Trukimet e Thaçit dhe Ramës për t’i ikë akuzave për ndarjen e Kosovës!

Trukimet e Thaçit dhe Ramës për t’i ikë akuzave për ndarjen e Kosovës!
  • 14 May 2019 - 18:26

Enver Bytyçi

Hashim Thaçi dhe Edi Rama kanë ndryshuar programin e shërbimeve në vijim të politikave serbe për pushtim territoresh. Pasi panë se ideja e propaganduar me aq pasion për ndarjen e Kosovës si presidenti i Kosovës edhe kryeministri i Shqipërisë kanë nisë një fushatë trupimi propagandistik me qëllim që ta rimashtrojnë opinionin publik në hapësirën shqiptare.

Për ta konkretizuar këtë fakt më duhet tu drejtohem disa deklaratave të tyre të kohëve të fundit, pas Samitit të Berlinit. Hashim Thaçi si fillim u përpoq ta denigrojë këtë samit dhe iniciativën e Merkel si dhe Macron për ti dhënë goditje fatale idesë së krijimit të Serbisë së Madhe, të cilën ai bashkë me Edi Ramën e bënë dhe e mbrojtën për më shumë se një vit temë diskutimi në mediat shqiptare e ndërkombëtare. Tha se Samiti i Berlinit është i dështuar, pasi për të u shpërfill roli amerikan. Por kur mori përgjigjen e kundërt nga ana e ministrisë së Jashtme të Gjermanisë dhe opinioni publik i njoftua se presidenti i Kosovës sërishmi kishte mashtruar, ka nisur nje truk tjetër.

Nuk më besuan veshët kur deklaroi se ideja e tij për bashkimin e Preshevës me Kosovën i paskan ndalur procesin e ndarjes së Kosovës. Njësoj si për taksën. Ndonëse e kërcënoi Ramush Haradinajn në sy të ambasadorit amerikan për heqjen e taksës, u kthye e tha se gjoja taksa është e drejtë e Kosovës. Një dredharak klasik, i pashembullt. Kështu po ndodh me përpjekjet e tij për tjetërsimin e integritetit territorial të Kosovës. Kërkesa e tij për bashkimin e shqiptarëve ne Jug të Serbisë thotë ai e paska ndal Vuçiqin për tia bashkuar Serbisë Trepçën dhe territoret e tjera të pasura të Kosovës.

E vërteta është se Thaçi idenë e Luginës së Preshevës e hodhi pasi pa reagimet e ashpra te opinionit publik shqiptar e ndërkombëtar të ndarjes së Kosovës në këmbim të njohjes së saj nga Beogradi. Në fillim Hashimi na thoshte se nuk ka asnjë mundësi tjetër, veç ndarjes, për ta fituar një ulëse në OKB. Dhe thoshte se statukuoja është më e rrezikshme se ndarja. Kur u ndesh me kritika të ashpra solli në vëmendje Luginën e Preshevës. Me këtë ide të shkëmbimit të territorit ai besoi se do ta kishte mbështetjen e shqiptarëve. Por veç Nexhat Dacit e Lutfi Haziirit, nuk gjeti mbështetës të tjerë as për këtë.  Ndërkohë ai e dinte se Lugina e Preshevës nuk do të hynte në lojën e ndarjes së Kosovës. Madje e kishte garantuar Vuçiqin se po bënte mashtrimin e radhës.

Politika, media opinioni e kuptoi lojën e re të Presidentit të Kosovës dhe iu kundërvu ashpër atij për mashtrimin që po bënte. Ndërsa tani po na servir një variant të ri mashtrimi. Thjesht paska patur qëllim ta ndalonte ndarjen e vendit. Një variant ky krejt i pabesueshëm edhe nga idiotët më injorantë, sepse opinioni publik e njeh tashmë militantizmin e Hashim Thaçit në funksion të ndarjes së vendit. A  u vu në konflikt me këdo që e kundërshtoi idenë, të cilën Thaçi thoshte dhe thotë se ishte e tij. Në fakt ishte e presidentit të Serbisë. Por thoshte se ishte e tij, sepse ndryshe Hashimi do të dekonspirohej si shërbëtor i Beogradit.

Ka edhe teori të tjera protagonizmi të Hashim Thaçit dhe Edi Ramës në përpjekje për të shlyer gjurmët e tradhtisë së tyre ndaj atdheut, ndaj Kosovës. Një ndër to duket ajo Edi Ramës për atë që ai e quan një hapësirë e përbashkët në Ballkanin Perendimor, të cilën në Beograd e interpretojnë si gjoja përpjekje të kryeministrit shqiptar për të bashkuar shqiptarët në rajon. Por po të ishte kjo arsyeja Rama kishte mjaft kohë së paku të ndërtonte ligje të njëjta doganore e tatimore me Kosovën, me qëllim integrimin e ekonomive të të dy vendeve tona. Ai bëri pesë a gjashtë mbledhje të qeverive të përbashkëta, thjesht për të promovuar shqiponjën e flamurit, por për ta penguar e vështirësuar marrëdhënien normale midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Tani ka thirr në ndihmë ministrin serb të Mbrojtjes, Vulin, me qëllim që të ngrejë kreditit e tij anti-serbe. Vulin e akuzoi dje kryeministrin shqiptar si person që përpiqet të krijojë Shqipërinë e Madhe deri në Serbinë Qendrore. Ishte kjo një manovër perfekte që budallenjtë ta besojnë sërishmi mashtrimin e Edi Ramës për tu paraqit si nacionalist shqiptar, ndërkohë që me përpjekjet e tij për ndryshimin e kufijve të Kosovës në favor të Serbisë ai punoi e agjitoi thjesht is nacionalist serb.

Duket qartë se strategjia e Thaçit dhe Ramës ka ndryshuar. Regjizori është përsëri Aleksandër Vuçiq. Ndërmjetës mbetet edhe më tej Baton Haxhiu. Ndërkohë që media e tij KLAN Kosova vijon të bëjë gramafonin e Beogradit në Prishtinë.

(Kosova Sot Online)