Fol për Kosovën, por mos intrigo kundër Kosovës, zoti kryeministër?!

Fol për Kosovën, por mos intrigo kundër Kosovës, zoti kryeministër?!
Fol për Kosovën, por mos intrigo kundër Kosovës, zoti kryeministër?!

Enver Bytyçi

  • 03 May 2019 - 10:54

Presioni që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i kanë bërë kryeministrit Haradinaj është bërë temë diskutimi e replikash të ndërsjellta midis protagonistëve dhe pjesmarrësve në Samitin e Berlinit. Kryeministri I Kosovës i akuzoi publikisht të dy "vëllezërit siamezë pro serbë", Ramën dhe Thaçin se "ata i kanë bërë më shumë presion për taksën sesa vetë Vuçiq në Berlin"! Edi Rama u përgjigj me formulën e tij standard kur i djeg e vërteta se "Askush nuk më ndalon të flas për Kosovën"! Këtë lloj formule ai e ka shpreh në publik sa herë është zënë ngushtë dhe nuk ka patur përgjigje për kritikat që i janë bërë në raportet e tij me Kosovën. 

Ndërkaq e vërteta është se zoti Rama, bashkë me Hashim Thaçin dhe Baton Stanishiqin nuk flasin për Kosvën, por intrigojnë kundër saj. Nëse rendisim të gjitha deklaratat e tyre, atëherë secili do të shohë se në diskursin dhe veprimtarinë e këtyre tre protagonistëve të ndarjes së territorit të Kosovës ka vetëm intrigë, shejtanllëk, gënjeshtër, maska, mashtrime, me një objektiv të vetëm, të realizojnë me çdo kusht projektin e Beogradit për Serbinë e Madhe. Samiti i Berlinit ishte një dështim i madh për ta, por nuk e ka varrosur projektin serb të shkëmbimit të kufijve me Kosovën. Me datën 7 maj Aleksandër Vuçiq do të jetë në Itali për të kurdisur dhe njëherë tik-taket e orës së këtij plani dhe një ditë më pas do të vijë në Tiranë, me qëllim që të rekordojë punën në koordinim me Edi Ramën. Atë ditë në Tiranë do të jenë edhe Hashim Thaçi e Baton Stanishiqi. Këta të katër do të takohen jashtë kamerave e në fshehtësi nga publiku, me qëllim që të projektojnë kundërmasat në kundërpërgjigje ndaj Berlinit. Këtu do të jemi dhe do të shohim se cila do të jetë intriga e radhës kundër Kosovës! Dhe përsëri Edi Rama do ta justifikojë intrigën e tij me formulën "Askush nuk më ndalon të flas për Kosovën"!

Këta të katër nuk do të flasin më 8-9 maj për Kosovën, por kundër Kosovës. Atyre do t'u vijë në ndihmë gjithashtu viktima tjetër e Berlinit, Frederica Mogherini, e cila do të jetë ato dy ditë në Tiranë. Prej së paku katër vitesh ata kanë folur dhe kanë vepruar ethshëm kundër saj, kundër shtetësisë së Kosovës, kundër integritetit territorial të saj, kundër institucioneve dhe kushtetutës kosovare. Këtë punë do të vijojnë ta bëjnë edhe pas Berlinit. Të qenit kundër nuk është njëjtë me të folurit për diçka. Këta liderë, tre shqiptaro-serbë dhe një serb bashkë me Mogherinin, janë bërë bashkë jo vetëm kundër Kosovës, por edhe kundër Bosnjë-Hercegovinës, kundër Maqedonisë së Veriut, kundër Malit të Zi dhe vendeve të tjera të Europës Lindore ku jetojnë pakica të rëndësishme. Nëse ndodh me Kosovën shkohet te shpërbërja e këtyre shteteve. 

Në Berlin kryeministri i Bosnjë-Hercegovinës foli hapur për rrezikun që përbën vepra antiKosovë e presidentit serb, presidentit kosovar dhe kyzeministrit shqiptar. Por edhe presioni për heqjen e taksës nga ana e Ramës dhe Thaçit e ka intrigën e vet. Baton Haxhiu e trajtonte si tragjedi përgjigjen negative të Haradinajt dhënë presidentit Macron për këtë çeshtje. Në fakt tragjedi do të ishte nëse Haradinaj e heq taksën ndaj mallrave serbe që hyjnë në Kosovë. Në këtë çeshtje gjithashtu Kadri Veseli u shfaq në favor të kërkesës së Beogradit për heqjen ose suspendimin e taksës me pretendimin se ajo e ka kryer tashmë funksionin e saj.

E vërteta është se të gjithë këta me heqjen e taksës synojnë largimin e Haradinajt nga posti i kryeministrit. Që Vuçiq, Thaç, Rama e Baton Stanishiqi nuk duan ta shohin Ramush Haradinajn në krye të ekzekutivit të Kosovës, kjo tashmë është e provuar. Shkaku është se Haradinaj, siç shkruante Der Spiegel, pengoi planin e tjetërsimit të territorit të Kosovës. Dhe me qëllim që ky plan të rikthehet në skenë atyre u duhet të largojnë taksën e bashkë me taksën edhe autorin e saj, Ramush Haradinajn. Kjo është intriga e radhës që Edi Rama ka përdor në Samitin e Berinit kundër Kosovës dhe kryeministrit të saj. Me një gur të vrasë dy zogj: Edhe ta realizojë projektin e penguar në Berlin të ndarjes së Kosovës, edhe të hiqet para Merkel e Macron si faktor në Ballkan, për shkak të rënies së krediteve nga kriza politike në Shqipëri. 

Rama, Thaçi, Batoni janë tashmë të pabesueshëm në opinionin shqiptar. Ata duhen izoluar si mashtruesit më të mëdhenj në historinë e shqiptarisë, jo vetëm si njerëzit që punojnë më së shumti kundër Kosovës e pro Serbisë. Nisur nga faktet e shumta dhe lodhja që këta njerëz pa dinjitet e pa atdhe na kanë shkaktuar do të doja që këta të bojkotohen, të mos shihen në ekranet televizive, të mos dëgjohën se çfarë thonë, të mos ndiqen në deklarata që bëjnë, madje të mos intervistohen dhe të abondonohen edhe në rastet kur thërrasin konferenca shtypi, sepse njerëzit janë lodhur nga intrigat, mashtrimet dhe gënjeshttrat e tyre.

(Kosova Sot Online)