Një agjendë për dekadën e ardhshme të Evropës

Një agjendë për dekadën e ardhshme të Evropës
  • 29 April 2019 - 09:18

BE-ja duhet të trajtojë çështjen komplekse të migracionit

 Me një agjendë frymëzuese që shikon përpara, BE-ja mund të fillojë më në fund të largohet nga menaxhimi i krizave dhe të kthehet drejt realizimit të qëllimeve afatgjata. Kështu, qytetarët do ta kenë një arsye që përsëri të ndihen mirë rreth Evropës

Bashkimi Evropian ka shpenzuar një pjesë të madhe të kohës në dekadat e kaluara duke menaxhuar krizat dhe është përballur edhe me një kërcënim të mundshëm për ekzistencën e tij. Janë përkeqësuar edhe qëndrimet popullore ndaj BE-së. Derisa qytetarët ishin pozitivë ndaj dy valëve të para të integrimit evropian, në vitet 1950 dhe 1980, ata ishin gjithnjë e më kritikë ndaj BE-së që nga periudha 2008-2009, në mos më herët.

Çështja kryesore në Evropë sot është kjo: a jemi më mirë me apo pa njëri-tjetrin?

Në librin e tij “Economics for the Common Good” (“Ekonomi për të mirën e përbashkët”), ekonomisti francez laureat i çmimit Nobel, Jean Tirole argumenton “Sot, edhe një herë kemi nevojë për një vizion afatgjatë”, duke shtuar se “ne duhet të rehabilitojmë idealin evropian dhe të mbetemi të bashkuar rreth tij”.

Ndryshimi i politikave arsimore

Ai ka te drejtë. BE-ja nuk mund të përballojë një dekadë tjetër të menaxhimit të keq dhe të pavendosmërisë. Përkundrazi, ajo duhet të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme në katër shtylla: një agjendë ambicioze politike, një fokus te rezultatet, një reformë e institucioneve të BE-së dhe një theks i ripërtërirë i vlerave evropiane.

Realizimi i një programi të tillë do të përmirësonte cilësinë e jetës në të gjithë Evropën, do t’u japë qytetarëve siguri më të madhe, do të nxisë të mirën e përbashkët, do të stimulojë inovacionin dhe do ta bëjë Evropën më fleksibile. Fatmirësisht, BE-ja është mirë e pozicionuar për ta zhvilluar një vizion të theksuar, dhe realist, i cili do të ndihmojë për të kundërshtuar kritikat që vijnë nga qytetarët e saj.

Agjenda e politikës së BE-së për dekadën e ardhshme duhet të përfshijë sfidat globale siç janë Synimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, ndryshimet klimatike dhe ekonomia cirkulare. Evropa po ashtu duhet të përqendrohet në aspektin teknologjik, social dhe moral, te ekonomia digjitale, duke përfshirë edhe implikimet e saj për krijim të vendeve të punës dhe pabarazi. Dhe BE-ja duhet të trajtojë çështjen komplekse të migracionit, sidomos në dritën e turbulencave në Afrikë dhe Lindje të Mesme. Me traditat e saj të ekonomisë së tregut dhe atyre sociale, si dhe përkushtimin ndaj solidaritetit dhe angazhimit, Evropa mundet dhe duhet të shkëlqejë në këto fusha.

Por, për ta realizuar këtë potencial, BE-ja dhe shtetet e veta anëtare individuale kanë nevojë për objektiva të qarta politike.

Bizneset evropiane do të kenë nevojë të bashkojnë burimet e tyre, ashtu si edhe institucionet si universitetet dhe qendrat kërkimore. Gjithashtu do të kërkohet ndryshimi i politikave arsimore dhe bashkëpunimi më i madh me organizatat e shoqërisë civile.

 Evropa do të duhet të marrë vendime të forta rreth institucioneve të saj

Në ndjekjen e kësaj agjende, BE-ja duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi arritjes së objektivave specifike dhe rezultateve të dukshme, si dhe llogaridhënies. Kjo është vendimtare për besueshmërinë e projektit evropian. Pjesa më e madhe e pjesës tjetër të botës vepron në këtë mënyrë, dhe Evropa nuk mund të lejojë që të mbetet prapa.

Prandaj, çdo shtet anëtar duhet të zbatojë në mënyrë rigoroze dhe me integritet rregullat ekzistuese të BE-së, me sanksione të qarta në të kundërtën.

Për më tepër, të gjitha vendimet politike duhet të kenë një bazë të qëndrueshme financiare. Dhe parimi i subsidiaritetit (sipas të cilit merren vendimet e politikave në nivelin më të përshtatshëm të qeverisë) duhet të respektohet gjatë tërë kohës.

Sa i përket shtyllës së tretë, Evropa do të duhet të marrë vendime të forta rreth institucioneve të saj. Roli dhe rëndësia e Këshillit Evropian duhet të jetë i vetëkuptueshëm, duke pasur parasysh nevojën për angazhimin e shteteve anëtare, zbatimin e pajtueshmërisë me marrëveshjet dhe forcimin e kapacitetit për të vepruar.

Të njëjtën kohë, BE-ja ka nevojë për një kornizë për të kanalizuar pikëpamjet mospajtuese. Këtu vjen në shprehje roli i Parlamentit dhe Komisionit Evropian.

Për më tepër, të gjitha institucionet e BE-së, herët apo vonë duhet të bazohen në një qendër të vetme administrative. Dhe të gjitha reformat institucionale duhet të synojnë ta bëjnë BE-në më të përgjegjshme.

Së fundmi, qytetarët e Evropës duhet të kujtojnë se BE-ja nuk është thjesht një makineri vendimmarrëse.

Në fund të fundit, ajo është një bashkësi e mbështetur nga vlera që kanë dhënë shtysë për integrim dhe bashkëpunim dhe fuqia e tyre mbetet e pakalueshme në shekullin XXI.

Paqja, demokracia, liria, solidariteti, barazia, drejtësia dhe respekti për të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit janë po aq të rëndësishme sot sa ishin në vitet e hershme të BE-së.

Në të njëjtën kohë, Evropa duhet t’i rikalibrojë këto vlera për një epokë të ndryshimit, përçarjes dhe tranzicionit të shpejtë dhe ta inkurajojë një vetëdije më të lartë të qytetarëve ndaj tyre. Kjo kërkon arsimim të mëtejshëm, debat publik dhe angazhim mediatik, si dhe një reflektim më të thellë mbi këto vlera midis politikanëve evropianë.

Bizneset, universitetet, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet e tjera po ashtu duhet të theksojnë normativat që e sigurojnë të ardhmen e Evropës.

Evropa ka pasur një dekadë të vështirë.

Por, me një agjendë frymëzuese që shikon përpara, BE-ja mund të fillojë më në fund të largohet nga menaxhimi i krizave dhe të kthehet drejt realizimit të qëllimeve afatgjata. Kështu, qytetarët do ta kenë një arsye që përsëri të ndihen mirë rreth Evropës.

(Jan Peter Balkenende ishte kryeministër i Holandës)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”

(Kosova Sot)