Mjerimi i kulturës sonë politike

Mjerimi i kulturës sonë politike
Mjerimi i kulturës sonë politike

Ismail Muqiqi

  • 29 April 2019 - 09:07

Maskarada në mbledhjen e Komisionit Parlamentar Hetimor!

Si të na besojnë shtetet mike dhe ato demokratike, të cilat e ndihmuan Kosovën financiarisht, politikisht dhe ushtarakisht?

Është për t’u shqetësuar se në epokën e shekullit të 21-të të ndodhin gjëra të këtilla. Jo që është brengosëse, por tregon mjerimin dhe mentalitetin e arsimit, shkallën e dijes dhe të përkushtimit për t’i mbrojtur vlerat, të cilat u shkelën dhe po shkelen për çdo ditë

Shkruan: Ismail Muqiqi

Në mbledhjen e së premtes të Komisionit Hetimor Parlamentar, në të cilën mbledhje u ftua dhe ishte prezent edhe Presidenti i Republikës Hashim Thaçi, i cili u ftua për të dëshmuar në lidhje me ekstradimin e qytetarëve turq vitin e kaluar nga Kosova për në Turqi, pamë e çka s'pamë! Deputetët e partive politike që bëjnë pjesë në këtë Komision Parlamentar Hetimor, përpos që ishin të ndarë në dy grupacione, dhe me plot tendenca në lidhje me zbardhjen e këtij rasti, ata filluan debatin duke e degraduar institucionin, kulturën politike, kulturën njerëzore dhe çdo normë dhe kod të nivelit institucional.

Hasmëritë politike

Derisa Presidenti Hashim Thaçi, në vend të raportimit para këtij Komisioni Parlamentar për ta zbardhur këtë rast dhe për t’i hequr dilemat se si ndodhi kjo aferë në pikë të ditës në shtetin e Kosovës, ai kërkoj sqarime gjatë tërë kohës nga anëtarët e Komisionit, duke konstatuar se Komisioni ka shkelur rregulloren e punës dhe ligjin. Presidenti në vend të zbardhjes së këtij problemi-rasti, debati mori kahe degraduese që nuk i bënë nderë një institucioni demokratik të një shteti. Tendencat dhe hasmëritë ndërmjet përfaqësueseve të partive politike,u panë në mënyrën më të ulët. Edhe në këtë mbledhje përmes polemikave se kush është patriot, kush është luftëtarë, kush mori pjesë në luftën e UÇK-së, e kush e sabotoi atë, kush mori rrogë e kush sakrifikoi e kush luftoi për ta çliruar Kosovën dhe kush ishte me korrespodencë në luftën e Koshares e në anën tjetër kush është jurist, analfabet dhe i padijshëm dhe kush po mundohet të bëhet Kryetar i LDK-së në Prizren, ishin vetëm disa nga pjesët e debatit ndërmjet Hajdar Beqës e Driton Selmanit, Sami Kurteshit e Hashim Thaçit, Xhelal Sfeqlës dhe anëtarëve tjerë të Komisionit nga PDK-ja, akuza këto të cilat jo që nuk i përkasin dhe nuk i takojnë institucioneve të shtetit, por i devalvojnë edhe vlerat njerëzore dhe tradicionale të shoqërisë kosovare.

Shumë të këqija po i ndodhin Kosovës

Këto që u thanë më lartë janë vetëm disa nga argumentet dhe manifestimet tjera të cilat po ndodhin për ditë e më shumë në institucionet e Parlamentit, Qeverisë dhe të segmenteve tjera publike të shtetit të Kosovës.

Se çka ndodhi në mbledhjen e këtij Komisioni më së miri do ta vlerësojë opinioni i gjerë, i cili pati rastin që përmes kamerave televizive ta shikojë këtë maskaradë.

Është për t’u shqetësuar se në epokën e shekullit të 21-të, të ndodhin gjëra të këtilla jo qe është brengosëse,por tregon mjerimin dhe mentalitetin e arsimit, shkallën e dijes dhe të përkushtimit për ti mbrojtur vlerat të cilat u shkelën dhe po shkelën për çdo ditë. E kjo u pa dhe u vërtetua sot, që pas 1 viti të këtij skandali diplomatik që u bë ndaj qytetarëve turq, ky problem u shndërrua në konspiracion dhe vetëm për t’i ikur përgjegjësisë.

Andaj, si të na besojnë shtetet mike dhe ato demokratike, të cilat e ndihmuan Kosovën financiarisht, politikisht dhe ushtarakisht për të fituar lirinë dhe pavarësinë.

Të gjitha këto të këqija po ndodhin në kohën kur armiqtë e Kosovës, përkatësisht Serbia dhe Rusia po krijojnë aleanca të reja dhe miqësi, me shtetet e bllokut të lindjes deri në Kinë dhe Koren Veriore. Këtë e tha edhe vetë Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili po e viziton Kinën, të cilës i kërkoi armatim të ri dhe bashkëpunim në fushën e mbrojtjes.

Ndërsa takimi me Presidentin Putin i betonoi edhe një herë raportet vëllazërore ndërmjet Rusisë dhe Serbisë Ku Presidenti Putin përkrahu integritetin dhe sovranitetin territorial të Serbisë dhe u zotua se Rusia do t’i qëndrojë besnike Rezolutës të Këshillit të Sigurimit 1244. Andaj shtrohet pyetja: Ç'po bëjmë dhe ku jemi ne shqiptarët?

(Kosova Sot)