Thaçi&Vuçiq me projektin për Serbinë e madhe

Thaçi&Vuçiq me projektin për Serbinë e madhe
  • 13 maj 2019 - 17:40

Shkruan: Ramiz Bojaj

Minisamiti i Berlinit, i mbajtur këto ditë, shpërfaqi haptas idenë serbe të Aleksandër Vuqiçit, për ndryshim kufijsh, ide të cilën me aq pompozitet e prezantuan si të tyren edhe kryeministri i Shqipërisë Edvin Rama dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi. Realisht kjo ide ishte e projektuar në akademinë e shkencave të Serbisë, qysh në shekullin e kaluar, të cilën u munduan ta realizojnë edhe ultrafashistët serbë, Drazha Mihajloviq, Dobrica Qosiqi, Sllobodan Millosheviq.... si dhe pasardhësit e tij, të cilën këtë ide çnjerëzore e formatizuan si koncept diplomatik të politikës zyrtare serbe. Por, ajo qe është shokuese e qe mbetet për tu studiuar hollësit nga elitat tona, rrjedh nga fakti se si është e mundur që këtë ide ta pranojnë lehtësisht dy liderët kontravers të politikës shqiptare: Edvin Rama e Hashim Thaçi. E qe është edhe më tronditëse, ky u prezantua si plan 'nacional' për 'Shqipërinë etnike'. Shqipëri etnike me kryeheronj serbë, pasardhës të Slobodan Millosheviçit!!! Edhe ish kryenegociatorja e dialogut 'teknik' Kosovë-Serbi, znj Edita Tahiri, me të drejtë ka akuzuar Edvin Ramën e Hashim Thaçin për rolin e tyre në shtytjen e planit primitiv e fashist serb për shkëmbim territoresh, e qe përkon drejtëpërdrejtë me projektin e Serbisë së madhe.

Palaçot e kombit Edvini e Hashimi kur flasin për kufijtë nënkupton tkurrje të territoreve shqiptare, ndarje ose copëtim (bisedimet me Greqinë të Edvinit për zgjerim të zonës detare greke në teritorin shqiptar dhe bisedimet për shkëmbim territoresh nga Hashim Thaçi, projekt i Vuqiçit). Ata qe pranuan dhe shtynë përpara planin e Serbisë së madhe duhet të dëbohen nga udhëheqja e politikës së Kosovës, por edhe të Shqipërisë. është e udhës qe me këta iniciatorë të merret gjyqësia e prokuroria (në Kosovë e Shqipëri), sepse me këtë rast janë shkelur principet juridiko-kushtetuese e shtërore të Republikës së Kosovës, principet ndërkombëtare të shteteve sovrane, por është cenuar rëndë edhe sovraniteti shtetëror e territorial dhe vet liria e Kosovës. Znj Edita Tahiri me të drejtë i ka quajtur Hashim Thaçin dhe Edi Ramën si sponsorisues të ndarjes së Kosovës, duke qenë të ndihmuar edhe nga ministri i jashtëm dhe mjaft sharlatan Behxhet Pacolli. Por, znj Tahiri nuk duket deri në fund e sinqertë sa i përket periudhës së bisedimeve të ashtëquajtura teknike Kosovë-Serbi, sepse, bisedime teknike nuk mund të ketë pa marrëveshje paraprake politike, sepse një gjë e tillë është e pamundur të funskionojë ngase çdo marrëveshje të mundshme teknike, qysh në start bëhët e dështuar nga politika. Gjithashtu, marrëveshja për 'shpërbërjen' e strukturave paralele serbe, e proklamuar si sukses, doli të mos jetë e tillë, sepse strukturat turbulluese në veri, jo vetëm qe nuk u ndalën, por ato u institucionalizuan, duke institucionalizuar e zyrtarizuar fuqinë e politikës së Beogradit në principet e shtetit të Kosovës. Si pasojë erdhi edhe tek formimi i AKS-së, e cila në fakt rrezikoi bosnjëzimin e Kosovës. Po ashtu edhe fusnota, jo vetëm qe nuk lehtësoi prezantimin e Kosovës në nismat ndërkombëtare, por ajo u mor si preteskt për të penguar edhe më fuqishëm shtetin e Kosovës, duke e atakuar deri në agresivitet politiko-diplomatik (pengesat serbe në takimet, samitet, panairet, anëtarësimet ndërkombëtare....).

Gjithashtu, idetë për shkëmbim territoresh të endura korridoreve, atëbotë, më vonë u futën nën tavolinë e mbitavolinë, duke u bërë pjesë kryesore e dialogut politik, duke filluar edhe me shpërbërjen e shtetësisë së Kosovës. Me Serbinë gjithçka është politike. Eshte i freskët edhe qëndrimi fashist serb ndaj lojtarëve tanë bashkëkombas, Xhaka-Shaqiri, të cilët pasi bënë shqiponjën, pas shënimit të golave në përfaqësueset e tyre, menjëherë u ndoqën me protesta të shumta politike e diplomatike serbe! Thjeshtë një simbol lirie i garantuar nga të gjitha institucionet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ky agresivitet është shtuar, ngase Rama-Thaçi-Haxhiu, janë shpresë e madhe e arritjes së synimeve të Serbisë në Kosovë.

Kjo klikë punon për pazare në dëm të çështjes shqiptare, thjeshtë për të 'larë' fajësinë e udhëheqësve të shantazhuar e të ndjekur me dosje kriminale për shumë të palara qe mund të kenë ndodhur. Këtë e forcon edhe analisti ndërkombetar Bodo Veber, i cili kohë më parë kishte deklaruar se presidenti Hashim Thaçi po shtyn përpara idenë e shkëmbimit të territoreve në mënyrë që të amnistohet nga Gjykata Speciale. Institucionet e drejtësisë në Kosovë është dashur të reagojë lidhur me harxhimin e miliona eurove nga Hashim Thaçi për shtytjen e idesë e Vuqiçit për Serbinë e madhe, duke hulumtuar edhe veprimtarinë e Baton Haxhiut & Co (sistemi propagandistik serb), sepse këto kanë cënuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë shtetësinë e Republikës së Kosovës. Një veprimtari e tillë është antishtetërore për Republikën e Kosovës, por edhe antikushtetuese e antikombëtare. Tani duhet të jemi edhe shumë syçelë, ngase Edvin Rama e Hashim Thaçi i kanë ditët e numëruara në pushtetet e tyre. Se a do të biejnë nga protestat gjithëpopullore, apo nga vota e popullit, kjo mbetet të shihet, por në fundin e tyre, rreziku mbetet tejet i madh dhe evident. Historia na ka mësuar se liderët mercenarë kanë shkuar bashkë me klikat e tyre, por pasojat kanë mbetur afatgjata.

(Kosova Sot Online)