nuk ka nevojë ta shfletojë më tutje librin e paralajmëruar të U. Butkës me titull “Masakra e Tivarit” mbase është i sajuar si hakmarrje për dënimin dhe për internimin e tij nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. (Shih në : https://sq.wikipedia.org/wiki/Uran_Butka ).

Parulla skandaloze

Na vjen keq që i paska ndodhur ashtu Uran Butkës, por interesi personal nuk duhet të ngatërrohet me interesin e përgjithshëm as të kombit, as të shteti e as të atdheut, dhe më gjerë. Duke qenë se Uran Butkës (ashtu siç thuhet në Wikipedia) iu paskan mohuar të drejtat dhe liritë e njeriut, logjikisht ai do të duhej që të reflektonte për këtë problem të tij, jo për “dhembjen” ndaj kosovarëve në golgotën e Tivarit. Nga kjo “ gjëmë kaq e madhe” për kosovarët POST FESTUM, PAS 75 VJETËSH?! Interesant është një fenomen paradoksal, që përsëritet Jo më pak se 100 vjet, sa herë që Kosova e Shqipërisë Etnike ndodhet në rrezik, në krizë dhe e kërcënuar nga Serbia e Madhe kolonialiste, militariste dhe gjenocidale, dikush nga Shqipëria londineze merr guximin dhe del me “zbulime” dhe me “teza të reja” për ta destabilizuar Shqipërinë, me qëllim që ta lënë Kosovën në flakën dhe në tymin e Serbisë pushtuese (1912-1999).

Pse Uran Butka nuk ka shkruar ndonjë libër më të ri, më aktual për tradhtinë më të madhe dhe më “taze” në historinë e kombit shqiptar të Shqipërisë londineze ndaj Kosovës, të cilën udhëheqësit demokratë dhe socialistë të Shqipërisë e lanë në zjarrin dhe në flakën e gjenocidit serb të Serbisë së Slobodan Milosheviqit (1989-1999).

Për këtë “temë” do të duhej të shkruante U. Butka, sepse si rrjedhojë e kësaj tradhtie të demokratëve dhe të socialistëve në pushtet të Shqipërisë(1990-1999) për shkak të mosndërhyrjes ushtarake për mbrojtjen e mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarëve në Kosovë, ushtria, policia dhe paramilitarët e Serbisë masakruan dhe vranë mbi 12 mijë shqiptarë të të gjitha moshave, duke mos kursyer as fëmijët, as foshnjat e as nënat shtatzëna me fëmijë në bark. Kjo është kryetradhtia e jo “rrena për hava” e U. Butkës, se gjoja Enver Hoxha paska udhruar: “VRISNI, VRSINI KOSOVARËT” !!!

Kësaj parulle skandaloze, absurde, naive dhe diletante, nuk i besojnë as grekët, as serbët, as malazezët, as maqedonasit, që të gjithë këta historikisht i urrejnë dhe i luftojnë deri në shfarosje shqiptarët, të cilët, edhe sot i mbajnë nën sundimin e tyre të egër kolonial (1878-2019), lëre më shqiptarët normalë, pavarësisht nga konceptet ideologjike dhe politike të tyre. Kjo rrenë e vonuar më se 75 vjet nuk ka gjasë që të shitet në “tregun” politik e as në qarqet akademike shkencore të Republikës së Kosovës e as të Republikës së Shqipërisë.

Shihni çfarë "margaritari shkencor": Enver Hoxha paska vikatur : " Vrisni, vrisni kosovarët” !?

Pikërisht, kjo sintagmë e shpifur apostrofon lexuesit, sidomos shqiptarët e Kosovës se paralajmërimi i botimit të “librit shkencor” me titull “Masakra e Tivarit”, shkruar nga Uran Butka, është një falsifikuat “par excellence”, se gjoja Enver Hoxha “paska qenë” kryeaktori kryesor i krimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Tivar (1945).

Mirëpo, ky “libër historik”, do të jetë i mirëseardhur dhe me shumë interes historik, politik, diplomatik dhe propagandistik vetëm për institucionet shtetërore serbo-malazeze: Akademinë, Universitetin, Kishën dhe qarqet shoviniste serbo-malazeze, që do ta përdorin si dokument argumentues për REHABILITIMIN e UDHËHEQJES ÇETNIKO-KOMUNISTE JUGOSLLAVE për shkak të vrasjes së mbi “3000 shqiptarëve” në procesin e Tivarit (1945). Kur shqiptari i “bën politikë” shqiptarit, njëri prej tyre është armik i përbetuar i kombit shqiptar dhe i Shqipërisë Etnike. Prandaj, veç “lopët e shehrit” nuk e dinë të vërtetën historike se ultranacionalistët çetnikë serbo-malazezë ishin projektues dhe ekzekutues të shqiptarëve të masakruar në qytetin Tivar nën Malin e Zi, JO Enver Hoxha, rrenë qoftë ajo, o fashistë të zinj e “derbederë”, do të stigmatizonte me të drejtë Fan S.Noli !

Së pari, Enver Hoxha nuk ishte autor, as organizator e as ekzekutues i Masakrës së Tivarit, por Tito dhe Rankoviq me çetnikët e tjerë ultranacionalistë dhe fashistë (në uniforma partizane) serbo-malazezë. Këta ishin planifikuesit, organizuesit, ekzekutuesit , “regjisorët” dhe urdhëruesit kryesorë të Masakrës së Tivarit, jo partizanët e Shqipërisë e as komandantët e tyre. Së dyti, Masakra e Tivarit nuk ishte “tragjedia më e madhe e shqiptarëve në Ballkan”, siç dezinformoi dhe gënjeu kohëve të fundit “historiani” U. Butka nga Shqipëria. Kjo rrenë e hedhur në opinion, para së gjithash dëshmoi se Butka fare nuk e njeh historinë kombëtare shqiptare dhe të Shqipërisë e as historinë e shteteve të Ballkanit, sepse që nga 1878 e deri më 1999, domethënë para dhe pas “Masakrës së Tivarit”(1945), fatkeqësisht ka pasur masakra dhe shfarosje me përmasa shumë më të mëdha dhe më drastike të shqiptarëve anembanë Shqipërisë Etnike sesa “Masakra e Tivarit” (1945) për “regjinë” dhe për realizimin e së cilës, askush nuk mund ta fajësojë Enver Hoxhën as pushtetin komunist popullor të Shqipërisë mbase nuk ekzistojnë argumente shkencore në arkivat historike, politike dhe diplomatike të shteteve ballkanike, pikësëpari të Jugosllavisë së Titos, që në të vërtetë de fakto dhe de jure ishte “Velika Serbija”, sepse pushtetin dhe fjalën kryesore e kishin serbomëdhenjtë dhe Serbia e favorizuar nga Tito, Kardel-Rankoviq (1945-1990).

Ka shumë masakra e gjenocide

Sikur të kishte qenë e vërtetë se gjoja “Masakra e Tivarit ishte produkt i Enver Hoxhës” siç gënjen ai “historian” i Shqipërisë, U. Butka, do të shtrohej kjo pyetje e thjeshtë, po, si ishte e mundur që shkenca dhe politika propagandistike serbo-jugosllave këtë “të vërtetë” e heshtoi jo më pak se 75 vjet?! Po të kishte ndodhur diç e tillë, sigurisht se shkencëtarët, akademikët dhe vetë kryeliderët shovinistë dhe nacionalistë të Serbisë, përkatësisht të Jugosllavisë ( të cilët e kanë pasur “halë në sy” jo vetëm Enver Hoxhën, por edhe Shqipërinë komuniste, sepse gjoja “përziheshin” në çështje të brendshme të Jugosllavisë, duke i frymëzuar, duke i indoktrinuar dhe duke i mbështetur shqiptarët, që ta destabilizonin rendin dhe rregullimin kushtetues të saj në emër të kërkesës së drejtë për njohjen dhe për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut sikurse popujt e tjerë në Jugosllavi (1945-1985). Sipas Butkës, ”Masakra e Tivarit na qenka ndër “tragjeditë më të mëdha shqiptare” !

Rrenë qoftë edhe kjo, sepse historia flet ndryshe, fatkeqësisht ka shumë maskara dhe gjenocide të tjera serbo-greke-malazeze në përmasa dhe në numër më të madh të viktimave shqiptare sesa në Masakrën e Tivarit (1945). Duke mos u hedhur më larg në historinë e së kaluarës shqiptare, në këtë rast po përmendim vetëm terrorin, masakrat, varrezat masive dhe krimin e gjenocidit të Serbisë pushtuese të Slobodan Milosheviqit në Kosovë, gjatë viteve 1989-1999, ku njësitet paramilitare, militare dhe policore vranë dhe masakruan mbi “12 mijë shqiptarë; dhunuan mbi 20 mijë femra shqiptare; shpërngulën mbi 1 milion shqiptarë; plaçkitën pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme”, duke e djegur e shkrumbuar cep më cep Kosovën e Shqipërisë Etnike. Të gjitha këto krime të gjenocidit të fundmë serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, plotësisht e lënë në “hije” golgotën e Tivarit (1945), përkatësisht e përgënjeshtrojnë rrenën e shpifur se gjoja “Tivari paska qenë ploja më e madhe tragjike e shqiptarisë”, medemek se për këtë “fajtor kryesor paska qenë Enver Hoxha dhe Haxhi Lleshi” etj., jo Tito dhe Rankoviqi!?

Çfarë rrene kjo, po as akademiku Dobrica Qosiq dhe as kleriku Artemije Radosavleviq nuk do të kishin ditur më zi ta formulonin këtë gënjeshtër dhe këtë shpifje antihistorike dhe antishqiptare ! E pyesim “historianin” Butka, po, për gjenocidin e fundmë të Serbisë në Kosovë (1989-1999), që Shqipëria “demokratike” , “patriotike”, “humane” dhe "proevropiane perëndimore" i la në zjarrin dhe në flakën e terrorit dhe të gjenocidit serb, që përpiu mbi 12000 mijë shqiptarë, mos Enver Hoxha dhe Haxhi Lleshi ishin fajtorë sikurse në “procesin e Tivarit” (1945)? Sigurisht se jo, por fajtorë dhe tradhtarë ishin të gjithë ata, që e udhëhiqnin shtetin e Shqipërisë (1990-1999). Të gjithë ata që tradhtuan mbi 2 milionë e gjysmë shqiptarë dhe Kosovën e Shqipërisë Etnike, duke i lënë të digjen në zjarrin dhe në flakën e gjenocidit shfarosës mbi 12000 shqiptarë (foshnja, fëmijë, djem, vajza, burra pleq e gra të të gjitha moshave). Kjo është çështja që duhet të hulumtohet shkencërisht nga historia, nga diplomacia, nga drejtësia dhe nga politika, jo të shpifet dhe të retushohet historia e Shqipërisë së Enver Hoxhës se gjoja ajo “ishte fajtore” për gjendjen e shqiptarëve të kolonizuar nën Jugosllavinë e Titos, edhe sot, më 2019 të shekullit XXI.

Epilogu i rrenës allashkencore i U.Butkës se gjoja Enver Hoxha paska urdhëruar: “ VRISNI, VRISNI KOSOVARËT” !? Ky “libër historik” i falsifikuar, është dhurata më e çmueshme për akademikët serbomëdhenj, sidomos për akademikët e “Memorandumit 1986, e në veçanti për akademikun Dimitrije Bogdanoviq (falsifikator i historisë së Kosovës shqiptare) për ta rehabilituar udhëheqjen komuniste serbo-jugosllave (Tito-Rankoviq-Tempo, Bogolub Nedelkoviq…etj.) se nuk ka kryer kurrfarë krimi të gjenocidit serbo-malazez ndaj shqiptarëve të “importuar” nga Kosova në Tivar, por Enver Hoxha dhe Haxhi Lleshi, domethënë Shqipëria komuniste jo Serbo-Jugosllavia. Së fundi, as Uran Butka e as “mendarët” e tjerë, të mos “harxhohen” dhe të mos “rraskapitën” aq shumë për t’u treguar aq “humanë”, aq “patriotë” dhe aq “shkencëtarë të mëdhenj” gjoja për t’i bindur kosovarët pas 75 vjetësh se kush i ka vrarë dhe kolonizuar mbase vetë kosovarët këtë e dinë më së miri se kush i ka vrarë dhe, kush i ka shfarosur, sepse e kanë përjetuar në lëkurën e vet, jo më pak se 120 vjet (1878-1999). Sa më sipër, Serbo-Jugosllavia ishte ajo që i ka vrarë shqiptarët (jo vetëm kosovarët), masakruar, kolonizuar me forcë, me flakë, me zjarr dhe me gjenocid, JO Shqipëria e as Enver Hoxha.

Tanimë “ju ka dalë boja”, mos rreni, mos shpifni dhe mos falsifikoni më tej si Serbia (1878-2019), sepse qe 30 vjet e keni tepruar me rrena dhe me dezinformime për të mohuar vetveten vetëm për t’i ruajtur pazaret e vjetra dhe tregjet e reja të biznesit me Serbinë, me Greqinë, me Malin e Zi dhe me Maqedoninë Veriore, në dëm të interesit të përgjithshëm të gjithë kombit shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.

(Kosova Sot)