Populli e do ndryshimin e jo riciklimin zoti Kurti!

Populli e do ndryshimin e jo riciklimin zoti Kurti!
  • 23 May 2019 - 17:45

Shkruan: Florim Zeqa

Sikur Lëvizja Vetëvendosje të mos bëhej pjesë e sistemit (pranimit të "Pakos së Ahtisarit" dhe kushteve të lojës parlamentare ), jam i sigurtë se do ta kishim një forcë politike opozitare të gatshme jo vetëm për të protestuar, por edhe për t'u ballafaquar me sfidat e kohës nëpër të cilën po kalojmë si dhe për të sjellur ndryshimin e shumëpritur.

 

Në fakt arsye e këtij shkrimi ishte postimi me ngazëllim i z. Alabin Kurti në profilin e tij në Facebook; "Sot takova kryetarin e LDK-së, z. Isa Mustafa. Biseduam për situatën politike dhe iniciativën për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë. Kosova ka nevojë për zhvillim ekonomik e jo për korrupsion institucional. Qytetarët duan qeverisje të re, të mirë e të drejtë dhe jo keqqeverisje që na e rrit borxhin, zhvat buxhetin dhe falimenton ndërmarrjet. U pajtuam që t'i bëjmë përgatitjet e nevojshme për rrëzimin e qeverisë".

Mjafton ky staus i Kurtit për të kuptuar se nuk pritet gjë e mirë nga "Vetëvendosja" dhe as nga subjektet aktuale politike. Ngase aq shumë ngjajnë në njëra-tjetrën subjektet politike dhe liderët partiak saqë elektorati e ka të vështirë ta bëjë dallimin mes tyre!

Lidhja eventuale e kurorës mes mbeturinave të sistemit komunist (titisto-enverist), nuk është ecje para, por kthim prapa dhe tallje me qytetarët e pashpresë.

 

Gëlltitja e "qershive të lagura"

 

"Përgjërimi" dy herë radhazi brenda pak muajëve i Albin Kurtit ndaj Isa Mustafës, suportit më të madh të Hashim Thaçit në këto 10 vjetët e fundit dhe nënshkruesit të dytë të "Zajednicës" (me 25 Gusht 2015 në Bruksel), përveqse befasi e papritur për qytetarët e dëshmon faktin se Albin Kurti ka mungesë sinqeriteti dhe fare nuk ka të bëjë me kauzë shtetërore, por vetëm pushtetore!

Të kërkosh ndihmë dhe bashkëpunim nga kundërshtari, përveqse dobësi, është shkelje e parimeve dhe mohim i vetë-vetës përballë kauzës në të cilën thirresh.

Nuk është e largët koha, kur Albin Kurti dhe jo vetëm ai, e tymosën dhe kontaminuan sallën e Kuvendit dhe i vunë flakën objektit të Qeverisë me kërkesën "Isë dhe Hashim, ikni!".

Si ka mundësi që kaq shpejtë z. Kurti mundi të harrojë skenat e llahtarshme brenda dhe jashtë Kuvendit, e për më tepër se kaq, Isa Mustafën e sulmoi edhe shtëpinë e tij në Prapashticë!

"Qershia e lagur" (Isa Mustafa) nga ajo kohë nuk ka ndryshuar, është ai që ishte, kryetarë i LDK-së dhe nënshkrues i Zajednicës, por jo edhe kryeministër i vendit.

E meqë (sipas Kurtit) Isa ("qershia e lagur") tani nuk është kryeministër, bën të hahet, por jo edhe presidenti Hashim Thaçi.

Këtu qëndron e tërë hipokrizia dhe kauza e rrejshme e Albin Kurtit për shtet.

I keq është ai që mban pushtetin, ndërsa i mirë është (i keqi) që humbi pushtetin.

Në këtë rast, janë vetëm dy të vërteta; e para), Albin Kurti duhet t'i ketë kërkuar falje Isa Mustafës për të gjitha veprimet e deritanishme, ose e dyta), e ka vendosur të tradhtohet përseri nga ai!

Të vërtetë të tretë nuk ka. "Ujku qimen e ndërron, por zanatin se harron", thotë një fjalë e urtë popullore.

Kjo është logjika më e mbrapsht e arritjes së qëllimeve politike duke mashtruar dhe tradhtuar qytetarët e vendit.

Qytetarët e vendit nuk i hanë "qershitë e lagura" dhe as ata që i hanë ato.

 

Kurti të dëshmoi kauzën e tij për shtet

 

Nëse vërtetë Albin Kurti angazhimin e tij politik e ka për shtet, atëherë duhet të dëshmohet për këtë para qytetarëve të vendit.

Tërheqja e mandateve të deputetëve të LVV-së nga Parlamenti i Kosovës, dhe largimi nga të gjitha koalicionet qeverisëse komunale, do të krijonte besueshmëri qytetare dhe kredibiltet politik për subjektin që drejton z. Kurti.

Ndryshe, nuk ka logjikë dhe nuk mund t'i besojnë qytetarët kauzave për pushtet të Albin Kurtit.

Për shkak se, dëmi që i shkaktoi LVV-ja kryeqytetit me kandidaturën e Shpend Ahmetit është i madh dhe i pa llogaritshëm.

 

Reformimi dhe vetëpastrimi parakusht për ndryshime

 

Edhe pse ka ndodhur një "rifresh" në LVV, brenda këtij subjekti politik kanë mbetur akoma mjaft figura të ricikluara, misioni i të cilëve mund të jetë i paparaSHIKueshëm për vendin.

Akoma më shumë situatën në LVV e mjegullon prezenca e madhe e pjestarëve të SHIK-ut, ish minstrave dhe ish deputetëve të PDK-së në strukturat udhëheqëse të këtij subjekti politik, saqë krijohet përshtypja e një PDK-je të re (PDK 2) e aspak e një lëvizje çfarë ishte në fillet e saj!

Kur kësaj situate i shtohet dhe koalicioni i mundshëm i LVV-së me LDK-në e kapur dhe katandisur keq nga Isa Mustafa, atëherë deklaratat e Kurtit për ndryshime pozitive në vendin tonë zvogëlohen në minimum!

Thënë edhe më qartë, koalicioni Kurtit me Mustafën nuk është ndryshimi që iu ka premtuar qytetarëve lideri i LVV-së. 

Binomi Kurti-Mustafa vetëm mund të bëhen kopje e keqe e binomit fatkeq për vendin Thaçi-Mustafa, të cilin qytetarët e vendit nuk e dëshirojnë as në ëndër t'iu përseritet më.

Ndryshe, pa reformimin paraprak e të thellë të këtyre dy subjekteve politike (LDK dhe LVV), jo vetëm që nuk bëhet fjalë për ndryshim, rrezikojmë t'i humbim edhe 20 vjet të tjera me këta politikanë të papërgjegjshëm e mashtrues, egoist e karrierist të papërmirësueshëm.

 

Partitë politike, korporata fitimprurëse për liderët e tyre

 

Nuk ka sesi të jetë ndryshe, kur klasa e kusarëve politikë standard të veprimeve të tyre e kanë gënjeshtrën dhe mashtrimin e qytetarëve, vjedhjen dhe abuzimin e buxhetit të shtetit. 

Partitë politike në përgjithësi janë shndërruar në korporata fitimprurëse për liderët e tyre, ndërsa janë bërë shkelëse dhe abuzuese te besimit të qytetarëve.

Duke u ngritur në karrierë politike dhe pasuruar nga mashtrimet dhe kauzat e rrejshme, klasa politike aktuale (pushtet dhe opozitë) modelin e abuzimit e kanë ngritur në standard të politikës ditore.

Pra, kjo klasë kusarësh politikë dinë se si të gënjehet, e mashtrohet, të blihet e mbahet elektorati për mbi 20 vjet për mbajtjen,gjegjësiht marrjen e pushtetit.

E vetmja shpresë e vogël e  qytetarëve të dëshpruar është ngjizja e një nisme të re nga Diaspora në bashkëpunim me kapacitetet e shëndosha intelektuale të vendit, me veprimtarët dhe atdhetarët e përkushtuar ndaj Kosovës martire, për ta ç'rrënjosur në themel të keqën që ka mbërthyer vendin tonë në këtë dhjetë vjetëshin e fundit.

Kjo është e mundur me vullnet e dashuri, me guxim e përkushtim, me besa-besë për një qëllim hyjnor për të dhënë gjithçka nga vetja për Kosovën dhe qytetarët e saj.


(Kosova Sot Online)